Rejhan Neziri
 
 

Me shkas rastet e shpeshtuara të vrasjeve
 të grave në botën shqiptare.

 
 
Momenti i vetëm kur ti po e ndien veten burrë si duket është ai kur ti e shkel, e nëçmon, e diskriminon, i bërtet, e rreh dhe sidomos kur e vret një femër, një grua, qoftë kjo vajzë, qoftë motër, qoftë bashkëshorte ose ish-bashkëshorte, qoftë, mo zot më keq, nënë. Kjo e fundit, pra vrasja e një femre, për ty është kulmi i kënaqësisë burrërore, maja e ekstazës sate prej «burri».

Ti mendon kështu sepse kështu të ka mësuar rrethi i keq i burrecave dhe ndoshta kështu ta ka mbjellë kultura jote varoshare: "nderin e burrit duhet me e ruajt me pushkë". Kjo kulturë e mbrapshtë të ka mësuar se gruaja nuk është vetvetja, se ajo i takon mashkullit: vëllait, babait, burrit; të ka mësuar se nderi i burrit ndodhet jo te burri po te gruaja, te femra, se ajo është hamallja e nderit dhe e krenarisë sate, e cila me ton po të mungon ty, që nga lindja me sa duket. Atë nder e krenari që nuk e trashëgon ose që nuk e fiton me mund, me përpjekje, me drejtësi, me largpamësi e me burrëri prej së vërteti, të gatshme ta sjell femra, gruaja. S’ke pse lodhesh ti, burrec bir burreci, ligaç bir ligaçi. Nderin e ke hazër te bija, te motra, te gruaja, te kunata, te nëna. 

Ahhh! A po e sheh se sa i gjorë, sa i vockël, sa i papjekur, sa fëmijë që mbetesh e që nuk po rritesh kurrë, ti o mashkull shqiptar?! Po po, më duket se i vetmi moment kur ti e ndien veten të rritur është kur e shkel dhe e vret më të dobëtën, më të brishtën, më të butën qenie. Në këtë moment ti, me sy të zgurdulluar e të dalë vendi, pret prej të tjerëve të ta miratojnë e të të thonë: «Mirë ia bëre kudrës!», «Të lumtë, kështu ruhet nderi i burrit!», «Aferim, djali i babës!», «Bravo, ti je bosi i mëhallës, le të guxojnë kurvat të luajnë bisht tani e tutje!», «Askush nuk e vret askënd pa arsye!» e të ngjashme «pëllitje kafshësh» përreth teje. 

Ku di ti dhe ata përreth teje se çka është butësia, mëshira, dhembshuria?! Ku di ti çka është burrëria?! S’ta ka mësuar me gjasë as babai, as mësuesi, as hoxha, as prifti, as plaku i katundit… Ti burrëri e di të shkelësh të butin e të dobëtin. Kjo, nëse nuk e ke ditur, është ligj në botën e kafshëve të egra. Madje edhe ato shpeshherë, në mënyrë të mahnitshme dhe jo vetëm kur janë të ngopura, tregojnë njëfarë mëshire ndaj më të dobtëve. A s’po e sheh se ku ke rënë? Edhe më poshtë se egërsirat.

Ti, po të them, nuk mendon dhe nuk jeton me kokën tënde. Ti jeton me «çka do të thonë të tjerët?!». Fraza «çka do të thonë të tjerët» për ty dhe të ngjashmit e tu është bërë zot dhe perëndi e juaja. Nuk guxon t’ia prishësh qejfin këtij «zoti», sepse zemërohet, sepse të qorton, sepse ti pastaj e ndien veten të ulët. Eh, more mashkull shqiptar! S’po të them burrë, sepse e fëlliq termin burrë ti. Burri shqiptar, me të gjitha dobësitë që mund t’i ketë pasur, kurrë nuk e ka kërkuar nderin te gruaja. Atë e ka kërkuar te fytyra e vet, te lëngu i fytyrës së vet. 

Pas kaq shumë femicideve, vrasjeve të grave, pas kaq shumë keqtrajtimeve e abuzimeve me gratë, a nuk është koha që mbarë shoqëria shqiptare të ngrihet në këmbë e të thotë: «Ndaluni, o burreca, se gabim jeni! Nuk jua lëmë shoqërinë e vlerat tona në duar juve, o matrapazë!». A nuk është koha që autoritetet e sigurisë dhe të drejtësisë së shteteve tona të veprojnë me efikasitet e deri në fund me ndershmëri, nëse u ka ngelur ndonjë ashkël nderi e burrërie? A nuk është koha që në shkollë e në xhami të mësohet parimi bazë se secili njeri është vetvetja, se askush nuk i takon dhe nuk është pronë e askujt, se të gjithë jemi krijesa dhe në dorë të Zotit, se askush nuk guxon ta trajtojë tjetrin sikur të ishte gjësend apo kafshë, se secili ka dinjitetin e vet të dhuruar nga Zoti..?! A nuk është koha që institucionet arsimore, edukuese, fetare etj., ta trajtojnë dhunën në familje gjerë e gjatë dhe të mbjellin vlerat humane e fetare?! Investim në vlera e quani vetëm investimin në infrasktrukturë? Investim e quani vetëm ndërtimin, rindërtimin meremetimin e objekteve arsimore e fetare? Investim e quani ndërtimin e xhamive e kishave në çdo mëhallë a skutë qyteti? Kur do të investoni në njeriun? Kur do t’ua mësoni nxënësve e talebeve që njeriun ta trajtojnë si qenie të dinjitetshme, të mëvetësishme, të nderueshme? Kur e keni ngritur zërin kundër dhunës në familje? Kur u ka dirigjuar qeveria?! Kur u ka thënë myftiu a reisi të mbani një hutbe në mbarë vendin?! Kur ishte dita ndërkombëtare kundër dhunës në familje?! Jo, kolegë hoxhallarë e priftërinj, kolegë mësues e edukatorë, me një leksion, me një hutbe e me një predikim nuk shkulet e keqja. Ajo duhet luftuar vazhdimisht, për këtë duhet djersitur vazhdimisht, derisa të ndryshojë mendësia se dikush është pronë e dikujt, se bija, motra a gruaja është mall i mashkullit. Kjo duhet të shkulet nga koka e shqiptarit, njëherë e përgjithmonë.

Vlera që duhet mbjellë është se në familje nuk ka zot shtëpie e rob shtëpie, se nuk ka shef dhe argatë, se familja nuk është shtet skllavopronar e as fabrikë a punëtori ku ka pronarë e punëdhënës dhe punëtorë e punëmarrës. Familja është e shenjtë dhe e bekuar dhe kështu duhet të ruhet e të kultivohet. Vetë trajtimi i anëtarëve të familjes si skllevër, si argatë a si punëtorë, është mëkat i pafalshëm, është ogur i zi në vetvete. Familja ka baba dhe nënë, ka vëllezër e motra, ka nipa e mbesa, ka burrë e grua, ka kunetër e kunata… dhe të gjithë këta i lidhin ndjenjat e respektit, e dashurisë, e harmonisë, e mirëkuptimit, e përkatësisë dhe e sigurisë shpirtërore.

Sigurisht që nuk dua t’i idealizoj gjërat, sigurisht që ka zënka e mospajtime brenda anëtarëve të familjes, por këto zgjidhen me mend, pa emocione, me largpamësi e me mençuri, larg llafeve të mëhallës e të kafenesë. Nuk i zgjidh dot problemet me gruan duke u mbështetur në fjalët e beqarit! Nuk i zgjidh dot duke u mbështetur në llafet e kafehanes. Nëse s’ke mundësi vetë t’i zgjidhësh, këshillohu me njerëz të mençur, me një mësues, me një hoxhë, me një prift, me një mjek, me një psikolog, me një psikiatër, me një punonjës social etj. etj., por jo me ata që ta fërkojnë shpinën për të ta gjetur pikën më të përshtatshme e për të ta ngulur thikën më vonë mu aty. 

Le të mësojmë të komunikojmë pa dhunë, le të mësojmë të zihemi pa dhunë, le të mësojmë të debatojmë pa dhunë, le të mësojmë të kundërshtojmë mendimin e tjetrit pa dhunë dhe pa e lënduar nderin dhe dinjitetin e tjetrit. Kundërshtimi i mendimit të tjetrit nuk duhet të kuptohet si sulm ndaj personalitetit të tij, porse si një mundësi për ta gjetur më të mirën, më të kapshmen, më të dobishmen, më të arsyeshmen.  

Po s’u gjet zgjidhje për problemet bashkëshortore, le ta marrë secili rrugën e vet. Edhe pse është gjë e urrejtur te Zoti, megjithëkëtë është e lejuar fetarisht, njerëzisht e mendërisht. Këtu po e parashtroj pyetjen e radhës: kur do të mësohemi ne shqiptarët të shkurorëzohemi si njerëz, pa lëndime e pa dhunë, pa e konsideruar palën tjetër si pronë, si mall a si gjësend tonin? Pse nuk e sheh shkurorëzimin si një shans, si një mundësi për një jetë të re më të mirë, si një shpëtim, në një rast kur martesa a jeta familjare tanimë është shndërruar në një ferr?

Për fund, le të dihet qartë se sot dhuna në familje – qoftë fizike, psikologjike, seksuale, ekonomike a sociale -  nuk është më çështje private familjare ose bashkëshortore. Kush e llogarit kështu, ai i ka ndihmuar së keqes, ai është bashkëfajtor. Dhuna në familje sot llogaritet çështje publike dhe ajo duhet të denoncohet. Si duket vetëm ne shqiptarët jemi ata që e shohim të keqen dhe të keqin dhe nuk e denoncojmë, duke e quajtur çështje private. Kjo është kështu përderisa vritet bija, motra, gruaja, nëna e tjetërkujt. Ne na kujtohet se duhet të reagojmë e ta denoncojmë të keqen vetëm kur dikush ta vrasë bijën, motrën, gruan a nënën tonë. Atëherë sigurisht që është vonë. Çatia nuk meremetohet në ditën që bie shi!

Zoti na ka dhënë mend, na ka dërguar profetë e libra të shenjtë dhe na ka mësuar si ta rregullojmë jetën tonë në këtë botë. Ai vetë nuk vjen të na ndreqë punët tona, nuk dërgon as engjëj për këtë. Ai na ka dhënë arrat, por ato duhet t’i thyejmë vetë!
 
 
Kreuzlingen, 01.12.2022