Rehan Neziri
 
 
Fjala autokrat është me prejardhje greke dhe do të thotë „vetësundues“. Përndryshe mund të themi se autokrati është një „lider i fuqishëm, ose që mëton të duket i tillë, dhe që nuk i ka gajle zgjedhësit dhe instancat para të cilave duhet të japë përgjegjësi”. Mirëpo ky njeriu në maje të piramidës udhëheqëse – që thuajse për herë është një mashkull - ka një farë legjitimiteti, pasi ai në fillim është votuar dhe zgjedhur për atë post, qoftë në zgjedhje të rregullta, qoftë në të jashtëzakonshme, po qoftë edhe pas ndonjë puçi ndaj një autokrati të mëparshëm. 

Autokratët vijnë në pushtet në ato shoqëri a institucione, të cilat nuk kanë ndonjë traditë të gjatë e të fuqishme demokratike. Në vendet apo institucionet që mbajnë zgjedhje e votime të rregullta, ku demokracia ka fjetur dhe është bërë rregull, aty autokratët nuk mund të kenë jetë të gjatë, edhe sikur të tentojnë të instalohen si të tillë. 

Në vazhdim do t‘i përshkruajmë hapat se si “brumoset” ose si krijohet autokrati dhe si kalon në diktator e tiran.

Hapi i parë: autokrati i ardhshëm zakonisht është një „figurë e re“, jo pjesë e establishmentit. Ndodh që ai të vijë edhe nga radhët e udhëheqjes së deritanishme, por të mos ketë pasur ndonjë rol të dukshëm dhe të rëndësishëm për publikun. Zakonisht autokrati i ardhshëm vjen nga qarqe e shtresa të tjera të jashtme ose periferike, si një shpresë ndreqëse, pasi elitat e deritanishme udhëheqëse jo vetëm që janë harxhuar e konsumuar deri sa s’bën, por edhe e kanë sjellë gjendjen e vendit a të institucionit në fjalë, deri në pikën zero, me nepotizmin, keqpërdorimet, korrupsionin dhe mashtrimet e tyre. Votuesit dhe zgjedhësit e tij, të frustruar, të zhgënjyer e të zemëruar me udhëheqësit paraprakë, te kjo figurë shohin shpresën për ndreqjen e situatës. Ai edhe e premton këtë fuqishëm. Atë e ndihmojnë gjithnjë edhe media të caktuara, të mbështetura nga parti politike, forca ose nga oligarkë me orientime pro ndryshimeve.

Hapi i dytë: autokrati i ardhshëm i përdor për vete pakënaqësitë e popullit apo të vartësve të tij dhe krijon ndasi në shoqëri a në institucion. Ai e ndanë shoqërinë në “popull të vërtetë” dhe “të tjerët”, ky i institucionit apo i organizatës në “ithtarë” dhe “dashamirë” të vërtetë të institucionit dhe në “tradhtarë” e “shkatërrimtarë” të institucionit. Kemi ndarjen në “bardh e zi”, në “ne të mirët” dhe “ata të këqijtë”. Me këtë rast shpërfillen ngjyrat e tjera; ata që mendojnë ndryshe etiketohen si kundërshtarë e pse jo edhe shpallen për armiq, pas përpjekjeve të dështuara për t’i (ri)kthyer edhe ata në vathë. Tanimë funksionon maksima: “Kush nuk është me ne, është kundër nesh”. Ai ka qëndrim përjashtues. Ndërkohë që ka shumë njerëz të mençur të cilët kanë mjaft ide alternative, saqë reduktimi në “ne” dhe “ata”, përjashtimi i atyre që nuk mendojnë si njëra ose pala tjetër, u duket qesharak dhe lëndë për hajgare. Kjo gjuhë e mprehtë, populliste e përjashtuese e autokratit në formim e sipër, bëhet e pashmangshme për të, ai nuk mund t’i ikë më kësaj, pasi atij i mungon arsyetimi i shëndoshë dhe i hapur për ide, alternativa e rrugë të tjera të mundshme. Demagogëve të këtillë u duhet një “popull i vërtetë”, “ithtarë të vërtetë” që do t’u bëjnë ballë, në qoftë se duhet, edhe të luftojnë kundër “tradhtarëve”. Ta rikujtojmë edhe një herë, me “tradhtarë” këtu nënkuptohen të gjithë ata që nuk mendojnë si “shpëtimtari”, në fakt si autokrati, i cili vazhdimisht po e sheshon rrugën e tij për t’u bërë sundues i vetëm, i cili të gjitha pushtetet e mundshme dëshiron t’i mbajë në dorë vetë, asgjë të mos ndodhë pa dijen dhe aminin e tij. Në këtë pikë, vlerat dhe rregullat e shkruara e të pashkruara, fillojnë të mos kenë vlerë e legjitimitet, ato nuk shihen më si referenca për administrim e udhëheqje, porse si pengesë për “avancim” e “reforma”. Ndodh jo rrallë herë që, kushtetuta, disa ligje e rregullore në fuqi, të cilat në fillim, para se të vinte në pushtet, shiheshin si antidemokratike, jo legjitime e të dëmshme, që do të duhej të ndryshoheshin në rastin më të parë të mundshëm, tani me forcimin e pozitës së tij prej autokrati të mos shihen më si në fillim, porse si të papërfillshme, si jo edhe aq të dëmshme e penguese, pasi të njëjtat që ia kishin garantuar komoditetin autokratit paraprak, kanë filluar t’i hyjnë në punë edhe këtij. E njëjta strategji demagogjike e djallëzore. Ndryshime ligjore mund të bëhen vetëm nëse të njëjtat e forcojnë pozitën e tij aty, të tjerat nuk kanë gjasë. I pari ndryshim që bëhet zakonisht është ai që autokratit ia siguron qëndrimin në krye me mandat pa afat të kufizuar, deri në vdekjen e tij. Madje këto ndryshime bëhen edhe pa konsultime paraprake me organin vendimmarrës dhe shpeshherë pa kuorumin e nevojshëm. Edhe ashtu hierarkia që e ka krijuar është me bindje dhe dëgjueshmëri të plotë pothuajse ushtarake. Sjellja e vendimeve të tilla ose e votimeve të tjera të lejuara nga autokrati, nuk guxojnë të bëhen me vota të fshehta, porse të hapura, në emër të “transparencës”, në fakt të dedektimit se kush është pro e kush kundër tij. Siç mund të shihet, autokrati në të njëjtën kohë është edhe një frikacak i lemerishëm. Ai edhe ka të drejtë të ketë frikë nga “sulmet e brendshme dhe të jashtme”, sepse ai e di që nuk po sundon me drejtësi e me etikë, porse me hile e me djallëzi.

Hapi i tretë: në këtë fazë, autokrati i ardhur në pushtet me zgjedhje të lira e të drejta ose gjysmë të drejta e gjysmë korrekte, tanimë fillon t’i rrënojë dalëngadalë të njëjtat mekanizma demokratikë që e sollën në pushtet, si zgjedhjet e lira e të drejta, ndarja e pushteteve, gjyqësori i pavarur, mediet e lira etj. Në çdo zgjedhje e votim të radhës vërehet zbehja e korrektësisë së të njëjtave. Në to fiton vetëm ai, edhe atë në mënyrë bindëse, me mbështetjen e ithtarëve të vet dhe me mbështetjen e forcës së kthyer mbrapshtë të mekanizmave që e sollën në pushtet. Ai nuk turpërohet të lidhë pakt edhe me djallin, vetëm e vetëm të konsolidohet mirë e mirë aty ku është. Ai nuk e kursen rrenën, mashtrimin, ryshfetin e korrupsionin për t’i sulmuar “tradhtarët” dhe “armiqtë”. Ai i blen oligarkët dhe gazetarët që duan të mbeten të pavarur dhe objektivë. Kur nuk arrin ta bëjë këtë, ai i largon ata nga rruga. Mendimet e mundshme ndryshe brenda radhëve të tij i sheh si kërcënim dhe sulm ndaj personalitetit të tij. Ai madje tanimë nuk flet për vetveten, por për kërcënimin që i bëhet vendit ose institucionit. Sepse ai që moti e ka identifikuar vetveten me shtetin, me organizatën ose me institucionin ku është duke sunduar. Ato janë “të tijat”, pretendon se ai i ka ngritur dhe zhvilluar të njëjtat. Pa të, mendon ai, ato shemben si kulla letre. Ai është babai i tyre, është pronari i tyre. Kur shteti a institucioni shihet si pronë personale, natyrshëm që do të mbrohet me çdo kusht nga secili “sulm i jashtëm  dashakeq”.

Hapi i katërt: forcimi i pushtetit me manipulime, me krijim të “armiqve” dhe me hedhje të popullit apo të vartësve në letargji me anë të dezinformatave. Krahas diktatorëve të dhunshëm e të tmerrshëm, sot është shfaqur një soj më i butë, më pak i dhunshëm i tyre, por mjeshtërisht shumë manipulues. Ata prodhojnë një huti të madhe me anë të një përzierjeje të rrenave më të fëlliqura, gjysmë të vërtetave dhe krijimit të armiqve të brendshëm e të jashtëm. Po me të njëjtën shkathtësi ata e vënë në skenë edhe një luftë midis feve, konfesioneve, drejtimeve fetare e të kulturave në përgjithësi. Nuk e kanë turp që kundërshtarët t’i etiketojnë me emra e tituj të ndryshëm, që në popull ose te vartësit ngjallin neveri, sepse koniunktura flet keq për ta, p.sh. duke e shpallur tjetrin pro-rus, pro-amerikan, pro-iranian, pro-turk, pro-aziatik, pro-kinez etj. Për ta është pjesë strategjie dezorientimi dhe mbjellja e një kaosi informativ, aq sa njerëzit të mos e dinë më se çfarë është e vërtetë e çfarë jo. Këta të fundit dorëzohen pas kësaj dhe strehohen në letargji, në gjumë të thellë, duke menduar se nuk ka si të dilet nga kjo situatë. Në këtë pikë ata pajtohen me gjendjen faktike, duke menduar se udhëheqësi i tyre, pra ky autokrati, krahas defekteve që mund t’i ketë, përsëri mbetet më i miri në këtë udhë të pakrye. Ky është momenti kur populli a vartësit krijojnë simpati ndaj autokratit, duke e menduar atë për të nevojshëm, të pashmangshëm, bile edhe të pazëvendësueshëm. Largimi apo mënjanimi i tij shihet si rrënim i vendit a i institucionit. Ky është kulmi i kënaqësisë që e përjeton autokrati, pasi i dhurohet një legjitimitet shtesë në luftën e tij të paepur për forcimin e sundimit të tij.

Hapi i pestë: mbjellja dhe përhapja e kleptokracisë dhe qetësimi i masave me ndihma sociale, me lëmoshë e me bonuse të tjera, si p.sh. rritje rrogash të punonjësve e të pensionuarve, ulje taksash ose çmimesh të produkteve elementare, sidomos para zgjedhjeve. Të gjithë autokratët janë ose bëhen me kohën edhe kleptokratë, pra sundimtarë hajdutë. Meqë shteti, vendi, organizata a institucioni për të është i tiji, pse edhe çdo lloj prone e çdo lloj të ardhurash të mos jenë të tijat? Pothuajse secili autokrat vjen në skenë me mbështetje të oligarkëve të vegjël, pas të cilëve qëndrojnë forca politike dhe mediatike. Atyre u jep pastaj hapësirë të mjaftueshme për rritje të bizneseve të tyre, ku merr hise pa dyshim edhe vetë autokrati, i cili në të njëjtën kohë është i kujdesshëm që të mos i kthehet krejt kjo si bumerang, andaj edhe kohë pas kohe ndërmerr masa “spastrimi”, në mënyrë që asnjëri prej oligarkëve të mos bëhet shumë i madh, i papërtypshëm ose i parrëzueshëm. Ai nuk nguron të lejojë pasurimin e shpejtë edhe të klikës së tij më të ngushtë, për t’i mbajtur të varur dhe natyrisht të dëgjueshëm. Por kjo, siç thamë më lart, lejohet në mënyrë të kontrolluar nga autokrati. Në rast të kapjes së ndonjërit prej tyre në flagrancë, e shantazhon atë me zbulim në publik, nëse eventualisht tenton të bëhet i padëgjueshëm. Edhe një herë vjen në pyetje frika e autokratit, të mos rrëzohet nga njerëzit që e ngritën dhe që i ngriti. Një luftë e vazhdueshme për të mbetur në krye të piramidës.

Hapi i gjashtë: kalimi nga autokrati në diktator apo tiran. Kur jazi midis realitetit të përditshëm që e jeton populli ose vartësit e tij dhe propagandës së sundimtarit bëhet shumë i madh, atëherë duhen shtrënguar vidhat. Autokrati e ka të pashmangshme që në këtë stad të bëhet më i ashpër, më vulgar, më agresiv, më i dhunshëm ndaj atyre që shprehin pakënaqësi e mendim ndryshe, ndaj atyre që e kritikojnë, ndaj atyre që nuk pajtohen me të. Ky tanimë nuk ngurron të hakmerret e të ndëshkojë për sende më të vogla. Ai i shantazhon të padëgjueshmit, i përjashton nga puna e nëse duhet edhe e eliminon tërësisht ndonjërin prej tyre, sepse për të tanimë as pushteti vendimmarrës, as ai ekzekutiv e as ai judikativ nuk janë vetvetja, nuk e kanë forcën e duhur. Të gjitha këto janë në dorë të autokratit. Kjo është pika, kur autokrati tanimë është shndërruar në diktator e tiran. Kjo njëkohësisht është edhe pika e fillimit të rënies së tij. Populli thotë: “zullumi këputet kur trashet”. Ndërsa Muhammedi a.s. ka thënë: “Pa dyshim që Allahu i jep kohë (afat) zullumqarit (tiranit, diktatorit), por kur ta kapë atë me dënimin e Tij, nuk do të mund të shpëtojë.” E pastaj e lexoi ajetin kur’anor 102 të sures Hud: “I tillë është dënimi i Zotit tënd, kur i dënon vendbanimet që bënin zullum. Me të vërtetë, dënimi i Tij është i dhimbshëm dhe i ashpër.” (Buhariu dhe Muslimi). Në Kur’an po ashtu thuhet: “E ti kurrsesi mos e mendo Allahun si të pakujdesshëm ndaj asaj që veprojnë zullumqarët...!” (Ibrahim, 14:42)

 
 
Tetovë, 16 korrik 2023