Lexo këtë artikull në PDF!
Sa për fillim, të lutem, sille ndërmend kritikën e fundit që ta ka bërë ndokush! Si të është dukur situata? Si ke reaguar në atë moment?
Ne të gjithë ballafaqohemi me kritika nga të tjerët, qoftë në jetën private apo familjare, qoftë në atë publike ose profesionale: nga prindërit, nga bashkëshorti/ja, nga fëmijët, nga mësuesi, nga punëdhënësi, nga kolegët e punës etj.
Le ta themi që në fillim, a thua "jeton" akoma ai që nuk kritikohet nga ndokush? A quhet jetë ajo që nuk kritikohet nga dikush, qoftë edhe nga vetvetja? Parashtrohet pyetja ironike: a nuk ke bërë asgjë të mirë në jetë, që nuk të paska kritikuar askush?
Po çfarë është kritika në të vërtetë? Kritika është një vlerësim personal i dikujt për anët e këqija, sipas tij, të dikujt a të diçkaje, dhe me këtë ajo mbetet një mendim personal i tij. Në momentin që të kritikon dikush, me këtë ai jep një vlerësim për personalitetin a karakterin tënd, për sjelljen tënde, për një veprim tëndin, për një mendim tëndin ose për një projekt tëndin… gjithnjë sipas këndvështrimit të tij, si i duket atij. Nëse pikat për çka kritikohesh janë të tilla, pra janë për t’u kritikuar, e kupton edhe ti se janë gabim, jo të sakta, atëherë ti i pranon ato si të arsyeshme dhe i rishikon edhe një herë dhe merr masat e duhura për t’i rregulluar ose ndrequr ato. Për ta arritur këtë shkallë të qasjes konstruktive ndaj kritikave, nevojitet një pjekuri dhe një vetëdije e lartë njerëzore. Me fjalë të tjera, arritja e kësaj shkalle është një proces trajnimi dhe ushtrimi permanent.
Kritika në të vërtetë është një shpatë me dy teha, ngase ajo mund të shkaktojë sjellje a veprime si pozitive ashtu edhe negative. Kritika mund të të motivojë për punë më tutje, të shkaktojë përmirësim (nëse e pranon), të të shpjerë në zhvillim të mëtejmë dhe në sukses (prapë nëse e pranon), të t’i hapë sytë, të t’i zgjidhë problemet etj. Mirëpo, kritika mund edhe të të demotivojë, të të zhgënjejë, të të lëndojë, të shkaktojë përkeqësim (nëse nuk e pranon), të të shpjerë në stagnim dhe mossukses (prapë nëse e refuzon), të të bëjë naiv e dembel, të të krijojë probleme të reja etj.
Pra, edhe pse kritika është e pakëndshme, shpesh edhe dhemb shumë, përsëri varet prej teje se si do ta perceptosh atë dhe si do të reagosh ndaj saj. Me fjalë të tjera, çka do t’i lejosh ti kritikës të bëjë me ty: të të motivojë apo të të dëshpërojë, të nxisë përmirësimin apo përkeqësimin, suksesin apo dështimin tënd.
Është e kuptueshme se s’është punë e lehtë ta pranosh kritikën. Askush nuk dëshiron të kritikohet. Mirëpo edhe asnjë i gjallë nuk mund t’u ikë kritikave.
Gatishmëria për t’i pranuar kritikat, varet prej disa faktorëve:
1. Nëse ajo është e arsyeshme apo e paarsyeshme, dhe kjo varet nga shikimi i atij që kritikohet. Kritikuesi gjithnjë mendon se kritika e tij është e arsyeshme (në qoftë se këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me një inat, xhelozi ose kritikë destruktive). Ndërsa i kritikuari në fillim priret të mos e pranojë atë si të arsyeshme, të justifikuar.
2. Si është formuluar kritika, duke e ditur faktin se "tonet e bëjnë muzikën". Qoftë të jetë edhe e arsyeshme kritika, mirëpo sa më lënduese që të formulohet, sa më personal që të jetë "sulmi", aq më e vogël është mundësia që ajo të pranohet. Mirëpo, në qoftë se ajo formulohet me fjalë objektive, përshkruese, pa lëndime e pa ofendime, pra është konstruktive a ndërtuese, atëherë situata ndryshon thuajse tërësisht.
3. Çka kritikohet. Lënda e kritikës është një gabim i bërë, një veprim, një sjellje, një incident, apo kritikohesh drejtpërdrejt ti si person, p.sh. pamja jote, personalieteti yt, inteligjenca jote? Kush dëshiron dhe kush lejon që t’ia vësh në dyshim personalitetin e tij? Askush! Prandaj, kritika që i drejtohet personalitetit të njeriut, nuk pranohet, ajo quhet ofendim dhe ka rrugë juridike për të. Ndërkaq, në qoftë se nuk kritikohemi ne, porse idetë, projektet ose sjelljet tona, këtu ndryshon situata.
4. Raporti me kritikuesin. Pra, këtu kemi të bëjmë me personin që na kritikon, kush është ai? Është ai një i afërm i yni, një të cilin ne e duam, e nderojmë dhe e vlerësojmë, dhe e dimë se ai na dëshiron vetëm të mirën? Apo është një i huaj, i largët me të cilin nuk kemi lidhje të ngushta. Sa më i afërt emocionalisht të jetë me ne kritikuesi, aq më shumë jemi të gatshëm ta pranojmë kritikën e tij me gjakftohtësi dhe si qëllimmirë.
5. Personalieti i kritikuesit. Po, gjithkund dhe gjithmonë ka nga ata që përherë gjejnë diçka për të kritikuar. Me "syrin e shqiponjës" që e kanë, ata gjithnjë gjejnë ndonjë mangësi të vogël, edhe pse ka shumë më shumë gjëra të tjera për të lavdëruar. Ky tip i kritikuesve nuk duhet të habitet nëse kritika e tij ose edhe vetë personaliteti i tij nuk merren për serioze nga ana e të kritikuarit dhe e njerëzve të tjerë që nuk janë të përfshirë në këtë kritikë. Ata bëhen të neveritshëm për secilin.
6. Përvoja familjare. Mënyra se si reagojmë ndaj kritikave varet ndonjëherë edhe nga përvoja familjare me kritikën. Për shembull, në qoftë se njëri prind ose të dy vazhdimisht kritikojnë ose qortojnë dikë a diçka, mundësitë janë shumë të mëdha që fëmija ta përvetësojë këtë në mënyrë të pavetëdijshme dhe ta vazhdojë vetë kur të rritet. Ose, në qoftë se fëmija merr një pozicion mbrojtës ndaj kritikave permanente të të rriturve, këtë mund ta marrë me vete edhe si i rritur. Në këtë rast, çdo lloj kritike – qoftë edhe e arsyeshme dhe e formuluar në mënyrë objektive – do të perceptohet si një sulm personal. Reaksionet e mundshme me këtë rast janë dy: ose agresioni ose izolimi në vetvete.
7. Vetëbesimi i pamjaftueshëm. Fëmija ose personi i rritur, i cili nuk ka arritur të krijojë vetëbesimin e mjaftueshëm, shpesh bëhet shumë i pasigurt kur kritikohet ose bile edhe i pranon pa rezistencë edhe kritikat e paarsyeshme e të pavend. Vetëbesimi është një mjet i fuqishëm imuniteti ndaj kritikave.
Motivet e kritikës
Në qoftë se të kritikon dikush, mundohu t’i hetosh dhe t’i gjesh motivet, shkaqet e kritikës. Mundohu ta kuptosh nëse ai që të kritikon ta dëshiron të mirën, dëshiron të të mbrojë, të të mbështesë, të të avancojë, apo dëshiron që me anë të kritikës qëllimshëm të të lëndojë, të të ofendojë, të të bëjë të pasigurt në vetvete, të të manipulojë, të të provokojë?
Ja disa motive të mundshme si shembuj:
- Punëdhënësi e kritikon një rezultat të punës sate, për ta arritur një përmirësim në ecurinë e punës së ndërmarrjes.
- Kolegu yt ushqen ndjenja xhelozie ose konkurrence ndaj teje dhe me anë të kritikës dëshiron ta nxjerrë veten në plan të parë.
- Në martesë kritika mund të keqpërdoret për arsye pushteti, kush kë do ta dominojë.
- Mësuesi ose trajneri me anë të kritikës dëshirojnë zhvillimin e mëtutjeshëm si dhe avansimin e procesit mësimor.
- Një njeri me ndjenjë të vetëvlerësimit të ulët dëshiron të ndihet më i mirë ose më i fuqishëm kur e kritikon ose kur e nënvlerëson tjetrin.
- Kur një "i gjithëdijshëm" ose një person që ka nevojë për admirim, dëshiron të bëhet i rëndësishëm në sytë e botës duke i kritikuar të tjerët.
Si të reagojmë në mënyrë sovrane dhe të besueshme ndaj kritikave?
Le të themi se ty të kritikon punëdhënësi ose bashkëshorti/ja, si do të duhej dhe si nuk do të duhej të reagoje më së miri?
Ja disa këshilla:
1. Dëgjo me kujdes!
Lëre kritikuesin tënd t’i thotë deri në fund argumentetet e tij, lëre ta mbarojë fjalën! Me këtë rast, nëse ke mundësi, merr shënime në një fletë. Kjo të bën më të kujdesshëm dhe më të matur në reagimin tënd. Pra, dëgjoje në mënyrë aktive, mos e ndërpre në fjalë duke kaluar menjëherë në pozitë të vetëmbrojtjes! Kjo të dëmton ty në radhë të parë dhe të ulë në sytë e kritikuesit tënd. Dëgjimin aktiv bëje jo vetëm thjesht për t’u dukur i sjellshëm, por me mendimin se këndvështrimi dhe idetë e tij mund të jenë të dobishme për ty.
2. Ruaje qetësinë dhe mos kundërsulmo!
Shpesh ndodh që njeriu edhe kritikën me vend dhe konstruktive, ta perceptojë si sulm ndaj personalitetit të tij, për çka edhe papritmas hidhet në kundërsulm. Çkado që të të thotë kritikuesi, ruaje qetësinë, mos e merr për personale, mos u ndiej i fyer pse të kritikon dhe mos nis ta sulmosh me kundërargumente. Reagimi i pamatur dhe sidomos me ton të lartë, shkakton kundërreaksion te pala tjetër dhe kjo mund të interpretohet si shenjë e dobësisë sate.
3. Mos u mundo të arsyetohesh pa vend!
Në çdo fjalë që ta thotë kritikuesi, mos ndërhyj me lidhëzën "por…" ose "ama…" dhe të mundohesh ta justifikosh vetveten me çdo lloj mjeti, pa le të dalë çka të dalë në fund. Ky lloj reagimi mund të ngjallë te kritikuesi yt mendimin se ti në fakt po mundohesh ta mbrosh fajin ose të shfajësohesh. Nisu nga ideja se kritikuesi yt ndoshta ka propozime të mira që mund të të ndihmojnë më tutje në veprimtarinë tënde.
4. Mos e merr gjithçka me zemër!
Mos lejo që për kritikën që ta ka shprehur p.sh. sot punëdhënësi yt, ty mos të të zërë gjumi gjithë natën duke i rikujtuar fjalët e tij! Mos e quaj veten dështak dhe të dyshosh në aftësitë dhe kompetencat e tua të tjera që i ke! Mos i harro sukseset e tua si dhe lëvdatat që t’i ka shprehur ai për rastet e tjera të shumta! Kritika e tij nuk të drejtohet ty si njeri, por një pjese të punës ose të projektit tënd. Edhe këtu nisu nga mendimi se propozimet e tij mund të jenë më të dobishme sesa mendimet ose projekti yt.
5. Mos ia hidh fajin tjetrit, por pranoje kritikën dhe kërko falje!
Fjalitë që nisin me: "Po, ama ti…" kryesisht janë përpjekje për ta shfajësuar vetveten pa u menduar mirë dhe për t’ia hedhur fajin atij që të kritikon ose ndonjë personi tjetër ose edhe ndonjë rrethane tjetër. Kur është e qartë se kritika ndaj teje është me vend dhe ti megjithëkëtë mundohesh ta shfajësosh vetveten, kjo është një sjellje fëmijërore, e një njeriu të papjekur. Në vend të kësaj, në këtë rast, punë më e mençur është ta pranosh kritikën e tij, të tregosh fuqinë se ti di të sillesh konstruktiv me kritikën dhe se je mjaftueshëm i pjekur për t’i kuptuar dobësitë e tua dhe se je i gatshëm t’i korrigjosh ato. Në rast se eventualisht me sjelljen apo mendimet e tua e ke lënduar kritikuesin ose ndokë tjetër, atëherë është njerëzore dhe burrërore të kërkosh falje.
6. Jepi të drejtë, por…!
Në qoftë se e kupton se kritikuesi ka të drejtë por jo në tërësi, atëherë jepi të drejtë vetëm për pikat ku ai vërtet ka të drejtë. Pra, mos i jep të drejtë për krejt atë që e thotë ai, por vetëm në mënyrë selektive.
7. Parashtroji pyetje për sqarim!
Në qoftë se ka diçka të paqartë për ty në atë që ta thotë kritikuesi, atëherë me vetëdije të plotë parashtroji pyetje për sqarim! Thuaji që nuk i ke kuptuar disa pika të cekura në bisedë, në mënyrë që t’i mënjanosh keqkuptimet. Mundësia për ta keqkuptuar kritikuesin është shumë e madhe, pasi si zakonisht kritikat në fillim ne i marrim me emocione.
8. Shprehja pikëpamjen tënde lidhur me pikat në fjalë!
Sigurisht që shumë herë kritikuesi mund të mos ketë të drejtë, të gabojë, të mos e dijë anën e vërtetë të gjërave. Nëse kjo është kështu, atëherë thuaja të vërtetën tënde! Por fol me argumente dhe ji racional, ji i qetë, mos fol me emocione dhe ji i hapur për ide të reja!
9. Pyete se çfarë janë pritshmëritë e tij!
Ai që kritikon, me siguri që pret prej teje një përmirësim, një ndryshim në sjellje ose një kthesë më të madhe. Në qoftë se ai nuk e ka shprehur qartë në kritikën e tij se çfarë pret konkretisht prej teje, atëherë pyete drejtpërdrejtë por me qetësi: Çfarë pret prej meje? Çfarë duhet të ndryshoj unë?
10. Kërko kohë për t’u menduar!
Ti nuk është e thënë që menjëherë të përgjigjesh me Po ose Jo. Në qoftë se nuk ke përgjigje të atypëratyshme për pikat që t’i shpreh kritikuesi, kërko prej tij kohë që të mendosh në qetësi dhe t’i shoshitësh mirë ato. Me këtë rast, mos harro ta dëgjosh mirë dhe eventualisht të marrësh shënime. Të kërkosh kohë për t’u menduar nuk është turp, përkundrazi duhet të kuptohet si seriozitet i yti ndaj tij dhe ndaj kritikave të tij. Kjo nuk është ikje nga kritika. Prandaj, pasi të jesh menduar mirë dhe eventualisht të jesh përgjigjur me shkrim, takoje atë dhe thuaja përgjigjet e tua! Me këtë rast, çfarë ka të vërtetë, do ta pranosh, çfarë nuk është e vërtetë, do ta refuzosh miqësisht dhe me argumente.
11. Kritikat shikoji si shanse!
E qartë, po e përsërisim disa herë, askush nuk dëshiron të kritikohet. Mirëpo, tanimë duhet të jesh bindur se ti nuk je perfekt, i pagabueshëm; se edhe të tjerët që ta duan të mirën kanë propozime ose zgjidhje më të mira për idetë ose projektet e tua. Prandaj, mësohu që kritikat t’i pranosh si shanse, si mundësi përmirësimi dhe zhvillimi të mëtejmë. Otto von Bismarcku ka thënë: "Jam mirënjohës për kritikat më të ashpra, me kusht që të jenë të vërteta dhe objektive."
12. Ofro zgjidhje të reja!
Në qoftë se miqtë ose kolegët e punës akoma nuk janë të bindur mirë me projektin ose me punën tënde dhe thonë se ka nevojë që kjo të mendohet dhe peshohet akoma më tutje, atëherë në vend që projektin ose punën tënde të mundohesh ta mbrosh me duar e këmbë, bën mirë që vërtet ta peshosh edhe njëherë. Me siguri do të gjesh pika ku mund të ndërhysh me ide ose zgjidhje të reja. Ji i hapur dhe konstruktiv për gjërat e reja, të tuat qofshin apo të të tjerëve!
13. Falja vetvetes!
Kritikuesi yt i brendshëm shpeshherë di të jetë shumë i ashpër dhe mund të të shpjerë të dyshosh në vetveten dhe në zotësitë e aftësitë e tua. Mirëpo, ti tanimë duhet të jesh pjekur mjaftueshëm dhe të dish si t’ia falësh vetvetes, kur diçka nuk shkon mirë. Ti e di se nuk është e thënë të jesh i përkryer dhe se është normale të bësh gabime e të kesh lëshime, si çdokush tjetër. Për këtë arsye, pranoje gabimin dhe dështimin tënd, mëso nga gabimet e tua dhe herën tjetër bëje më mirë! Me këtë ti tregon se je i aftë të mësosh nga gabimet e tua, se nuk është turp ta pranosh kritikën e të tjerëve dhe se ty të intereson përmirësimi dhe e mira, e jo inati personal.
Ushtrime
Për të qenë më mirë i përgatitur dhe "i armatosur" për kritika, është mirë që ta ushtrosh dhe praktikosh kritikën dhe reagimin ndaj saj me ndonjë person të afërt, duke luajtur herë rolin e kritikuesit e herë të të kritikuarit. Njësoj si zjarrfikësit ose mjekët e ndihmës së shpejtë që kohë pas kohe simulojnë situata emergjente.
Me këtë rast, sajo situata të ndryshme ku mund të kritikosh ose të kritikohesh, qoftë me kritika ofenduese qoftë konstruktive, dhe përgatit përgjigje të argumentueshme dhe bindëse lidhur me to! Kjo do të të bëjë më të fuqishëm dhe më të përgatitur racionalisht ndaj kritikave reale.
Përzgjodhi dhe përshtati nga gjermanishtja: Mr. Rejhan Neziri
Kreuzlingen, CH - 15 shkurt 2022
Burimet:
Burkhard Heidenberger, "Umgang mit Kritik", www.zeitblueten.com
Marina Pavel, "Der richtige Umgang mit Kritik: Dos and Don’ts", www.stellenanzeige.de