Mr. Elez ISMAILI
- bazuar më tepër në publikimet fetare islame në Maqedoni -
Sivjet u mbushën 20 vjet nga botimi komplet i përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe, që paraqet një ngjarje të shënuar në rrafshin fetar e kulturor, por në të njëjtën kohë zë fill edhe botimi i veprave dhe revistave te mirëfillta me përmbajtje islame.[1] Kjo u arrit falë angazhimit të drejtpërdrejtë të Bashkësive islame në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi në realizimin e projekteve te këtilla madhore që edhe lexuesi shqiptar të ketë në duart e veta veprat më kapitale të proveniencës islame. Për dallim nga ato pak botime të mëhershme që kryesisht ishin ilmihale, në botimet e kësaj kohe norma e gjuhës së sotme letrare shqipe kishte marrë fizionominë e gjuhës së njësuar, dhe i përmbushte të gjitha kriteret që këto botime të jenë sa më të kapshme për lexuesin dhe të mund të përcillen mesazhet universale për të njohur Zotin, për të njohur vetveten dhe për t’u bërë zëdhënëse të ndërgjegjjes së pastër për një jetë sa më dinjitoze, edhe përkundër trysnive të shumta nga e gjithë ajo veprimtari botuese e veshur me petkun ideologjik të kohës.
Terminologjia islame është mishëruar me qenien e popullit tonë, ashtu siç është mishëruar dhe bërë pjesë integrale e fjalorit të muslimanëve në mbarë botën, pa marrë parasysh gjuhën të cilën ata e flasin ose e shkruajnë. E veçanta e kësaj terminologjie në gjuhën shqipe është se i përket arealit gjuhësor mbarëshqiptar. Madje kjo terminologji haset edhe te disa popuj jomuslimanë, që ne i njohim, dhe se fjalët bereqet, selamet, kudret, hakikat, fukara, katil, xhahil, haram, hallall, mekteb, medrese, Xhennet, Xhehennem, ezan dhe sa e sa fjalë tjera janë begati(por jo edhe përherë të domosdoshme) që i kanë rënë hise edhe gjuhës sonë dhe se në krijimtarinë popullore hasen dendur dhe dihet se çfarë efektesh poetike e stilistike arrihet me to, madje kjo terminologji vihet në funksion të muzikalitetit të gjuhës poetike.
Në Maqedoni, si promotore e zbatimit të terminologjisë islame për disa vjet me rradhë ishte gazeta Hëna e Re, në kuadër të së cilës qenë angazhuar bashkëpunëtorë që kishin mbaruar Medresenë “Alaud-din” të Prishtinës, kurse studimet ose në Prishtinë, ose në botën arabe. Këtij grupi iu bashkangjitën edhe një plejadë studiuesish, publicistësh, gazetarësh etj. të cilët, krahas shkrimeve origjinale botuan një sërë shkrimesh të përkthyera nga boshnjakishtja e dikur edhe nga arabishtja. Në fillim të punës sonë, qoftë në kuadër të redaksisë së Hënës së Re apo me rastin e redaktimit dhe botimit të veprave me përmbajtje fetare, nuk hartuam ndonjë platformë se si do të shkruhen fjalët e kësaj provenience, por askush nga rrethi ynë nuk kishte qëndrim tjetër, nga ai që ne e konsideruam si më parimorin: që fjalët të jenë sa më afër origjinalit të arabishtes, dhe nuk është e tepërt të them se nuk ka gjë më banale kur dëgjon dikë të lexojë “arabisht” në formën e transkribuar e s’ka erë me arabishten. Hëna e Re, përveç karakterit informativ që kishte, pikësynim të veçantë pati përdorimin e një terminologjie fetare që do të qëndronte sa më afër origjinalit të gjuhës së Kur’anit, duke përdorur konstrukte që nuk kishin të bëjnë as me turqishten, as me persishten, as me boshnjakishten, e as me ndonjë gjuhë tjetër, sepse gjuha shqipe, për nga fondi i shkronjave që ka, është e zonja që më së miri se në cilëndo gjuhë tjetër të bëjë transkribimin e fjalëve të gjuhës arabe, pasi i kemi ca shkronja që gjuhët tjera nuk i kanë. Fjalën e kemi për shkronjat th dhe dh që te turqit dhe boshnjakët na dalin s dhe z dhe mund ta merrni me mend se çfarë lajthitje gjuhësore do të ishte po t’i përdornin edhe në gjuhën shqipe.
Fatmirësisht, nisma e filluar nga redaksia e Hënës së Re u përkrah sidomos nga Shtëpia botuese Logos, pastaj shtëpitë tjera botuese, si Furkan, NUN, ASR si dhe revistat Vepra, Ftesa, El-Medina, Ikre, Dritarja, që dalin në Shkup, Tetovë e Gostivar.
Nuk ishte vetëm dëshira jonë që në përdorimin e terminologjisë islame të jemi sa më afër arabishtes, por ishin edhe disa arsye tjera, siç ishte përdorimi i kësaj terminologjie me të njejtat tendenca edhe në disa gjuhë tjera, si në anglisht, frengjisht, gjermanisht etj. si dhe tradita e ndritshme e filluar që nga koha e Pavarësisë e deri në shuarjen e Mbretërisë Shqiptare. Sipas kësaj që u tha mund të konstatojmë se dëshira për të përdorur një terminologji islame që buron nga gjuha e Kur’anit, krahasimi i kësaj terminologjie me termat që përdoren në gjuhët perëndimore, tradita e krijuar në kohën e Mbretërisë dhe puna përkushtimore e figurave më të shquara të kësaj periudhe (Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Behxhet Shapati, Hafiz Ismet Dibra, Ferit Vokopola, si dhe veprimtaria e bujshme e ish-medresantëve të Medresesë së Përgjithshme të Tiranës), pastaj përdorimi i shprehjeve frazeologjike me rastin e përkthimit të filmave të ndryshëm, veçanërisht filmat e përkthyer në Shqipëri, të cilën gjë ne e hetojmë shumë lehtë, por, në anën tjetër edhe përdorimi banal i kësaj terminologjie nga disa individë edhe atë në formën më të bastarduar (bile ka edhe arsye tjera që besoj se do t’i permendë dikush tjetër) do të jenë shtytësit (indikatorët) kryesorë që na kanë detyruar të kërkojmë qe sa kohë që të organizohet një tubim shkencor si ky i sotshmi, që të shtrohen me një taban të shëndoshë shkencorë, madje nga njerëzit që duhet të jenë më përgjegjësit në këtë lëmi, sidomos ata që qe një kohë të gjatë mirren me studimet islamologjike, orientalistike dhe që e njohin edhe shqipen, edhe arabishten. Tashmë mund të themi pa droje se është krijuar një bazë solide kuadrash që në fushën e gjuhësisë e kanë dëshmuar veten dhe mund t’u qasen të gjitha çështjeve të gjuhësisë së përgjithshme, por edhe të terminologjisë gjuhësore. Ky tubim ma merr mendja se është i pari i kësaj natyre në historinë e gjuhësisë dhe kulturologjisë shqiptare dhe rezultatet do të jenë evidente, por njëkohësisht do të jetë moment për të hapur shtigje të reja për njohjen e terminologjisë islame në të gjitha fushat e veprimtarisë mendore, siç është filozofia, mjekësia, poetika, oratoria, kaligrafia etj. Pra, përgjegjësia më e madhe bie mbi ne ish-medresantët që vazhdimisht jemi të lidhur ngushtë me këtë problematikë. Kemi të drejtë të mendojmë dhe të themi kështu sepse në punën tonë më se 20-vjeçare, për këto çështje ne kemi pasë nevojë të konsultohemi dhe jemi konsultuar me njohës të mirë të çështjeve gjuhësore e kulturologjike këtu në Prishtinë, në Tiranë, në Shkodër e në Shkup, disa prej të cilëve janë deklaruar se kjo është një çështje mjaft e ndijshme por edhe sublime dhe nuk duan të mbajnë përgjegjësi në rradhë të parë shkencore, por kanë shprehur gatishmëri që të japin ndihmesën e tyre, ashtu siç kanë vepruar dhe veprojnë në jetësimin e normës së gjuhës së sotme letrare shqipe dhe radhitjen e gjuhës sonë në varganin e gjuhëve të standardizuara. Besoj se edhe konkluzat që do të dalin nga ky tubim do ta çojnë edhe më lartë këtë ngrehinë të vetëdijes sonë shoqërore, kombëtare e fetare dhe kisha pasur dëshirë që me kontributet tona shkencore të përcjellim mesazhin që i takon kohës në të cilën jetojmë, që të dëshmojmë pjekurinë tonë dhe të themi se kjo terminologji duhet të ketë atë formë që do të na afrojë sa më afër Zotit, po edhe të hiqen dilemat që na kanë rënduar edhe neve por edhe lexuesit e rëndomtë se si do të duhej të shkruhen shumë fjalë, që, bazuar në Fjalorin drejshkrimor, nuk ke alternativë tjetër dhe fjalët All-llah dhe Zot duhet t’i shkruash me a të vogël gjegjësisht me z të vogël që nuk besoj më të ketë gjuhë në botë të kishte parapëlqyer diç të këtillë. Me këtë rast ne duhet t’u bëjmë ballë edhe atyre tendencave retrograde pseudoshkencore kur dikush merr guximin që emrin e Pejgamberit tonë ta zbërthejë nga “muva” dhe “med”. Me keqardhje më duhet të them se këso xhevahirësh kemi edhe nga autorët tanë: togfjalëshin Ibnul Kelb (personazh i dramës së Faik Konicës) një studiues yni e lidh me fjalën shqipe qelb, që s’ka të bëjë as për së afërmi me këtë fjalë. F. Konica, si njohës i mirë i arabishtes, e ka pasur lehtë ta merr këtë emërtim për të bërë individualizimin e personazhit në fjalë, sepse edhe në gjuhën shqipe e ka ekuivalentin e fjalëpërfjalshëm I biri i Qenit (kelb, arabisht do të thotë qen). Nuk e shoh të arsyeshme të zbërthej sajime të këtilla, por le të shërbejë vetëm si vërejtje për ata që me çdo kusht tentojnë që çdo huazim ta shqiptarizojnë, dhe pastaj ato fjalë na dalin me kuptime qesharake.
Në vazhdim, sipas një rendi alfabetik do të marr në shqyrtim fjalët që i hasim më së tepërmi,në radhë të parë në literaturën islame,por edhe në publikimet e tjera. Fjalët që s’kanë asnjë shënim përcjellës i pranojmë në formën e dhënë dhe si të tilla propozojmë të përdoren.
* Fjala All-llah-u, sipas Drejtshkrimit duhet të shkruhet me a të vogël dhe pa teshdid(pa dyfishimin e llë-së). Që nga shkrimi i parë e gjer më sot, përfshirë edhe përkthimin e Kur’anit nga dr. Feti Mehdiu Prishtinë 1985, e kemi përdorur në formën All-llah. Kështu e hasim edhe në literaturën mes dy luftërave botërore. Kështu shkruhet edhe në gjuhët e tjera. Kjo duhet të jetë forma e vetme e pranueshme për përdorimin e drejtë të këtij emri. Por te emrat e përbërë me origjinë arabe, si Bejtull-llah, Sejfull-llah, Hamidull-llah, Hajrull-llah etj. nistorja a rëgjohet. Këta emra në gjuhën shqipe a do të shkruhen me dy ll apo me një duhet të diskutohet dhe të dilet me një qëndrim konstant.
* Fjala abdes-i(pers.) Në fjalorët e deritashëm haset në format abdes, avdes, abdest.
* Ajet-i,-et.Për këtë fjalë besoj se nuk ka nevojë të përdoret fjala verset.
* Akide-ja
* Alejhisselam-i
* As’habe-t (të përdoret me apostrof)
* Asër- duhet t’i përmbahemi parimit fonetik sepse ndërmjet së-së dhe rë-së, hetohet një ë (jo e zëshme).
* Bismil-lahi (në lit. e hasim edhe Besmeleja)
* Bajram-i,-et. Gjatë vitit festojmë Fitër Bajramin dhe Kurban Bajramin. Kështu edhe duhet të jetë forma e drejtë e përdorimit të këtyre dy festave.[2]
* Da’i (fhirrës në fe)
* Da’ve – da’veja (thirrja e njerëzve në Islam);da’vet-i(ftesa e rëndomtë).
* Dua-ja( lutja drejtuar All-llahut)
* Dunja,-ja;dunjallëku.Forma popullore durnja të mos përdoret fare.
* Dovë-a, -ët(ka kuptimin e duave por edhe të sureve të shkurtëra)
* Dhikër-i (të kujtuarit e All-llahut). Forma popullore është zikër ose ziqër.
* Estagfirull-llah (lypja falje nga All-llahu)
* El-hamdulil-lah
* Farz-i, -et(origj. fard);veprim i detyrueshëm. Për hir të traditës që ka formuar kjo fjalë dhe përdorimit të shpeshtë në tekstet fetare, duhet të mbetet me z fundore.
* Fetva-ja, -të (mendim juridik për ndonjë çështje fetare). Në gjuhën popullore e hasim me f, fetfa.
* Fexhër-i (agu, sabahu).
* Fikh-u (shkenca që merret me jurisprudencën islame). Si nxënës këtë fjalë e shkruanin me apostrof-fik’h, por nuk ka nevojë. Edhe në boshnjakisht e turqisht përdoret pa apostrof.
* Gajb-i (sfera transcendentale e njohurisë). Gjithnjë duhet të shkruhet me j (si në origj.) e jo gaib.
* Gurbet. Kjo fjalë me origjinë arabe në Fjalorin drejtshkrimor ka formën kurbet.Nuk mund ta kuptoj pse i hiket origjinalit të arabshtes mbasi edhe turqisht,edhe në disa gjuhë tjera është me g.Madje edhe përftesat e kësaj fjale janë me g,p.sh. fjala garib;gurabaë etj.
* Gjunah (jo gjynah). Gjunahqarët.
* Hadith-i, -et (thëniet e Muhammedit a. s. ). Në popull e hasim në formën me s, nga ndikimi i turqishtes. Vazhdimisht në shkrimet tona i jemi përmbajtur formës së origj. arabisht. Këtu shpesh gabohet në përcaktorët që i ndajvihen;nuk respektohet ndërrimi i gjinisë së përcaktorit pas emrit që e formon shumësin me e.
* Hallall-i, -et (ar. halal). Kuptimi i kësaj fjale është i njohur dhe haset shpesh në gjuhën e folur. Por kuptimi parësor është: gjithçka që All-llahu e ka lejuar. Ka individë që kanë studiuar në botën arabe dhe, duke dashur ta japin këtë fjalë në origjinal e shkruajnë halal, por nuk besoj edhe ta shqiptojnë me l.
* El hamdu lil-lah-i te disa autorë e hasim el Hamdu li-l-Lah (lypi falje për çdo fjalë që e marr për ilustrim, si formë të gabueshme, nëse është gabim shtypi. Shih Udhëzuesin përgatitor, f. 420) por mos bëjmë fjalë për formën e palejueshme elhamdurilah!
* Haram-i, -et, e kundërta e hallallit. Mund të haset si formë nëndialektore harëm, por në gjuhën e shkruar jo.
* Haxhxh-i (si shart i besimit islam) duhet përdorur me teshdid, kurse rrjedhojat e kësaj fjale si haxhi-u, haxhillëk-u, haxhilerë-t, haxhinjtë pa teshdid.
* Hixhreti (shpërngulja e Muhammedit a. s. nga Mekka në Medine; datënisja e kalendarit islam). E hasim hixhra e hexhira. Duhet të ruhet origjinali Hixhret-i,ashtu siç njihet në popull.Të shkruhet me H të madhe. Kur të shkruhet pas vitit miladi, si në shkrimet e mëhershme pas vitit të shënohet H (2005/1426H), si alternativë.
* Hafiz-i (arab. hafidh).Format hafës(z),hafus të mos përdoren.
* Halif-i (mëkëmbësi). Përdorimi i drejtë është me h e jo me k (kalif). Shumësi këtij emri të formohet me mbaresën ë të shumësit. Te togfjalëshat e tipit Hulefai rashidinë, të përdoret forma e shumësit të arabishtes hulefa-të. Ndërsa fjala hilafet-i të përdoret në kuptimin e fjalës mëkëmbësi-a.
* Hutbe-ja. E hasim edhe formën hydbe. Lexohet në vendin e veçantë të ngritur në xhami që quhet minber.
* Ibadet-i, -et.
* Islam-i. Kjo fjalë, si emër i përveçëm, të përdoret me i (nistore) të madhe (në kuptimin e Fesë Islame), kurse si përcaktor me të vogël: Pushteti islam, Besimi islam, Edukata islame, Legjislatura islame. Nëpër shkrime të ndryshme, në togfjalëshat e këtij tipi përcaktorin islam-e e hasim me të madhe, kurse fjalën drejtuese me të vogël. Si duket është nga ndikimi i përkthimeve nga boshnjakishtja, ku fjala Islamski,Islamska është fjalë drejtuese dhe shkruhet me të madhe. Poashtu edhe togfjalëshi Feja Islame, gjithnjë të shkruhet me të mëdha.
* Ikamet-i. Në gjuhën e folur e hasim formën kamet (thirrja që e bën muezini për të hyrë në namaz).
* Ikindi. Në popull por edhe në shkrime përdoret forma iqindi.
* Inshall-llah (in shae All-llahu). Në popull ishalla.Përkthimi i kësaj shprehje duhet të jetë:Në dashtë All-llahu ose Dashtë All-llahu!
* Ixhtihad-i (hulumtimi). Muxhtehid-i, -ët.
* Kada-ja (eda dhe kaza)-shpagimi i borxhit. Falja e namazit në kohë dhe pas kohës së përcaktuar.
* Kible-ja. E hasim edhe këblja. Si shprehje frazeologjike njeri pa këble: i pacipë, i sorollatur.
* Kijamet-i (në kuptimin e Ditës së Gjykimit). Të përdoret me të madhe.
* Magrib-i-perëndimi. Togfjalëshi Vendet e Magrebit, duhet të përdoret me i e jo me e.
* Mashall-llah (arab. ma shae All-llahu: Si ka dashur All-llahu). Forma popullore marshallah të hiqet nga përdorimi.
* Medrese. Medresja apo medreseja, për t’u diskutuar. Medreze-jo.
* Medhheb-i, -et (shkollat juridike sipas fikhut). Kjo fjalë këto dy dhjetëvjetëshat e fundit është përdorur me dh, përkundër formale tradicionale mes-heb, mes-hep, mez-heb.
* Mesxhid. Te ne përdoret në kuptimin e xhamisë. Forma e gabueshme mezxhid.
* Mihrab-i, -et
* Minber-i, -et
* Mu’min-i, -ët (besimtarët)
*Musliman-ët.Të flaket forma me y,që është nën ndikimin e turqishtes dhe që bie në sy më së tepërmi.
* Musned-i, -et (libër hadithi i përpiluar nga Imam Ahmed ibën Hanbeli).
* Muezin-ët
* Namaz-i, -et (sharti i dytë i besimit islam). Fjalë me prejardhje turke ose persiane. Arab. -salat-i.
* Nasihat-i, -et (këshillat)
* Nijet-i, -et (qëllimet). Origj. arabisht është me teshdid: nijjetun.
* Pejgamber-i,-ët (pers.).Duhet të ketë përparësi absolute ndaj sinonimeve tjera,qoftë të gjuhës shqipe apo të gjuhëve tjera.
* Qafir (arab. kafir, femohues). Forma e shumësit qufarët të përdoret vetëm për shumës e jo qufar-i.
* Radijall-llahu anhu(All-llahu qoftë i kënaqur me të).Shkurtesa r.a.
* Rekat (pjesë e namazit). Haset edhe me q reqat.
* Rizk-u (furnizimi). E hasim edhe me s risku si dhe në formën rëzku ose rësku.
* Sabër-i (durimi). Por jo sabr.
* Sadaka-ja (dhënia sadaka, për bamirësi). E hasim edhe formën sadakë-sadaka. (E ka shpëtuar sadaka).
* Sahih-u, -ët (librat më autentikë të hadithit)
* Selamun alejkum (Paqja e All-llahut qoftë mbi ju). Forma më e drejtë: Esselamu alejkum. Format tradicionale të gabueshme selam aliqim dhe selam alejqym. (Te Udhëzuesi përgatitor,f.290:Es-Selamu alejkum).
* Sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Shkurtesa: s. a. v. s. (Shpëtimi dhe paqja e All-llahut qofshin mbi të). Shkurtesa të shkruhet me shkronja të vogla dhe jo, siç haset, s. a. v. (Shih:Udhëzues…, f. 422).
* Sunnet-i, -et (dhe jo sinetet e as synetet). Tradita e M. a. s., por suneti-a pa teshdid.
* Shehadeti (dëshmia se nuk ka zot tjetër, pos All-llahut xh. sh. dhe se Muhammedi a. s. është Pejgamber i Tij. Forma e papranueshme shadeti.
* Shejh (Shejhul Az-her apo Az-har). Titull udhëheqësi fetar por edhe t. akademik.
* Sheriati (ose Sheri’ati… për ta theksuar ajnin).
* Shura-ja (Mexhlisi Shura, Shuraja Evroaziatike). Këshillim i ndërsjellë.
* Taharet-i (pastërtia). Format e gabueshme:tareti dhe tehareti që hasen në popull. Është mirë që të futet në përdorim, analogjikisht me shprehjet merr abdes, merr gusëll edhe shprehja merr taharet ose merr teharet, me atë kuptim që njihet në popull.
* Teravi-a, -të. Namazi që falet gjatë netëve të Ramazanit. Jo: taravi-të. Forma më e plotë është: teravih namaz-i.
* Tesbih (i bën tesbih All-llahut, e lavdëron). Ndërsa tespihët të përdoret me p.
* Tevhid-i (Njëjësia e All-llahut). E hasim të shkruar edhe me dubël v(w), që duhet të jetë një tingull ndërmjet vavit dhe u-së.
* Ulema-ja, -të (dijetarë-t).
* Ummet-i, -et. Në literaturën islame përdoret për ithtarët e Islamit. Por përdoret edhe në kuptimin popull (ummetet e mëhershme).
* Vahj-i, -et (Shpallja hyjnore, Kur’ani).
* Vakëf ( ar. vakf - pronë e destinuar për xhaminë dhe institucionet e tjera fetare).
* Xhahilij(j)eti (Periudha paraislamike, p. e injorancës). Në shkrimet e paraluftës e hasim edhe me j të dyfishuar.
* Xhehennem (ferri). Të shkruhet me shkronjë të madhe nistore dhe me n të dyfishuar.
* Xhema(a)t (grup njerëzish) em. përmbledhës.
* Xhennet (parajsë, kopsht).
* Xhihad-i (vetëflijimi për hir të All-llahut).
* Zekat-i, -et (ndarja e obligueshme e një pjese të pasurisë atyre që u takon). Dy dhjetëvjetshat e fundit forma me k ka pasur përdorim më të madh,edhe pse në popull mund ta dëgjosh vetëm me q.
* Zot-i. Ky emër në Fjalorin drejtshkrimor nuk figuron fare,edhe sikur të ishte do ta kishim me z të vogël.
* Zotni-a.
* Zotrote. Tf. Zoti Filani sa të ketë mundësi të hiqet nga përdorimi. Gjuhësisht nuk ka kurrfarë pengesash por në aspektin fetar është shprehje mjaft irituese.
PËRFUNDIM
Në një tubim si ky i sotmi është e pamundshme që të shqyrtohen të gjitha çështjet që i takojnë kësaj sfere,por ato më qenësoret ishte e pamundur të anashkalohen. Le të më lejohet të propozoj që t’u sugjerohet institucioneve relevante arsimore e shkencore që urgjentisht fjalët për të cilat u bisedua sot të përdoren në formën e drejtë,kurse masmediat nëse në shtëpitë e tyre informative nuk kanë njerëz që e dijnë sadopak arabishten, bile le të konsultohen me institucionet fetare,ku përdoren format e kristalizuara të kësaj terminologjie. Merrnie me mend emrin e qytetit Qerbela-ja, ta dëgjosh Karballa e sa e sa emra tjerë që na servirin në formën angleze,është gjë e padurueshme.Pastaj sot të shqiptosh dhe të shkruash Omer Khajami ose Kajami (duhet Hajami) dhe Imam Komeini ose Khomeini (duhet Homeini), ambasadori Khaled (ar. Halid), madje emrin e përveçëm Muhammed e hasim si Mohamed, Mohammad, këto trajta për ne janë të papranueshme dhe nuk i kanë hije gjuhës sonë.
Këtë kumtesë do ta përfundoj me një konstatim që është me interes për këtë tubim. Në Maqedoni pothuajse kanë ngelur pak hoxhallarë pleq të cilët në vazet e tyre vazhdojnë në të folmen popullore. Kurse që nga gjenerata e parë e nxënësve të Medresesë së këtushme, madje edhe ish-nxënësit e Medresesë “Isa Beu” vazet e tyre i mbajnë ekskluzivisht në gjuhën letrare, edhe pse nga xhemati në moshë nuk kuptohen sa duhet.Ky konstatim na jepë të drejtë të themi se në predikimet fetare,si në Maqedoni po edhe në Kosovë,nuk kemi dukurinë e diglosisë ose bilinguizmit, pra të përdorimit paralel të gjuhës letrare dhe të asaj sakrale. Ky sukses është arritur në saje të punës konsekuente të mësimdhënësve te medreseve dhe fakulteteve tona islame në mbëltimin e normës së sotme letrare shqipe.
Le të më lejohet që në frymën e këtij tubimi të shpreh mirënjohjet më të thella institucioneve bartëse të kësaj Tryeze të rrumbullakët, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe Bashkësisë Islame të Kosovës, përfaqësuesit eminentë të këtyre institucioneve që na nderuan edhe neve edhe institucionet që përfaqsojnë dhe, dashtë All-llahu, që ky takim të jetë një ndihmesë për promovimin dhe pasurimin e thesarit leksikor të shqipes me terminologji të pastër islame.