Qendra Zvicerane për Islam dhe Shoqëri (QZISh)
dhe nevoja për një arsimim të mirëfilltë të kuadrit fetar islam në Zvicër

 

Qendra Zvicerane për Islam dhe Shoqëri (Schweizerisches Zentrum für Islam und Gesellschaft – SZIG) është një institut i përbashkët ndërfakultativ i Fakulteteve të Teologjisë, të Drejtësisë dhe të Filozofisë në Universitetin e Freiburgut të Zvicrës. Ky institut rrënjët e tij i ka në disa nisma që janë ndërmarrë më herët në drejtim të përgatitjes dhe arsimimit të kuadrit fetar musliman në Zvicër, por që as edhe me këtë institut nuk është arritur ajo që pritet dhe për çka kanë nevojë muslimanët e këtushëm. Këto nisma janë:

 

     -    Programi Kombëtar i Kërkimeve (NFP 58) "Bashkësitë Fetare, Shteti dhe Shoqëria" (2007–2010),
     -    "Dialogu Musliman" (2010–2011) i koordinuar nga Zyra Federale për Migracion (BFM),
     -    Rezultatet e një grupi pune pranë Sekretariatit Shtetëror për Arsim, Kërkime dhe Inovacion (SBFI) që përfshinte përfaqësues të universiteteve, autoriteteve federale dhe muslimanëve (2012–2014),
     -    Aktivitetet e instituteve të ndryshme të Universitetit të Freiburgut në fushën e dialogut shoqëror dhe ndërfetar.


QZISh promovon, nga njëra anë, një artikulim shkencor të Islamit në shoqërinë zvicerane, kurse nga ana tjetër, lejon një përqasje akademike me çështje shoqërore nga një perspektivë muslimane, duke u bazuar në njohuritë islame. 

QZISh aktivitetet e saj i filloi në janar të vitit 2015 dhe mbështetet nga Sekretariati Shtetëror për Arsim, Kërkime dhe Inovacion (SBFI). Si pjesë e një projekti bashkëpunimi dhe inovacioni (KIP) me mandatin e Swissuniversities si Leading House, ajo punon në përforcimin e vetë-reflektimit teologjik islam në nivel universitar dhe shoqëror.

QZISh në veprimtarinë e saj ka një qasje multidisiplinare:

     -   shërben për trajtimin e Islamit në kontekstin zviceran,
     -   punon në vendkryqëzimin midis shkencës, fesë dhe shoqërisë,
     -   ofron një hapësirë vetë-interpretimi musliman brenda një dialogu ndërdisiplinor,
     -   kontribuon në bashkëjetesën në një shoqëri pluraliste.

Si një qendër kombëtare kompetence për çështjet e Islamit dhe shoqërisë, Qendra Zvicerane për Islam dhe Shoqëri ofron edhe një gamë të gjerë shërbimesh, të cilat janë të drejtuara ndaj autoriteteve, institucioneve shtetërore dhe sektorit privat.

Ky institut përveç Drejtorisë, që përbën ekzekutivin e tij, ka edhe dy këshilla:

   · Këshillin e Institutit (Institutsrat), i cili merr vendimet strategjike, përpilon rregulloret e ndryshme, miraton buxhetin e institutit, zgjedh (zv.)kryetaren/in e vet, zgjedh anëtarët e drejtorisë dhe të këshillit konsultativ etj. I njëjti përbëhet nga dy përfaqësues/e nga profesorët e rregullt të të tri fakulteteve në fjalë, nga një përfaqësues/e nga rektorati dhe një përfaqësues/e nga radhët e studentëve.
 
     · Këshillin konsultativ (Beirat), i cili përbëhet nga të paktën nëntë dhe maksimumi pesëmbëdhjetë persona. Këta përfaqësojnë në mënyrë të përshtatshme grupet në vazhdim, të interesuara në veprimtaritë e QZISh-së: administrata federale, komunitetet muslimane në Zvicër, personat që merren shkencërisht me Islamin dhe me shoqërinë, si dhe personalitete të tjera nga politika, feja, ekonomia dhe shoqëria. Në dy mandatet e para, ndër të tjerë, kemi qenë edhe dy imamë: Sakib ef. Haliloviq dhe unë Rehan Neziri. Shpresojmë që edhe në mandatet e ardhshme dy anëtarë të këtij Këshilli të vazhdojnë të jenë nga radhët e imamëve. Ndër detyrat e këshillit konsultativ janë edhe: përcjellja dhe ndjekja e veprimtarisë së QZISh-së dhe dhënia e impulseve, ofrimi i propozimeve të ndryshme drejtuar Këshillit të Institutit dhe Drejtorisë etj.

Fushat kryesore të veprimtarisë së këtij instituti janë:

     -     Programet e studimeve shkencore (Studium),
     -     Programet e kërkimeve shkencore (Forschung),
     -     Programet e trajnimeve në fusha dhe drejtime të caktuara (Weiterbildung), dhe 

      -    Shërbime të tjera si: këshillime, ekspertiza, ligjërata etj., që kanë të bëjnë me Islamin dhe shoqërinë, për organizata ose institucione të ndryshme.


Në programet e studimeve shkencore përfshihen studimet pasuniversitare të magjistraturës dhe të doktoraturës nga fushat e fokusimit që i përmendëm më lart.

Në programet e kërkimeve shkencore QZISh hulumton, në bazë të një kornize interdisiplinare, kryetemat në vazhdim: 1. Tradita, autoriteti dhe dijetarët fetarë (muslimanë), 2. Etika sociale dhe veprimi social, 3. Realiteti jetësor i muslimanëve në Zvicër.

Në programet e trajnimeve përfshihen kurse, seminare dhe madje edhe CAS të plota, me kryetemë „Islami dhe shoqëria“, nën kulmin e vetë Universitetit të Freiburgut ose të organizatave a institucioneve partnere me të cilat bashkëpunon QZISh. Deri më tani ka zhvilluar këto trajnime: "Muslimische Seelsorge und Beratung am Kantonsspital St. Gallen" (Kujdesi shpirtëror dhe këshillimi musliman në Spitalin Kantonal të St. Gallenit), "Muslimische Seelsorge und Beratung im interreligiösen Kontext, Kanton Zürich" (Kujdesi shpirtëror dhe këshillimi musliman në kontekst ndërreligjioz, kanton Cyrih) dhe tri të mbiquajturat MOGA - "Muslimische Organisationen als gesellschaftliche Akteure" (Organizatat muslimane si aktorë shoqërorë). Këto të fundit janë organizuar nga QZISh në bashkëpunim me organizatat e ndryshme islame në Zvicër, si FIDS, VIOZ etj., por edhe me Komunitetin Musliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ), brenda viteve 2016 - 2022, ku kanë marrë pjesë kryesisht imamë tanimë të punësuar në Zvicër, por edhe të interesuar të tjerë muslimanë nga radhët e xhamive dhe organizatave të ndryshme islame.

Për më tepër informata lidhur me këtë institut mund ta vizitoni web faqen e tij në dy gjuhë: gjermanisht dhe frengjisht (www.unifr.ch/szig/de), si dhe një faqe interneti „Islam & Society“, të themeluar nga i njëjti institut dhe që plotësohet vazhdimisht me zëra dhe artikuj të rinj në tri gjuhë: gjermanisht, frengjisht dhe italisht (https://islamandsociety.ch/de/home).

Siç mund të shihet, ky institut nuk është fakultet ose shkollë e lartë teologjike islame, e cila arsimon dhe prodhon hoxhallarë a imamlerë, teologë muslimanë, porse është një institut i përbashkët i tri fakulteteve pranë Universitetit të Fribourgut, në dygjuhësi: gjermane dhe frënge, me katër fushat kryesore të veprimit të tij: studim, kërkim, trajnim dhe shërbime nga rrafshi i Islamit dhe shoqërisë. Për imamët që tanimë jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, ky institut mund të ofrojë vetëm kurse trajnuese, seminare, workshope etj. në fusha të ndryshme, që mund të shërbejnë për aftësimin e tyre për të vepruar më me efikasitet në kontekstin zviceran. Imamët që kanë mbaruar studimet e tyre jashtë Zvicrës nuk mund të regjistrohen në studimet e shkallës mastër, pasi diplomat e tyre nuk ka universitet, fakultet apo institut gjegjës islam në Zvicër që është i barasvlershëm me to dhe që mund t’i nostrifikojë. Mirëpo, ata që kanë kryer ndonjë magjistraturë jashtë Zvicrës, mund ta regjistrojnë doktoraturën edhe te ky institut.

Është e qartë se as ky institut e as ndonjë tjetër, nuk e ofron atë për çka kanë nevojë muslimanët e këtushëm, pra një studim të mirëfilltë të teologjisë islame me nënfushat e tij relevante. Kjo mbetet në duart tona si muslimanë. Për këtë duhet një bashkërenditje e mirëfilltë e të gjithë faktorëve muslimanë në Zvicër, me ne muslimanët shiptarë në krye, pasi e përbëjmë shumicën, ndoshta edhe me muslimanët e Gjermanisë dhe të Austrisë, për themelimin e një shkolle të mesme islame dhe pastaj edhe të një fakulteti teologjik islam me drejtime të ndryshme si për përgatitjen e imamëve dhe mualimëve në xhami, të mësuesve nëpër shkollat pubike, të kujdestarëve dhe këshilltarëve fetarë nëpër spitale, burgje dhe armatë, të punonjësve socialë muslimanë etj., sipas nevojave të këtushme. 

Ky hap, edhe muslimanëve të këtushëm do t’u kushtonte më lirë, sesa harxhimet që i bëjnë për aftësimin e imamëve të ardhur nga vendet tona të lindjes, si mësimi i një gjuhe vendase, kurse trajnuese të nevojshme për veprim efektiv këtu etj. Edhe pse diaspora shqiptare në Zvicër ka imamët dhe teologët më të përgatitur në rajon, ajo po lodhet ama duke i përgatitur dhe aftësuar ata për në kontekstin zviceran dhe përsëri nuk po krijohet kuadri i specializuar për në fushat që i përmendëm, pra përsëri e stërngarkojmë imamin me detyra që nuk do të mund t’i bënte askush: edhe imam, edhe hatib, edhe mualim, edhe mësues fetar në shkollë, edhe kujdestar e këshilltar fetar në spital, burg e armatë, edhe këshilltar për çështje familjare etj. Pra, presim të kemi të angazhuar një „super-imam“, por as vetë i kualifikuar si dhe sa duhet, po as edhe i paguar në përputhshmëri me detyrat e ngarkuara. Këtu ne kemi një ngecje dhe një ngërç, që ndoshta sot nuk e vërejmë, por së shpejti do ta kuptojmë se çfarë boshllëqesh po na krijohen në radhët tona. Kemi nevojë fillimisht për një reflektim të gjithanshëm dhe serioz për nevojën e një shkolle të mesme islame (medrese) dhe të një fakulteti ose shkolle të lartë me drejtime të ndryshme, e pastaj edhe për gjetjen e modaliteteve për zbatimin dhe futjen në jetë të të njëjtave. Koha është tani. Nëse nuk e bëjmë, do të na gjykojnë brezat që vijnë, do të na gjykojë historia, do të na gjykojë Perëndia, nëse e kemi bërë atë që duhet apo jo.
 

 
Rehan Neziri
Kreuzlingen, më 17.09.2024