Tarik Ramadan
Manifest për një "ne" të re
Një thirrje për muslimanët perëndimorë dhe bashkëqytetarët e tyre
KEMI ARSYE TË SHUMTA PËR T’U SHQETËSUAR. Situata e muslimanëve në shoqëritë perëndimore ka qenë e vështirë gjatë njëzet viteve të fundit. Nëse ka ndodhur diçka, kjo situatë vetëm se është përkeqësuar në pesë vitet e fundit. “Lufta kundër terrorit”, e nisur pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001, së bashku me sulmet e përsëritura terroriste në mbarë botën dhe rritjen e tensioneve të shkaktuara nga problemet sociale apo emigracioni, kanë kontribuar në prezantimin e Islamit – dhe të muslimanëve në përgjithësi – si një kërcënim për shoqëritë perëndimore. Frika, me reagimet emocionale dhe shpesh irracionale që e shoqërojnë, është bërë pjesë e mentalitetit publik. Edhe pse këto reagime mund të jenë herë pas here të kuptueshme dhe legjitime, ato po shfrytëzohen gjithnjë e më shumë për qëllime politike dhe elektorale.
Nga Kanadaja në Australi, duke kaluar përmes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, pothuajse asnjë shoqëri perëndimore nuk u ka shpëtuar pyetjeve të saj të thella rreth "identitetit", tensioneve të saj mbi "integrimin" dhe debatit të saj për vendin e muslimanëve brenda kufijve të saj. Ndërkohë, muslimanët e ndiejnë se atmosfera është bërë më e ngarkuar, se dyshimet janë thelluar; ata janë bërë subjekt i debateve që nuk janë as plotësisht transparente dhe as të shëndetshme. Përballë kësaj situate, muslimanët gjenden përpara dy zgjedhjeve të qarta: ose ta pranojnë rolin e "viktimës", të një "pakice të diskriminuar", që tërhiqet në vetvete dhe që vazhdimisht ndihet e detyruar ta justifikojë ekzistencën e saj, ose të përballen me vështirësitë e tyre, të bëhen subjekte të vërteta të historisë së tyre dhe t’i marrin masat e nevojshme për ta përmirësuar situatën. Është e natyrshme që ata të ankohen për trajtimin që marrin, ta kritikojnë racizmin dhe diskriminimin e përditshëm që e përjetojnë, por në fund të fundit, fati i tyre është në duart e tyre. Asgjë nuk do të ndryshojë derisa ta marrin përgjegjësinë e plotë për veten e tyre, të bëhen kritikë dhe autokritikë në mënyrë konstruktive dhe t’i përgjigjen përhapjes së frikës me një revolucion të bazuar fort në besimin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë.
(Ky artikull përbën shtojcën e dytë të librit të autorit What I Believe (Bindjet e mia), që së shpejti duhet të shkojë për botim në gjuhën shqipe.)
Lexo artikullin e plotë në PDF