I shkolluar dhe i edukuar në Ballkan si dhe në Turqi, caktimi i Zotit deshi që të angazhohesha si imam në xhaminë shqiptare “Hëna e re” në Kreuzlingen të Zvicrës. Me ardhjen time këtu, mu desh të fokusohesha në veprimtarinë brendapërbrenda xhamisë: të konsolidoja xhematin, të nisja mësimin fetar të fëmijëve, të përgatitja ligjëratat dhe hutbet, të kryeja shërbimet fetare brenda dhe jashtë xhamisë...
Në fillim gjithçka sillej rreth muslimanëve shqiptarë të këtushëm, të ardhur qysh në vitet e 70’ta, 80’ta dhe 90’ta, kur këta “mërgimtarë” nisin t’i sjellin edhe familjet e tyre në Zvicër. Edhe për mua si imam nuk ishte ndonjë angazhim i huaj dhe i papërballueshëm. Ndërkohë vërejta se të jesh imam në Zvicër, nuk ishte njësoj sikur të ishe imam në vendlindje, në Maqedoni a Kosovë. Vërejta se muslimanët e këtushëm pritnin diçka më tepër nga imami, sesa vetëm të printe në namazet ditore, të mbante ligjëratat e predikimet, të zhvillonte mësimin fetar. Ata pritnin që imami të merrej në mënyrë më intensive me të rinjtë, t’u fliste në “gjuhën” e tyre... E kuptova shpejt se t’u flasësh të rinjve në “gjuhën” e tyre nuk nënkuptonte vetëm gjuhën gjermane, të cilën më duhej ta mësoja gjithsesi, por edhe botëkuptimin që fshihej pas asaj “gjuhe”, mendësinë e tyre. Kisha të bëja me përballjen me një kulturë dhe me një të menduar tjetër nga ajo që mendoja se e njihja mirë. Jo, jo. Nuk e njihja mirë kulturën, mendësinë, sistemin arsimor, social, politik dhe fetar të Zvicrës. Nuk e njihja historinë jo vetëm politike, por në radhë të parë as edhe atë fetare të këtij vendi. Si rrje-dhojë e kësaj shkundjeje, për të mos thënë goditjeje, mendore dhe shpirtërore, kuptova se edhe mënyra se si u ligjëroja të rriturve dhe cilat tema i trajtoja ishin disi të huaja, të pavend, të thata. Më duhej që temat t’i përzgjidhja me kujdes të veçantë, të ishin aktuale, ose më mirë thënë, t’i bëja aktuale, t’i sillja në kohën tonë, t’i lidhja me realitetin e këtushëm të cilin po e mësoja për ditë e më shumë. E njëjta, por në mënyrë më të theksuar, vlente edhe për mësimin fetar me fëmijët si dhe me takimet me të rinjtë. Megjithëse mendoja se isha i përgatitur mirë edhe nga aspekti pedagogjik, falë lëndëve të shumta lidhur me pedagogjinë dhe didaktikën moderne që i kishim në studimet në Turqi, kuptova se megjithëkëtë secila hapësirë kulturore zhvillon metodat e veta të veçanta jo vetëm të studi-mit por edhe të zbatimit në praktikë të njohurive që studion.
Nuk kaloi shumë kohë dhe pata rastin të takohesha me klerikë krishterë të konfesionit katolik dhe reformist të vendit. Kjo tanimë ishte një sfidë në vete për mua. E para, më mungonte gjuha gjermane, e përdorja anglishten, por kjo ishte një zgjidhje e përkohshme dhe jo e qëndrueshme. E dyta, përvoja e takimit me klerikë të feve të tjera ishte një novum në vete për mua. Të ngarkuar politikisht, në Ballkan, nga vinim, disponimi dhe vullneti për t’u takuar me klerikët e fesë krishtere ishte pothuaj i paparamendueshëm ose ndoshta zhvillohej vetëm në qarqe të ngushta teologjike, ndërkaq në bazë, në popull, kjo as nuk ndodhte po as edhe nuk ishte e dëshirueshme. Mirëpo këtu në Zvicër, klerikët krishterë “nikoqirë”, ishin ata që erdhën të parët dhe na hapën dyert të parët. Jam menduar gjatë-gjatë se si të veproja, kur për herë të parë mora ftesën nga prifti katolik i qytetit për një drekë në shtëpinë e tij. Mendoja nëse kjo ishte në rregull nga aspekti fetar? Po, thash, bën, sepse edhe Pejgamberi a.s. ka ngrënë ushqim të ofruar nga hebrenjtë e Medines. Pyetja e radhës ishte, si do ta pranonin këtë xhematlinjtë e mi, muslimanët tanë? Më duhej t’ua sqaroja atyre jo vetëm këtë, por edhe nevojën e zhvillimit të takimeve dhe të bisedave ndërfetare me për-faqësuesit e feve të tjera. Ata kishin kanalet e tyre të komunikimit me shoqërinë shumicë të vendit, e natyrshme. Prandaj, duhej shfrytëzuar këtë mundësi që na ofrohej. Që këtu pastaj nisi edhe nisma për themelimin e “Tryezës së rrumbullakët të feve” në qytetin tonë, e cila nuk angazhohej vetëm për krijimin e një hapësire të volitshme dhe moderne për dialog inter-religjioz (ndërfetar), por u angazhua aktivisht edhe për futjen e mësimit fetar islam nëpër shkollat publike të qytetit. Ky mësim vazhdon tash e pothuajse dhjetë vite.
Sa më shumë që takoheshim me përfaqësuesit e feve të tjera, aq më shumë bindeshim për nevojën e dialogut intra-religjioz (brendafetar) islam. U intensifikuan takimet me kolegët tjerë imamlerë të xhamive shqiptare që i kishim përreth, nisën edhe aktivitetet e përbashkëta me xhematlinj, të rinj e nxënës të mektebeve tona... U shtua nevoja për konsolidimin më të fuqishëm të radhëve tona nën një çati, si organizata islame që do të na përfaqësonin karshi shoqërisë shumicë zvicerane në nivelin komunal, kantonal dhe nacional... Krijimi i këtyre organizatave, që është bërë në një rrugë të shëndoshë, sepse fillon nga poshtë, nga baza, dhe ngjitet lart e më lart, solli me vete faktorizimin e elementit musliman si ndër media ashtu edhe ndër politikanë. Kësaj, jo thjesht në një klimë e me një gjuhë apo diskurs gjithnjë pozitiv, i kontribuuan edhe ngjarjet që ndodhën në arenën ndërkombëtare e që lidheshin me Islamin dhe me muslimanët. Megjithëse në vend nuk kishte fërkime, tensione e probleme ndërfetare, debatet e arenës ndërkombëtare, të ngarkuara edhe me një averzion gjithnjë në rritje kundrejt Islamit dhe ne muslimanëve, na sfiduan rëndë, sepse thënë të drejtën, ne nuk ishim të përgatitur t’u bënim ballë stigmatizimeve dhe përhapjes së shpejtë të paragjykimeve të popullatës vendase kundrejt nesh. Në këtë stad, të gjithë sytë u drejtuan kah imamët: edhe ata që e shanin Islamin fokusin e tyre e drejtuan kah imami, po edhe muslimanët tanë përballimin me këto akuza, stigma e paragjykime e pritnin po ashtu nga imami.
Në këtë mënyrë, imami tanimë duhej t’i shërbente xhematit të vet në xhami; të zhvillonte mësimin fetar në mektebin e xhamisë dhe në shkollat publike; të merrej me të rinjtë muslimanë duke i angazhuar ata në aktivitete fetare, sportive e kulturore, për t’i mbrojtur nga ndikimi i rrymave ekstremiste fetare po edhe t’i bënte imunë ndaj kritikave të jashtme, kryesisht të mediave; t’i vizitonte të sëmurët nëpër spitale e shtëpi private; të ndërmjetësonte në zgjidhjen e fërkimeve dhe problemeve bashkëshortore dhe familjare; të mbante kontakt dhe të organizonte aktivitete të për-bashkëta me xhamitë tjera shqiptare në vend; të zhvillonte dialogun ndërfetar; të shërbente si këshilltar a mediator edhe në shkollat publike me rastin e problemeve me karakter fetar që mund të lindnin me nxënë-sit dhe prindërit muslimanë si lënda e notit, pjesëmarrja në festat “pagane” të shkollës; të mbante kontakte të vazhdueshme dhe t’u përgjigjej shpejt dhe me korrektësi e maturi pyetjeve dhe intervistave të gazetarëve të mediave të shkruara dhe vizuale për pyetjet që kishin të bënin me Islamin dhe muslimanët; përmes kanaleve komunikuese që i pat krijuar më he-rët të mbante kontakte edhe me politikanët vendas jo vetëm të nivelit komunal e kantonal, por edhe me ata nacional... Shpresoj që tanimë është e qartë se në këtë fazë të zhvillimeve kishim të bënim jo me një imam të thjeshtë, por me një “super-imam”, me një imam që duhej të ishte i gjithëpranishëm dhe i gatshëm për “gjithçka”.
Mungesa e aftësisë dhe e zotësisë reale të imamëve që të përballen me të gjitha këto të pritura të kalibrit kaq të gjerë e të madh, e ngriti çështjen e kualifikimit, të aftësimit dhe të shkollimit të imamëve këtu në Zvicër. Me rolin e një multiplikatori që e kishte ose që pritej ta kishte imami në të gjitha këto sfera, gjë që realisht nuk pritej nga klerikët e feve të tjera, ishte e qartë se kishim të bënim me një resurs të madh njerëzor nga mesi i muslimanëve...
Si pasojë e gjithë kësaj me sa u tha më lart, janë përpiluar dhe janë përkthyer artikujt e kësaj vepre dhe janë dhënë intervistat që zënë vend në pjesën e tretë të saj. Pra, kjo vepër nuk është rezultat i kureshtjes së thjeshtë intelektuale islame të një imami, por përpjekje për t’iu përgjigjur sfidave reale dhe konkrete të kohës në të cilën jetojnë imamët dhe muslimanët në Zvicër.
Kështu, në pjesën e parë, kemi përmbledhur artikujt që reflektojnë pikëpamje teologjike jo edhe aq të zakonshme për diskursin islam në vendet ku muslimanët jetojnë me shumicë. Ne këtu na duhet të merremi me aspekte shumë më të ndryshme të temave qendrore që kanë lidhshmëri me botëkuptimin humanist të periudhës së pas-iluminizmit evropian. Në këtë drejtim kemi përzgjedhur temën rreth dinjitetit të njeriut, që përbën burimin e të drejtave të njeriut në kontekstin evropian dhe perëndimor si dhe temën që ka të bëjë me integrimin aktiv të muslimanëve në shoqërinë ku jetojnë, duke sjellë shembullin më të mirë me Hilfu’l-fudulin e kohës së Muhammedit a.s. Po e kësaj natyre është edhe tema rreth diskursit mbi xhennetin dhe xhehennemin, e cila mëton të reflektojë elementet bazë, tejhistorike dhe universale të tyre si dhe ato historike, lokale.
Në pjesën e dytë trajtojmë temat me karakter social siç janë roli shoqëror i fesë sot në Evropën Perëndimore; migrimi, integrimi dhe asimilimi; reaksionet e muslimanëve ndaj diskursit mediatik dhe politik mbi Islamin dhe muslimanët e Zvicrës, temë e shkoqitur nga teologu katolik kroat Samuel M. Behloul, me të cilin kemi kontakte të vazhdueshme; rastet e trajtimit diskriminues të muslimanëve në Zvicër nga ana e shoqërisë shumicë të hartuar para shumë vitesh, por që mbeten për fat të keq aktuale edhe sot e kësaj dite, nga ana e Komisionit Federal Zviceran kundër Racizmit; roli i xhamive shqiptare në Zvicër si dhe trajnimi i imamëve dhe i mësuesve të edukatës islame në Zvicër mes nevojës reale vendore dhe frikës së importuar nga jashtë; një shembull konkret për rolin e bashkëpunimit ndërfetar në vend me inkuadrimin e mësimit islam në shkollat publike të Kreuzlingenit; tema rreth referendumit për ndalimin e ndërtimit të minareve të reja në Zvicër nga viti 2009 e këndej si dhe një reagim ndaj aktit terrorist në Paris në vitin 2015 të titulluar “Mos ma prekni talljen!”...
Në pjesën e tretë zënë vend disa intervista që kam pasur rastin t’i jap si në cilësinë e imamit, mësuesit të lëndës fetare por edhe në cilësinë e kryetarit të Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër në periudhën midis viteve 2010-2012. Këto janë botuar në gazeta zvicerane, shqiptare dhe në portale të ndryshme... Në të gjitha këto intervista trajtohen tema nga më të ndryshmet që u përmendën më lart, e që në një farë dore e pasqyrojnë konkretisht debatin aktual rreth Islamit dhe muslimanëve në Zvicër.
Krejt në fund dëshiroj të falënderoj kolegët e mi imamlerë në Zvicër si dhe miqtë e mi intelektualë të fushave të ndryshme nga Zvicra dhe vendlindja, të cilët gjithmonë më kanë qëndruar pranë si me sugjerimet ashtu edhe me vërejtjet e tyre konstruktive, pastaj gazetarët zviceranë dhe shqiptarë për intervistat korrekte që i kanë zhvilluar me mua. E falënderoj edhe mikun tim Xhemil Bajramin, për përgatitjen e kopertinës së këtij libri si dhe kunatën (motrën e gruas) time për leximin me kujdes dhe lekturimin nga aspekti gjuhësor. Në fund falënderoj përzemërsisht familjen time, bashkëshorten dhe fëmijët e mi të cilët më kanë duruar dhe kanë treguar mirëkuptim ndaj meje edhe atëherë kur kam qenë shumë i trazuar shpirtërisht dhe emocionalisht.
Mundi është i yni, kurse suksesi i veprave tona vjen nga Zoti Mëshirëplotë!
Rehan Neziri
korrik 2018, Kreuzlingen
Këtu mund të lexoni më tepër rreth përmbajtjes së librit - PDF.