Vëllai më i vjetër
Kur Nasradin Hoxha ishte akoma fëmijë, një i rritur e pyeti atë: "Kush është më i madh, ti apo vëllai yt?"
Nasradini u kujtua pak dhe u përgjigj: "Vitin e kaluar nëna më tha se vëllai im ishte një vit më i madh se unë. Sipas kësaj pra sivjet ne duhet të jemi moshatar".
Ramazani, muaji i agjërimit
A e dini ju se si Nasradin Hoxha i ka numëruar 30 ditët e muajit të Ramazanit? Për çdo ditë vëndonte nga një gur në një tenxhere. Vajza e tij e vogël e kishte parë babain se ç'bënte dhe vendosi t'i ndihmonte babait në mbledhjen e gurëve. Pa e ditur babai, ajo i vëndoi edhe disa gurëz brenda tenxheresë.
Pas disa ditësh Nasradinin e pyeti një fqinji i tij: "More, cila ditë e agjërimit është sot?" Nasradini me vrap shkoi te tenxhereja e tij dhe i numëroi gurëzit. Paramendoni se sa mund të jetë habitur ai kur i dolën gjithsej 125 gurëz! Nga frika të mos përqeshet nga komshia iu përgjigj atij: "Sot është dita e 45 e Ramazanit".
Komshia u habit fare dhe e pyeti: "Si ka mundësi kështu, kur dihet se krejt muaji i Ramazanit ka vetëm 30 ditë?"
Papritur iu përgjigj Nasradin Hoxha: "Po ta pyesësh tenxherenë, sot duhet të jetë dita e 125-të!"
Te mullisi
Njëherë Nasradini e çoi një thes drith në mulli për ta bluajtur. Meqë atë kohë aty s'ishte askush i pranishëm, Nasradini e shfrytëzoi rastin e përshtatshëm dhe e mbushi thesin e vet me drith nga një thes tjetër.
Atypëraty u paraqit pranë tij mullisi dhe e pyeti: "Hoxho, çfarë je duke bërë?" Hoxha u shtir si i pafajshëm dhe tha: "Unë jam një njeri i çmendur dhe e bëj thjesht atë që më vjen në kokë ta bëj".
Atëherë mullisi iu përgjigj: Ëhë, ashtu qenka apo. Po mirë pse nuk e bën njëherë të kundërtën e të marrësh drith nga thesi yt dhe të futësh në thesin tim?!"
Nasradini nuk ia vonoi përgjigjen dhe i tha: "Po zotëri, unë vërtet jam i çmendur, mirëpo çmenduria ime nuk mbërrin dot deri atje!"
Vizita e sulltanit
Dikur më herët ka ndodhur një ngjarje shumë e madhe: Sulltani (mbreti) dëshironte të vinte personalisht në qytetin e Nasradin Hoxhës. Hoxha nuk ishte i sigurt se si duhej të sillej në prani të mbretit. Njëri nga nëpunësit e mbretit e mësoi këtë se si duhej t'u përgjigjej pyetjeve të thjeshta të mbretit. Në fillim sulltani do ta pyeste se sa gjatë po jetonte Nasradini në këtë qytet dhe se sa vjet kishte studiuar ai.
Nasradini i mësoi përgjigjet përmendsh, mirëpo sulltani pyetjet i parashtroi nga e prapa.
"Sa vjet ke studiuar, Nasradin?"
"38 vjet, o sulltan" - iu përgjigj hoxha.
"Po sa vjet i paske?"
"13 vjet" - ia përsëriti hoxha.
"Si ka mundësi të ndodhë kjo? Mos je ti i çmendur apo mos jam unë?"
Në këtë pyetje të papritshme mendoi pakëz hoxha dhe ia priti: "Ne të dy jemi të çmendur, mirëpo secili në mënyrën e vet!"
Toka rrokulliset
Një ditë një njeri e pyeti hoxhën: "Si ndodh që në mëngjes të gjithë njerëzit zgjohen nga gjumi dhe shkojnë në drejtime të ndryshme?"
"Shumë thjesht", ia priti hoxha. "Sikur të gjithë të shkonin në një drejtim, atëherë toka do të rrokullisej!".
Mësimi i arabishtes
Një shok i Nasradin Hoxhës donte ta mësonte gjuhën arabe. Hoxha me një mendjelehtësi iu paraqit atij si mësues edhe pse as ai nuk e njihte shumë mirë arabishten.
Kur nisi mësimi, nxënësi kurreshtar deshi të dijë: "Si thuhet arabisht: 'Ju lutem, një supë (çorbë) të ftohtë!'?"
Nasrudin Hoxha nuk lejonte të ngatërrohej andaj edhe u përgjigj papritmas: "Oh, po nuk është e nevojshme ta mësosh këtë. Ty nuk të duhen fjalët 'supë e ftohtë', sepse arabët e kanë qejf supën të nxehtë!"
Fiku
Një herë një pasanik e ftoi për bukë Nasradin Hoxhën. Shërbyesit e tij sollën shumë enë me ushqime të ndryshme në sofër, mirëpo nuk sollën edhe fik.
Nikoqiri e luti hoxhën: "Para se të shkosh të lutem të na këndosh disa pjesë nga Kur'ani, që pas barqeve tona t'i mbushim edhe shpirtërat tanë".
Nasradin Hoxha e hapi Kur'anin te sureja (et-Tiin) që fillon kështu: "Pasha fikun dhe ullirin! Dhe (kodrën) Turi Sina!". Nasradini filloi të lexojë: "Në emër të All-llahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. Pasha ... ullirin dhe kodrën Turi Sina!"
Papritmas nikoqiri e ndërpreu duke i thënë: "E harrove fikun!"
"Jo, miku im", iu përgjigj Nasradin Hoxha. "Ti je ai që e ke harruar fikun, e jo unë!"
Devetë fluturuese
Njëherë Nasradin Hoxha mbante ders në xhami dhe tha: "Ta falënderojmë Zotin që nuk u ka dhënë flatra (krahë) deveve!"
Të pranishmit e pyetën me habi të madhe: "Si të shkoi ndër mend kjo?"
Hoxha u përgjigj: "Sikur Zoti t'u jepte flatra deveve, çatitë e shtëpive tuaja qysh moti do të ishin rrënuar!"