Rehan Neziri

 

MUSLIMANI POZITIV

besimtari që ndërton, ndihmon dhe lë gjurmë

(ders-vaaz)

 

Lexo këtë ders në PDF

 

Falënderimet tona më të thella i takojnë Allahut Fisnik, nderimet tona më të përzemërta ia dërgojmë pejgamberit tonë Muhammedit a.s., familjes së tij, shokëve dhe të gjithë atyre që e ndjekin me përkushtim rrugën e tij.

Me çfarë matet vlera e një njeriu? Me pasurinë që e zotëron, me pozitën që e ka në shoqëri, me përgjegjësitë që e mban apo me prejardhjen e tij?

Të gjitha këto mund të kenë peshë në sytë e njerëzve, por vlera e vërtetë e njeriut nuk qëndron vetëm në atë që ai e posedon apo në pozitën që e gëzon. Ajo shihet në drejtësinë dhe devotshmërinë e tij, në moralin që e karakterizon, në parimet që e udhëheqin dhe në të mirën që e përhap rreth vetes.

Njeriu vlen edhe për aq sa është i dobishëm për të tjerët dhe për gjurmët e mira që i lë në familjen, rrethin dhe shoqërinë e tij.

Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:

إِنَّ مِنَ النَّاسِ مَفَاتِيحَ لِلْخَيْرِ مَغَالِيقَ لِلشَّرِّ وَإِنَّ مِنَ النَّاسِ مَفَاتِيحَ لِلشَّرِّ مَغَالِيقَ لِلْخَيْرِ فَطُوبَى لِمَنْ جَعَلَ اللَّهُ مَفَاتِيحَ الْخَيْرِ عَلَى يَدَيْهِ وَوَيْلٌ لِمَنْ جَعَلَ اللَّهُ مَفَاتِيحَ الشَّرِّ عَلَى يَدَيْهِ.

“Disa njerëz janë çelësa për të mirën dhe dryna për të keqen; e disa janë çelësa për të keqen dhe dryna për të mirën. Përgëzime atij që Allahu e ka bërë çelës për të mirën nëpërmjet duarve të tij, dhe mjerë ai që është bërë çelës (mjet) për të keqen.” (Ibnu Maxheh)

Ky hadith na jep një përfytyrim të bukur të muslimanit pozitiv: ai është njeriu nëpërmjet të cilit hapen dyert e së mirës. Prania e tij sjell dobi, fjala e tij udhëzon, puna e tij ndërton dhe sjellja e tij ndikon për mirë.

Kur Allahu i Lartësuar na i përcjell fjalët e Isait a.s., thotë:

وَجَعَلَنِي مُبَارَكًا أَيْنَ مَا كُنتُ.

“Dhe më bëri të bekuar kudo që të jem.” (Merjem, 19:31)

Të jesh i bekuar kudo që ndodhesh do të thotë që prania jote të sjellë mirësi. Kjo është një nga pamjet më të bukura të pozitivitetit të besimtarit.

 

Çfarë do të thotë të jesh musliman pozitiv?

Pozitiviteti nuk është vetëm optimizëm apo të menduarit mirë për të ardhmen. Në kuptimin e tij më të gjerë, ai është veprim, përgjegjësi dhe gatishmëri për të qenë i dobishëm.

Të jesh pozitiv do të thotë të mos qëndrosh thjesht spektator përballë jetës. Do të thotë të japësh nga vetja, të nxitësh në të mirë pa pritur gjithmonë që dikush të ta kërkojë, të ndihmosh kur ke mundësi dhe ta duash për të tjerët atë që e dëshiron për veten tënde.

Pozitiviteti është një fuqi ndërtuese dhe frymë gjallëruese që e shtyn njeriun të kontribuojë në familjen, shoqërinë dhe umetin e tij.

Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:

اَلْمُؤْمِنُ الَّذِي يُخَالِطُ النَّاسَ وَيَصْبِرُ عَلَى أَذَاهُمْ خَيْرٌ مِنَ الَّذِي لاَ يُخَالِطُ النَّاسَ وَلاَ يَصْبِرُ عَلَى أَذَاهُمْ.

“Besimtari që shoqërohet me njerëzit dhe i duron lëndimet që mund t’ia shkaktojnë ata, është më i mirë se ai që nuk shoqërohet me njerëzit dhe nuk i duron lëndimet e tyre.” (el-Edeb el-Mufred)

Po ashtu transmetohet nga Ai s.a.v.s.:

اَلْمُؤْمِنُ يأْلَفُ وَيُؤْلَفُ وَلاَ خَيْرَ فِيمَنْ لاَ يَأْلَفُ وَلاَ يُؤْلَفُ وَخَيْرُهُمْ أَنْفَعُهُمْ لِلنَّاسِ.

“Besimtari është ai që shoqërohet mirë me njerëzit dhe që njerëzit e duan shoqërimin me të; nuk ka të mirë tek ai që as nuk shoqërohet me të tjerët, as nuk shoqërohet prej tyre. Më i miri ndër ta është ai që është më i dobishëm për njerëzit.” (Taberaniu)

Pra, besimtari pozitiv nuk izolohet nga problemet e njerëzve. Ai jeton mes tyre, bashkëpunon, duron, këshillon dhe përpiqet të jetë pjesë e zgjidhjes.

 

Pozitiviteti kërkon veprim

Një nga shenjat e pozitivitetit është ndjenja e përgjegjësisë. Besimtari nuk pyet vetëm: “Çfarë duhet të bëjnë të tjerët?”, por edhe: “Çfarë mund të bëj unë?”

Allahu i Lartësuar thotë në Kur’anin fisnik:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اسْتَجِيبُوا لِلَّهِ وَلِلرَّسُولِ إِذَا دَعَاكُمْ لِمَا يُحْيِيكُمْ وَاعْلَمُوا أَنَّ اللَّهَ يَحُولُ بَيْنَ الْمَرْءِ وَقَلْبِهِ وَأَنَّهُ إِلَيْهِ تُحْشَرُونَ.

“O ju që besuat, përgjigjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju ftojnë për atë që ju jetëson, dhe dijeni se Allahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij dhe se tek Ai do të tuboheni!” (el-Enfal, 8:24)

Pozitiviteti nuk kufizohet vetëm në kryerjen e detyrimeve të domosdoshme. Besimtari kërkon edhe mundësitë e tjera për mirësi. Kur sheh një nevojë, përpiqet ta plotësojë; kur sheh një problem, mendon si mund të kontribuojë në zgjidhjen e tij; dhe kur merr përsipër një përgjegjësi, mundohet ta kryejë sa më mirë.

Në këtë kuptim përcillet nga Muhammedi s.a.v.s.:

إِنَّ اللهَ يُحِبُّ إِذَا عَمِلَ أَحَدُكُمْ عَمَلًا أَنْ يُتْقِنَهُ.

“Allahu do që kur ndonjëri prej jush bën një punë, ta bëjë me përpikëri, saktësi të plotë.” (Taberaniu)

Pra, pozitiviteti nuk është vetëm të bësh diçka, por të përpiqesh ta bësh në mënyrën më të mirë të mundshme atë që e ke marrë përsipër.

 

Dy modele të ndryshme të njeriut

Kur’ani na paraqet në mënyrë domethënëse dallimin mes njeriut që është barrë dhe atij që sjell të mirë:

وَضَرَبَ اللَّهُ مَثَلًا رَجُلَيْنِ أَحَدُهُمَا أَبْكَمُ لَا يَقْدِرُ عَلَىٰ شَيْءٍ وَهُوَ كَلٌّ عَلَىٰ مَوْلَاهُ أَيْنَمَا يُوَجِّههُ لَا يَأْتِ بِخَيْرٍ هَلْ يَسْتَوِي هُوَ وَمَنْ يَأْمُرُ بِالْعَدْلِ وَهُوَ عَلَىٰ صِرَاطٍ مُّسْتَقِيمٍ.

“Allahu e jep shembullin e dy njerëzve: njëri prej tyre është memec, nuk është i aftë për asgjë, është barrë për zotërinë e tij, dhe kudo që ta dërgojë, nuk sjell ndonjë të mirë. A është i barabartë ai me atë që urdhëron për drejtësi dhe ndodhet në rrugë të drejtë?” (en-Nahl, 16:76)

Ky krahasim na fton të mendojmë për rolin tonë: A jemi njerëz që vetëm presim prej të tjerëve, apo njerëz që japim dhe kontribuojmë? A jemi pjesë e problemit apo pjesë e zgjidhjes?

 

Nuk duhet të jesh i famshëm për të bërë ndryshim

Një nga mësimet më të bukura të Kur’anit është se njeriu nuk ka nevojë të jetë i famshëm, i pasur apo me pozitë të lartë që të lërë gjurmë.

Kur’ani i ka përjetësuar veprat e disa njerëzve, ndërsa emrat e tyre nuk na i ka treguar. Mesazhi është i fuqishëm: vlera e veprës nuk varet nga fama e atij që e kryen, por nga sinqeriteti, qëllimi dhe dobia e saj.

Allahu i Lartësuar thotë në Kur’anin fisnik:

وَجَاءَ مِنْ أَقْصَى الْمَدِينَةِ رَجُلٌ يَسْعَىٰ قَالَ يَا قَوْمِ اتَّبِعُوا الْمُرْسَلِينَ.

“Dhe erdhi nga skaji më i largët i qytetit një burrë që po vinte me nxitim e tha: ‘O populli im, ndiqni të dërguarit!’” (Jasin, 36:20)

Kur’ani nuk na e tregon emrin e këtij burri, por e përjetëson qëndrimin dhe përpjekjen e tij.

Një shembull tjetër e gjejmë në historinë e Musait a.s.:

وَجَاءَ رَجُلٌ مِنْ أَقْصَى الْمَدِينَةِ يَسْعَىٰ قَالَ يَا مُوسَىٰ إِنَّ الْمَلَأَ يَأْتَمِرُونَ بِكَ لِيَقْتُلُوكَ فَاخْرُجْ إِنِّي لَكَ مِنَ النَّاصِحِينَ.

“O Musa, krerët po bëjnë kurth kundër teje për të të vrarë! Dil (largohu që këtej), unë jam prej atyre që të jap këshillë të sinqertë.” (el-Kasas, 28:20)

Ai ishte një njeri që e pa rrezikun dhe nuk heshti. Veproi në momentin e duhur dhe paralajmërimi i tij u bë shkak për shpëtimin e Musait a.s..

Kjo na mëson se pozitiviteti nuk është privilegj i njerëzve me pushtet apo pozitë. Edhe një njeri i zakonshëm, me një veprim të sinqertë në kohën e duhur, mund të ndikojë në rrjedhën e ngjarjeve dhe të sjellë një të mirë të madhe.

 

Çfarë gjurme po lëmë ne?

Secili prej nesh mund t’ia bëjë vetes disa pyetje të thjeshta: Cili është ndikimi im pozitiv në familjen time? Po në vendin e punës, në xhami, në lagje apo në shoqëri?

Sa mundësi për të bërë mirë na kalojnë pranë pa i shfrytëzuar? Sa herë kemi mundësi ta ndihmojmë dikë, ta japim një këshillë të sinqertë, të pajtojmë dy njerëz, ta mbështesim një njeri në vështirësi apo thjesht ta themi një fjalë të mirë?

Ndonjëherë njeriu nuk vepron sepse mendon se kontributi i tij është shumë i vogël. Por askush nuk është aq i parëndësishëm sa të mos mund të bëjë mirë.

Një fjalë e sinqertë mund t’i japë dikujt shpresë. Një këshillë e thënë me urtësi mund ta ndryshojë një vendim. Një ndihmë e vogël mund t’ia lehtësojë barrën një familjeje. Një ide e mirë mund të kthehet në një projekt prej të cilit përfitojnë shumë njerëz.

Nuk e dimë gjithmonë se sa larg mund të arrijë një e mirë që e kemi nisur me sinqeritet.

 

Shoqëria ka nevojë për muslimanë pozitivë

Në një kohë kur është e lehtë të kritikosh, të ankohesh dhe të tregosh çfarë nuk funksionon, nevoja për njerëz që mendojnë, veprojnë, ndërtojnë dhe japin shpresë është edhe më e madhe.

Muslimani pozitiv nuk i mbyll sytë para problemeve dhe as nuk pretendon se çdo gjë është mirë. Përkundrazi, ai i sheh mangësitë, por nuk ndalet te ankesa. Ai pyet se çfarë mund të bëjë për ta përmirësuar gjendjen.

Pozitiviteti i tij fillon nga vetja, vazhdon në familje dhe shtrihet në shoqëri. Mund të shfaqet në edukimin e fëmijëve, në ndihmën ndaj nevojtarit, në punën e kryer me ndershmëri, në ruajtjen e marrëdhënieve të mira, në një iniciativë të dobishme apo në një fjalë që bashkon në vend se të përçajë.

Në fund, ajo që kërkohet prej nesh është puna dhe përpjekja e sinqertë. Rezultati është në dorën e Allahut xh.sh..

Allahu i Madhëruar thotë:

وَقُلِ اعْمَلُوا فَسَيَرَى اللَّهُ عَمَلَكُمْ وَرَسُولُهُ وَالْمُؤْمِنُونَ.

“Punoni! Allahu do ta shohë punën tuaj, edhe i Dërguari dhe besimtarët (do ta shohin)...” (et-Teube, 9:105)

Prandaj, pyetja që secili mund t’ia bëjë vetes nuk është vetëm: “Çfarë të mire ka në shoqërinë time?”, por edhe: “Çfarë të mire po i shtoj unë asaj?”

Sepse muslimani pozitiv nuk pret gjithmonë që ndryshimi të vijë nga të tjerët. Ai përpiqet që, aty ku ndodhet dhe me mundësitë që i ka, të jetë vetë një çelës për të mirën.

 

O Allah, na bëj prej atyre që janë çelësa të së mirës dhe pengesë për të keqen! Na dhuro sinqeritet në qëllimet tona, urtësi në fjalët tona dhe bereqet në veprat tona!

O Allah, na bëj të dobishëm për familjet tona, për shoqërinë dhe për njerëzit rreth nesh! Na jep forcë që të bëjmë mirë kur na jepet mundësia, guxim që ta themi të vërtetën me urtësi dhe zemër të pastër që të punojmë për hir Tëndin pa e kërkuar lavdërimin e njerëzve!

Mos na bëj barrë për të tjerët, por bëna prej atyre që i lehtësojnë vështirësitë, i bashkojnë zemrat, e përhapin shpresën dhe lënë pas vetes vepra të mira! Amin!