Rehan Neziri
Muslimani është pionier i së mirës, i së dobishmes dhe i së bukurës
(ders - vaaz)
Lexo këtë ders në PDF
Temën që po e trajtojmë e prek vetë thelbin e mënyrës se si besimtari musliman e kupton praninë dhe misionin e tij në jetë: “Muslimani është pionier i së mirës, i së dobishmes dhe i së bukurës.” Ky vizion buron drejtpërdrejt nga udhëzimi hyjnor i Kur’anit fisnik dhe e merr formën e tij më të plotë në jetën dhe shembullin e pejgamberit Muhammed s.a.v.s.
Fetaria, në kuptimin e saj më të thellë, nuk është tërheqje nga jeta, por prani e vetëdijshme në të; nuk është vetëm përjetim i brendshëm, por forcë që shndërrohet në mirësi, dobi dhe bukuri. Muslimani është i thirrur të jetë nismëtar i së mirës, bartës i dobisë dhe dëshmitar i bukurisë në çdo hapësirë të jetës së tij.
1. Muslimani: Pionier i së mirës
Të jesh musliman nuk është një status pasiv, por një rol aktiv dhe një përgjegjësi që kërkon veprim. Allahu i Lartësuar në Kur’anin Famëlartë thotë:
كُنتُمْ خَيْرَ أُمَّةٍ أُخْرِجَتْ لِلنَّاسِ تَأْمُرُونَ بِالْمَعْرُوفِ وَتَنْهَوْنَ عَنِ الْمُنكَرِ وَتُؤْمِنُونَ بِاللَّه...
“Ju jeni populli më i mirë që është nxjerrë për njerëzimin: urdhëroni për të mirën, ndaloni nga e keqja dhe besoni në Allahun...” (Alu Imran, 3:110)
Këto fjalë nuk janë vetëm një lëvdatë, por mbi të gjitha një përgjegjësi dhe një amanet. Vlera e muslimanit dëshmohet nëpërmjet së mirës që ai e mbjell rreth vetes, nëpërmjet vlerave që i përçon, nëpërmjet drejtësisë që e mbron dhe nëpërmjet shërbimit që ua ofron njerëzve.
Allahu xh.sh. thotë:
أُولٰئِكَ يُسَارِعُونَ فِي الْخَيْرَاتِ وَهُمْ لَهَا سَابِقُونَ
“Të tillët janë duke nxituar drejt të mirave dhe të parët do t’i arrijnë ato.” (el-Mu’minun, 23:61)
Kur’ani nuk e paraqet muslimanin si dikë që vetëm e miraton të mirën, por si njeriun që nxiton drejt saj. Ai nuk pret që dikush tjetër ta marrë nismën, por përpiqet të jetë ndër të parët që e hap rrugën e një vepre të dobishme.
Muhammedi s.a.v.s. ishte mishërimi më i plotë i këtij parimi. Në çastet e para të shpalljes, bashkëshortja e tij, Hatixheja r.a., e përshkroi atë me fjalë që dëshmojnë një jetë të tërë në shërbim të së mirës:
“Ti i mban lidhjet farefisnore, i ndihmon të dobëtit, u shërben të varfërve, e nderon mysafirin dhe ndihmon në çdo vepër të drejtë.” (Buhariu dhe Muslimi)
Ky është portreti i njeriut të besimit: një njeri, prania e të cilit ndihet për mirë. Në familje, në lagje, në vendin e punës dhe në shoqëri, muslimani duhet të njihet si ai që sjell mirësi, i qetëson tensionet, i lehtëson barrët dhe hap shtigje shprese.
Kur sheh padrejtësi, nuk mbetet indiferent, por reagon me urtësi. Kur sheh varfëri, nuk mjaftohet me keqardhje, por e zgjat dorën e ndihmës. Kur përballet me mosmarrëveshje, nuk i thellon ndarjet, por përpiqet të ndërtojë ura pajtimi.
Muhammedi s.a.v.s. ka thënë:
مَن ْرَأَى مِنْكُمْ مُنْكَرًا فَلْيُغَيِّرْهُ بِيَدِهِ، فَإِنْ لَمْ يَسْتَطِعْ فَبِلِسَانِهِ، فَإِنْ لَمْ يَسْتَطِعْ فَبِقَلْبِهِ.. .
“Kush prej jush e sheh një të keqe, le ta ndryshojë me dorën e tij; nëse nuk mundet, atëherë me gjuhën e tij; e nëse as këtë nuk mundet, atëherë me zemrën e tij...” (Muslimi)
Fetaria, pra, nuk pajtohet me indiferencën. Ajo e zgjon ndërgjegjen dhe e shtyn njeriun të bëhet pjesë e së mirës, secili sipas mundësive dhe përgjegjësive të veta.
2. Muslimani: Pionier i së dobishmes
Islami nuk kërkon prej njeriut vetëm devotshmëri personale, por edhe dobishmëri shoqërore. Muslimani është i thirrur të japë nga vetja, nga dija, koha, aftësitë dhe pasuria e tij, në mënyrë që prania e tij të ketë vlerë edhe për të tjerët.
Ai kontribuon në përparimin e botës, në zhvillimin e dijes, në ndërtimin e jetës dhe në ngritjen e shoqërisë, pavarësisht vendit a shtetit ku jeton.
Muhammedi s.a.v.s. ka thënë:
أَحَبُّ النَّاسِ إِلَى اللهِ أَنْفَعُهُمْ لِلنَّاسِ وَأَحَبُّ الْأَعْمَالِ إِلَى اللهِ سُرُورٌ تُدْخِلُهُ عَلَى مُسْلِمٍ …
“Njerëzit që më shumti i do Allahu janë ata që janë më të dobishëm për të tjerët. Ndërsa veprën që më së shumti e do Allahu është mbjellja e lumturisë në zemrat e njerëzve.” (Taberaniu)
Dobia mund të marrë forma të ndryshme. Ajo mund të jetë dija që ua përcjellim të tjerëve, një fjalë që e ngushëllon dikë në vështirësi, një dorë që e ndihmon një jetim, ndërtimi i një shkolle apo kujdesi për një hapësirë publike. Po kështu, dobia mund të shfaqet nëpërmjet pasurisë së investuar në edukim, ndihmë humanitare dhe shërbime që e përmirësojnë jetën e shoqërisë.
Allahu xh.sh. thotë:
وَابْتَغِ فِيمَا آتَاكَ اللَّهُ الدَّارَ الْآخِرَةَ وَلَا تَنْسَ نَصِيبَكَ مِنَ الدُّنْيَا وَأَحْسِنْ كَمَا أَحْسَنَ اللَّهُ إِلَيْكَ وَلَا تَبْغِ الْفَسَادَ فِي الْأَرْضِ إِنَّ اللَّهَ لَا يُحِبُّ الْمُفْسِدِينَ.
“Me atë që të ka dhënë Allahu, kërko (ta fitosh) botën tjetër, e mos e lër mangu atë që të takon nga kjo botë. Bëj mirë ashtu siç të ka bërë mirë Allahu ty, e mos bëj të këqija në tokë, se Allahu nuk i do çrregulluesit.” (el-Kasas, 28:77)
Ky ekuilibër është domethënës: muslimani e ka shikimin drejt botës tjetër - ahiretit, por këmbët i ka të vendosura fort në përgjegjësitë e kësaj bote. Ai nuk e sheh jetën tokësore si hapësirë pa vlerë, por si fushë të veprimit, ndërtimit dhe përgjegjësisë.
Prandaj, dobia nuk kufizohet vetëm në sferën ngushtësisht fetare. Ajo shtrihet në zhvillimin ekonomik, arsimor, shkencor, kulturor dhe shoqëror. Muslimani duhet të jetë i pranishëm në mjekësi, teknologji, arsim, ndërtim, drejtësi dhe në çdo fushë ku dija dhe puna e tij mund t’i shërbejnë njeriut.
Çdo profesion i ndershëm, çdo dije që e lehtëson jetën dhe çdo përpjekje që i sjell dobi shoqërisë fiton një dimension më të lartë shpirtëror kur shoqërohet me qëllim të pastër, përgjegjësi dhe etikë.
3. Muslimani: Pionier i së bukurës
Islami është fe e bukurisë, ndërsa muslimani është i thirrur ta pasqyrojë këtë bukuri në qenien, sjelljen dhe mjedisin e tij. Bukuria, në këndvështrimin islam, nuk është diçka sipërfaqësore dhe as nuk kufizohet vetëm në pamjen e jashtme. Ajo e përfshin njeriun në tërësinë e tij: bukurinë fizike, bukurinë shpirtërore dhe bukurinë e hapësirës ku ai jeton dhe vepron.
Muhammedi s.a.v.s. e ka shprehur këtë parim me fjalët:
إِنَّ اللهَ جَمِيلٌ يُحِبُّ الْجَمَالَ.
“Allahu është i bukur dhe e do bukurinë.” (Muslimi)
Muslimani kujdeset së pari për bukurinë e vet shpirtërore. Ai përpiqet ta pastrojë zemrën nga smira, urrejtja, mendjemadhësia dhe ligësia, ndërsa e stolis atë me sinqeritet, mëshirë, durim, falje dhe dashamirësi. Sepse bukuria më e çmuar e njeriut është ajo që buron nga brendësia e tij dhe shfaqet në karakter.
Por ai kujdeset edhe për bukurinë fizike dhe paraqitjen e tij. Pastërtia, higjiena, rregulli, veshja e hijshme dhe kujdesi për trupin nuk janë të huaja për devotshmërinë. Përkundrazi, ato janë pjesë e kulturës së muslimanit. Bukuria këtu nuk nënkupton luks, shfaqje apo teprim, por pastërti, dinjitet, masë, elegancë dhe shije.
Mirëpo, përgjegjësia e muslimanit ndaj bukurisë nuk përfundon te vetvetja. Ai kujdeset edhe për bukurinë e botës që e rrethon.
Shtëpia ku jeton, oborri, lagjja, rruga, xhamia, parku, pylli, lumi dhe çdo hapësirë e përbashkët janë pjesë e ambientit për të cilin muslimani duhet të tregojë përgjegjësi. Nuk mjafton të jemi të pastër personalisht, ndërsa pas nesh të lëmë papastërti; të kujdesemi për shtëpitë tona, ndërsa t’i shpërfillim rrugët, parqet dhe hapësirat publike.
Muslimani nuk guxon të jetë ndotës i mjedisit, por kujdestar i tij.
Ai nuk hedh mbeturina aty ku jetojnë e kalojnë të tjerët. Nuk e dëmton gjelbërimin. Nuk e shpërdor ujin dhe burimet që i janë dhënë. Nuk e konsideron hapësirën publike si pronë të askujt, por si një të mirë të përbashkët ndaj së cilës ka edhe ai përgjegjësi.
Kujdesi për mjedisin është, në këtë kuptim, edhe shprehje e kulturës së besimit. Një lagje e pastër, një rrugë e mirëmbajtur, një park i ruajtur, një burim uji i pandotur dhe një hapësirë e gjelbër e mbrojtur nuk janë vetëm çështje estetike. Ato lidhen me cilësinë e jetës, me shëndetin e njerëzve dhe me përgjegjësinë tonë ndaj brezave që vijnë.
Prandaj, mbjellja e një peme, kujdesi për gjelbërimin, kursimi i ujit, shmangia e shpërdorimit, largimi i mbeturinave dhe ruajtja e pastërtisë së hapësirave të përbashkëta janë veprime të vogla në dukje, por që shprehin një ndërgjegje të madhe.
Allahu xh.sh. thotë në Kur’an:
لَقَدْ خَلَقْنَا الْإِنْسَانَ فِي أَحْسَنِ تَقْوِيمٍ.
“Ne vërtet e kemi krijuar njeriun në formën më të bukur.” (et-Tin, 95:4)
Kjo bukuri e krijimit është njëkohësisht edhe një ftesë që njeriu të mos e shëmtojë atë që Allahu e ka krijuar të bukur. Bukurinë që muslimani e kultivon brenda vetes duhet të shndërrohet në bukuri edhe rreth tij.
Nëse zemra e tij është e pastër, edhe fjala e tij duhet të jetë e pastër. Nëse trupi dhe veshja e tij janë të rregullta, edhe vendi ku jeton duhet të dëshmojë rregull. Nëse e do bukurinë, ai duhet të kontribuojë që edhe të tjerët të jetojnë në një ambient të pastër, të shëndetshëm dhe të hijshëm.
Kështu, koncepti islam i bukurisë krijon një harmoni të plotë: bukuri të shpirtit, bukuri të njeriut dhe bukuri të mjedisit. Njëra nuk duhet të ndërtohet duke e dëmtuar tjetrën.
Modeli ynë më i lartë mbetet Muhammedi s.a.v.s., për të cilin Allahu xh.sh. në Kur’an thotë:
لَقَدْ كَانَ لَكُمْ فِي رَسُولِ اللَّهِ أُسْوَةٌ حَسَنَةٌ…
“Ju keni në të Dërguarin e Allahut një shembull të shkëlqyer...” (el-Ahzab, 33:21)
4. Muslimani në Perëndim: të mos jetë vetëm banor, por vlerë e shtuar
Për muslimanin që jeton në Perëndim, e veçanërisht në Evropë, të qenët pionier i së mirës, së dobishmes dhe së bukurës merr një domethënie shumë konkrete. Ai jeton mes njerëzve me prejardhje, kultura, bindje dhe mënyra të ndryshme jetese. Pikërisht në këtë realitet, feja e tij duhet të shfaqet jo si izolim nga shoqëria, por si prani e përgjegjshme, konstruktive dhe fisnike brenda saj.
Muslimani nuk duhet të kënaqet thjesht me faktin se jeton në një vend. Ai duhet ta pyesë veten: Çfarë të mire i sjell unë vendit ku jetoj? Çfarë dobie ka shoqëria nga prania ime? Çfarë bukurie lë pas meje?
Në nivelin e së mirës, ai duhet të jetë njeri i besueshëm: fqinj i mirë, koleg korrekt, qytetar i përgjegjshëm dhe njeri që e respekton dinjitetin e tjetrit. Ai nuk e mat mirësinë vetëm me atë që bën brenda rrethit të vet, por edhe me mënyrën se si sillet me çdo njeri. Fetaria e tij duhet të shihet në ndershmërinë në punë, në mbajtjen e fjalës, në respektimin e të drejtave, në kujdesin për të moshuarin, të dobëtin dhe nevojtarin.
Nuk mjafton vetëm të flasim për vlerat e Islamit; njerëzit duhet të mund t’i shohin ato në sjelljen tonë.
Në nivelin e dobisë, muslimani duhet të synojë të jetë pjesë aktive e zhvillimit të shoqërisë ku jeton. Ai duhet të arsimohet, të punojë me profesionalizëm, të krijojë, të hulumtojë, të ndërmarrë iniciativa dhe të marrë përgjegjësi. Mjeku musliman duhet të synojë të jetë mjek i shkëlqyer; mësuesi, mësues i përkushtuar; punëtori, punëtor i ndershëm; sipërmarrësi, sipërmarrës me etikë; studenti, kërkues i dijes dhe i përsosmërisë.
Shoqëria nuk duhet ta njohë muslimanin vetëm nga identiteti që e deklaron, por edhe nga dobia që ai prodhon.
Të jetosh në Evropë dhe të përfitosh nga siguria, arsimi, infrastruktura, rendi dhe mundësitë që i ofron shoqëria dhe shteti, ndërsa të mos ndiesh përgjegjësi për të kontribuar në të mirën e përbashkët, do të ishte një kuptim i mangët i rolit të muslimanit. Aty ku jeton, aty është edhe një pjesë e fushës së veprimit tënd.
Në nivelin e së bukurës, përgjegjësia bëhet po aq e dukshme. Muslimani duhet të sjellë bukuri në mënyrën si flet, si vishet, si sillet dhe si e trajton hapësirën e përbashkët. Shtëpia e tij, oborri, hyrja e ndërtesës, xhamia, rruga, parku dhe lagjja duhet ta dëshmojnë kulturën e pastërtisë dhe të përgjegjësisë.
Nuk është bindëse të flasim për pastërtinë si vlerë të fesë islame, ndërsa të lëmë mbeturina në hapësirat publike. Nuk është e mjaftueshme të kujdesemi për pastërtinë e xhamisë, nëse nuk na shqetëson papastërtia e rrugës përpara saj. Dhe nuk mund ta duam bukurinë vetëm brenda mureve të shtëpisë sonë, ndërsa të jemi indiferentë ndaj mjedisit që e ndajmë me të tjerët.
Rruga është edhe rruga jonë. Parku është edhe parku ynë. Pylli, lumi dhe ajri janë edhe përgjegjësia jonë.
Muslimani që jeton në Evropë duhet të jetë ndër ata që e mbrojnë mjedisin, e kursejnë ujin dhe energjinë, e shmangin shpërdorimin, e ruajnë gjelbërimin dhe kujdesen për hapësirat e përbashkëta. Jo sepse kjo është thjesht një kërkesë e shoqërisë moderne, por sepse përgjegjësia ndaj begative dhe mosshkaktimi i dëmit janë pjesë e vetëdijes së tij fetare.
Në këtë mënyrë, identiteti islam nuk mbyllet brenda vetes, por shndërrohet në kontribut.
Muslimani në Perëndim nuk ka nevojë ta dëshmojë besimin e tij duke u shkëputur nga shoqëria, por duke treguar se çfarë njeriu formon besimi i tij. Ai mund të jetë i palëkundur në identitetin dhe parimet e veta dhe, njëkohësisht, i hapur në bashkëpunim, i drejtë me të tjerët dhe i dobishëm për të mirën e përbashkët.
Prandaj pyetja që duhet t’ia bëjmë vetes nuk është vetëm: “Si ta ruaj besimin tim në Evropë?”. Duhet të shkojmë një hap më tej: “Çfarë mirësie solli besimi im në vendin ku jetoj?”; “Kujt i shërbeu dija, puna dhe aftësia ime?”; “A u bë ambienti im më i pastër, më i bukur dhe më njerëzor edhe për shkak të pranisë sime?”
Nëse muslimani është vërtet pionier i së mirës, i së dobishmes dhe i së bukurës, atëherë prania e tij duhet të lërë gjurmë. Jo gjurmë zhurme, por gjurmë vlere. Jo vetëm fjalë për Islamin, por mirësi që njerëzit e përjetojnë, dobi që e shohin dhe bukuri që e ndiejnë.
Kështu, muslimani në Evropë nuk është thjesht dikush që kërkon një vend për veten në shoqëri. Ai përpiqet që, me besimin, karakterin, dijen dhe punën e tij, ta bëjë vendin ku jeton sadopak më të mirë se ç’e gjeti.
Përmbyllje
Të jesh pionier i së mirës, së dobishmes dhe së bukurës nuk është thjesht një ideal, por një mënyrë e të jetuarit të besimit. Besimi fetar islam nuk mbetet vetëm në zemër dhe as brenda mureve të xhamisë; ai bëhet i dukshëm në karakter, në punë, në marrëdhëniet me njerëzit dhe në përgjegjësinë ndaj shoqërisë e mjedisit.
Muslimani përpiqet që, kudo ku jeton, të lërë diçka më të mirë nga ajo që e gjeti: aty ku ka nevojë, të sjellë ndihmë; ku ka padije, dije; ku ka përçarje, ura; ku ka papastërti e moskujdes, pastërti, kujdes dhe bukuri.
Kjo përgjegjësi merr një domethënie të veçantë për muslimanin që jeton në Evropë. Ai nuk duhet të jetë vetëm përfitues i mundësive që ia ofron shoqëria, por edhe krijues vlerash dhe kontribues në të mirën e përbashkët. Feja e tij duhet të njihet jo vetëm nga ajo që e thotë për Islamin, por nga mirësia që njerëzit e përjetojnë prej tij, nga dobia që ai e krijon dhe nga gjurma e bukur që e lë pas.
Prandaj, në fund, secili prej nesh duhet t’ia shtrojë vetes këto pyetje: Çfarë mirësie solla? Çfarë dobie krijova? Çfarë bukurie lashë pas?
Sepse besimtari musliman nuk kalon nëpër jetë vetëm duke zënë një vend në të. Ai përpiqet ta bëjë vendin ku jeton më të mirë, njeriun pranë tij më të shpresuar dhe botën pas tij më të bukur.
Kjo është rruga e besimtarit: të jetë i mirë në karakter, i dobishëm në vepra dhe i bukur në gjurmën që e lë pas.

