TEFSIRI I AJETIT 25 TË SURES EL-BEKARA
Lexo këtë tefsir në PDF
Ajeti 25
وَبَشِّرِ الَّذِينَ اٰمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ اَنَّ لَهُمْ جَنَّاتٍ تَجْرِى مِنْ تَحْتِهَا الْاَنْهَارُ كُلَّمَا رُزِقُوا مِنْهَا مِنْ ثَمَرَةٍ رِزْقًاۙ قَالُوا هٰذَا الَّذِى رُزِقْنَا مِنْ قَبْلُ وَاُتُوا بِهِ مُتَشَابِهًا وَلَهُمْ فِیهَٓا اَزْوَاجٌ مُطَهَّرَةٌ وَهُمْ فِیهَا خَالِدُونَ ﴿٢٥﴾
„Përgëzoji ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira se për ta ka kopshte të Xhenetit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Sa herë që u jepet ndonjë frut prej frutave të Xhenetit si furnizim, ata do të thonë: ‚Ky është (pikërisht si) furnizimi që na është dhënë më parë (kur ishim në këtë botë)!‘ Mirëpo, atyre do t’u jepet një furnizim që vetëm u ngjan atyre të kësaj bote. Aty do të kenë edhe bashkëshorte të pastra dhe do të qëndrojnë përgjithmonë në të.“
Tefsiri
Shprehja “amel-i salih” (punë të mira), të cilën e kemi përkthyer si “vepra të mira”, ka një kuptim të gjerë dhe i përfshin të gjitha veprat, qëndrimet dhe sjelljet që janë të dobishme për besimtarin, si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër.
Njerëzit që e njohin Allahun xh.sh. dhe kanë njohuri për Të aq sa Ai ua ka bërë të ditur, e adhurojnë Atë pa pasur nevojë për ndonjë nxitje tjetër. Ata e gjejnë qetësinë dhe lumturinë në adhurimin dhe shërbimin ndaj Tij.
Mirëpo, për sa kohë që kjo njohje dhe kjo vetëdije janë të dobëta ose të pamjaftueshme, njeriu ka nevojë për nxitje dhe inkurajim.
Kjo nxitje mund të bëhet duke njoftuar për dënimin që i pret ata që nuk binden, por edhe duke treguar shpërblimin që do të marrin ata që i binden Allahut xh.sh..
Në ajetet e mëparshme, njerëzit janë ftuar në adhurim dhe është bërë i ditur përfundimi i tmerrshëm që i pret mohuesit. Ndërsa në këtë ajet shpjegohet shpërblimi që do të marrin ata që i binden Allahut dhe e adhurojnë Atë.
Shpërblimet përgëzuese që përmenden në Kur’an dhe në hadithe janë:
- Xheneti dhe begatitë e tij;
- Shikimi i Bukurisë Hyjnore (Xhemalit të Allahut);
- Ridvani, domethënë kënaqësia dhe miratimi i Allahut ndaj robërve të Tij.
„Ridvani“ nënkupton që Allahu xh.sh. do t’u drejtohet njerëzve dhe do t’ua bëjë të ditur se është i kënaqur me ta, se sprova ka përfunduar dhe se ata e kanë arritur suksesin.
Ndërsa shpërblimi për të cilin flitet në këtë ajet është Xheneti, begatitë e tij të shumta, bashkëshortët dhe bashkëshortet, si dhe përgëzimi se qëndrimi në të do të jetë i përjetshëm.
Dallimi ndërmjet begative të Xhenetit dhe atyre të kësaj bote
Si Xheneti, ashtu edhe gjithçka që gjendet në të, për nga thelbi dhe natyra e tyre, dallojnë nga gjërat që i njohim në këtë botë.
Megjithatë, mënyra e vetme për t’ua shpjeguar njerëzve gjërat që nuk i kanë parë, nuk i kanë njohur, nuk i kanë shijuar dhe që as nuk mund t’i përfytyrojnë, është përdorimi i emrave të gjërave që ata tashmë i njohin.
Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar e ka përshkruar Xhenetin dhe begatitë e tij duke përdorur emra, fjalë, koncepte dhe përfytyrime që janë të njohura për ne.
Ndërmjet tyre ekziston njëfarë ngjashmërie, por ato nuk janë kurrsesi të njëjta dhe as plotësisht të barasvlershme me njëra-tjetrën.
Ibn Abbasi r.a. e ka shprehur këtë të vërtetë duke thënë: “Gjërat që gjenden në Xhenet kanë të përbashkët me gjërat e kësaj bote vetëm emrat e tyre.” (Transmetuar nga Bejhekiu, cituar nga Alusiu, I, 204.)
Ekzistojnë edhe ajete dhe hadithe të tjera që sqarojnë se Xheneti dhe begatitë e tij janë të ndryshme nga gjithçka që njohim ne në këtë botë, madje edhe nga gjithçka që mund të përfytyrojmë, dhe se ato janë përtej të gjitha këtyre.
Në një bisedë, kur Pejgamberi s.a.v.s. po e përshkruante Xhenetin, tha: “Aty ka gjëra që asnjë sy nuk i ka parë, asnjë vesh nuk i ka dëgjuar dhe që nuk i kanë shkuar ndër mend asnjë njeriu.” Më pas lexoi ajetet, kuptimi i të cilave është: “Trupat e tyre largohen nga shtretërit, duke iu lutur Zotit të tyre me frikë dhe shpresë, dhe japin nga ajo që Ne u kemi dhënë si furnizim. Askush nuk e di se çfarë kënaqësish janë fshehur për ta si shpërblim për atë që kanë vepruar.” (es-Sexhde, 32:16–17; Muslimi, “Xhenet”, 5.)
A do të ketë njeriu në Xhenet gjithçka që dëshiron?
Meqenëse në Kur’an është premtuar se banorëve të Xhenetit do t’u jepet gjithçka që dëshirojnë, njerëzit, duke u nisur nga mendimet, dëshirat dhe nevojat që kanë në këtë botë, e kanë pyetur Pejgamberin s.a.v.s.:
“A do të ketë atje kaq gra? A do të ketë kuaj? A do të na jepen këto dhe ato gjëra?”
Pejgamberi s.a.v.s., duke u mbështetur në premtimin e Kur’anit, u është përgjigjur këtyre pyetjeve duke thënë: “Do t’ju jepet gjithçka që dëshironi.“ (Buhariu, “Bed’ul-Halk”, 8 e në vijim; Muslimi, “Xhenet”, 2–5.)
Disa njerëz, duke u nisur nga këto transmetime, kanë shtruar pyetje të tilla: “Nëse në Xhenet një burri do t’i jepen kaq shumë gra, si do të jetë ai në gjendje t’i përmbushë nevojat e tyre bashkëshortore? Çfarë do të ndodhë me gratë që ka pasur në këtë botë?”
Më pas, ata janë përpjekur t’u japin përgjigje këtyre pyetjeve duke u mbështetur përsëri në kushtet dhe rregullat e jetës së kësaj bote.
Sipas mendimit tonë, qëndrimi më i drejtë është që ajetin që po e shpjegojmë dhe ajetet e ngjashme me të t’i pranojmë si një parim i përgjithshëm.
Pra, gjërat që do të ndodhin, që do të jepen dhe që do të përjetohen në botën tjetër nuk duhet t’i krahasojmë me ato të kësaj bote.
Nuk duhet t’i bartim kushtet, kufizimet, anët pozitive dhe negative të jetës së kësaj bote në botën tjetër (Ahiret).
Sepse realiteti i Ahiretit dhe begatitë e Xhenetit janë përtej kushteve dhe përfytyrimeve tona tokësore.
Burimi: Komision, Kur’an Yolu – Türkçe Meâl ve Tefsir, bot. Diyanet, Stamboll 2023, f. 90-92.
Nga turqishtja: Rehan Neziri


