TEFSIRI I AJETIT 26 TË SURES EL-BEKARA

 

Lexo këtë tefsir në PDF

 

Ajeti 26

إِنَّ اللَّهَ لَا يَسْتَحْيِي أَن يَضْرِبَ مَثَلًا مَّا بَعُوضَةً فَمَا فَوْقَهَا فَأَمَّا الَّذِينَ آمَنُوا فَيَعْلَمُونَ أَنَّهُ الْحَقُّ مِن رَّبِّهِمْ وَأَمَّا الَّذِينَ كَفَرُوا فَيَقُولُونَ مَاذَا أَرَادَ اللَّهُ بِهَٰذَا مَثَلًا يُضِلُّ بِهِ كَثِيرًا وَيَهْدِي بِهِ كَثِيرًا وَمَا يُضِلُّ بِهِ إِلَّا الْفَاسِقِينَ ‎﴿٢٦﴾‏

 

Përkthimi i kuptimit

„Allahu nuk ngurron të sjellë si shembull një mushkonjë, madje edhe diçka përtej saj. Ata që besojnë e dinë se ky është një realitet i vërtetë që vjen nga Zoti i tyre. Ndërsa ata që kanë rënë në mohim thonë: ‚Çfarë ka dashur të thotë Allahu me këtë shembull?‘ Me anë të tij, Allahu lë shumë njerëz në humbje dhe shumë të tjerë i udhëzon në rrugën e drejtë. Por Ai nuk i lë në humbje me të askënd tjetër, përveç fasikëve (atyre që dalin jashtë kufijve të urdhrave të Allahut).“

 

Tefsiri

Përdorimi i krahasimeve, përngjasimeve dhe shembujve bën pjesë në artet letrare, të cilat shërbejnë si për ta zbukuruar shprehjen, ashtu edhe për ta bërë më të lehtë kuptimin e saj.

Allahu xh.sh., i Cili zotëron mëshirë dhe mirësi të pakufishme, i ka përdorur, kur ka qenë e nevojshme, edhe këto mjete letrare në Librin e Tij, në mënyrë që njerëzit ta lexojnë atë me kënaqësi dhe ta kuptojnë më lehtë.

Mohuesit, duke iu referuar shembujve të përmendur në Kur’an, si shiu, retë dhe merimanga, thoshin: “Allahu nuk jep shembuj me gjëra të tilla.”

Për t’iu përgjigjur këtij pretendimi dhe për ta hedhur poshtë këtë mendim, në ajet bëhet e qartë se Allahu xh.sh., kur është e nevojshme, mund të sjellë si shembull edhe një mushkonjë, madje edhe gjëra më të vogla dhe që në sytë e njerëzve duken të parëndësishme.

 

Udhëzimi dhe humbja e rrugës së drejtë

Allahu i Lartësuar u ka dhënë njerëzve mjete dhe aftësi për ta njohur dhe kuptuar të vërtetën. Ai u ka dërguar gjithashtu libra dhe pejgamberë për t’i udhëzuar. Megjithatë, pavarësisht të gjitha këtyre mundësive, mohuesit i kanë përdorur aftësitë e tyre të të menduarit dhe vullnetin e tyre në drejtim të mohimit. Ata e kanë zgjedhur vetë këtë rrugë dhe nuk kanë përfituar nga udhëzimi dhe ndihma hyjnore.

Të njëjtat udhëzime hyjnore dhe të njëjtat mjete të njohjes së të vërtetës janë bërë shkak që disa njerëz ta zgjedhin besimin, ndërsa për disa të tjerë janë bërë shkak që të largohen nga rruga e drejtë.

Është njeriu ai që zgjedh ndërmjet besimit (iman) dhe mohimit (kufër), udhëzimit dhe humbjes, së mirës dhe së keqes. Ndërsa Ai që e krijon atë që njeriu e ka zgjedhur është Allahu, Krijuesi i vetëm.

Pra, gjetja e rrugës së drejtë ose largimi prej saj, nga pikëpamja e zgjedhjes dhe e parapëlqimit, i përket robit (njeriut), ndërsa nga pikëpamja e krijimit, i përket Allahut xh.sh..

Për këtë arsye, veprimi i atribuohet vepruesit sipas këtyre dy aspekteve dhe përdoren shprehje të tilla si:

- “Ai e humbi rrugën.”

- “Ai e çoi dikë në humbje.”

- “Ai u udhëzua në rrugën e drejtë.”

- “Ai e udhëzoi dikë në rrugën e drejtë.”

Në këtë ajet shpjegohet qartë se udhëzimi dhe ndihma e Allahut xh.sh. e drejtojnë në rrugën e drejtë njeriun, fitrah (natyra e lindur) e të cilit nuk është prishur.

Ndërsa ata që e humbin rrugën e drejtë, humbin për shkak se, me vullnetin e tyre, i kundërshtojnë urdhrat e Allahut xh.sh., ia kthejnë shpinën udhëzimit të Tij dhe i ndjekin dëshirat e nefsit të tyre.

Kjo e vërtetë shprehet qartë në pjesën e fundit të ajetit: “… Me anë të tij, Ai nuk e lë në humbje askënd tjetër, përveç atyre që i kundërshtojnë urdhrat e Tij.”

 

Kuptimi i fjalës “Fasik”

Fjala “fasik”, e cila në përkthimin e kuptimit të ajetit është shprehur si “ai që kundërshton urdhrat e Allahut”, në kuptimin gjuhësor do të thotë: “Ai që e tejkalon një kufi të caktuar dhe del jashtë tij.”

Ndërsa si term fetar, fjala fasik nënkupton: “Personin që largohet nga e vërteta dhe i kundërshton urdhrat e Allahut.” (Ragib el-Isfahani, el-Mufredat, zëri “fsk”.)

 

 

Burimi: Komision, Kur’an Yolu – Türkçe Meâl ve Tefsir, bot. Diyanet, Stamboll 2023, f. 93.

 

Nga turqishtja: Rehan Neziri