TEFSIRI I AJETEVE 21-23 TË SURES EL-BEKARA
Lexo këtë tefsri në PDF
Ajeti 21
یَٓا اَیُّهَا النَّاسُ اعْبُدُوا رَبَّكُمُ الَّذِی خَلَقَكُمْ وَالَّذِینَ مِنْ قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ ﴿٢١﴾
O njerëz! Adhurojeni Zotin tuaj, i Cili ju krijoi ju dhe ata që ishin para jush, në mënyrë që të ruheni nga kundërshtimi ndaj Allahut.
Tefsiri
Në ajetet e mëparshme, njerëzit, për sa i përket besimit, u ndanë në tri grupe: besimtarë, jobesimtarë dhe hipokritë, dhe u shpjeguan veçoritë e secilit grup.
Në këtë ajet, pavarësisht gjendjes së tyre në besim, u drejtohet me thirrje të gjithë njerëzve dhe të gjithë ftohen që të jenë në shërbim të Allahut xh.sh.. Kjo thirrje i nxjerr në pah këto veçori të Islamit:
a) Kjo thirrje hyjnore (Islami) i drejtohet mbarë njerëzimit, pa bërë dallim feje, gjuhe, race, vendi, shtrese shoqërore e të ngjashme.
b) Për t’iu përgjigjur kësaj thirrjeje dhe për t’u pranuar në adhurimin dhe robërinë ndaj Allahut xh.sh. nuk ekziston ndonjë kusht paraprak. Pavarësisht se çfarë ka bërë më parë një njeri dhe sado të mëdha të kenë qenë fajet dhe mëkatet e tij, në çastin kur, duke e pranuar me gjithë zemër, thotë: “Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguari i Tij”, ai bëhet musliman, e hedh hapin e parë në adhurimin dhe robërinë ndaj Allahut dhe mëkatet e tij të mëparshme i fshihen.
c) Qenia që meriton të adhurohet duhet të jetë e pakrijuar (ekzistenca e së cilës është e domosdoshme, që ekziston prej vetvetes, e përjetshme, pa fillim), krijuese dhe ajo që ua jep gjërave veçoritë e tyre. E vetmja Qenie që i zotëron këto cilësi është Allahu i Lartësuar, Krijuesi dhe Zoti i gjithësisë. Për këtë arsye, askush tjetër përveç Tij nuk mund të adhurohet.
d) Sipas përkthimit të mësipërm të kuptimit të ajetit, ndërmjet urdhrit për të qenë rob i Allahut xh.sh. dhe takvasë (ruajtjes dhe vetëpërmbajtjes nga kundërshtimi ndaj Allahut xh.sh.) vendoset një marrëdhënie shkak-pasojë. Rezultatin që e sjell adhurimi dhe robëria ndaj Allahut xh.sh. (pra besimi, adhurimet, morali dhe veprat e tjera që i përkasin Islamit) është takvaja. Koncepti i ruajtjes kërkon që të ekzistojë diçka prej së cilës njeriu duhet të ruhet, një fushë në të cilën duhet të tregohet i kujdesshëm, si dhe vullneti për t’u ruajtur. Kjo na paraqet edhe figurën e njeriut që synon ta formojë Islami: Muslimani është një qenie e arsyeshme, besimtare dhe me vullnet, e cila nuk bën çdo gjë që dëshiron. Ai së pari ndalet dhe mendon; i peshon dhe i vlerëson gjërat sipas disa vlerave dhe kufijve të caktuar dhe, nëse dëshirat e nefsit të tij nuk përputhen me këto kritere, ai i frenon ato. Pa adhurimin dhe robërinë ndaj Allahut xh.sh. nuk mund të realizohet takvaja, ndërsa pa takva njeriu nuk mund të arrijë përsosmërinë.
Ajeti mund të përkthehet edhe kështu: “Adhurojeni Allahun, i Cili ju krijoi ju dhe ata që ishin para jush, që të ruheni.”Sipas këtij kuptimi, takvaja dhe adhurimi paraqiten si dy koncepte që e plotësojnë njëri-tjetrin dhe që nuk mund të ekzistojnë të ndarë nga njëri-tjetri. Së bashku, ato e përbëjnë qëllimin e krijimit. Pra, kur njerëzit e adhurojnë Allahun xh.sh., ata e realizojnë takvanë, e cila e përbën qëllimin e krijimit të tyre; dhe kur e realizojnë takvanë, ata e përmbushin edhe detyrën e adhurimit dhe të robërisë ndaj Allahut xh.sh.. (Shih gjithashtu: el-Bekara, 2:197)
Ajeti 22
اَلَّذِى جَعَلَ لَكُمُ الْاَرْضَ فِرَاشًا وَالسَّمَٓاءَ بِنَٓاءً وَاَنْزَلَ مِنَ السَّمَٓاءِ مَٓاءً فَاَخْرَجَ بِهِ مِنَ الثَّمَرَاتِ رِزْقًا لَكُمْ فَلَا تَجْعَلُوا لِلّٰهِ اَنْدَادًا وَاَنْتُمْ تَعْلَمُونَ ﴿٢٢﴾
Përkthimi
Ai është që e bëri tokën për ju si shtrojë dhe qiellin si ndërtesë; që lëshoi ujë nga qielli dhe, nëpërmjet tij, nxori për ju lloje të ndryshme prodhimesh si furnizim. Prandaj, duke e ditur këtë, mos i bëni Allahut ortakë.
Tefsiri
Allahu i Lartësuar, pasi i krijoi njerëzit, nuk i la ata në gjendjen e tyre, pa përkujdesje. Përkundrazi, që ata të mund të ecin drejt qëllimit për të cilin janë krijuar, Ai ua plotësoi nevojat materiale dhe shpirtërore. Pra, Ai krijoi një rend të gjithësisë që i përmbush këto nevoja dhe, si shfaqje e emrit të Tij el-Kajjum, e ruan, e mban në funksion dhe përkujdeset për këtë rend pa e lënë pas dore as edhe për një çast. Ai e bëri tokën të përshtatshme që njerëzit të banojnë në të, të pushojnë, të gjejnë qetësi dhe të prodhojnë.
Kur shikohet lart nga çdo pikë e rruzullit tokësor, një pjesë e të gjitha hapësirave dhe krijesave, qofshin ato të dukshme apo të padukshme, përfshihet në kuptimin e fjalës “sema” (qiell). (Shih tefsirin e ajetit 29.) Në hapësirë është vendosur një rend dhe një strukturë e qëndrueshme, e përpiktë, e ekuilibruar dhe plot urtësi. Kjo strukturë e siguron si ruajtjen e ekuilibrit, ashtu edhe mbrojtjen e banorëve të tokës nga dëmet që mund të vijnë prej trupave qiellorë dhe prej asaj që ndodh në qiell.
Nëse aftësia që u është dhënë njerëzve për të fituar njohuri dhe për të arritur, nëpërmjet njohurive ekzistuese, në njohuri të reja përdoret në mënyrën e duhur, është e mundur që njeriu të arrijë lehtësisht në njohjen e ekzistencës dhe njëshmërisë së Allahut Krijues. Pavarësisht kësaj njohurie që gjendet te njeriu në formë potenciale, nëse ai i shoqëron Allahut xh.sh. ortakë, e lë Allahun xh.sh. dhe adhuron apo u bindet qenieve të tjera, ose beson se gjithçka është krijuar vetvetiu dhe si rezultat i rastësisë, kjo konsiderohet “t’i bësh Allahut shirk dhe ta mohosh Atë me vetëdije”. Sepse ky besim dhe ky konceptim (pra mohimi dhe shirku) bien ndesh me fitrën dhe natyrën e njeriut, domethënë me njohurinë potenciale që gjendet në të.
Ajeti 23
وَاِنْ كُنْتُمْ فِی رَیْبٍ مِمَّا نَزَّلْنَا عَلٰى عَبْدِنَا فَاْتُوا بِسُورَةٍ مِنْ مِثْلِهِ وَادْعُوا شُهَدَٓاءَكُمْ مِنْ دُونِ اللّٰهِ اِنْ كُنْتُمْ صَادِقِینَ ﴿٢٣﴾
Përkthimi
Nëse jeni në dyshim për atë (Kur’anin) që ia kemi zbritur robit Tonë (Muhamedit), atëherë sillni një sure të ngjashme me të dhe, nëse jeni të sinqertë në atë që thoni, thirrni edhe dëshmitarët tuaj, përveç Allahut, (dhe vërtetojeni pretendimin tuaj).
Tefsiri
Në ajetet e mëparshme, njerëzit u thirrën në teuhid (që ta adhurojnë vetëm Allahun xh.sh.), u nxitën që të arrijnë tek ai nëpërmjet meditimit dhe arsyetimit, si dhe iu sollën argumente për t’ua ndriçuar rrugën. Kur njeriu, me mendimin dhe vullnetin e tij, vendos të besojë, ai ka nevojë për njohuri rreth çështjeve të tilla si: Allahu, krijimi, krijesat, bota e gajbit (e padukshmja), fundi i jetës së kësaj bote, si dhe rruga dhe mënyra që duhet ndjekur në marrëdhëniet me Allahun, me njerëzit dhe me gjërat e krijuara. Meqenëse aftësia e vetë njeriut për të fituar njohuri nuk mjafton për t’i ndriçuar të gjitha këto të panjohura, lind nevoja për t’iu drejtuar një burimi njohjeje që qëndron përtej mundësive njerëzore. Ky burim është shpallja (vahji): Allahu u përcjell robërve të Tij njohuri nëpërmjet një mënyre të veçantë komunikimi. Për njerëzit e tjerë, përveç pejgamberit, burimi prej të cilit merret kjo njohuri është Kur’ani dhe Suneti i mbështetur në shpallje. Për këtë arsye, besimi në Librin është bërë një prej bazave të besimit; ndërsa për të vërtetuar se Libri është larg çdo dyshimi, janë shpallur ajete dhe janë paraqitur argumente. Në fillim të sures, me shprehjen “Në të nuk ka dyshim”, është bërë e qartë kjo e vërtetë, ndërsa këtu dhe në vende të tjera ajo është argumentuar me prova.
Vërtetimi se Kur’ani Famëlartë, si nga pikëpamja e burimit ashtu edhe e përmbajtjes së tij, karakterizohet nga mungesa e dyshimit, nga vërtetësia dhe qëndrueshmëria, nënkupton njëkohësisht edhe vërtetimin e vërtetësisë së Pejgamberit s.a.v.s., i cili e mori dhe e përcolli atë, si dhe të vërtetave të padukshme që përmenden në të. Në këtë mënyrë paraqiten bazat e besimit të Islamit dhe argumentet që i vërtetojnë ato.
Kur’ani Famëlartë i kishte sfiduar mohuesit edhe në suret që ishin shpallur më herët në Mekë. Atyre që dyshonin se ky Libër vinte nga Allahu xh.sh. dhe që pretendonin se Pejgamberi s.a.v.s. e kishte trilluar atë, iu kërkua që, nëse ishin të sinqertë në pretendimin e tyre, të sillnin diçka të ngjashme me të.
Në këtë kuadër, atyre iu kërkua të sillnin: një libër të ngjashëm me Kur’anin (el-Kasas, 28:49); dhjetë sure të ngjashme me suret e tij (Hud, 11:13); një sure të ngjashme me suret e tij (Junus, 10:38); një fjalë ose ligjërim të ngjashëm me atë që gjendet në të (et-Tur, 52:34), dhe kështu t’i vërtetonin pretendimet e tyre. Arabët mohues, pavarësisht dëshirës dhe përpjekjeve të tyre, nuk arritën ta bënin këtë. Ata nuk mundën të sillnin as një fjalë të ngjashme me një ajet të tij. Kështu u bë e qartë paaftësia e tyre për ta bërë këtë dhe u realizua pohimi: “Kurrë nuk do të mund ta bëni.”
I‘xhazi i Kur’anit
Veçoria e Kur’anit Famëlartë, sipas së cilës nuk mund të sillet diçka e ngjashme qoftë edhe me një sure, madje as me një ajet të tij, quhet i‘xhâz (i‘xhazi i Kur’anit). Kuptimi gjuhësor i kësaj fjale është “ta bësh dikë të paaftë, ta lësh pa mundësi për ta përballuar diçka”. Mu‘xhiz do të thotë “ai që e bën tjetrin të paaftë”, ndërsa mu‘xhize (mrekulli) nënkupton veprime, ndikime dhe gjendje të jashtëzakonshme që njerëzit e zakonshëm nuk janë në gjendje t’i realizojnë dhe të cilat Allahu xh.sh. ua dhuron pejgamberëve të Tij. Kur’ani është mu‘xhiz, sepse, megjithëse i sfidoi njerëzit, askush nuk mundi të sillte diçka të ngjashme me të. Kur’ani është gjithashtu mrekulli (mu‘xhize), sepse ky Libër i pashoq është bërë argumenti më i qëndrueshëm që e dëshmon vërtetësinë e misionit pejgamberik të Pejgamberit të fundit Muhammedit s.a.v.s..
Nga cilat veçori buron fakti që ky Libër i madhërishëm është i paarritshëm dhe mrekulli? Në cilat aspekte Kur’ani është një mrekulli? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve janë shkruar shumë vepra, të mëdha e të vogla, mbi i‘xhazin e Kur’anit. Këtu, për të dhënë një ide të përgjithshme, mund të përmenden tri veçori që e shfaqin i‘xhazin e Kur’anit:
1. Arti i të shprehurit. Fjalët e zgjedhura dhe renditja e tyre, gramatika, mjetet letrare të përdorura dhe kuptimet e ngarkuara në fjalë duke i shfrytëzuar deri në maksimum mundësitë e gjuhës.
2. Veçoria e stilit dhe e formës. Para Kur’anit Famëlartë, te arabët ekzistonin dy forma kryesore të letërsisë gojore: poezia dhe proza. Proza përbëhej kryesisht nga oratoria dhe fjalët e rimuara të falltarëve. Kur’ani Famëlartë nuk është poezi, por njëkohësisht dallon edhe nga proza që e njihnin arabët. Për t’i realizuar dy qëllimet e tij kryesore që janë këshillimi dhe udhëzimi, ai e ka zgjedhur formën dhe stilin më të përshtatshëm. Duke bërë kalime të përshtatshme sipas kontekstit dhe duke përdorur shembuj, rrëfime dhe ngjarje historike, ai e përcjell mesazhin e synuar në mënyrën më të bukur dhe më ndikuese.
3. Veçoria e përmbajtjes. Përmbajtja e Kur’anit Famëlartë përbëhet nga çështje që lidhen me: besimin dhe bazat e tij; adhurimin dhe llojet e adhurimeve; dispozitat dhe udhëzimet; njohuritë dhe edukimin moral; krijimin dhe formimin e gjithësisë; botën e gajbit dhe qeniet që i përkasin asaj; pjesë nga historia e pejgamberëve dhe popujve; natyrën e njeriut dhe të gjithësisë; si dhe disa lajme dhe njohuri që lidhen me të ardhmen.
Rrethanat në të cilat u rrit dhe jetoi Pejgamberi s.a.v.s. janë të njohura. Dihet se as ai dhe as njerëzit përreth tij nuk i zotëronin këto njohuri; madje, një pjesë e këtyre njohurive nuk zotërohej as nga njerëz të tjerë të asaj kohe.
Kjo përmbajtje, e përcjellë nga një person që para pejgamberisë së tij ishte ummij (nuk dinte shkrim e lexim), vërtetësia e së cilës është kuptuar ose në atë kohë, ose më vonë kur ka ardhur koha e saj, dhe që sipas këtij tefsiri do të vazhdojë të kuptohet edhe në të ardhmen; një përmbajtje që i korrigjon gabimet e feve dhe librave fetarë të mjedisit përreth dhe i sqaron shtrembërimet e tyre, konsiderohet e jashtëzakonshme dhe një mrekulli. Sipas këtij shpjegimi, një përmbajtje e tillë mund të ketë ardhur vetëm nga Allahu, Burimi i dijes së vërtetë; një mundësi tjetër nuk shihet si e arsyeshme.
Burimi:
Komision, Kur’an Yolu – Türkçe Meâl ve Tefsir, bot. Diyanet, Stamboll 2023, f. 85-89.
Nga turqishtja: Rehan Neziri


