TEFSIRI I AJETEVE 1-5 TË SURES EL-BEKARA
Lexo këtë koment në PDF
Zbritja
Në renditjen e Mus’hafit është sureja e dytë, ndërsa sipas rendit të zbritjes (shpalljes) është sureja e 87-të. Ka zbritur në Medinë. Është sureja më e gjatë e Kur’anit.
Edhe pse nuk ekziston një shkak i vetëm i zbritjes për të gjithë suren, për shumë prej ajeteve të saj ka shkaqe të veçanta të zbritjes. Gjatë shpjegimit të atyre ajeteve do të jepen edhe të dhëna rreth shkaqeve të zbritjes së tyre.
Emërtimi
Emrin e ka marrë nga rrëfimi që gjendet në ajetet 67-71. Sipas këtij rrëfimi, Allahu i Lartësuar, nëpërmjet Musait a.s., i urdhëroi bijtë e Izraelit të thernin një lopë (bekara), ndërsa ata, duke paraqitur arsye dhe justifikime të ndryshme, e zvarritën zbatimin e këtij urdhri.
Temat që i trajtohen
Brenda renditjes dhe stilit të veçantë të Kur’anit Fisnik, kjo sure përmban këto tema kryesore:
Njohuritë themelore lidhur me besimin, adhurimin dhe rendin e jetës që e ka sjellë Islami; munafikët (hipokritët); argumentet që e dëshmojnë ekzistencën dhe njëshmërinë e Allahut; krijimin e njeriut, aftësitë e tij dhe sprovën e tij; pjesë të rëndësishme nga historia e bijve të Izraelit; faktin se Islami, si fe e përsosur, përmban pjesën universale të feve të mëparshme dhe, njëkohësisht, i përmirëson ato dispozita të tyre që duhej të ndryshoheshin, reformoheshin dhe korrigjoheshin.
Gjithashtu trajtohen rrëfimi i Ibrahimit a.s., ndërtimi i Qabes dhe caktimi i saj si kible, si dhe dispozita e udhëzime lidhur me ushqimet, kisasin, testamentin, agjërimin, luftën, haxhin, martesën, shkurorëzimin, vejërinë, jetimët, alkoolin, bixhozin, kamatën, regjistrimin e kontratave, lirinë e fesë dhe të ndërgjegjes, marrëdhënien ndërmjet Allahut dhe njeriut, lutjet shembullore dhe çështje të tjera të ngjashme.
Sureja el-Bekara është, në njëfarë mënyre, një shtjellim me shembuj dhe ngjarje historike i asaj pjese të sures el-Fatiha që flet për “ata që e kanë gjetur rrugën e drejtë dhe ata që kanë devijuar prej saj”.
Vlera dhe veçoritë e saj
Ekzistojnë hadithe autentike që flasin për vlerën dhe veçoritë e sures el-Bekara:
“Mos i shndërroni shtëpitë tuaja në varreza (duke mos lexuar Kur’an në to). Shejtani frikësohet dhe largohet nga shtëpia në të cilën lexohet sureja el-Bekara.” (Muslimi, “Musafirun”, 212)
“Lexojeni Kur’anin, sepse ai në Ditën e Kijametit do të ndërmjetësojë për ata që e lexojnë. Lexojini dy suret ndriçuese, domethënë el-Bekara dhe Alu Imran, sepse ato në Ditën e Kijametit do të vijnë si dy re të mëdha, dy hije apo si dy tufa zogjsh dhe do t’i mbrojnë ata që i kanë lexuar. Lexojeni suren el-Bekara, sepse përvetësimi i saj është bereqet, ndërsa braktisja e saj është shkak dëshpërimi dhe pendimi; magjistarët nuk kanë fuqi kundër saj.” (Muslimi, “Musafirun”, 252)
“Kush i lexon gjatë natës dy ajetet e fundit të sures el-Bekara, ato dy ajete do t’i mjaftojnë për atë natë.” (Buhariu, “Fedail”, 10)
Një natë, sahabiu Usejd b. Hudajr, teksa po lexonte Kur’an – suren el-Bekara – pranë një grumbulli hurmash, vuri re se kali i tij u tremb dhe u shqetësua disa herë. Usejdi, nga frika se mos kali po e shkelte djalin e tij, Jahja b. Usejd, u ngrit dhe pa në lartësinë mbi kokën e tij, në qiell, diçka si një mbulesë të ndriçuar me drita. Ajo shtrihej aq sa mund të arrinte shikimi i tij, drejt thellësive të qiellit. Usejdi shkoi te i Dërguari i Allahut, Muhammedi s.a.v.s., dhe ia tregoi atë që i kishte ndodhur. I Dërguari i Allahut, Muhammedi s.a.v.s., i tha që ta vazhdonte leximin e sures el-Bekara. Mirëpo, Usejdi e kishte ndërprerë leximin nga frika se mos po i ndodhte diçka fëmijës së tij. Kur në mëngjes ia tregoi ngjarjen Muhammedit s.a.v.s., ai i tha: “Ata ishin melekë që kishin ardhur për të të dëgjuar. Sikur ta kishe vazhduar leximin, kur të zbardhte mëngjesi, të gjithë do t’i shihnin dhe ata nuk do të fshiheshin prej njerëzve.” (Muslimi, “Musafirun”, 242)
Ajeti 1
الٓمٓ ﴿١﴾
Përkthimi
Elif-Lam-Mim
Tefsiri
Në fillim të njëzet e nëntë sureve, shumica e të cilave kanë zbritur në Mekë, gjenden disa shkronja që nuk formojnë fjalë, herë si një ajet më vete e herë si fillim i një ajeti. Këto quhen el-huruf el-mukatta’a (shkronja të ndara). Ato përbëhen nga katërmbëdhjetë shkronja të alfabetit arab. Në fillim të disa sureve paraqiten si një shkronjë e vetme, ndërsa në disa të tjera si bashkim i disa shkronjave të vendosura njëra pas tjetrës.
Nuk ka dyshim se këto shkronja janë ajet ose pjesë ajeti nga Kur’ani Fisnik. Mirëpo, lidhur me kuptimet dhe urtësitë e tyre janë paraqitur mendime dhe interpretime të ndryshme.
Këto shkronja, kuptimin dhe qëllimin e përdorimit të të cilave nuk është e mundur ta njohin dhe ta kuptojnë njerëzit e zakonshëm nëpërmjet mjeteve të zakonshme të njohjes, quhen muteshabihat. Në këtë kategori përfshihen gjithashtu disa fjalë që nuk janë përdorur në kuptimin e tyre leksikor dhe kuptimi i synuar (figurativ) i të cilave nuk është shpjeguar.
Dijetarët e periudhës së hershme, të quajtur Selef, si dhe disa dijetarë të mëvonshëm që e kanë ndjekur rrugën e tyre, nuk i interpretojnë muteshabihatet, por i pranojnë ashtu siç janë dhe besojnë në to. Ata thonë: “Fakti që ato gjenden në Kur’an pa dyshim se ka një urtësi. Meqenëse Allahu dhe i Dërguari i Tij nuk i kanë shpjeguar, nuk është detyra jonë të përpiqemi t’i shpjegojmë duke u mbështetur në arsyen tonë; një gjë e tillë do t’i tejkalonte kufijtë e kompetencës sonë.”
Ndërsa disa dijetarë të kelamit, filozofisë dhe tasavvufit kanë pohuar se kuptimet e muteshabihateve mund të kuptohen nëpërmjet meditimit ose frymëzimit dhe kanë dhënë interpretime të ndryshme për secilën prej tyre.
Lidhur me kuptimin e “Elif-Lam-Mim”, që përbën ajetin e parë të sures el-Bekara, ekzistojnë më shumë se njëzet interpretime. Prej tyre, këto tri duken relativisht më të qëndrueshme:
a) Këto janë shkronja të alfabetit që në vetvete nuk kanë ndonjë kuptim të caktuar. Ato janë vendosur në fillim të disa sureve për t’i sfiduar ata që nuk besojnë se Kur’ani Fisnik ka ardhur prej Allahut xh.sh. nëpërmjet shpalljes dhe për ta treguar paaftësinë e tyre. Me këtë sikur u thuhet: “Ky Kur’an përbëhet nga fjalë dhe fjali të formuara prej këtyre shkronjave që i shihni. Edhe ju i njihni këto shkronja. Atëherë, nëse mundeni, shkruani edhe ju një libër të ngjashëm me Kur’anin, të përbërë nga fjalë dhe fjali të tilla!”
b) Ato kanë ardhur në formën e një betimi, për ta tërhequr vëmendjen ndaj përmbajtjes së sureve në fillim të të cilave gjenden.
c) Ato janë shpallur si emra të sureve në fillim të të cilave ndodhen (Ibni Ashur, I, 216).
Imam Rabbaniu, i cili në fillim mendonte si dijetarët e Selefit, më vonë ka pohuar se Allahu i Lartësuar ia kishte zbuluar atij një pjesë të kuptimeve dhe të fshehtave të këtyre shkronjave. Në këtë mënyrë, ai thotë se kishte kuptuar se “kuptimet e muteshabihateve mund të njihen kur Allahu i bën të ditura dhe se ato përbëjnë thelbin dhe synimin e ajeteve me kuptim të qartë (muhkemat)” (Mektûbât, I, 296).
Shah Velijullahu, duke u nisur nga konstatimi se “në gjuhën arabe ekziston një lidhje ndërmjet veçorive të shkronjave që përdoren të vetme ose që gjenden në fillim të fjalëve dhe kuptimeve të fjalëve”, ka pohuar se edhe shkronjat që gjenden në fillim të sureve tregojnë për përmbajtjen e tyre dhe e përmbledhin thelbin e tyre.
Sipas këtij interpretimi, kuptimi i “Elif-Lâm-Mîm” është: “Udhëzimet për të cilat kanë nevojë krijesat, si rrjedhojë e jetës së tyre të përcaktuar nga gjendje dhe marrëdhënie të ndryshme, vijnë nga bota e gajbit (e të padukshmes), hyjnë në jetën e tyre dhe ua ndriçojnë rrugën.” (el-Fevzu’l-kebir, f. 64. Për informacion më të gjerë rreth el-huruf el-mukatta’a shih: M. Zeki Duman - Mustafa Altundağ, “Hurûf-ı Mukattaa”, DİA, XVIII, 401-408; ndërsa për muteshabihatet, shih komentin te sureja Alu Imran, 3:7.)
Ajeti 2
ذٰلِكَ الْكِتَابُ لَا رَیْبَۚۛ فِیهِۚۛ هُدًى لِلْمُتَّقِینَ ﴿٢﴾
Përkthimi
Ja, ky është Libri; në të nuk ka kurrfarë dyshimi. Ai është udhërrëfyes për ata që ruhen nga mëkatet.
Tefsiri
Meqenëse sureja el-Bekara ka zbritur në Medinë, deri në atë kohë kishin zbritur tashmë shumë sure. Për këtë arsye, është konsideruar e përshtatshme që teksti, një pjesë e rëndësishme e të cilit tashmë ishte plotësuar me këto sure, të quhej “Libër”.
Shprehja “nuk ka dyshim” lidhet si me faktin se ky Libër ka ardhur prej Allahut xh.sh. dhe se është në gjendje ta shprehë qartë atë që synon ta kumtojë, ashtu edhe me faktin se ai është udhërrëfyes, prijës dhe dritë. Në asnjërën prej këtyre dy çështjeve nuk ka vend për dyshim.
Fjala huda, të cilën e kemi përkthyer “udhërrëfyes”, vjen nga e njëjta rrënjë me fjalën hidajet (udhëzim) dhe shpreh udhëheqjen hyjnore në mënyrën e jetesës me të cilën Allahu është i kënaqur, pra në rrugën e imanit, ibadetit dhe moralit. Për të përfituar nga ky udhëzim, njeriu duhet ta zotërojë vetëdijen, cilësitë e së cilës janë shpjeguar në ajetet e mësipërme. (Për informacion më të gjerë, shih: Yusuf Şevki Yavuz, “Hidâyet”, DİA, XVII, 473-477.)
Muttaki (zotërues i takvasë) dhe takva janë fjalë me prejardhje arabe që përdoren edhe në gjuhë të ndryshme të muslimanëve. Kuptimi leksikor i fjalës muttaki është “ata që ruhen prej gjërave prej të cilave duhet ruajtur”. Kuptimi i takvasë, siç përdoret në Kur’an dhe veçanërisht në këtë ajet, shpjegohet në ajetet që vijojnë. Sipas tyre, njerëzit që zotërojnë takva i kanë këto pesë cilësi: besojnë në gajb (të padukshmen); e falin namazin drejt dhe vazhdimisht; shpenzojnë një pjesë nga ato që ua ka dhënë Allahu xh.sh., për hir të kënaqësisë së Tij; besojnë në Kur’an, ashtu siç besojnë edhe në librat që u janë dërguar pejgamberëve të mëparshëm; dhe kanë bindje të palëkundur në Ahiret.
Besimtari që i ka realizuar këto cilësi në vetvete është zotërues i takvasë, pra muttaki.
Janë dhënë edhe shpjegime të tjera rreth vetëdijes, ndjenjave dhe sjelljeve që lindin te besimtarët si rezultat i takvasë. Kuptimi i disa haditheve lidhur me këtë temë është si vijon:
“Njeriu nuk mund të bëhet zotërues i takvasë derisa, nga frika se mos bie në atë që është e dyshimtë apo e dëmshme, të mos heqë dorë edhe nga disa gjëra që në vetvete nuk janë të tilla.” (Tirmidhiu, “Kijame”, 19; Ibn Maxhe, “Zuhd”, 24)
“Njeriu nuk mund ta arrijë shkallën e takvasë derisa nuk e braktis atë që ia shqetëson ndërgjegjen.” (Buhariu, “Iman”, 1)
Një krahasim që i atribuohet Ebu Hurejres r.a., ai e shpjegon takvanë kështu: “Nëse duke ecur në një rrugë sheh gjemba, ose e ndryshon rrugën, ose kërkon dhe gjen një mënyrë për të kaluar pa i prekur gjembat, ja, kjo është takvaja: të përpiqesh ta jetosh jetën pa u përlyer me të këqijat që Allahu i Lartësuar i ka ndaluar.” (Për takvanë shih gjithashtu tefsirin te: el-Bekara, 2:197.)
Ajeti 3
اَلَّذِینَ یُؤْمِنُونَ بِالْغَیْبِ وَیُقِیمُونَ الصَّلٰوةَ وَمِمَّا رَزَقْنَاهُمْ یُنْفِقُونَ ﴿٣﴾
Përkthimi
(Ata) besojnë në gajb, e falin namazin dhe shpenzojnë për mirësi nga ato që Ne u kemi dhënë.
Tefsiri
Besimi në gajb, falja e namazit dhe shpenzimi në përputhje me kënaqësinë e Allahut xh.sh. përbëjnë një përmbledhje të bukur të asaj që Islami ia sjell njeriut dhe e kërkon prej tij, si individ dhe si pjesëtar i shoqërisë. Besimi në gajb i referohet bazave të imanit; falja e namazit i referohet adhurimit të Allahut me ndjenja dhe veprime të veçanta; ndërsa shpenzimi në përputhje me kënaqësinë e Allahut (infak) i referohet solidaritetit, rendit dhe drejtësisë, pra frymës dhe qëllimit të muamelatit – marrëdhënieve dhe rregullave që kanë të bëjnë me jetën shoqërore.
Imani realizohet dhe plotësohet me pohimin dhe pranimin nga ana e arsyes dhe e ndërgjegjes (tasdik), me shprehjen dhe dëshmimin e tij me anë të gjuhës (ikrar), si dhe me sjelljen dhe veprat që janë në përputhje me të (amel). Nëse ekziston vetëm tasdiku, ndërsa fjalët dhe veprimet janë në kundërshtim me të dhe nuk janë të qëndrueshme, kjo do të thotë se imani është i dobët. Me një iman të tillë, Islami nuk mund të jetohet dhe të përfaqësohet në kuptimin e tij të vërtetë, e as nuk mund të arrihet lumturia që Islami ua premton njerëzve. Nëse, nga ana tjetër, ekzistojnë fjalët dhe sjelljet e përshtatshme, por mungon pohimi i zemrës, atëherë kemi të bëjmë ose me një përshtatje të jashtme, të pavetëdijshme e të rastësishme, ose me dyfytyrësi (munafikllëk) apo me fshehje të gjendjes së vërtetë (takijje). Edhe pse në hadithet autentike është bërë e ditur se në Ahiret edhe një grimcë imani do t’i sjellë dobi njeriut dhe, në fund, do ta nxjerrë atë nga Xhehenemi e do ta fusë në Xhenet (Buhariu, “Iman”, 15; Muslimi, “Iman”, 320, 325), lumturia e kësaj bote dhe e Ahiretit që e premton feja mund të realizohet vetëm kur të tria elementet: tasdiku, ikrari dhe vepra e qëndrueshme e në përputhje me to, gjenden së bashku.
Gajb quhet “ajo që nuk shihet me sy; qeniet, marrëdhëniet dhe dukuritë që nuk mund të njihen me anë të arsyes, shqisave dhe mjeteve të tjera njerëzore të njohjes.” Allahu xh.sh., shpallja (vahji), kaderi, krijimi, shpirti, koha e Kijametit, ato që do të ndodhin në varr, ringjallja, tubimi, Sirati, peshorja, Xheneti, Xhehenemi e të tjera, të gjitha bëjnë pjesë në botën e gajbit.
Ekzistojnë dy burime nga të cilat mund të merret njohuri rreth këtyre çështjeve: vahji dhe ilhami (frymëzimi). Arsyeja mund të sjellë shpjegime vetëm duke medituar mbi njohuritë e marra nga këto dy burime.
Ilhami, i cili ka forma ose emërtime të ndryshme, si keshf (zbulim shpirtëror), hapja e syrit të zemrës dhe njoftimi nga Allahu (tahdith), konsiderohet i vlefshëm vetëm nëse është arritur si rezultat i një besimi të palëkundur në Islam dhe i jetësimit me sinqeritet (ihlas) të parimeve të tij. Megjithatë, ilhami nuk është një burim objektiv njohurie, i vlefshëm për të gjithë dhe mbi të cilin mund të ndërtohen gjykime të përgjithshme. Ai ka të bëjë vetëm me personin të cilit i është dhënë dhe është detyrues vetëm për të, me kusht që të mos jetë në kundërshtim me argumentet e përgjithshme dhe të sigurta, pra me vahjin.
Përdorimi i shprehjes “e falin namazin siç duhet” (jukimune’s-salate), në vend të shprehjes së thjeshtë “falin namaz” (jusal-lune), synon të tregojë se namazit duhet t’i kushtohet rëndësi dhe se ai duhet të kryhet vazhdimisht dhe duke i respektuar kushtet e tij. Namazi është shtylla e fesë, thelbi dhe përmbledhja e ibadeteve. I Dërguari i Allahut, Muhammedi s.a.v.s., ka bërë të ditur se lumturinë e gjente në namaz dhe se nëpërmjet tij e fitonte gëzimin e jetës (Nesaiu, “Nisa”, 1; për namazin shih gjithashtu: el-Bekara, 2:238-239; el-Maide, 5:6).
Cilësimi “ata që harxhojnë nga ajo që Ne u kemi dhënë” hedh dritë mbi dy çështje të rëndësishme:
1. Nuk duhet të harxhohet gjithçka që Allahu i Lartësuar u ka dhënë njerëzve. Duhet të harxhohet aq sa është e nevojshme dhe e përshtatshme, ndërsa pjesa tjetër duhet të ruhet dhe të përdoret për qëllime të mira.
2. Harxhimi duhet të bëhet në përputhje me kënaqësinë e Allahut. Këtu përfshihen harxhimet që njeriu i bën për vetveten, familjen, të afërmit dhe njerëzit e tjerë në nevojë, si dhe investimet në vakëfe, institucione dhe vepra bamirësie, e të ngjashme.
Mirësitë e kësaj bote, pasuritë nëntokësore dhe ato mbitokësore, për nga pronësia e vërtetë, i përkasin Krijuesit. Kur njerëzit i zotërojnë ato nëpërmjet rrugëve të ligjshme, kjo pronësi është figurative dhe e kufizuar. Ato mund të harxhohen vetëm në masën që e lejon Pronari i vërtetë, në vendet që Ai i ka përcaktuar dhe në mënyrat që Ai i ka treguar. Kur qoftë edhe një grimcë prej tyre harxhohet pa vend, pa dobi dhe pa nevojë, atëherë cenohet prona e Allahut dhe shkelen të drejtat e njerëzve që jetojnë sot, si dhe të atyre që Ai do t’i krijojë në të ardhmen. Pasojat e këtyre shkeljeve në këtë botë janë krizat shoqërore dhe ekonomike, shkatërrimi i natyrës dhe kthimi i mjedisit në një vend ku bëhet e pamundur të jetohet; ndërsa në Ahiret janë dënimet që do t’i japë Gjykatësi absolutisht i drejtë.
Ajeti 4
وَالَّذِینَ یُؤْمِنُونَ بِمَٓا اُنْزِلَ اِلَیْكَ وَمَٓا اُنْزِلَ مِنْ قَبْلِكَۚ وَبِالْاٰخِرَةِ هُمْ یُوقِنُونَ ﴿٤﴾
Përkthimi
Ata besojnë në atë që të është shpallur ty dhe në atë që është shpallur para teje, ndërsa në Ahiret besojnë me bindje të plotë.
Tefsiri
Meqenëse Allahu xh.sh. është Një dhe feja është ajo që Allahu xh.sh. e ka dërguar si një lidhje ndërmjet Tij dhe robërve të Tij, si udhëzim për ta dhe si një sistem jetese, është e pashmangshme që ata që e njohin Allahun xh.sh. nëpërmjet një pejgamberi të vërtetë dhe besojnë në Të, të besojnë edhe në pejgamberët e tjerë dhe në fetë e vërteta. Vetëm me një besim të tillë arrihet tevhidi: Allahu është Një dhe të gjithë njerëzit janë robër të të vetmit Allah, i Cili nuk ka të barabartë dhe as ortak; të gjithë pejgamberët janë të dërguarit e të njëjtit Allah; të gjitha fetë e vërteta kanë ardhur prej të njëjtit Allah dhe i kanë sjellë të njëjtat parime themelore.
Me zhvillimin e kulturës dhe të qytetërimit dhe me ndryshimin e njerëzve në këtë drejtim, Allahu i Lartësuar ka dërguar pejgamberë dhe shpallje të reja, duke e çuar kështu fenë përfundimtare drejt plotësimit dhe duke i përtërirë ato pjesë që, me kalimin e kohës, e kishin përmbushur funksionin e tyre, pra dispozitat praktike dhe mësimet që synonin t’u përgjigjeshin nevojave të umeteve të mëparshme.
Emri i fesë së vërtetë është Islam. Të gjitha fetë qiellore, duke ardhur njëra pas tjetrës, e kanë plotësuar ndërtesën e Islamit.
Është bërë e ditur se pas pejgamberit të fundit, Muhammedit s.a.v.s., nuk do të vijë më ndonjë pejgamber dhe as ndonjë fe e re. Arsyeja njerëzore, e cila do të veprojë nën dritën e Librit të fundit, është bërë e aftë për t’iu përgjigjur nevojave të reja.
Muslimanët e shikojnë dhe e vlerësojnë historinë dhe botën me këtë iman, mendim dhe ndjenjë. Nuk ekziston ndonjë besim apo mendim tjetër që do të mund t’i bashkonte njerëzit nën flamurin e dashurisë, mëshirës dhe vëllazërisë së një Allahu të vetëm dhe të një feje të vetme.
Në të gjitha fetë e vërteta ekziston parimi i besimit të palëkundur dhe pa asnjë dyshim në Ahiret. Pa besimin në Ahiret, as feja nuk mund të jetë e plotë dhe as nuk mund të ndërtohet një rend i shëndoshë në këtë botë. Kjo botë është kalimtare, ndërsa Ahireti është i përjetshëm. Ata që në këtë botë kanë kërkuar lumturi të pandërprerë dhe pavdekësi kanë pësuar humbje dhe, njëkohësisht, e kanë humbur edhe lumturinë e vërtetë dhe përjetësinë. Urtësia që të gjitha fetë këmbëngulin në besimin në Ahiret qëndron pikërisht në parandalimin e kësaj humbjeje dhe këtij dështimi.
Ajeti 5
اُولٰٓئِكَ عَلٰى هُدًى مِنْ رَبِّهِمْ وَاُولٰٓئِكَ هُمُ الْمُفْلِحُونَ ﴿٥﴾
Përkthimi
Vetëm ata janë në rrugën e drejtë të treguar nga Zoti i tyre dhe vetëm ata janë të shpëtuarit.
Tefsiri
Është një përfundim i natyrshëm dhe logjik që muttakitë – pra ata që e kanë marrë për udhërrëfyes Kur’anin Fisnik, për të cilin nuk ka dyshim se ka ardhur prej Allahut të Lartësuar nëpërmjet vahjit dhe se është udhëzues për në rrugën e drejtë për njerëzit e takvasë; ata që e kanë përvetësuar dhe e jetojnë rrugën e imanit, ibadetit dhe moralit të shpjeguar në ajete dhe hadithe – të jenë në rrugën e drejtë. Fjalia “Vetëm ata janë në rrugën e drejtë që vjen prej Zotit të tyre” e shpreh dhe e përforcon këtë përfundim të natyrshëm dhe logjik.
Çdo rrugë ka një fund, një cak dhe një destinacion ku të çon. Ky është vendi ku dëshirojnë të arrijnë ata që e ndjekin atë rrugë; në të vërtetë, ata e kanë zgjedhur pikërisht për të arritur atje. Në këtë botë dihet se ku të çon secila rrugë; mund të pyeten ata që e njohin, të merret informacion dhe, duke e ndjekur atë rrugë, të arrihet në destinacionin e dëshiruar.
Mirëpo, vetëm burimet njerëzore të dijes nuk janë të mjaftueshme kur bëhet fjalë për të ditur se çfarë pasojash do të sjellin sjelljet dhe veprat tona si individë dhe si shoqëri, se ku do të na çojnë ato dhe çfarë do të na bëjnë të fitojmë apo të humbasim si në botën kalimtare ashtu edhe në atë të përjetshme. Pikërisht për këtë arsye, rrugët e zgjedhura shpesh janë shndërruar në rrugë pa krye; rezultatet që janë menduar dhe shpresuar si të mira nuk janë arritur; ndërsa më pas është kuptuar se edhe ato që janë arritur nuk kanë qenë të mira. Si pasojë, individët dhe shoqëritë janë bërë të palumtura, ndërsa vështirësitë, krizat dhe dukuritë negative e kanë pasuar njëra-tjetrën.
Rruga e drejtë që njeriu duhet ta ndjekë në marrëdhënien e tij me Allahun, gjithësinë dhe njerëzit e tjerë, në shumicën e rasteve kur është përjashtuar udhëzimi i fesë, nuk është gjetur dhe nuk do të gjendet. Ajeti që bën të ditur se vetëm njerëzit e takvasë janë në këtë rrugë, e shpreh pikërisht këtë të vërtetë.
Nëse rruga është zgjedhur drejt dhe njerëzit ecin në të sipas mënyrës së duhur, ata do të arrijnë në cak; për këtë nuk ka vend për dyshim.
Nëse jeta e kësaj bote mendohet si një udhëtim, synimi i udhëtarit është lumturia: të shpëtojë prej asaj që i frikësohet dhe ta arrijë atë që e shpreson. Pikërisht ky është shpëtimi; kjo quhet fitore dhe felah. Islami, pesë herë në ditë, nëpërmjet ezanit dhe thirrjes “Ejani në shpëtim! (Hajje ale’l-felah!)”, i fton njerëzit drejt shpëtimit dhe lumturisë së të dy botëve. Ndërsa lajmin e mirë se ata që e marrin Kur’anin Fisnik për udhërrëfyes do ta arrijnë këtë shpëtim, ajeti që po e komentojmë – ashtu si shumë ajete të tjera të ngjashme – e shpreh në mënyrën më të fuqishme: “Vetëm ata janë të shpëtuarit.”
Përveç rëndësisë së madhe që e kanë nga pikëpamja e dispozitave dhe e kuptimeve, për pesë ajetet e para të sures el-Bekara në hadithe është bërë e ditur se ato kanë edhe veçori shpirtërore dhe cilësi shëruese (p.sh. shih: Darimiu, “Fedailu’l-Kur’ân”, 13-15).
Burimi:
Komision, Kur’an Yolu – Türkçe Meâl ve Tefsir, bot. Diyanet, Stamboll 2023, f. 66-74
Nga turqishtja: Rehan Neziri

