Toshihiko Izutsu
SEMANTIKA DHE KUR’ANI
Ky libër, i cili në të vërtetë e mban titullin Zoti dhe njeriu në Kur’an, mund ta kishte fare mirë një titull më të përgjithshëm: Semantika e Kur’anit. Do ta kisha zgjedhur pa ngurrim këtë titull, po të mos ishte fakti se pjesa kryesore e këtij studimi merret pothuajse tërësisht me problemin e marrëdhënies personale ndërmjet Zotit dhe njeriut në botëkuptimin kur’anor dhe përqendrohet pikërisht rreth kësaj teme të veçantë. Titulli alternativ do ta kishte përparësinë që, qysh në fillim, t’i nxirrte në pah dy pikat e veçanta të theksimit që e karakterizojnë këtë studim në tërësinë e tij: semantikën, nga njëra anë, dhe Kur’anin, nga ana tjetër.
Në të vërtetë, të dyja janë njëlloj të rëndësishme për qëllimin e veçantë të këtij studimi; nëse do ta shpërfillnim njërën prej tyre, e gjithë vepra do ta humbiste menjëherë domethënien e saj. Sepse ajo që ka rëndësi jetike këtu nuk është as njëra dhe as tjetra, të marra veçmas, por pikërisht ndërthurja e tyre. Kjo ndërthurje nënkupton se ne synojmë t’i qasemi një aspekti të caktuar të Kur’anit nga një këndvështrim po aq i veçantë. Dhe duhet të kemi parasysh se Kur’anit mund t’i qasemi nga një sërë këndvështrimesh të ndryshme, si ai teologjik, filozofik, sociologjik, gramatikor, ekzegjetik e të tjera, dhe se vetë Kur’ani paraqet një sërë aspektesh të ndryshme, por njëlloj të rëndësishme. Prandaj, është krejtësisht e domosdoshme që, qysh në fillim, të përpiqemi të krijojmë një përfytyrim sa më të qartë mbi rëndësinë dhe zbatueshmërinë e metodologjisë semantike në studimet kur’anore, si dhe të shqyrtojmë nëse qasja ndaj Shkrimit të Shenjtë të Islamit nga ky këndvështrim i veçantë ofron ndonjë përparësi të mirëfilltë.
Titulli „Semantika e Kur’anit“ do të nënkuptonte, para së gjithash, se kjo vepër do të konsistonte kryesisht në zbatimin e metodës së analizës semantike ose konceptuale mbi materialin që na ofron fjalori kur’anor. Kjo, nga ana tjetër, do të nënkuptonte se, prej dy pikave kryesore të theksimit që sapo i përmendëm, semantika e përfaqëson aspektin metodologjik të studimit tonë, ndërsa Kur’ani e përbën aspektin e tij material. Të dyja, siç e theksova tanimë, kanë rëndësi të barabartë. Megjithatë, në rrafshin praktik, domethënë për qëllimet e këtij studimi, aspekti i parë është ndoshta më i rëndësishëm se i dyti. Kjo për arsye se ky libër u drejtohet, para së gjithash, atyre lexuesve që tashmë zotërojnë njohuri të mira të përgjithshme mbi Islamin dhe që, për rrjedhojë, janë të përgatitur të shfaqin që në fillim një interes të thellë për problemet konceptuale që i ngre kjo lloj qasjeje studimore ndaj vetë Kur’anit. Nga ana tjetër, nuk është marrë si e mirëqenë që këta lexues të zotërojnë njohuri të specializuara në fushën e semantikës dhe të metodologjisë së saj. Prandaj, në pjesën e parë të këtij libri, do t’i kushtoj më pak vëmendje aspektit material dhe më shumë aspektit metodologjik të problemit tonë, me qëllim që t’ua bëj të qartë studiuesve të Islamit interesin dhe vlerën që e ka vështrimi i problemeve të vjetra nga një këndvështrim i ri.
Lexo artikullin e plotë në PDF
Burimi:
Toshihiko Izutsu, God and Man in the Qur’an, Keio University 1964, ribotuar në Petaling Jaya, Malajzi, 2008, f. 1-31.
Nga anglishtja: Rehan Neziri
Rreth autorit:
Toshihiko Izutsu (1914–1993) ishte një filozof, gjuhëtar dhe orientalist i shquar japonez, i njohur globalisht si një nga eruditët më të mëdhenj të studimeve islame dhe filozofisë krahasuese. Ai dallohej për një talent të jashtëzakonshëm gjuhësor, përfshirë arabishten, persishten, sanskritishten, greqishten e vjetër dhe rusishten. Kontributi i tij më i madh qëndron në aplikimin e metodës semantike për analizën e teksteve fetare dhe në urat filozofike që i ndërtoi mes Lindjes së Largët dhe Botës Islame. Veprat e Izutsus janë shkruar kryesisht në anglisht dhe japonisht, duke u fokusuar te semantika kur’anore, misticizmi (sufizmi) dhe filozofia e Lindjes së Largët. Disa nga veprat e tij që kanë të bëjnë me Islamin: Ethico-Religious Concepts in the Qur'an (Konceptet Etiko-Fetare në Kur’an); God and Man in the Qur'an (Zoti dhe Njeriu në Kur'an, ky artikull përbën kapitullin e parë të kësaj vepre); Sufism and Taoism: A Comparative Study of Key Philosophical Concepts (Sufizmi dhe Taoizmi: Një studim krahasues i koncepteve kyçe filozofike) - përkthyesi.



