TEFSIRI I AJETIT 27 TË SURES EL-BEKARA
Lexo këtë pjesë në PDF
اَلَّذِینَ یَنْقُضُونَ عَهْدَ اللّٰهِ مِنْ بَعْدِ مِیثَاقِهِ وَیَقْطَعُونَ مَٓا اَمَرَ اللّٰهُ بِهِ اَنْ یُوصَلَ وَیُفْسِدُونَ فِی الْاَرْضِ اُولٰٓئِكَ هُمُ الْخَاسِرُونَ.
“Ata që e thyejnë besën e dhënë Allahut, pasi e kanë përforcuar atë, që i shkëpusin lidhjet të cilat Allahu ka urdhëruar të mbahen të bashkuara dhe që përhapin çrregullim e shkatërrim në tokë – pikërisht këta janë të humburit.”
Tefsiri
Në këtë ajet përmenden tri shembuj të rëndësishëm të moralit dhe sjelljeve të këqija të atyre që i kundërshtojnë urdhrat e Allahut xh.sh. dhe e zgjedhin rrugën e mosbindjes ndaj Tij:
1. Thyerja e besës së dhënë Allahut xh.sh.
Kjo besë mund të jetë: Besëlidhja që njerëzit i kanë dhënë Allahut xh.sh. në ezel (parahistori), kur Ai ua drejtoi pyetjen hyjnore: “A nuk jam Unë Zoti juaj?” (Elestu bi Rabbikum) Dhe shpirtrat e njerëzve, në atë tubim të shenjtë, iu përgjigjën: “Po, gjithsesi!” (el-A'raf, 7:172) Kjo besëlidhje e përfshin njohjen e Allahut si Zot dhe përkushtimin ndaj adhurimit dhe shërbimit ndaj Tij. Ose mund të bëhet fjalë për premtimet ose betimet që njerëzit i japin gjatë jetës së kësaj bote, duke e marrë Allahun xh.sh. si dëshmitar dhe duke e përmendur emrin e Tij. Një nga zakonet e hipokritëve (munafikëve) dhe të atyre që kanë cilësi të ngjashme me ta është se nuk i mbajnë premtimet dhe zotimet e dhëna.
2. Shkëputja e lidhjeve që Allahu ka urdhëruar të mbahen të bashkuara
Disa komentues të Kuranit e kanë interpretuar shprehjen “ato që Allahu ka urdhëruar të bashkohen” si një urdhër që lidhet me marrëdhënie të veçanta, siç janë: ruajtja e lidhjeve farefisnore (sila-i rahim), pajtimi ndërmjet bashkëshortëve dhe rregullimi i marrëdhënieve mes tyre. Megjithatë, kuptimi më i drejtë është që kjo shprehje të merret dhe të kuptohet në një kontekst më të gjerë. Allahu i Lartësuar ka dëshiruar që të gjitha fetë, pejgamberët, librat hyjnorë dhe mbarë njerëzimi të bashkohen brenda kuptimit dhe besimit të teuhidit (njëshmërisë së Allahut). Ai ka urdhëruar që ata që duhet të jenë të bashkuar, por që janë ndarë dhe përçarë, të ribashkohen dhe të afrohen me njëri-tjetrin. Gjithashtu, Allahu i Madhëruar ka dëshiruar që çdo gjë dhe çdo njeri të jetë në vendin që i takon dhe ta marrë atë që e meriton. Ndërsa ata që përhapin përçarje dhe çrregullim (mufsidët), si dhe mëkatarët (fasikët dhe zullumqarët), janë të angazhuar në shkatërrimin dhe shkëputjen e këtyre lidhjeve.
3. Përhapja e çrregullimit dhe shkatërrimit në tokë
Shprehja “përhapin çrregullim në tokë” nënkupton shkaktimin e prishjes së rendit dhe të harmonisë. Gjatë gjithë historisë, ata që e kanë prishur rendin në tokë, si në aspektin material ashtu edhe në atë shpirtëror, që e kanë ndotur mjedisin dhe që kanë shkaktuar shqetësime, vuajtje dhe fatkeqësi, në përgjithësi kanë qenë mohuesit e së vërtetës, njerëzit e pamoralshëm, zullumqarët dhe mëkatarët. Çdo mëkat, pra çdo veprim që Allahu i Madhëruar e ka ndaluar dhe për të cilin ka paralajmëruar ndëshkim, është njëkohësisht një e keqe në tokë, një formë çrregullimi dhe një prishje e ekuilibrit dhe e rendit. Pavarësisht se cilat janë qëllimet e tyre, nuk ka dyshim se në fund mëkatarët, të cilët e kanë lënë adhurimin ndaj Allahut të Madhëruar dhe janë bërë robër të epsheve të tyre dhe të shejtanit, do të jenë humbësit e vërtetë. Kjo sepse ata e kanë shpenzuar kapitalin e jetës së tyre për ta fituar këtë botë kalimtare, duke e privuar veten nga lumturia e përjetshme.
Burimi:
Komision, Kur’an Yolu – Türkçe Meâl ve Tefsir, bot. Diyanet, Stamboll 2023, vëll. I, f. 93-94.
Nga turqishtja: Rehan Neziri


