Türkiye Diyanet İşleri Başkanlığı

 

KURBANI NËPËRMJET PYETJEVE

 

Titulli origjinal:

KURBAN REHBERI (Sorularla Kurban)

 

Nga turqishtja: Rehan Neziri

 

KURBANI

 

Që nga historia e hershme e njerëzimit, ibadeti i kurbanit ka qenë i pranishëm pothuajse në të gjitha fetë. Megjithatë, në Islam ai paraqet dallime të rëndësishme si nga forma, ashtu edhe nga qëllimi. Në Kur’an përmendet se dy bijtë e Ademit a.s. i paraqitën Allahut kurbanet e tyre (el-Maideh, 5:27), ndërsa në një ajet tjetër bëhet me shenjë se dispozita e kurbanit është caktuar në të gjitha fetë hyjnore (el-haxh, 22:34).

Kurbani është një ibadet që sjell dobi të shumta si për individin, ashtu edhe për shoqërinë. Duke therur kurban, njeriu i nënshtrohet urdhrit të Allahut dhe e shfaq gjallërisht vetëdijen e tij të shërbimit dhe bindjes ndaj Tij. Besimtarët, në çdo therje kurbani, e rikujtojnë sprovën e suksesshme të Ibrahimit a.s. dhe birit të tij Ismailit a.s. në bindjen e plotë ndaj urdhrit të Allahut të Madhëruar, duke treguar simbolikisht se edhe vetë janë të gatshëm për një nënshtrim të tillë.

Kurbani e mban gjallë frymën e vëllazërisë, ndihmës së ndërsjellë dhe solidaritetit në shoqëri, si dhe kontribuon në realizimin e drejtësisë sociale. Sidomos në mjediset ku ka njerëz të varfër që nuk kanë fare ose kanë shumë pak mundësi të blejnë mish, ky rol i kurbanit bëhet edhe më i dukshëm.

Kurbani ia jep të pasurit kënaqësinë dhe shprehinë e shpenzimit të pasurisë në rrugën e fitimit të kënaqësisë së Allahut, të solidaritetit dhe të ndarjes me të tjerët. Ai e çliron njeriun nga sëmundja e koprracisë dhe nga lidhja e tepruar pas pasurisë së kësaj bote. Ndërsa të varfrit arrijnë që, nëpërmjet besimtarëve të pasur, ta falënderojnë Allahut, të largohen nga pesimizmi dhe armiqësia lidhur me shpërndarjen e begative në tokë dhe ta ndiejnë veten si pjesë të shoqërisë së tyre.

Kurbani është gjithashtu një pjesë e rëndësishme e ibadetit të haxhit, i cili është një nga themelet e Islamit. Në një kohë kur miliona muslimanë në Arafat, të zhveshur nga lidhjet e kësaj bote dhe thuajse të mbështjellë me qefin të bardhë, qëndrojnë para Zotit të tyre, i ngrenë duart dhe luten për mëshirë për mbarë njerëzimin, edhe ata që nuk ndodhen atje përpiqen të arrijnë një lartësi shpirtërore në atmosferën e ibadetit të kurbanit dhe ta kërkojnë afërsinë me Zotin e tyre. Sepse kurbani është kërkimi i afërsisë me Allahun, me çdo gjë të lartë e hyjnore, me të drejtën, me të vërtetën, me të mirën, me të drejtën dhe me të bukurën.

Kurbani është simbol i dashurisë, i besnikërisë, i sinqeritetit dhe i sakrificës. Në të gjendet një botë e thellë ku ndërthuret dashuria baba-bir e Ibrahimit dhe Ismailit a.s. me ndjenjën e përkushtimit ndaj së vërtetës dhe ndaj Allahut xh.sh.

 

Lexo broshurën në PDF