Rehan Neziri

 

„Nëse ndien dhimbje, je gjallë; nëse e ndien dhimbjen e tjetrit, je njeri.“ (Tolstoi)

 

Gjatë gjithë historisë njerëzore, por në veçanti në shekujt e dekadat e fundit, dhuna, shtypja, tortura, dënimi me uri dhe etje, vrasja, masakrimi, pastrimi etnik e fetar, gjenocidi… janë shndërruar në një nga skenat më të dokumentuara të dhunës sistematike, sidomos ndaj popullsisë civile. Megjithatë, përkundër përmasave të krimeve të raportuara – që përfshijnë sulme ndaj civilëve, fëmijëve, grave, pleqve, spitaleve dhe shkollave – përgjigjja e opinionit publik global, përfshirë atë në botën muslimane sot me rastin e Gazës, është shpesh e kufizuar në një shqetësim emocional, pa u shoqëruar me veprime të qëndrueshme. Ky fenomen ngre një pyetje thelbësore: Pse një dhunë kaq tronditëse nuk na shtyn në veprim real?

Për shkak të bombardimit të vazhdueshëm me informacione, njeriu i sotëm fillon të zhvillojë një lloj mbrojtjeje emocionale, që shfaqet si indiferencë, por në thelb brenda tij ekziston një shqetësim i nënvetëdijshëm. Kjo është “indiferenca e shqetësuar” – nuk reagon, por diçka brenda tij e trazon.

Shumë prej nesh ndiejmë dhimbje, zemërim apo trishtim kur shohim fëmijë të masakruar, shtëpi të shkatërruara, nëna që mbajnë në krah trupat e pajetë të fëmijëve të tyre. Por ndjenja e pafuqisë, pamundësia për të ndikuar direkt i shndërron emocionet tona në lodhje shpirtërore – dhe pastaj në heshtje, ndërkaq kjo është një indiferencë shumë e rrezikshme, pasi e dobëson ndërgjegjen individuale dhe atë kolektive.

“Indiferenca e shqetësuar” në fakt është një thirrje për reflektim: a jemi vërtet indiferentë, apo thjesht të mpirë nga realiteti? A e kemi humbur ndjeshmërinë, apo thjesht nuk dimë si të veprojmë?

Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj pamjeve të dhunshme – edhe kur ato synojnë ndërgjegjësimin – çon në zvogëlimin e reagimit emocional, një fenomen i njohur si desensibilizim emocional. Me kalimin e kohës, truri e sheh dhunën si normale, gjë që ul ndjeshmërinë, empatinë dhe e rrit pranueshmërinë ndaj vuajtjes e dhunës.

Në rastin e masakrave dhe gjenocideve të fundit, kjo ndodh në dy nivele:

• Individualisht, ne ndiejmë dhimbje në fillim, por ajo zbehet me përsëritjen e pamjeve makabre nga zonat ku ndodhin ato.

• Shoqërisht, krijohet një diskurs relativizues, ku dhuna interpretohet si “konflikt i ndërlikuar”, „larg nesh“, „nuk kemi çfarë të bëjmë“, duke e justifikuar pasivitetin.

Përballë një situate që duket pa zgjidhje dhe me përmasa ndërkombëtare, qytetari i zakonshëm ndien se nuk ka ndikim real. Kjo krijon një formë të “deaktivimit moral”, ku individi e justifikon mosveprimin me idenë se s’mund të ndryshojë asgjë.

Në botën muslimane, në rastin me Gazën, kjo ndjesi përkeqësohet edhe nga mungesa e unitetit institucional ndër shtetet islame/muslimane, varësia politike dhe ekonomike nga faktorët që e mbështesin heshtur ose hapur agresionin, diskreditimi i aksionit qytetar si “i parëndësishëm” ose “simbolik”…

Konfliktet e armatosura si lufta në Gaza dhe pushtimi rus i Ukrainës kanë prodhuar valë të mëdha dhimbjeje njerëzore. Megjithatë, përgjigjet emocionale dhe politike të publikut perëndimor ndaj këtyre tragjedive kanë qenë dukshëm të pabarabarta.

Teoria e „distancës morale“ thekson se njerëzit janë më të prirur t‘i injorojnë vuajtjet e atyre që perceptohen si jashtë rrethit të tyre moral. Në të njëjtën mënyrë janë analizuar edhe proceset e dehumanizimit në konfliktet bashkëkohore, ku viktimat – veçanërisht nga grupet minoritare apo muslimane – portretizohen si më pak “njerëzore”, duke e zvogëluar ndjeshmërinë kolektive.

Mënyra se si trajtohen ngjarjet në mediet perëndimore, ndikon thellësisht në prioritetet e publikut. Qartas vërehet se lajmet në Perëndim përmbajnë kritere seleksionimi që i favorizojnë vendet dhe ngjarjet që janë të afërta nga aspekti kulturor ose politik. Kjo shpjegon pse lufta në Ukrainë, në botën perëndimore mori një mbulim shumë më të gjerë dhe më simpatizues krahasuar me konfliktet e tjera si ai në Gaza.

Sipas Edward Saidit, Perëndimi ka ndërtuar një përfytyrim të Lindjes së Mesme si hapësirë të iracionalitetit, të dhunës dhe të prapambetjes. Ky konstrukt kulturor vazhdon të ndikojë në mënyrën se si publiku perëndimor i percepton konfliktet në botën muslimane. Një mënyrë e këtillë e raportimit ideologjik mbi luftërat dhe krizat jashtë botës perëndimore, sidomos për ato në botën islame, trajtohen pa i marrë parasysh rrethanat e gjithëmbarshme atje, dhe më e keqja, viktimat e atjeshme, diku larg nesh, nuk shihen si qenie ose subjekte njerëzore, porse vetëm si numra statistikash. Të gjitha këto ndikojnë në banalizimin dhe reduktimin deri në „hiçgjë“ të dhunës e të luftërave „të huaja“.

Zgjatja e konflikteve dhe e ushtrimeve të dhunës, shkakton që njerëzit ta humbin aftësinë për të ndjerë empati për viktimat. Ky fenomen quhet „psychic numbing“ (mpirje psikike) dhe shpjegon pse luftërat e zgjatura – si ajo në Gaza apo në vende të tjera – çojnë në indiferencë të rritur në publikun perëndimor. Konfliktet e zgjatura krijojnë një perceptim se gjërat nuk mund të dryshojnë. Njerëzit e humbin ndjesinë e urgjencës dhe ndalojnë së besuari se çfarëdo një ndërhyrje do të kishte efekt. Kjo e përforcon apatinë, duke e bërë dhunën “të zakonshme”. Në një epokë të informacionit të shpejtë, konflikti i zgjatur konkurron me kriza të reja: zgjedhjet dhe konstituimet e qeverive të të shteteve me ndikim global, ndryshimet klimatike, kriza ekonomike, vatrat e reja të konflikteve. Kjo prodhon efektin e “arkivimit” të konflikteve të vjetra. Luftërat e zgjatura u japin kohë narrativave shtetërore të bëhen dominuese. Për shembull, veprimet ushtarake izraelite ndaj Gazës gjithnjë e më shumë janë legjitimuar në diskursin perëndimor si “vetëmbrojtje”, pavarësisht disproporcionalitetit të dhunës.

Indiferenca ndaj konflikteve si ajo në Gaza nuk është produkt i rastësishëm apo thjesht mungesë ndjeshmërie, por rezultat i ndërthurjes së distancës morale, përfaqësimit selektiv mediatik, orientalizmit kulturor, strukturave të privilegjit global dhe zgjatjes së krizave që bëhet formë e re e “normalitetit”. Kjo nënvizon nevojën për një etikë globale të drejtësisë dhe ndjeshmërisë që i kapërcen kufijtë kulturorë dhe politikë.

Nga këndvështrimi islam, të ndiesh dhimbje për padrejtësinë është pjesë e besimit, por jo e mjaftueshme. Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kush sheh një të keqe, le ta ndryshojë me dorën e tij; nëse nuk mundet, atëherë me gjuhën e tij; e nëse as këtë nuk mundet, atëherë me zemër – dhe ky është niveli më i dobët i besimit.” (Muslimi)

Ky hadith përshkruan hierarkinë e reagimit moral, ku indiferenca totale nuk ka vend në etikën islame. Dhimbja emocionale duhet të kthehet në:

• Veprim konkret (ndihmë financiare, pjesëmarrje në kauza).

• Shprehje publike (ndërgjegjësim, protestë, aktivizëm etik).

• Lutje dhe lidhje shpirtërore (e cila e forcon lidhjen mes besimtarëve).

Gaza nuk është vetëm një tragjedi politike, por edhe një test moral për njerëzimin. Është një thirrje për të rishikuar mënyrën se si ne sillemi me vuajtjen e tjetrit, përtej kufijve etnikë, gjeografikë apo politikë.

Nga perspektiva islame, çdo dhunë ndaj të pafajshmëve është sulm ndaj nderit të krijimit hyjnor: “Kush vret një njeri pa të drejtë, është sikur të ketë vrarë tërë njerëzimin…” (el-Maide: 32)

Kur nuk veprojmë, edhe pse kemi mundësi të vogla, ne bëhemi pjesë e asaj që quhet “qetësi e padrejtë” – një heshtje që është më e rrezikshme se fjala e padrejtë.

Pamjet nga Gaza nuk duhet të na lënë vetëm me lot në sy, por të na çojnë drejt veprimit real, sado i vogël qoftë; drejt ndikimit në ndërgjegjen publike dhe drejt kultivimit të mëshirës dhe reagimit të ndërgjegjshëm si pjesë e besimit tonë.

Nëse nuk kemi pushtet politik, kemi fjalë. Nëse nuk kemi fjalë, kemi pasuri. Nëse s’kemi as pasuri, kemi lutje. Dhe në çdo rast – kemi zemër që nuk guxon të mësohet me dhimbjen e të tjerëve.