Rehan Neziri

 

 

NJË NARRATIVË E RREZIKSHME: 

SI E BËJMË SERBINË MË TË MADHE KUR PO E SHPALLIM NJËRI-TJETRIN ARGAT TË SAJ?

 

 

Në hapësirën tonë publike, për fat të keq, fjala nuk është më mjet komunikimi, ajo është bërë armë. Akuza nuk është më përjashtim, ajo është bërë pothuajse normë. Politikanë të opozitës kosovare, madje edhe mbarëshqiptare, nuk hezitojnë t’i etiketojnë kundërshtarët e tyre si tradhtarë, si bashkëpunëtorë të Serbisë, sikur çdo mospajtim politik të ishte një akt armiqësor ndaj kombit. Nga ana tjetër, pozita nuk mbetet pas: edhe aty, kritika shndërrohet në anatemë, ndërsa debati në demonizim.

Por kjo frymë përçarëse nuk ndalet vetëm në politikë. Ajo ka depërtuar thellë në trupin e shoqërisë. Në një skaj, njerëz të së ashtuquajturës “Lëvizja e Deçanit” i shpallin hoxhallarët dhe shqiptarët muslimanë tradhtarë, argatë të Serbisë, duke i damkosur edhe si “turq”, “arabë”, “aziatikë”, madje edhe si “primitivë”. Në skajin tjetër, përgjigjja vjen me të njëjtën monedhë: akuza, etiketime, delegjitimim.

Kësaj kakofonie i bashkohen edhe njerëz të mediave – gazetarë, analistë, por edhe vetë pronarë të mediave – të cilët shpesh, në vend që të jenë filtrues të së vërtetës, bëhen shumëzues të kësaj gjuhe përçarëse. Në studio televizive, në portale e në rrjete sociale, etiketimi bëhet normë, ndërsa dyshimi për “lidhje me Serbinë” shndërrohet në një klishe të konsumuar, por ende të rrezikshme. Edhe këtu, secila palë e gjen të lehtë ta shpallë tjetrën si “bashkëpunëtore të Serbisë”.

Dhe kështu, ky mentalitet përhapet edhe në fusha të tjera – në kulturë, në sport, në jetën publike në përgjithësi – ku secila palë e gjen të arsyeshme ta delegjitimojë tjetrën nëpërmjet akuzës më të rëndë të mundshme.

Dhe këtu lind pyetja thelbësore: A nuk është ky një kurth që ia bëjmë vetvetes?

Sepse, në momentin që çdo kundërshtar e shpallim për tradhtar dhe çdo kritikë e përkthejmë si komplot, ne jo vetëm që e varfërojmë debatin tonë, por edhe e forcojmë në mënyrë të pavetëdijshme figurën e armikut. A nuk e bëjmë Serbinë më të fuqishme seç është realisht, kur e paraqesim atë si një dorë të padukshme që depërton kudo, që kontrollon gjithçka, që ndikon në çdo zë e në çdo mendim?

Kështu, pa e kuptuar, krijojmë një mit të rremë për Serbinë – si një fuqi pothuajse omnipotente – dhe një tjetër po aq të rremë për vetveten: si një shoqëri e pafuqishme, e pambrojtur, lehtë e manipulueshme nga jashtë. Kjo nuk do të thotë të amnistohet apo të zvogëlohet e keqja që historikisht dhe aktualisht na ka ardhur dhe na vjen akoma nga Serbia. Jo. Por a nuk është kjo mënyrë e të menduarit një strategji e gabuar, një narrativë që në vend se të na forcojë, na dobëson?

Madje, ky nuk është vetëm një problem që lidhet me Serbinë. I njëjti mekanizëm i etiketimit shfaqet edhe në forma të tjera: dikush shpallet “argat i Rusisë”, tjetri “i Amerikës”, një tjetër “i Izraelit” apo “i Arabisë”. Etiketat ndryshojnë, por logjika mbetet e njëjtë – delegjitimimi i tjetrit me anë të lidhjes që ia bëjmë atij me një “të huaj”. Kjo tregon se problemi nuk është vetëm te Serbia si referencë, por te vetë kultura jonë e dyshimit dhe e damkosjes.

Këtu hyn në lojë një tjetër dimension i rrezikshëm: roli i viktimës. Një shoqëri që e përvetëson këtë rol si identitet të përhershëm, fillon ta humbasë besimin në aftësinë e saj për të vepruar. Viktima nuk projekton zgjidhje, por kërkon fajtorë; nuk ndërton, por justifikon; nuk merr përgjegjësi, por e transferon atë. Ky mentalitet krijon një kulturë dorëzimi të heshtur, ku dështimet tona nuk analizohen më si pasojë e gabimeve tona, por si rezultat i komploteve të të tjerëve.

Dëmet e këtij roli janë të shumëfishta: ai e paralizon energjinë krijuese të shoqërisë, e zbeh ndjenjën e përgjegjësisë individuale dhe kolektive si dhe e ushqen një fatalizëm të rrezikshëm. Në vend që të pyesim “Çfarë mund të bëjmë më mirë?”, ne pyesim “Kush na e bëri këtë?”. Kësisoji, përgjigjja është gjithmonë jashtë nesh.

Dhe kështu, në vend që të ndërtojmë një debat mbi ide, mbi programe, mbi vizione, ne rrëshqasim në një treg të akuzave, ku identiteti i tjetrit përcaktohet jo nga ajo që ai e thotë apo e bën, por nga ajo që supozojmë se ai e përfaqëson. Kjo e varfëron diskursin, e helmon kohezionin shoqëror dhe e bën të pamundur ndërtimin e një konsensusi minimal për çështje të rëndësishme.

Sepse, duke e parë çdo problem nëpërmjet prizmit të “dorës së huaj”, a nuk po i shmangemi përgjegjësisë sonë? A nuk po i mjegullojmë dobësitë tona të brendshme – korrupsionin, mungesën e meritokracisë, krizën e vlerave, përçarjet ideologjike – duke i veshur ato me petkun e një armiku të jashtëm? Dhe mbi të gjitha: a nuk po e topitim aftësinë tonë për vetëkritikë?

Një shoqëri që nuk di ta kritikojë vetveten, është e dënuar t’i përsërisë gabimet e saj. Ndërsa një shoqëri që e sheh veten vazhdimisht si viktimë të tjetrit, rrezikon ta humbasë dinjitetin e saj. Sepse kjo narrativë, në thelb, na nënçmon: na paraqet si të paaftë për ta marrë në dorë fatin tonë, si të varur nga intrigat e të tjerëve, si të paaftë për ta ndërtuar një të ardhme mbi bazën e forcës sonë të brendshme.

Dhe atëherë, pyetja bëhet edhe më e mprehtë: nëse vërtet besojmë se Serbia i paska futur duart kaq thellë në çështjet shqiptare, a nuk është koha të reflektojmë ndryshe? A nuk është koha që edhe politika, edhe mediat, edhe shoqëria në tërësi ta ndalin këtë spiralë akuzash ndaj njëri-tjetrit dhe të kërkojnë një gjuhë më të përgjegjshme dhe të angazhohen për një zhvillim të gjithmbarshëm?

A nuk është koha të bashkohemi përballë sfidave të përbashkëta, në vend që ta harxhojmë energjinë tonë duke u përçarë, duke u etiketuar, duke e ngrënë njëri-tjetrin me fjalë?

Sepse armiku më i madh i një kombi nuk është vetëm ai jashtë kufijve të tij, por edhe paaftësia për të ndërtuar unitet, për të kultivuar dialog dhe për të ushqyer një kulturë të shëndetshme mendimi. Nëse vazhdojmë kështu, rrezikojmë që, në përpjekje për ta luftuar tjetrin, ta dëmtojmë vetveten më shumë seç do të mund ta bënte çdo armik i jashtëm. Rrezikojmë ta fundosim vetë anijen tonë të përbashkët.

 

 

Kreuzlingen, 25 prill 2026