Rehan Neziri
Islamofobia vs narrativat anti-perëndimore
Nga përplasja drejt vetëreflektimit dhe përafrimit
Në fillim: Një krahasim i gabuar që e deformon realitetin
Në diskursin bashkëkohor global, një nga shtrembërimet më të mëdha intelektuale që po ndodh është krahasimi i drejtpërdrejtë midis Islamit dhe Perëndimit. Ky krahasim, i përsëritur aq shpesh saqë tanimë duket i vetëkuptueshëm, në fakt është konceptualisht i gabuar. Islami është fe, një sistem besimi me dimensione shpirtërore, etike dhe rituale. Perëndimi, nga ana tjetër, është një konstrukt historik dhe kulturor, një hapësirë e ndërlikuar e përbërë nga filozofi, institucione dhe përvoja të ndryshme.
T’i krahasosh këto dy realitete do të thotë të vendosësh përballë njëra-tjetrës kategori që nuk qëndrojnë në të njëjtin plan. Ne Islamin mund ta krahasojmë dhe analizojmë në raport me Krishterimin ose me ndonjë fe tjetër; Perëndimin ndërkaq me Azinë, Afrikën etj., të kuptuara si pellgje më të gjera kulturore e qytetëruese, e jo thjesht si kontinente. Pikërisht nga ky gabim konceptual fillon një zinxhir keqkuptimesh që pastaj prodhojnë tensione, paragjykime dhe përplasje të panevojshme. Për pasojë, në vend që ta analizojmë realitetin, ne fillojmë të luftojmë me imazhe të ndërtuara në kokat tona - me narrativa. Në ndërkohë që narrativa nuk është ajo që ndodh, por mënyra se si tregohet dhe si interpretohet ajo që ndodh.
Narrativat si struktura të mendimit dhe burime konflikti
Islamofobia dhe narrativat anti-perëndimore nuk janë thjesht qëndrime emocionale apo opinione të izoluara. Ato janë struktura të konsoliduara mendore, mënyra të organizuara të të menduarit që e filtrojnë realitetin dhe e reduktojnë atë në forma të thjeshtuara.
Në këto narrativa, individi zhduket. Muslimani nuk shihet si qenie me identitet të shumëfishtë (për shembull: shqiptar + musliman + evropian), por si përfaqësues i një rreziku dhe kërcënimi të përgjithshëm. Po ashtu, nga ana tjetër, Perëndimi nuk shihet si një hapësirë e larmishme, por si një trup i vetëm, i pajisur me qëllime të njëtrajtshme dhe shpesh armiqësore.
Kështu ndërtohet një botë e ndarë në dy kampe imagjinare, ku çdo informacion i ri interpretohet për t’i konfirmuar bindjet ekzistuese. Në këtë realitet të mbyllur, dialogu bëhet i pamundur, sepse palët nuk komunikojnë më me njëra-tjetrën, por me versionet e shtrembëruara që i kanë ndërtuar në kokat e tyre për njëra-tjetrën.
Islamofobia: Frika e strukturuar dhe e normalizuar
Islamofobia shfaqet si një formë e organizuar e frikës dhe e paragjykimit ndaj Islamit si fe dhe ndaj muslimanëve si ndjekës të tij. Ajo nuk është vetëm produkt i individëve, por edhe i strukturave më të gjera politike, shoqërore dhe mediatike.
Narrativat islamofobe në Perëndim e gjetiu përbëhen nga diskurse, stereotipe dhe përshkrime që e paraqesin Islamin ose muslimanët si “të rrezikshëm”, “të prapambetur” ose “të papajtueshëm” me vlerat dhe shoqëritë perëndimore. Më poshtë janë shembuj konkretë dhe tipikë të këtyre narrativave: “Islami është një fe e dhunës”; “Muslimanët nuk duan të bëhen pjesë e shoqërisë sonë, ata refuzojnë të përshtaten me vlerat perëndimore”; "Muslimanët kanë nivel më të ulët inteligjence mesatare"; "Muslimanët kanë rezultate më të dobëta në arsim dhe tregojnë më pak sukses ekonomik"; “Islami është në thelb kundër të drejtave të grave”; “Muslimanët duan ta imponojnë ligjin islam, Sheriatin”; “Evropa po e humbet identitetin e saj për shkak të muslimanëve” – sidomos teoria konspirative e quajtur "Great Replacement" (Zëvendësimi i Madh Demografik); "Islami nuk mund të bashkëjetojë me sistemet demokratike. Demokracia dhe Islami janë të papajtueshme”; "Islami nuk ka prodhuar kurrë kulturë moderne të krahasueshme me Perëndimin" etj.
Një nga manifestimet më të dukshme të këtyre narrativave është edhe mënyra selektive e raportimit të dhunës. Për shembull kur një akt i dhunshëm kryhet nga një musliman, identiteti fetar theksohet menjëherë dhe bëhet pjesë e shpjegimit. Kur autori nuk është musliman, theksi zhvendoset drejt faktorëve individualë, psikologjikë apo socialë. Kjo krijon një lidhje të nënkuptuar, por të fuqishme, midis Islamit dhe dhunës.
Një tjetër shembull është debati mbi atë që e quajnë "simbol fetar", e që nuk është thjeshtë një simbol, por një detyrë fetare, e që është shamia. Ajo shpesh paraqitet jo si zgjedhje personale apo akt besimi i femrave muslimane që e bartin atë me vullnet të lirë, por si simbol i shtypjes, i "islamit politik" apo kërcënim për identitetin sekular të shtetit, pra një narrativë dhe interpretim i krijuar në kokat e islamofobëve. Ata nuk ngurrojnë t’u thonë grave muslimane: ju e bartni shaminë nga dhuna familjare dhe shoqërore, por ju nuk jeni të vetëdijshme për këtë; ose herën tjetër: ju e bartni atë për arsye dhe motive politike, me çka doni të krijoni sistem paralel në shoqërinë tonë etj. Në këtë mënyrë, një praktikë individuale shndërrohet në çështje ideologjike.
Këto mekanizma prodhojnë një klimë ku frika ndaj Islamit bëhet e pranueshme dhe madje e justifikueshme.
Narrativat anti-perëndimore: nga reagimi te thjeshtimi i tepruar
Narrativat anti-perëndimore (duke nënkuptuar zakonisht Evropën Perëndimore dhe SHBA-të) – të zhvilluara nga popuj të ndryshëm, por neve këtu na interesojnë ato nga mesi i muslimanëve - shpesh lindin si reagim ndaj përvojave reale historike dhe politike, si kolonializmi apo ndërhyrjet ushtarake, si në të kaluarën ashtu edhe sot. Megjithatë, me kalimin e kohës ato shpesh shndërrohen në mënyra të thjeshtuara dhe totalizuese të të menduarit, ku Perëndimi paraqitet si një entitet i vetëm dhe gjithmonë armiqësor, madje fajtor për çdo dështim të të tjerëve. Ja një shembull tipik: "Perëndimi e predikon demokracinë, por praktikisht destabilizon shtete të tjera për interesat e veta".
Nuk është vetëm ky aspekt që paragjykohet, por i hasim edhe narrativat kulturore, fetare, identitare, historike, mediatike, ekonomike etj. Ja disa shembuj në këtë drejtim: “Perëndimi eksporton imoralitet dhe i shkatërron strukturat tradicionale të familjes”; "Në Perëndim s’ka familje"; "Në Perëndim ka vetëm degjenerim moral"; “Perëndimi pasurohet duke i shfrytëzuar burimet dhe fuqinë punëtore të vendeve të varfra”; “Perëndimi i kontrollon mediat për t’i justifikuar politikat e veta”; “Perëndimi promovon islamofobi dhe përpiqet ta dobësojë identitetin islam” etj. Këto narrativa nuk janë gjithmonë tërësisht të rreme, por shpesh janë selektive, të përgjithësuara ose të përdorura për qëllime ideologjike.
Në këtë mënyrë, shumë konflikte shpjegohen vetëm si pjesë e një plani të madh dominimi, ndërsa problemet e ndryshme i atribuohen gjithmonë “tjetrit”. Kjo narrativë e varfëron kuptimin e realitetit dhe e largon vëmendjen nga shkaqet dhe faktorët e shumtë që e përcaktojnë dinamikën e një shoqërie.
Si pasojë, dobësohet edhe vetëkritika. Kur çdo dështim shpjegohet me faktorë të jashtëm, përgjegjësia e brendshme zvogëlohet. Kështu, kjo narrativë anti-perëndimore nuk mbetet vetëm si reagim ndaj padrejtësive reale, por bëhet edhe një mënyrë për t’i justifikuar problemet e veta të brendshme.
Cikli i përforcimit: Një pasqyrë e dyfishtë
Islamofobia dhe narrativat anti-perëndimore nuk ekzistojnë në mënyrë të pavarur. Ato e ushqejnë njëra-tjetrën në një cikël të vazhdueshëm. Ato funksionojnë si dy pasqyra që e reflektojnë dhe njëkohësisht e deformojnë njëra-tjetrën.
Diskriminimi ndaj muslimanëve krijon ndjenja përjashtimi dhe padrejtësie në mesin e tyre, të cilat pastaj i forcojnë narrativat anti-perëndimore. Këto narrativa, nga ana e tyre, e përforcojnë frikën dhe mosbesimin në Perëndim, duke e ushqyer më tej islamofobinë.
Ky është një rreth vicioz ku çdo akt interpretohet si konfirmim i paragjykimeve ekzistuese. Thyerja e këtij cikli është një nga sfidat më të mëdha të kohës sonë. Thjesht nga arsyeja se këto narrativa nuk janë të padëmshme. Ato prodhojnë pasoja reale: përjashtim social, polarizim politik dhe radikalizim ideologjik. Nëse nuk kundërshtohen, ato normalizohen. Dhe kur normalizohen, bëhen pjesë e strukturave të shoqërisë.
Kundërshtimi i tyre nuk është thjesht një akt intelektual, por domosdoshmëri etike. Heshtja përballë tyre do të thotë t’u japësh hapësirë të rriten, të normalizohen dhe të ndikojnë në mënyrë të pakontrolluar.
A është i mundur pajtimi?
Pajtimi është i mundur, por nuk është i lehtë. Ai kërkon një proces të thellë çmontimi të narrativave ekzistuese.
Nuk mund të ketë pajtim midis palëve që e shohin njëra-tjetrën përmes stereotipeve. Pajtimi kërkon njohje, vetëkritikë si dhe pranimin e kompleksitetit. Ai nuk është kompromis i së vërtetës, por çlirim nga iluzionet.
Ky proces çmontimi kërkon reflektimin dhe angazhimin e njëkohshëm të shumë aktorëve: të intelektualëve, të cilët duhet ta sfidojnë reduksionizmin, ta luftojnë thjeshtëzimin e realitetit; të politikanëve, të cilët duhet ta ndalojnë instrumentalizimin e frikës ndaj të huajve, në rastin tonë ndaj Islamit dhe muslimanëve; të mediave, opinionistëve dhe gazetarëve, të cilët duhet t’i refuzojnë përgjithësimet, paragjykimet dhe stereotipet; të predikuesve fetarë, të cilët duhet ta formësojnë kuptimin e drejtë të fesë, të ndërtojnë ura paqeje e bashkëjetese me vetveten, me të tjerët dhe me Zotin, e jo ta instrumentalizojnë fenë për të krijuar çarje dhe konflikte në shoqëri.
Roli i “Islamit ballkanik” dhe i “Islamit shqiptar tradicional”
Në këtë kontekst, përvoja tradicionale e Islamit në Ballkan, veçanërisht ajo shqiptare, ofron një mundësi jo vetëm relevante, por edhe strategjike në procesin e çmontimit të narrativave dhe të ndërtimit të përafrimit. Pikërisht sepse ky model, historikisht ka jetuar në kufirin ndërmjet dy kulturave që po i trajtojmë, ai e ka potencialin të flasë në të dy gjuhët: atë të traditës islame dhe atë të modernitetit evropian. Ajo është formuar në ndërveprim me kultura dhe sisteme të ndryshme dhe ka zhvilluar një traditë të bashkëjetesës ndërfetare. Ky model mund, madje duhet, të shërbejë si kundër-narrativë ndaj islamofobisë, por edhe si kundër-narrativë ndaj diskurseve anti-perëndimore. Në këtë kuptim, “islami shqiptar” nuk është vetëm një identitet. Ai është një mundësi për të treguar se përplasja nuk është e pashmangshme, dhe se përafrimi nuk është utopi.
Por ky potencial kërkon vetëdije, zhvillim dhe mbrojtje nga deformimet. Ideologjitë e ngurta, jo dinamike, jo të hapura, jo integruese por përjashtuese, të importuara në "islamin shiptar", e kërcënojnë haptazi këtë model.
Drejt një të ardhmeje të përbashkët
Çlirimi nga këto narrativa nuk ndodh vetvetiu. Ai kërkon edukim të qëndrueshëm, dialog të sinqertë dhe ndjenjë përgjegjësie në çdo nivel. Nuk ka zgjidhje të shpejta, por ka hapa konkretë që mund të ndërtojnë gradualisht besim dhe mirëkuptim.
Së pari, arsimi (fetar dhe jofetar) luan rol themelor. Programet shkollore dhe universitare duhet të promovojnë njohje reale për kulturat dhe fetë e ndryshme, duke i shmangur stereotipet dhe thjeshtimet. Të rejat dhe të rinjtë duhet të mësohen të mendojnë në mënyrë kritike, ta dallojnë faktin nga interpretimi dhe ta kuptojnë kompleksitetin e botës.
Së dyti, është i domosdoshëm dialogu i sinqertë dhe i vazhdueshëm. Jo dialog formal apo simbolik, por takime reale mes njerëzve, komuniteteve dhe institucioneve, ku dëgjohet tjetri pa paragjykim dhe pa qëllim për t’ia imponuar mendimin tonë. Bashkëpunimi në projekte të përbashkëta shoqërore është shpesh më i fuqishëm se çdo debat teorik.
Së treti, mediat dhe komunikimi publik duhet të marrin përgjegjësi më të madhe. Raportimi duhet të jetë i balancuar, i saktë dhe i kujdesshëm, duke e shmangur gjuhën që nxit frikë, urrejtje apo çarje. Po ashtu, duhet të inkurajohet promovimi i shembujve pozitivë të bashkëjetesës.
Së katërti, teologët dhe udhëheqësit fetarë duhet të ofrojnë interpretime që ndërtojnë ura dhe jo mure. Ata e kanë mundësinë të ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si besimtarët e kuptojnë tjetrin dhe botën përreth.
Së pesti, është i rëndësishëm vetëreflektimi i vazhdueshëm, si në shoqëritë perëndimore ashtu edhe në ato muslimane, pa e zhvendosur fajin gjithmonë te tjetri.
Së fundi, në nivel individual, kërkohet përgjegjësi personale: të mos e pranojmë pa e menduar mirë çdo narrativë që e dëgjojmë, ta verifikojmë informacionin dhe të jemi të kujdesshëm në gjykimet tona.
Këta hapa nuk e zgjidhin menjëherë problemin, por krijojnë një bazë të fortë për një të ardhme më të drejtë, ku dallimet nuk shihen si kërcënim, por si mundësi për njohje dhe bashkëpunim.
Përfundim
Islamofobia dhe narrativat anti-perëndimore nuk janë vetëm mënyra të ndryshme të të menduarit për botën, por mënyra të gabuara të ndërtimit të saj në mendjen tonë. Ato nuk e pasqyrojnë realitetin ashtu siç është, por e thjeshtojnë atë deri në deformim. Dhe pikërisht në këtë thjeshtim qëndron rreziku i tyre më i madh.
Të dyja këto narrativa ushqehen nga frika, nga përvoja reale të padrejtësive, por edhe nga mungesa e njohjes dhe e vetëreflektimit. Ato e ndërtojnë një botë të ndarë në “ne” dhe “ata”, ku dialogu zëvendësohet me dyshim, ndërsa mirëkuptimi me paragjykim. Në këtë botë të ndarë, secila palë e sheh veten si të drejtë dhe tjetrën si problem.
Por realiteti është më kompleks dhe më i pasur se këto ndarje të thjeshtuara. As Islami nuk është ai që paraqitet në narrativat islamofobe, dhe as Perëndimi nuk është ai që përshkruhet në narrativat anti-perëndimore. Të dyja janë më shumë se karikaturat që u bëhen.
Prandaj, sfida kryesore e kohës sonë nuk është të zgjedhim mes këtyre dy narrativave, por t’i kapërcejmë ato. T’i analizojmë, t’i çmontojmë dhe t’i zëvendësojmë me një mënyrë më të drejtë, më të thellë dhe më njerëzore të të kuptuarit të botës.
Ky proces fillon me vetëreflektim, individual dhe kolektiv. Fillon me pranimin se edhe ne mund të gabojmë në mënyrën se si e shohim tjetrin. Fillon me gatishmërinë për të dëgjuar, për të mësuar dhe për ta korrigjuar vetveten.
Sepse në fund, përafrimi nuk është rezultat i një marrëveshjeje të menjëhershme, por i një procesi të gjatë ku njerëzit mësojnë ta shohin njëri-tjetrin jo përmes frikës dhe paragjykimit, por përmes realitetit dhe dinjitetit njerëzor.
Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron shpresa: jo në zhdukjen e dallimeve, por në aftësinë për të jetuar me to, pa i kthyer ato në arsye për ndarje, por në mundësi për njohje dhe bashkëjetesë.
Kreuzlingen, 14 prill 2026

