Rehan Neziri

 

 

ETIKA E KOMUNIKIMIT NË ISLAM
- një analizë mbi lirinë e shprehjes dhe gjuhën e urrejtjes -

 

Komunikimi është një proces i përcjelljes së mendimeve, ndjenjave dhe informacioneve nga një dërgues te një marrës, përmes formave verbale ose joverbale (pra me fjalë ose me gjeste, mimika, gjuhë të trupit etj.). Njeriu nuk mund të mos komunikojë (Paul Watzlawick, v. 2007); edhe heshtja, varësisht nga konteksti, bart kuptim. Në psikologjinë e komunikimit, sipas modelit të Shannon & Weaver, komunikimi përbëhet nga: burimi, mesazhi, kanali, marrësi dhe reagimi. Një model tjetër në këtë drejtim është edhe ai "i katër veshëve" (i katër dimensioneve të një mesazhi) sipas Friedemann Schulz von Thun. Këta elementë e bëjnë të mundur ndërveprimin, mirëkuptimin dhe ndërtimin e lidhjeve njerëzore.

Komunikimi nuk është vetëm shkëmbim informacioni, por themel i marrëdhënieve shoqërore. Përmes tij ndërtohet besimi, realizohet ndikimi i ndërsjellë dhe bëhet i mundur bashkëpunimi. Pikërisht për këtë arsye, marrëdhënia ndërmjet komunikimit dhe moralit është thelbësore: kur komunikimi udhëhiqet nga vlerat etike, ai i forcon lidhjet dhe kohezionin shoqëror.

Në Islam, komunikimi nuk është thjesht mjet social, por akt me peshë etike dhe shpirtërore. Fjala është amanet: ajo mund ta ndërtojë ose ta shkatërrojë individin dhe shoqërinë. Në kohën e komunikimit digjital, ku ritmi i ndërveprimit është rritur dhe filtrat etikë janë dobësuar, kthimi tek parimet islame të komunikimit, për ne muslimanet dhe muslimanët, bëhet nevojë urgjente për ruajtjen e ekuilibrit ndërmjet lirisë dhe përgjegjësisë.

 

Parimet bazë të komunikimit ndërnjerëzor në Islam

Parimet themelore të komunikimit në Islam burojnë nga vizioni për njeriun si qenie e nderuar dhe përgjegjëse. Kur'ani e thekson dinjitetin universal të njeriut (Kur’ani, 17:70), gjë që përbën bazën e çdo marrëdhënieje komunikative. Prej këtij nderimi lind detyrimi për ta shmangur fyerjen, përçmimin dhe degradimin verbal.

Etika e komunikimit synon që njerëzit të flasin drejt, sinqerisht dhe me respekt. Në një komunikim etik spikasin disa vlera themelore:

Ndershmëria. Gënjeshtra, fshehja e së vërtetës dhe mashtrimi janë të papranueshme. Njeriu i ndershëm ka përputhje ndërmjet qëllimit, mendimit dhe sjelljes. Allahu xh.sh. thotë: “O ju që besuat! Frikësojuni Allahut dhe jini me të sinqertët.” (et-Teube, 9:119) Ndërsa Pejgamberi a.s. ka thënë: “Sinqeriteti të çon në mirësi, dhe mirësia të çon në Xhenet…” (Buhariu)

Respekti. Komunikimi etik kërkon vlerësim të tjetrit edhe kur mendimet ndryshojnë. Allahu xh.sh. thotë: “O ju që besuat! Le të mos tallet një popull me një popull tjetër…” (el-Huxhurat, 49:11) Ky ajet e ndalon përçmimin dhe e vendos respektin si normë themelore.

Empatia. T’i kuptosh ndjenjat dhe këndvështrimin e tjetrit është shenjë pjekurie morale. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Askush prej jush nuk beson plotësisht derisa ta dojë për vëllanë e tij atë që e do për vetveten.” (Muslimi)

Transparenca. Të folurit qartë dhe hapur e forcon besimin dhe i pengon keqkuptimet. Allahu xh.sh. thotë: “Dhe mos e përzieni të vërtetën me të pavërtetën dhe mos e fshihni të vërtetën…” (el-Bekara, 2:42)

Përgjegjësia. Njeriu mban përgjegjësi për çdo fjalë që e shpreh. Allahu xh.sh. thotë: “Njeriu nuk thotë asnjë fjalë, e që pranë tij të mos jetë një mbikëqyrës i gatshëm (melek që e shënon atë).” (Kaf, 50:18)

Komunikimi joetik e lëkund besimin, i prish marrëdhëniet dhe e cenon paqen shoqërore. Islami kërkon që komunikimi të mbështetet në të vërtetën dhe drejtësinë, duke e ndaluar shpifjen, manipulimin dhe përhapjen e lajmeve të pavërtetuara. Kur’ani na mëson: “O ju që keni besuar! Nëse ndonjë njeri i pandershëm jua sjell ndonjë lajm, verifikojeni mirë, për të mos i bërë dëm ndokujt nga mosdijenia, e të pendoheni pastaj për atë që e keni punuar.” (el-Huxhurat, 49:6)

Po ashtu, një dimension qendror është butësia dhe urtësia. Edhe në konflikt, besimtari urdhërohet të ruajë një gjuhë të matur. Kur’ani thotë: “Nuk barazohet e mira me të keqen! Të keqen ktheje me të mirë e atëherë armiku yt do të të bëhet menjëherë mik i ngushtë.” (Fussilet, 41:34) Gjithashtu: “Në saje të mëshirës së Perëndisë, u solle butësisht me ta (o Muhammed) – e sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje…” (Alu Imran, 3:159)

Kështu, fjala në Islam nuk është e lirë në mënyrë absolute, por akt me pasoja morale e shpirtërore. Besimtari thirret të reflektojë para se të flasë dhe ta peshojë ndikimin e fjalës së tij.

 

Kufiri midis lirisë së shprehjes - kritikës - gjuhës së urrejtjes

Linja ndërmjet lirisë së shprehjes, kritikës dhe gjuhës së urrejtjes qëndron te qëllimi, përmbajtja dhe mënyra e shprehjes. Në sipërfaqe mund të duken të afërta, por moralisht dallojnë thellë.

Shprehja e mendimit të lirë në Islam është e njohur dhe e vlerësuar, por jo absolute. Ajo lidhet me të vërtetën, përgjegjësinë dhe dobinë shoqërore. Allahu xh.sh. thotë: “Nuk ka detyrim në fe…” (el-Bekara, 2:256) Ky ajet e vendos bazën e lirisë së bindjes dhe të mendimit. Edhe në traditën e Pejgamberit a.s., sahabët shpesh i jepnin mendimet e tyre në çështje shoqërore dhe strategjike, gjë që tregon praninë praktike të kësaj lirie.

Megjithatë, Islami vendos kufij etikë: të thuhet e vërteta, të mos dëmtohet nderi i tjetrit, të shmanget shpifja dhe të ruhet përgjegjësia në fjalë. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush beson në Allahun dhe Ditën e Fundit, le të flasë mirë ose le të heshtë.” (Muslimi)

Pra, liria e shprehjes është edhe amanet. Ajo duhet të përdoret me urtësi, drejtësi dhe përgjegjësi, në shërbim të së mirës e jo të dëmit.

Kritika është vlerësim dhe gjykim i një ideje, qëndrimi ose veprimi me synim përmirësimi, korrigjimi ose sqarimi. Ajo mund të jetë ndërtuese ose rrënuese. Në Islam, kritika është e lejuar dhe e nevojshme, por duhet t’u përmbahet disa kushteve:

  1. Të jetë e bazuar në të vërtetën. “O ju që besuat! Nëse ju vjen një i padrejtë me ndonjë lajm, verifikojeni…” (el-Huxhurat, 49:6)
  2. Të bëhet me qëllim të mirë. Synimi duhet të jetë përmirësimi, e jo poshtërimi.
  3. Të ruhet dinjiteti i tjetrit. “Mos u tallni me njëri-tjetrin…” (el-Huxhurat, 49:11)
  4. Të përdoret një mënyrë e butë dhe e urtë e shprehjes së saj. “Thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe këshillë të mirë…” (en-Nahl, 16:125)
  5. Të shmanget ekspozimi i panevojshëm publik. Kur është e mundur, kritika të jepet privatisht.
  6. Të mos kthehet në shpifje apo përgojim.

Kritika, sidomos vetëkritika, është mjet i rëndësishëm zhvillimi vetëm kur bëhet me drejtësi dhe edukatë. Përndryshe, ajo rrëshqet në shpifje, mashtrim ose gjuhë urrejtjeje.

Gjuha e urrejtjes i referohet çdo forme komunikimi që nxit urrejtje, përçmim, diskriminim ose dhunë ndaj individëve apo grupeve për shkak të identitetit të tyre fetar, etnik, racor, gjinor etj. Ajo e dëmton dinjitetin njerëzor, e prish kohezionin shoqëror dhe krijon klimë tensioni. Shfaqet nëpërmjet fyerjes, stereotipeve, shpifjes, talljes, stigmatizimit dhe dehumanizimit.

Kufiri i lirisë së shprehjes dhe i kritikës tejkalohet kur fjala shndërrohet në mjet për ta nxitur urrejtjen, për ta përçmuar ose dehumanizuar tjetrin. Atëherë nuk kemi më të bëjmë me liri, por me abuzim të saj. Në këtë kuptim, gjuha e urrejtjes përbën shkelje të qartë të parimeve islame dhe rrezik për rendin shoqëror.

Shpesh, gjuha e urrejtjes flet jo aq për objektin e saj, sa për vetë përdoruesin. Siç shprehet Rumiu: “Kur hapet kapaku, e kupton se ç’zihet në tenxhere.” ose “Nga qypi i uthullës nuk rrjedh mjaltë.” Fjala e njeriut është pasqyrë e botës së tij të brendshme; gjuha e ashpër e urrejtëse shpesh tregon mungesë vetëkontrolli dhe formimi moral.

 

Pasojat fetare/morale dhe ato juridike në lidhje me gjuhën e urrejtjes

Nga perspektiva islame, gjuha e urrejtjes është mëkat serioz. Ajo nuk i dëmton vetëm marrëdhëniet ndërnjerëzore, por edhe gjendjen shpirtërore të individit. Fjala në Islam nuk është neutrale; ajo është amanet dhe bart përgjegjësi. Për këtë arsye, gjuha e urrejtjes shihet si shenjë e prishjes së brendshme dhe e largimit nga mëshira, drejtësia dhe respekti.

Muadh ibn Xhebeli r.a. i kërkoi Pejgamberit a.s. t’ia tregonte një vepër që e afron njeriun me Xhenetin dhe e largon nga Xhehenemi. Pas disa udhëzimeve, Pejgamberi a.s. e kapi gjuhën e tij dhe tha: “Ruaje këtë!” Muadhi r.a. e pyeti: “O i Dërguari i Allahut! A do të merremi në përgjegjësi edhe për atë që e themi?” Ai iu përgjigj: “Të pasttë nëna, o Muadh! A i hedh njerëzit me fytyrë në zjarr (të Xhehenemit) diçka tjetër përveç asaj që e prodhojnë gjuhët e tyre?” (Tirmidhiu & Ibni Maxhe)

Nga ana morale, gjuha e urrejtjes ushqen armiqësi, e normalizon dhunën verbale dhe e dobëson ndjenjën e përgjegjësisë ndaj tjetrit. Në plan shoqëror, ajo prodhon përçarje, humbje të besimit dhe tensione të vazhdueshme.

Në anën juridike moderne, gjuha e urrejtjes është objekt rregullimi në shumë vende. Ajo trajtohet si formë nxitjeje të urrejtjes, diskriminimit apo dhunës, sidomos kur drejtohet ndaj grupeve të mbrojtura. Ligjet bashkëkohore përpiqen ta ruajnë baraspeshën midis lirisë së shprehjes dhe mbrojtjes së dinjitetit njerëzor, duke parashikuar masa administrative ose penale për format e rënda.

Në epokën digjitale kjo çështje është bërë edhe më e ndjeshme, sepse përhapja e shpejtë online e shumëfishon ndikimin dhe pasojat reale të kësaj gjuhe. Për këtë arsye, shtetet dhe platformat kanë vendosur politika moderimi dhe masa parandaluese.

Kjo afërsi ndërmjet etikës islame dhe normave juridike moderne tregon se problemi i gjuhës së urrejtjes është universal. Islami e sheh atë si çështje ndërgjegjeje dhe përgjegjësie para Allahut xh.sh., ndërsa ligji si çështje të rendit publik dhe të drejtave themelore. Në të dyja rastet, synimi mbetet i njëjtë: ndalimi i dëmit dhe ruajtja e respektit në komunikim.

Tani t’i shohim disa fusha ku gjuha e urrejtjes përdoret në shkallë të ndryshme dhe se cilat janë pasojat e saj.

 

Përdorimi i gjuhës së urrejtjes në politikë

Gjuha e urrejtjes në politikë është dukuri shqetësuese që vihet re sidomos në krahun e djathtë. Ajo përdor gjuhë përçmuese, përjashtuese ose nxitëse ndaj individëve apo grupeve me synim mobilizimin e mbështetjes politike, delegjitimimin e kundërshtarëve dhe manipulimin e opinionit publik. Në vend të debatit racional, ajo mbështetet te frika, zemërimi dhe urrejtja.

Në praktikë, kjo shfaqet nëpërmjet etiketimit të kundërshtarëve si “armiq”, “tradhtarë” ose “rrezik për kombin”, si dhe nëpërmjet paraqitjes së pakicave, emigrantëve apo grupeve të tjera si kërcënim për shoqërinë. Shpesh maskohet si “sinqeritet politik” ose si mbrojtje e interesave kombëtare, por në thelb e rrit polarizimin.

Pasojat janë të shumanshme: rritet ndarja politike, dobësohet dialogu demokratik, ushqehen paragjykimet dhe shtohet rreziku i diskriminimit e madje edhe i dhunës. Në aspektin moral, normalizohet fyerja dhe përçmimi në hapësirën publike. Edhe kur sjell përfitime afatshkurtra për aktorët politikë, pasojat afatgjata për stabilitetin shoqëror dhe cilësinë e demokracisë janë të rënda.

 

Përdorimi i gjuhës së urrejtjes në medie të shkruara dhe digjitale

Gjuha e urrejtjes në media përbën një nga sfidat kryesore të komunikimit bashkëkohor. Mediat, si bartëse të informacionit dhe formësuese të opinionit publik, mund të ndihmojnë në ndërtimin e një debati të shëndetshëm, por mund të bëhen edhe mjete për përhapjen e stereotipeve dhe paragjykimeve.

Në mediet e shkruara tradicionale, kjo gjuhë mund të shfaqet nëpërmjet titujve tendenciozë, përzgjedhjes selektive të informacionit dhe termave stigmatizues. Edhe kur ekzistojnë standarde editoriale, presioni për audiencë dhe ndikim shpesh e shtyn diskursin drejt provokimit.

Në mediet digjitale dhe rrjetet sociale, fenomeni bëhet edhe më i fortë. Anonimiteti, mungesa e filtrave të fortë editorialë dhe shpejtësia e publikimit krijojnë terren të favorshëm për përhapjen masive të fyerjes, etiketimit dhe diskursit përjashtues. Algoritmet, duke favorizuar përmbajtje me ngarkesë të lartë emocionale, shpesh e shumëfishojnë këtë efekt.

Pasojat janë të thella: përhapen stereotipet dhe paragjykimet, dëmtohen individët që bëhen objekt sulmesh verbale dhe bie niveli i debatit publik, i cili largohet nga argumentimi racional dhe rrëshqet drejt përplasjes emocionale. Prandaj, si mediat, ashtu edhe përdoruesit, mbajnë përgjegjësi të madhe për ruajtjen e një hapësire të shëndetshme komunikimi.

 

Përdorimi i gjuhës së urrejtjes në predikimet fetare

Kur gjuha e urrejtjes depërton në predikimet fetare, ajo e deformon thelbin e mesazhit fetar, i cili në Islam mbështetet në mëshirë, drejtësi dhe urtësi. Predikimi, që duhet të jetë hapësirë udhëzimi moral dhe afrimi shpirtëror, mund të shndërrohet në mjet ndarjeje dhe tensioni.

Në praktikë, kjo ndodh kur grupe të tjera fetare ose etnike paraqiten si “armiq”, si burim i së keqes ose si kërcënim. Një diskurs i tillë nuk mbështetet në gjykim të balancuar, por në përgjithësime emocionale që i mobilizojnë ndjekësit nëpërmjet frikës dhe ndarjes. Kështu, predikimi e humb dimensionin edukativ dhe etik.

Veçanërisht problematik është ndërtimi i “imazheve armiqësore” (Feindbilder), nëpërmjet të cilave grupi tjetër paraqitet si përgjegjës për dështimet dhe problemet e komunitetit. Në këto raste krijohet edhe një narrativë viktimizimi, ku përgjegjësia e brendshme minimizohet, ndërsa faji projektohet te “tjetri”. Kjo qasje e forcon logjikën “ne kundër atyre”, e pengon dialogun dhe bashkëjetesën, si dhe në raste ekstreme mund të shërbejë si terren i frytshëm për radikalizëm dhe ekstremizëm fetar.

Në planin shoqëror dhe edukativ, kjo gjuhë e dëmton edhe vetë komunitetin që pretendon ta mbrojë, sepse e pengon vetëreflektimin dhe vetëpërmirësimin. Për këtë arsye, përgjegjësia e predikuesve fetarë është shumë e madhe. Ata nuk janë vetëm transmetues tekstesh, por formësues të ndërgjegjes kolektive. Predikimi i përgjegjshëm kërkon ekuilibër, drejtësi në gjykim dhe shmangie të çdo stigmatizimi.

 

Si të sillemi me ata që përdorin gjuhë të urrejtjes?

Islami propozon një qasje të balancuar dhe graduale ndaj atyre që përdorin gjuhë të urrejtjes. Fillimisht rekomandohet këshillimi me urtësi dhe butësi, duke i dhënë individit mundësi për reflektim dhe përmirësim. Nëse kjo nuk jep rezultat, pasohet me tërheqje të qartë të vërejtjes dhe me vendosje kufijsh etikë në komunikim.

Kur gjuha e urrejtjes përsëritet me vetëdije dhe sidomos kur kthehet në nxitje të dhunës ose diskriminimit, ndërhyrja juridike bëhet e pashmangshme. Kjo qasje e reflekton baraspeshën ndërmjet mëshirës dhe drejtësisë.

 

 

Përmbyllje

Etika e komunikimit në Islam na mëson se fjala nuk është thjesht mjet shprehjeje, por amanet, përgjegjësi dhe pasqyrë e botës së brendshme të njeriut. Me të ndërtohen ura mirëkuptimi, forcohet besimi dhe afrohen njerëzit; por, kur keqpërdoret, ajo mund të lëndojë, përçajë dhe shkatërrojë. Prandaj Islami i kushton komunikimit një rëndësi të veçantë, duke e lidhur atë si me rendin shoqëror, ashtu edhe me gjendjen shpirtërore të individit.

Nga kjo analizë del se komunikimi islam mbështetet në të vërtetën, sinqeritetin, respektin, empatinë, butësinë, transparencën dhe përgjegjësinë. Këto nuk janë vetëm norma sjelljeje, por kushte të domosdoshme për një jetë të shëndoshë individuale dhe kolektive. Në këtë kuadër, liria e shprehjes nuk mohohet, por as nuk absolutizohet: ajo pranohet si e drejtë dhe nevojë njerëzore, por vendoset brenda kufijve të së vërtetës, drejtësisë dhe ruajtjes së dinjitetit të tjetrit.

Një përfundim thelbësor është se kufiri ndërmjet mendimit të lirë, kritikës dhe gjuhës së urrejtjes është i hollë, por i dallueshëm. Mendimi i lirë synon shprehjen e bindjes, kritika synon përmirësimin, ndërsa gjuha e urrejtjes synon lëndimin, përjashtimin ose dehumanizimin e tjetrit. Pikërisht për këtë arsye, jo çdo fjalë e ashpër është guxim dhe jo çdo kritikë është e dobishme.

Epoka digjitale e ka bërë këtë sfidë edhe më të ndërlikuar. Shpejtësia e komunikimit, anonimiteti dhe etja për reagime të menjëhershme e kanë dobësuar kulturën e reflektimit dhe të maturisë. Në këtë realitet, rikthimi tek etika islame e fjalës së mirë paraqet jo vetëm nevojë fetare, por edhe kontribut të rëndësishëm për shëndetin moral të shoqërisë.

Prandaj, ruajtja e etikës së komunikimit është pjesë e vetë besimit, e qytetërimit dhe e përgjegjësisë sonë para Allahut xh.sh. dhe para njerëzve. Sa më e pastër të jetë fjala, aq më e qetë bëhet zemra; dhe sa më e qetë të jetë zemra, aq më e drejtë e më e mëshirshme bëhet shoqëria.

 

Kreuzlingen, 12.04.2026

 

Literatura e konsultuar:

"Hassreden: Die Grenzen der Meinungsäusserungsfreiheit", 06.02.2017, www.humanrights.ch

Doğan Cüceloğlu, Yeniden İnsan İnsana. Remzi Kitabevi, Stamboll 1998.

Friedemann Schulz von Thun, Miteinander reden – Störungen und Klärungen, Allgemeine Psychologie der Kommunikation, Rowohlt Verlag, Hamburg 2018.

Mustafa Köylü, Psiko-Sosyal Açıdan Dini İletişim, Ankara Okulu Yay., Ankara 2006.

Norina Meyer, "Hassrede im Netz – Was strafbar ist und wie man sich wehrt?", 22. Oktober 2025, www.beobachter.ch

Reşit Özer, “Kur’an’ı Kerim’de İletişim Ahlakı”, Genç Mütefekkirler Dergisi, 6 (1), Ağrı 2025.

Yusuf Güneş, “İslam’da İletişim ve İletişim Ahlakı”, Din ve Hayat Dergisi, Nr. 22, 2014.