Dr. Gregory H. Stanton

President i „Genocide Watch“

 

 

DHJETË FAZAT E GJENOCIDIT

 

Lexo këtë artikull në PDF

 

Gjenocidi është një proces që zhvillohet në dhjetë faza, të cilat janë të parashikueshme, por jo të pashmangshme. Në secilën prej këtyre fazave, masat parandaluese mund ta ndalin përshkallëzimin e tij. Ky proces nuk zhvillohet në mënyrë lineare; fazat shpesh ndodhin njëkohësisht. Edhe secila fazë, në vetvete, përbën një proces më vete. Logjika e tyre i ngjan kukullave ruse matrjoshka, të vendosura njëra brenda tjetrës. Në qendër të këtij sistemi qëndron klasifikimi. Pa të, proceset e tjera që e rrethojnë nuk do të mund të zhvilloheshin. Sa më shumë që një shoqëri përfshihet nga procese me karakter gjenocidal, aq më shumë i afrohet gjenocidit. Megjithatë, të gjitha fazat vazhdojnë të veprojnë gjatë gjithë zhvillimit të këtij procesi.

 

I. KLASIFIKIMI

Të gjitha kulturat krijojnë kategori për t’i dalluar njerëzit në “ne” dhe “ata”, duke u mbështetur në përkatësinë etnike, racore, fetare ose kombëtare: gjermanë dhe hebrenj, hutu dhe tutsi. Shoqëritë bipolare, ku mungojnë kategoritë ndërmjetëse ose identitetet e përziera, si në Ruandë dhe Burundi, janë më të prirura të përjetojnë gjenocid.

Një nga klasifikimet më të rëndësishme në sistemin bashkëkohor të shteteve-komb është shtetësia, e lidhur me një kombësi të caktuar. Heqja ose mohimi i shtetësisë së një grupi përbën një mënyrë ligjore për t’ia mohuar atij të drejtat civile dhe të drejtat themelore të njeriut. Hapi i parë drejt gjenocidit të hebrenjve dhe romëve në Gjermaninë naziste ishte miratimi i ligjeve që ua hoqën atyre shtetësinë gjermane. Ligji për shtetësinë i Birmanisë i vitit 1982 i përjashtoi rohingjat nga shtetësia kombëtare. Në Indi, Ligji për Shtetësinë nuk u ofron refugjatëve muslimanë një rrugë për fitimin e shtetësisë. Ndërkaq, popujve autoktonë amerikanë (indianëve të Amerikës) në Shtetet e Bashkuara u është njohur shtetësia vetëm në vitin 1924, pas shekujsh gjenocidi që përgjysmuan dhe shkatërruan popullsitë e tyre.

Masa më e rëndësishme parandaluese në këtë fazë të hershme është ndërtimi i institucioneve me karakter universal, të cilat i tejkalojnë ndarjet etnike dhe racore, nxisin në mënyrë aktive tolerancën dhe mirëkuptimin, si dhe promovojnë forma klasifikimi që i kapërcejnë këto ndarje. Kisha Katolike mund ta kishte luajtur këtë rol në Ruandë, sikur të mos ishte përçarë nga të njëjtat ndarje etnike që përshkonin shoqërinë ruandeze. Edhe promovimi i një gjuhe të përbashkët, si në Tanzani, ka kontribuar në ndërtimin e një identiteti kombëtar gjithëpërfshirës, që i tejkalon përkatësitë e ngushta. Po ashtu, ligjet që u krijojnë emigrantëve dhe refugjatëve rrugë për fitimin e shtetësisë ndihmojnë në rrënimin e barrierave që pengojnë gëzimin e të drejtave civile. Pikërisht kjo përpjekje për të ndërtuar një bazë të përbashkët është thelbësore për parandalimin e hershëm të gjenocidit.

 

II. SIMBOLIZIMI

Ne u japim emra ose simbole të tjera klasifikimeve që krijojmë. Njerëzit i emërtojmë si “hebrenj” ose “romë”, ose i dallojmë përmes ngjyrave, veshjeve apo shenjave të tjera dalluese, duke ua atribuar këto simbole anëtarëve të grupeve të caktuara. Klasifikimi dhe simbolizimi janë dukuri universale njerëzore dhe, në vetvete, nuk çojnë domosdoshmërisht në gjenocid, përveçse kur shndërrohen në mjete të dehumanizimit. Kur ndërthuren me urrejtjen, simbolet mund t’u imponohen me forcë anëtarëve të grupeve të stigmatizuara: ylli i verdhë për hebrenjtë nën regjimin nazist ose shamia blu për banorët e Zonës Lindore në Kamboxhia nën regjimin e Khmerëve të Kuq.

Për ta luftuar simbolizimin, simbolet e urrejtjes mund të ndalohen me ligj, siç mund të ndalohet edhe gjuha e urrejtjes. Po kështu, mund të ndalohen edhe shenjat dalluese të grupeve, si veshjet karakteristike të bandave ose shenjat fisnore të gdhendura në trup. Megjithatë, kufizimet ligjore nuk japin rezultat nëse nuk mbështeten nga një kulturë shoqërore që i zbaton dhe i pranon ato. Në Burundi, deri në vitet 1980, përdorimi i fjalëve “hutu” dhe “tutsi” ishte i ndaluar, por ato u zëvendësuan me kode dhe emërtime të tjera. Nga ana tjetër, kur ekziston një mbështetje e gjerë shoqërore, refuzimi i simbolizimit mund të jetë jashtëzakonisht i fuqishëm. Kjo u dëshmua në Bullgari, ku qeveria refuzoi të furnizonte një numër të mjaftueshëm yjesh të verdhë dhe të paktën tetëdhjetë për qind e hebrenjve nuk i vendosën ato. Në këtë mënyrë, ylli i verdhë humbi funksionin dhe domethënien e tij si simbol nazist për identifikimin dhe stigmatizimin e hebrenjve.

 

III. DISKRIMINIMI

Një grup dominues përdor ligjin, zakonet dhe pushtetin politik për t’ua mohuar të drejtat grupeve të tjera. Grupi i pafuqishëm mund të mos gëzojë të drejta të plota civile, të drejtën e votës apo madje as të drejtën e shtetësisë. Grupi dominues udhëhiqet nga një ideologji përjashtuese, e cila synon t’i privojë grupet më pak të fuqishme nga të drejtat e tyre. Kjo ideologji promovon monopolizimin ose zgjerimin e pushtetit në favor të grupit dominues dhe legjitimon viktimizimin e grupeve më të dobëta. Përkrahësit e ideologjive përjashtuese janë shpesh figura karizmatike, të cilat artikulojnë pakënaqësitë, frikërat dhe resentimentet e ndjekësve të tyre.

Shembuj të tillë janë Ligjet e Nurembergut të vitit 1935 në Gjermaninë naziste, të cilat ua hoqën hebrenjve shtetësinë gjermane dhe ua ndaluan punësimin në administratën shtetërore dhe në universitete. Edhe diskriminimi ndaj popujve autoktonë amerikanë dhe afro-amerikanëve ishte i sanksionuar në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara deri në amendamentet e miratuara pas Luftës Civile dhe deri në legjislacionin e mesit të shekullit XX, i cili siguroi zbatimin e të drejtave të tyre. Mohimi i shtetësisë për pakicën muslimane rohingja në Mianmar çoi në gjenocidin e vitit 2017 dhe në dëbimin e më shumë se një milion refugjatëve.

Parandalimi i diskriminimit kërkon fuqizimin e plotë politik dhe garantimin e të drejtave të plota të shtetësisë për të gjitha grupet brenda një shoqërie. Diskriminimi mbi bazën e kombësisë, përkatësisë etnike, racës ose fesë duhet të ndalohet me ligj. Çdo individ duhet të ketë të drejtën të padisë shtetin, korporatat apo individë të tjerë, në rast se të drejtat e tij cenohen ose shkelen.

 

IV. DEHUMANIZIMI

Një grup ia mohon grupit tjetër vetë humanitetin. Anëtarët e tij barazohen me kafshë, parazitë, insekte ose sëmundje. Dehumanizimi e mpin ndjenjën e natyrshme njerëzore të neverisë ndaj vrasjes dhe i hap rrugën pranimit të dhunës si diçka e lejueshme. Në këtë fazë, propaganda e urrejtjes – në shtyp, në radiot që përhapin urrejtje dhe në rrjetet sociale – përdoret për ta demonizuar dhe poshtëruar grupin viktimë. Madje, kjo propagandë mund të përfshihet edhe në tekstet shkollore. Indoktrinimi shërben si përgatitje për nxitjen e mëvonshme të dhunës. Grupi shumicë mësohet ta shohë grupin tjetër si më pak se njerëzor, madje si një trup të huaj brenda shoqërisë. Ai indoktrinohet të besojë se: “Pa ta, ne do të ishim më mirë.”

Grupi i pafuqishëm mund të çpersonalizohet deri në atë masë, saqë anëtarët e tij të mos thirren më me emra, por vetëm me numra, siç ndodhte me hebrenjtë në kampet e vdekjes. Ata identifikohen me papastërtinë, ndyrësinë dhe imoralitetin. Gjuha e urrejtjes mbush propagandën e radiove shtetërore, gazetave dhe fjalimeve publike.

Luftimi i dehumanizimit kërkon që nxitja për gjenocid të mos ngatërrohet me lirinë e mbrojtur të shprehjes. Shoqëritë gjenocidale nuk garantojnë mbrojtje kushtetuese për mendimet kundërshtuese dhe, për këtë arsye, nuk mund të trajtohen njësoj si demokracitë. Udhëheqësit vendorë dhe ndërkombëtarë duhet ta dënojnë publikisht përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe ta bëjnë atë të papranueshme në kulturën publike. Ata që nxisin gjenocidin duhet të ndiqen penalisht nga gjykatat kombëtare. Po ashtu, atyre duhet t’u ndalohet udhëtimi ndërkombëtar dhe t’u ngrihen asetet financiare jashtë vendit. Radiot që përhapin urrejtje duhet të bllokohen ose të mbyllen, ndërsa propaganda e urrejtjes dhe burimet e saj duhet të hiqen nga rrjetet sociale dhe interneti. Krimet e urrejtjes dhe aktet çnjerëzore duhet të hetohen dhe të ndëshkohen pa vonesë.

 

V. ORGANIZIMI

Gjenocidi është gjithmonë i organizuar. Zakonisht ai organizohet nga shteti, shpesh duke përdorur milici paramilitare për të krijuar mundësinë e mohimit të përgjegjësisë shtetërore, siç ndodhi me milicinë Janjaweed në Darfur. Ndonjëherë organizimi është joformal, si në rastin e turmave hindu të udhëhequra nga militantët lokalë të RSS-së, ose i decentralizuar, si në rastin e grupeve terroriste. Shpesh krijohen njësi të posaçme ushtarake ose milici, të cilat trajnohen dhe armatosen posaçërisht për këtë qëllim. Hartohen plane konkrete për kryerjen e vrasjeve gjenocidale.

Gjenocidi ndodh shpesh gjatë luftërave civile ose konflikteve ndërkombëtare. Furnizimi me armë i shteteve dhe milicive – madje edhe në kundërshtim me embargot e armëve të vendosura nga Kombet e Bashkuara – lehtëson kryerjen e akteve gjenocidale. Shtetet organizojnë polici sekrete për të spiunuar, arrestuar, torturuar dhe vrarë personat e dyshuar si kundërshtarë të udhëheqjes politike. Motivimet për ta shënjestruar një grup të caktuar mbillen përmes propagandës së mediave masive dhe trajnimeve të veçanta për milicitë vrasëse, skuadrat e vdekjes dhe njësitë speciale të ushtrisë, siç ishin Einsatzgruppen-et naziste, të cilat vranë rreth një milion e gjysmë hebrenj në Evropën Lindore.

Për ta parandaluar organizimin e gjenocidit, anëtarësimi në milicitë gjenocidale duhet të shpallet i paligjshëm. Udhëheqësve të tyre duhet t’u refuzohen vizat për udhëtime jashtë vendit dhe t’u ngrihen asetet financiare që mbajnë jashtë shtetit. Kombet e Bashkuara duhet të vendosin embargo armësh ndaj qeverive dhe qytetarëve të vendeve të përfshira në masakra gjenocidale, si dhe të krijojnë komisione hetimore për të zbuluar dhe ndjekur shkeljet, ashtu siç u veprua në Ruandë pas gjenocidit. Sistemet juridike kombëtare duhet të ndjekin penalisht, të çarmatosin dhe të shpërbëjnë grupet që planifikojnë ose kryejnë krime të urrejtjes.

 

VI. POLARIZIMI

Ekstremistët i thellojnë ndarjet midis grupeve dhe i shtyjnë ato gjithnjë e më larg njëri-tjetrit. Grupet e urrejtjes përhapin propagandë polarizuese përmes mediave dhe kanaleve të komunikimit. Mund të miratohen ligje që ndalojnë martesat e përziera ose kufizojnë kontaktet shoqërore ndërmjet grupeve. Terrorizmi ekstremist godet në radhë të parë zërat e moderuar, duke i frikësuar, heshtur dhe larguar nga hapësira publike.

Personat më të aftë për ta ndalur gjenocidin janë pikërisht moderatët brenda grupit të autorëve të tij; për këtë arsye ata janë ndër të parët që arrestohen dhe eliminohen. Pas tyre, në shënjestër vihen udhëheqësit e grupit të synuar, të cilët arrestohen dhe vriten. Grupi dominues miraton ligje ose dekrete të jashtëzakonshme, me anë të të cilave përqendron pushtet të pakufizuar mbi grupin e shënjestruar. Këto masa shkatërrojnë gradualisht të drejtat dhe liritë themelore civile. Njëkohësisht, grupi i synuar çarmatoset, në mënyrë që të mos jetë në gjendje të mbrohet dhe që grupi dominues të ushtrojë kontroll të plotë mbi të.

Parandalimi i kësaj faze mund të kërkojë mbrojtje fizike për udhëheqësit e moderuar ose mbështetje për organizatat që mbrojnë të drejtat e njeriut. Pasuritë e ekstremistëve duhet të konfiskohen dhe atyre duhet t’u refuzohet e drejta e udhëtimit ndërkombëtar. Grushtet e shtetit të organizuara nga ekstremistët duhet të kundërshtohen përmes sanksioneve ndërkombëtare dhe izolimit rajonal të udhëheqësve të tyre. Arrestimet e anëtarëve të grupeve opozitare duhet të hasin në kundërshtim të vendosur, si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Kur është e domosdoshme, grupeve të shënjestruara duhet t’u mundësohet të mbrohen. Udhëheqësit e shteteve duhet ta dënojnë pa mëdyshje gjuhën polarizuese të urrejtjes, ndërsa sistemi arsimor duhet të kultivojë kulturën e tolerancës dhe të bashkëjetesës.

 

VII. PËRGATITJA

Udhëheqësit e shtetit ose të grupit që synon kryerjen e krimit hartojnë planin për “Zgjidhjen Përfundimtare” të të ashtuquajturës “çështje” hebraike, armene, tutsi ose të ndonjë grupi tjetër të shënjestruar. Për të fshehur qëllimet e tyre të vërteta, ata shpesh përdorin eufemizma, duke i quajtur planet e tyre “spastrime etnike”, “pastrim”, “purifikim” ose “luftë kundër terrorizmit”.

Në këtë fazë ndërtohen dhe zgjerohen forcat ushtarake, blihen armë dhe trajnohen trupat dhe milicitë. Njëkohësisht, popullsia indoktrinohet përmes kultivimit të frikës ndaj grupit viktimë. Udhëheqësit shpesh përpiqen ta paraqesin gjenocidin si një akt vetëmbrojtjeje, duke përhapur narrativën: “Nëse ne nuk i vrasim ata, ata do të na vrasin ne.” Kështu, krimi maskohet si domosdoshmëri për mbijetesë.

Në këtë periudhë vërehet një rritje e menjëhershme e retorikës nxitëse dhe e propagandës së urrejtjes, me synimin për të krijuar frikë dhe armiqësi ndaj grupit tjetër. Ironikisht, edhe proceset politike që synojnë paqen – si marrëveshjet e paqes, zgjedhjet demokratike ose hetimet për korrupsion – mund të shërbejnë si nxitës të gjenocidit, nëse ato perceptohen nga grupi në pushtet si kërcënim për dominimin e tij politik.

Parandalimi i kësaj faze kërkon, ndër të tjera, vendosjen e embargove ndaj armëve dhe krijimin e mekanizmave efektivë për zbatimin e tyre. Po ashtu, duhet të ndiqen penalisht nxitja për gjenocid dhe komploti për kryerjen e tij, të cilat përbëjnë vepra penale sipas nenit 3 të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit.

Autoritetet kombëtare të zbatimit të ligjit duhet të arrestojnë dhe të ndjekin penalisht udhëheqësit e grupeve që planifikojnë masakra gjenocidale.

 

VIII. PERSEKUTIMI

Viktimat identifikohen dhe veçohen për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare, etnike, racore ose fetare. Të drejtat e tyre më themelore njerëzore shkelen në mënyrë sistematike përmes vrasjeve jashtëgjyqësore, torturës dhe zhvendosjes me forcë. Përpilohen lista vdekjeje. Në rastet e gjenocidit të organizuar nga shteti, anëtarët e grupit të shënjestruar mund të detyrohen të mbajnë simbole identifikuese. Pasuria e tyre shpesh konfiskohet. Në shumë raste ata izolohen në geto, deportohen në kampe përqendrimi ose mbyllen në rajone të goditura nga uria, ku lihen të vdesin nga mungesa e ushqimit.

Atyre u mohohen me qëllim burimet jetike, si uji dhe ushqimi, me synimin që grupi të shkatërrohet gradualisht. Zbatohen programe për të penguar lindjet, përmes sterilizimeve ose aborteve të detyruara. Fëmijët u merren me forcë prindërve të tyre. Fillojnë masakrat gjenocidale. Të gjitha këto veprime shkatërrimtare përbëjnë akte gjenocidi, të ndaluara nga Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit. Ato konsiderohen akte gjenocidi sepse synojnë, me dashje, shkatërrimin e plotë ose të pjesshëm të një grupi të mbrojtur.

Autorët e këtyre krimeve vëzhgojnë me kujdes nëse masakrat e tyre hasin ndonjë reagim efektiv nga bashkësia ndërkombëtare. Nëse nuk përballen me kundërveprim, ata arrijnë në përfundimin se mund ta kryejnë gjenocidin pa pasoja. Ata llogarisin se Kombet e Bashkuara, organizatat rajonale dhe shtetet me fuqi të mëdha ushtarake do të mbeten edhe një herë spektatorë pasivë, duke lejuar përsëritjen e një gjenocidi tjetër.

Në këtë fazë duhet të shpallet Gjendja Emergjente e Gjenocidit. Nëse mobilizohet vullneti politik i fuqive të mëdha, i aleancave rajonale, i Këshillit të Sigurimit ose i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duhet të ndërmerren përpjekje intensive diplomatike, të vendosen sanksione ekonomike të synuara dhe, kur është e nevojshme, të përgatitet edhe ndërhyrja e armatosur ndërkombëtare. Grupit të shënjestruar duhet t’i ofrohet mbështetje për t’u përgatitur për vetëmbrojtje. Njëkohësisht, Kombet e Bashkuara dhe organizatat humanitare duhet të organizojnë ndihmë emergjente për valën e pashmangshme të refugjatëve që do të krijohet si pasojë e këtij krimi.

 

IX. SHFAROSJA

Në këtë fazë fillon shfarosja, e cila shumë shpejt shndërrohet në vrasje masive që, sipas së drejtës ndërkombëtare, përbëjnë gjenocid. Për autorët e krimit, ky proces është “shfarosje”, sepse ata nuk i konsiderojnë më viktimat e tyre si qenie plotësisht njerëzore. Kur gjenocidi organizohet nga shteti, forcat e armatosura bashkëpunojnë shpesh me milicitë për kryerjen e vrasjeve.

Objektivi i gjenocideve totale është zhdukja e të gjithë anëtarëve të grupit të shënjestruar. Megjithatë, shumica e gjenocideve janë gjenocide “të pjesshme”, që synojnë shkatërrimin e një pjese thelbësore të grupit. Në Burundi, në vitin 1972, u vranë sistematikisht pothuajse të gjithë anëtarët e arsimuar të grupit të synuar. Në Srebrenicë, në Bosnjë, në vitin 1995, u ekzekutuan burrat dhe djemtë në moshë për luftë. Në Darfur dhe në Mianmar, gratë dhe vajzat iu nënshtruan përdhunimeve masive. Përdhunimi masiv i grave është bërë një nga tiparet karakteristike të gjenocideve moderne. Ai përdoret si mjet për të ndryshuar përbërjen biologjike të grupit dhe për të shkatërruar identitetin e tij. Në disa raste, gjenocidi prodhon cikle hakmarrjeje, ku grupet përfshihen në vrasje të ndërsjella, duke krijuar një spirale të dhunës dypalëshe, siç ndodhi në Burundi. Krahas shfarosjes fizike, shkatërrohen edhe monumentet kulturore dhe fetare, me synimin për ta fshirë grupin nga kujtesa historike, si në Armeni (1915–1922) dhe gjatë veprimeve të Daesh-it/ISIS-it (2014–2018).

Koncepti i “luftës totale” ndërmjet shteteve ose grupeve etnike bart në vetvete rrezik gjenocidal, sepse nuk bën dallim ndërmjet civilëve dhe luftëtarëve. Bombardimet pa dallim (“carpet bombing”), bombardimet me bomba ndezëse, sulmet ndaj spitaleve, si edhe përdorimi i armëve kimike ose biologjike, përbëjnë jo vetëm krime lufte, por edhe akte gjenocidi kur synojnë shkatërrimin e një grupi të mbrojtur. Edhe terrorizmi, kur nuk dallon ndërmjet civilëve dhe luftëtarëve dhe synon shkatërrimin e anëtarëve të një grupi kombëtar, etnik, racor ose fetar, merr karakter gjenocidal. Përdorimi i armëve bërthamore përfaqëson formën më ekstreme të gjenocidit, pasi synon me vetëdije shkatërrimin e një pjese të konsiderueshme të një grupi kombëtar.

Gjatë zhvillimit aktiv të gjenocidit, vetëm një ndërhyrje e shpejtë dhe vendimtare ushtarake mund ta ndalë atë. Duhet të krijohen zona reale të sigurta dhe korridore të mbrojtura për largimin e refugjatëve, të garantuara nga forca të armatosura ndërkombëtare. (Një zonë e shpallur “e sigurt”, por pa mbrojtje efektive, është më e rrezikshme sesa mungesa e saj.)

Kur është e mundur politikisht, ndërhyrja duhet të kryhet nga një forcë shumëkombëshe e autorizuar nga Kombet e Bashkuara. Brigada e Përhershme e Gatishmërisë së Lartë, Forca e Reagimit të Shpejtë e Bashkimit Evropian ose forca rajonale, si NATO, ASEAN apo ECOWAS, duhet të autorizohen nga Këshilli i Sigurimit për të ndërhyrë. Në rast se Këshilli i Sigurimit bllokohet, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mund të autorizojë veprime në bazë të Rezolutës “Bashkimi për Paqen” (Rezoluta 330 e vitit 1950), e cila është përdorur disa herë për ndërhyrje të tilla. Nëse edhe Kombet e Bashkuara mbeten të paralizuara, aleancat rajonale duhet të veprojnë në përputhje me Kapitullin VIII të Kartës së OKB-së.

Përgjegjësia ndërkombëtare për mbrojtjen e popullsive të rrezikuara tejkalon interesat e ngushta të shteteve individuale. Nëse shtetet më të fuqishme nuk janë të gatshme të dërgojnë trupa për ndërhyrje të drejtpërdrejtë, ato duhet të sigurojnë transportin ajror, pajisjet ushtarake dhe mbështetjen financiare të nevojshme, në mënyrë që shtetet e rajonit të jenë në gjendje të ndërhyjnë për të ndalur gjenocidin.

 

X. MOHIMI

Mohimi është faza e fundit e gjenocidit, por njëkohësisht është i pranishëm gjatë gjithë zhvillimit të tij dhe vazhdon edhe pas përfundimit të krimit. Ai përbën një nga treguesit më të sigurt se mund të pasojnë masakra të tjera gjenocidale. Autorët e gjenocidit zhvarrosin varrezat masive, djegin trupat e viktimave, përpiqen të fshehin provat dhe frikësojnë dëshmitarët. Ata mohojnë se kanë kryer ndonjë krim dhe, shpeshherë, fajin për atë që ka ndodhur ua atribuojnë vetë viktimave. Kur gjenocidi zhvillohet gjatë një konflikti të armatosur ose lufte civile, krimet maskohen si operacione të ligjshme kundër kryengritjes ose si masa të sigurisë.

Autorët pengojnë hetimet mbi krimet e kryera dhe vazhdojnë të qëndrojnë në pushtet derisa të rrëzohen me forcë. Më pas arratisen në mërgim, ku shpesh gëzojnë pandëshkueshmëri, siç ndodhi me Pol Potin ose Idi Aminin, përveç rasteve kur arrestohen dhe dalin para një gjykate ndërkombëtare ose kombëtare.

Gjatë dhe pas gjenocidit, ndodh që juristë, diplomatë dhe aktorë të tjerë, të cilët kundërshtojnë ndërhyrjen vendimtare për ta ndalur krimin, të mohojnë se këto veprime përmbushin përkufizimin juridik të gjenocidit. Në vend të kësaj, ata përdorin eufemizma si “spastrim etnik”. Ata vënë në dyshim mundësinë e provimit të qëllimit për të shkatërruar një grup, duke shpërfillur mijëra vrasje të dokumentuara. Gjithashtu, ata anashkalojnë faktin se imponimi i qëllimshëm i kushteve të jetesës që çojnë në shkatërrimin e një pjese të grupit është, sipas së drejtës ndërkombëtare, një akt gjenocidi. Shpesh pretendohet se vetëm gjykatat mund të përcaktojnë nëse ka ndodhur gjenocid, duke kërkuar prova “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”, ndërkohë që parandalimi i gjenocidit kërkon veprim të menjëhershëm mbi bazën e provave bindëse, jo pritjen e një vendimi gjyqësor përfundimtar.

Përgjigjja më e mirë ndaj mohimit është ndëshkimi i autorëve përmes gjykatave ndërkombëtare ose gjykatave kombëtare. Vetëm në këto forume mund të shqyrtohen provat dhe të vendoset përgjegjësia penale e kryesve. Gjykatat ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Ruandën dhe Sierra Leonen, gjykata për krimet e Khmerëve të Kuq në Kamboxhia, si edhe Gjykata Penale Ndërkombëtare, mund të mos i pengojnë gjithmonë autorët më të vendosur të gjenocidit. Megjithatë, kur ekziston vullneti politik për t’i arrestuar dhe ndjekur penalisht, të paktën një pjesë e tyre mund të vihen përballë drejtësisë.

Edhe drejtësia në nivel vendor, komisionet për të vërtetën dhe pajtimin, si dhe edukimi nëpërmjet sistemit arsimor publik, përbëjnë mjete të rëndësishme kundër mohimit. Ato ndihmojnë jo vetëm në zbardhjen e së vërtetës historike, por edhe në krijimin e kushteve për pajtim dhe në edukimin e brezave të ardhshëm për parandalimin e gjenocidit.

 

 

Nga anglishtja: Rehan Neziri

Burimi: www.genocidewatch.com