Rehan Neziri
A ËSHTË HARAM VOTIMI? APO FRIKA NGA VOTA?
Sa herë që afrohen zgjedhjet në botën shqiptare, në rrjetet sociale shfaqen të njëjtat zëra: votimi është haram (i ndaluar rreptësisht), demokracia është kufër (mosbesim, ateizëm), pjesëmarrja politike është shirk (politeizëm, besim në shumë zota).
Por le të ndalemi për një moment dhe ta pyesim veten: a është vërtet ky qëndrimi i Islamit? Apo kemi të bëjmë me një interpretim ideologjik që ka më shumë lidhje me kulturën politike të disa vendeve sesa me vetë fenë?
E vërteta është se shumica dërrmuese e dijetarëve muslimanë në botë nuk e konsiderojnë votimin as haram, as kufër, as shirk. Përkundrazi, ata e shohin si një mjet legjitim për ta mbrojtur interesin publik, për ta penguar padrejtësinë dhe për të kontribuar në të mirën e përbashkët.
Në fund të fundit, pyetja nuk është nëse demokracia është e përsosur. Nuk është. Asnjë sistem njerëzor nuk është i përsosur. Por, deri më sot, demokracia ka rezultuar të jetë sistemi më i mirë që njerëzimi ka arritur ta ndërtojë për kufizimin e pushtetit, mbrojtjen e lirive dhe garantimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje. (Shpresoj shumë që për këtë fjali të fundit këta "rojtarë" të Islamit të mos më shpallin për qafir, siç e kanë bërë në të kaluarën nga injoranca e tyre). Dhe faktet flasin vetë: shumë nga shtetet më të zhvilluara, më të sigurta dhe më të drejta të botës funksionojnë mbi bazën e institucioneve demokratike.
Prandaj, para se t’i dëgjojmë ligjëratat fetare kundër votimit, është mirë të na tregojnë kritikët e demokracisë se sa mirë funksionojnë sistemet që ata i paraqesin si alternativa. Sa liri ka qytetari atje? A quhet qytetar, madje? Sa mbrohen të drejtat e njeriut? Sa vlen individi përballë pushtetit? Sa mundësi ka ai ta kritikojë sundimtarin pa përfunduar në burg? Dhe mbi të gjitha: sa i reflektojnë në praktikë vlerat islame ato sisteme që e quajnë veten "islame"? (Ia vlenë ta lexojnë këtë studim: How Islamic are Islamic Countries?)
Kush e ka frikë votën?
Nuk është rastësi që shumica e zërave që e shpallin votimin haram vijnë nga vende ku populli nuk është subjekt politik, por thjesht masë; vende ku pushteti nuk fitohet me anë të zgjedhjeve të lira, por nëpërmjet trashëgimisë, emërimeve apo kontrollit të ngushtë të elitave politike; vende ku sundimtari konsiderohet pothuajse i paprekshëm dhe ku dëgjueshmëria ndaj tij shpesh paraqitet si detyrim fetar.
Në këto sisteme është e kuptueshme pse dalin hoxhallarë apo "dijetarë" që e luftojnë idenë e votimit. Ata janë rritur në një kulturë politike ku bindja ndaj sundimtarit konsiderohet virtyt, ndërsa pjesëmarrja aktive e popullit shihet si kërcënim ndaj autoritetit. Për ta forcuar këtë mendësi, shpesh përdoren edhe hadithe të shkëputura nga konteksti, të interpretuara në mënyrë të tillë që çdo kritikë ndaj pushtetit të duket si rebelim ndaj fesë islame.
Në botën shqiptare, për fat të keq, nuk mungojnë "satelitët" e kësaj mendësie. Edhe këtu dëgjon herë pas here të njëjtat slogane, të importuara nga kontekste krejt të tjera politike dhe historike. Të njëjtat "argumente", të njëjtat frikëra dhe i njëjti dyshim ndaj çdo forme angazhimi qytetar.
Por Islami nuk i ka edukuar njerëzit që të jenë turmë. Islami i ka edukuar që të jenë bashkësi e përgjegjshme.
Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Kush prej jush e sheh një të keqe, le ta ndryshojë me dorën e tij; nëse nuk mundet, atëherë me gjuhën e tij; e nëse nuk mundet as këtë, atëherë le ta urrejë me zemrën e tij." (Muslimi)
Në një shoqëri moderne, vota është pikërisht një nga mënyrat më efektive për të ndikuar paqësisht në drejtimin e shoqërisë.
"Vetëm ligji i Allahut" – një slogan që shpesh keqinterpretohet
Një nga argumentet më të përdorura në këtë diskurs është se ligjet e bëra nga njerëzit nuk mund të krahasohen me ligjin e Allahut xh.sh..
Në shikim të parë, kjo tingëllon si një deklaratë e devotshme dhe e pakundërshtueshme. Mirëpo problemi qëndron te mënyra sipërfaqësore se si kuptohet kjo tezë.
Askush nuk e mohon se Allahu xh.sh. është burimi i vlerave më të larta morale. Por shumë prej atyre që flasin kundër votimit nuk e kuptojnë as mënyrën se si funksionon një shtet modern. Ata nuk e kuptojnë ndarjen e pushteteve, procesin e hartimit të ligjeve, debatet parlamentare, kontrollin kushtetues dhe mekanizmat demokratikë që e kufizojnë abuzimin me pushtetin.
Më e çuditshmja është se shpesh nuk e kuptojnë mirë as vetë historinë e së drejtës islame.
Islami nuk është fe e ngrirë në kohë
Një nga gabimet më të mëdha të disa qarqeve konservatore është se e trajtojnë të drejtën islame sikur ajo të ishte një tekst i ngrirë në kohë.
Ata e shohin ndryshimin si kërcënim dhe ngurtësinë si virtyt. Por historia e fikhut islam e tregon krejt të kundërtën. Normat juridike të shpallura në Kur'an dhe të zhvilluara nga juristët klasikë nuk janë formuar në një vakuum historik. Ato janë shpallur dhe janë zbatuar në kontekste konkrete shoqërore, ekonomike dhe kulturore. Juristët muslimanë gjithmonë e kanë marrë parasysh kohën, vendin, zakonet dhe interesin publik. Pikërisht për këtë arsye, tradita juridike islame ka zhvilluar mekanizma si ixhtihadi, maslahaja, istihsani dhe urfi, për t'i dhënë mundësi ligjit islam ta ndjekë ritmin dhe dinamikën e jetës.
Mjafton ta kujtojmë imam Shafiun. Kur jetonte në Irak, ai dha një sërë mendimesh juridike. Kur u shpërngul në Egjipt, i ndryshoi një numër të konsiderueshëm prej tyre. Pse? Sepse kishte ndryshuar konteksti dhe realiteti shoqëror, kulturor dhe ekonomik.
Nëse njëri prej imamëve më të mëdhenj të Islamit mund t’i rishikonte mendimet e tij për shkak të ndryshimit të rrethanave, si mund të pretendojë dikush sot se çdo gjë duhet të mbetet e pandryshuar përgjithmonë?
Ngurtësia nuk është vlerë në vetvete. Kur ajo na pengon ta kuptojmë realitetin, shndërrohet në problem.
Edhe sahabët zgjidhnin dhe zgjidheshin
Disa flasin sikur zgjedhjet të ishin shpikje moderne dhe krejtësisht të huaja për traditën islame.
Por, si u zgjodh Ebu Bekri r.a.?
Si u zgjodh Othmani r.a.?
Si erdhi Aliu r.a. në krye të shtetit?
A nuk ishin këto forma të përzgjedhjes, konsultimit dhe pranimit nga bashkësia?
Natyrisht që nuk ishin zgjedhje moderne sipas standardeve të sotme. Por ato dëshmojnë se edhe në historinë e hershme islame legjitimiteti politik lidhej me pëlqimin dhe konsultimin, jo me pretendimin se pushteti i takonte një individi në mënyrë absolute.
Prandaj ndonjëherë të krijohet përshtypja se disa prej këtyre konservatorëve nuk kanë mbetur në shekullin e shtatë. Ata kanë mbetur edhe më larg.
Nëse nuk merresh me politikë...
Ekziston një thënie që meriton të shkruhet me shkronja të mëdha:
"Nëse muslimanët nuk interesohen për politikë, atëherë do të qeverisen nga politikanë që nuk do të interesohen për muslimanët."
Kjo nuk është vetëm çështje e muslimanëve. Është ligj i jetës publike.
Politika nuk zhduket sepse ti nuk merresh me të.
Vendimet nuk pushojnë së marri sepse ti nuk voton.
Buxheti i shtetit, arsimi, ekonomia, liria fetare, siguria, taksat, ligjet – të gjitha vazhdojnë të vendosen.
Pyetja e vetme është: a do të kesh zë në ato vendime apo jo?
Po, ti ke të drejtë të votosh ose të mos votosh, por nuk ke të drejtë ta shpallësh qafir apo mushrik atë që e përdor të drejtën e tij qytetare që ia njeh po ai shtet që ti e quan "shtet kufri" apo "shtet shirku".
Feja dhe politika nuk janë gjithmonë kundërshtare
Kohët e fundit po dëgjohen edhe disa zëra islamofobë në hapësirën shqiptare që e kundërshtojnë angazhimin politik të hoxhallarëve apo të besimtarëve praktikantë. Sipas tyre, sapo një hoxhë futet në politikë ose sapo një politikan shqiptar musliman e kryen një rit fetar, kjo qenka rrezik për laicitetin dhe shenjë e një "islami politik" të fshehur, të kamufluar.
Por kjo nuk është një logjikë që qëndron. Është qartas element stigmatizimi dhe urrejtjeje.
Në Evropë ekzistojnë prej dekadash parti të fuqishme me traditë të krishterë-demokrate. Askush nuk e konsideron këtë kërcënim për demokracinë.
Ish-presidenti i Gjermanisë, z. Joachim Gauck, ishte një ish-teolog dhe ish-pastor protestant. Ai nuk e kërcënoi laicitetin e shtetit gjerman. Përkundrazi, u respektua si një figurë morale që i shërbeu vendit të tij.
Prandaj problemi nuk është besimi i një personi. Problemi është nëse ai e respekton kushtetutën, ligjin dhe rregullat demokratike.
Këtu shfaqet edhe një paradoks interesant që e kam trajtuar më gjerësisht në një shkrim tjetër me titull "Çfarë kanë të përbashkët islamofobët shqiptarë me disa selefistë shqiptarë?". Në shikim të parë këto dy grupe duken si kundërshtarë të papajtueshëm. Njëri flet në emër të kombit, tjetri në emër të fesë. Njëri e sulmon Islamin, tjetri pretendon se e mbron atë. Megjithatë, kur i analizon më thellë, vëren se të dy e ndajnë një premisë të përbashkët: ata nuk arrijnë ta pranojnë harmoninë midis identitetit shqiptar dhe atij musliman.
Për shumë islamofobë shqiptarë, shqiptari ideal është ai që e zhvesh veten nga identiteti i tij islam, sikur të qenit shqiptar dhe musliman të ishin dy gjëra të papajtueshme. Në anën tjetër, disa selefi-vehabistë e shohin me dyshim çdo shprehje të identitetit kombëtar shqiptar, sikur muslimani i mirë duhet të shkëputet nga historia, kultura dhe trashëgimia e popullit të vet. Në këtë kuptim, mund të thuhet se islamofobët e duan një komb shqiptar pa muslimanë, ndërsa këta selefistë e duan një Islam pa shqiptarë.
Vota nuk është as adhurim (ibadet) as kredo fetare (akide)
Në fund, vota nuk është akt adhurimi ndaj një partie.
Nuk është besëlidhje me një ideologji.
Nuk është shpallje e një partie si të shenjtë.
Vota është përgjegjësi.
Është përpjekje për ta zgjedhur atë që sjell më shumë të mira dhe më pak dëme.
Asnjë parti nuk është e përsosur. Asnjë kandidat nuk është ideal. Por juristët muslimanë na kanë mësuar se kur nuk mund të arrihet e mira absolute, duhet mbështetur e mira më e madhe dhe duhet penguar dëmi më i madh.
Pikërisht për këtë arsye, shumica dërrmuese e dijetarëve muslimanë në botë e konsiderojnë votimin të lejuar, madje në rrethana të caktuara edhe detyrim moral.
Sepse votimi nuk është çështje akideje (besimi, doktrine).
Është çështje përgjegjësie civile, qytetare, për ata që e kuptojnë se çfarë nënkupton ky term!
Dhe historia na mëson një të vërtetë të thjeshtë: kur njerëzit e mirë tërhiqen nga jeta publike, vendin e tyre nuk e zë boshllëku. E zënë ata që nuk do të hezitojnë ta përdorin pushtetin për interesat e tyre.
Kreuzlingen, 06.06.2026

