Pyetja:
Es-selamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu. Allahu ju mëshiroftë për këtë faqen e juaj plot me dituri me përmbajtje islame dhe njëherit ju jam falënderuese për faqen tuaj. Dua të di për "salati tefrixhij" që është 4444 herë, a është salavat apo kam dëgjuar se është për krejt dëshirat e jetës në qoftë se e këndojmë. Më tregoni sa është e vërtetë dhe si këndohet, më tregoni detajisht. Allahu ju mëshiroft me të mira në jetë dhe me xhennetin Firdeus. Ves-selamu alejkum. (Anonim)
Rejhan Neziri: Es-selamu alejkum. Një pyetje e këtillë i është parashtruar edhe një profesorit të së drejtës islame nga Turqia, Dr. Faruk Besher. Ne po e japim këtu të përkthyer nga turqishtja përgjigjen e tij dhënë pyetësit. Me respekt dhe selam!
Salatu tefrixhijje
Pyetje:
“Selam! Unë jam i/e sëmurë dhe në disa libra kam lexuar se një person që 4444 herë e lexon atë që quhet “salatu tefrixhijje” All-llahu xh.sh. ia pranon duanë. Unë dëshiroj ta këndoj këtë dua për shërimin nga sëmundja që kam. A është e saktë dhe e drejtë kjo, apo jo! Ju faleminderit.” (Anonim)
Përgjigje (Dr. Faruk Besher):
Para së gjithash e lus All-llahun xh.sh. që t’jua largojë sëmundjet. All-llahu ju dhëntë shëndet!
Fjala “salat” (shumësi: “salavat”) nënkupton “duatë” që i bëjmë për Muhammedin a.s. Meqë në këtë dua lexohet edhe “salat” edhe “selam” (përshëndetje), kjo ndryshe quhet edhe “salat-u selam”. Ndërsa “salatu-tefrixhijje” do të thotë salat dhe selam dërguar Muhammedit a.s. për të shpëtuar nga ngushtësitë dhe problemet e jetës. Më së shumti haset në pjesën e Afrikës Veriore dhe njihet me emrin “salatu narijjeh”.
Në Kur’anin fisnik thuhet: “Është e vërtetë se All-llahu dhe engjëjt e Tij me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhërojeni pra atë (duke rënë salavatë) dhe përshëndeteni me selam.” (el-Ahzab, 33:56). Salati i All-llahut xh. sh. për Muhammedin a.s. nënkupton “faljen e mëkateve”, salati i melekve për të nënkupton “lutjen për falje të mëkateve të tij”, kurse salati i besimtarëve nënkupton “lutjen për ngritjen e shkallëve (derexheve) të tij”. Sipas kësaj, të këndojmë salat dhe selam për Muhammedin a.s. është një urdhër i Zotit dhe ai që me qëllim së paku një herë në jetë nuk e bën këtë mund të quhet se ka rënë madje edhe në kufër.
Edhe vetë Muhammedi a.s. kërkon prej besimtarëve që t’i këndojnë salat dhe selam dhe thotë se ata që i dërgojnë atij salat dhe selam All-llahu xh.sh. ua kthen atyre të njëjtat dhjetëfish më tepër.
Të lexosh salat dhe selam mbi Muhammedin a.s. dhe të bësh dua e të kërkosh ”tefrixh” (largim të sikleteve dhe vështirësive të jetës) është e ligjshme, e lejuar dhe shpresohet që All-llahu xh.sh. për hatër të Muhammedit a.s. këto dua t’i pranojë më shpejt. Mjafton që ky medet të kërkohet nga vetë Zoti e jo nga Muhammedi a.s. Sepse Zoti prej nesh kërkon që së paku 20 herë në ditë ta përsërisim lutjen: “Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë” (el-Fatihah, 1:4). Mirëpo ne e dimë se Zoti e do Muhammedin a.s. dhe kërkon edhe prej nesh ta duam atë. Dhe tani nëse ne tregojmë se e duam atë duke i kënduar salat dhe selam dhe nëse këto i marrim si ndërmjetës (vesile) për të lypur diçka nga All-llahu xh.sh., shpresojmë se do të pranohet tek Ai më shpejtë.
Këtë që e thamë le të shërbejë si një hyrje për në përgjigjen e pyetjes.
Se në çfarë forme, pra me çfarë fjalësh, duhet ta këndojmë salatin dhe selamin, nuk kemi ndonjë urdhër të prerë. Mund të përdorim çfarëdo një formë. Mirëpo kur e kanë pyetur Muhammedin a.s. se si t’i dërgojmë salat dhe selam atij, ai është përgjigjur duke thënë të këndojmë “salavatet” që i këndojmë rregullisht në namaz, pra: “All-llahumme sal-li ala Muhammed...” dhe “All-llahumme barik ala Muhammed...”. Mund të themi se këto janë format më të bukura të këndimit të salatit dhe selamit. Mirëpo, pse Pejgamberi a.s. na ka mësuar këto salate e selame, kjo nuk do të thotë se ne nuk guxojmë të përdorim edhe forma të tjera, madje këtë nuk e ka ndaluar askush deri më sot. Me rëndësi është të lexosh salat dhe selam, kurse fjalët që i përdorim me këtë rast janë të dorës së dytë. Sigurisht që nuk është e lejuar të lexohen këto duke përdorë fjalë teprimi dhe skajshmërie.
Edhe një hollësi ka këtu për t’u përmendur: Ne vetëm All-llahut i bëjmë iradet dhe vetëm prej Tij ndihmë kërkojmë. Duhet të jetë nga arsyeja për ta kuptuar saktë e drejtë nderin që ka Pejgamberi a.s. te Zoti, ne porositemi nga Zoti që në namaze edhe atij t’i këndojmë salat, pra të bëjmë dua për të.
Fjalët e salatit dhe selamit që njihen me emrin “salatu tefrixhijje” nuk hasen nëpër përmbledhjet e haditheve. Hasen vetëm nëpër libra të shiitëve dhe në disa libra të Magribit (shteteve të Afrikës Veriperëndimore). Edhe te ne ata që kanë shkruar libra duash këtë lloj salati e kanë marrë prej tyre dhe e kanë vënë në përmbledhjet e veta të duave. Arsyeja e përhapjes dhe e afirmimit të këtyre duave apo përmbledhjeve të duave qëndron aty se autorët e këtyre librave për këtë e dua të tjera kanë shkruar si komente se ai që e lexon këtë dua kaq e kaq herë do ta gjejë kjo e kjo e mirë. Krejt këtë e kanë bërë për ta rritur tirazhin e shitjes së atyre librave.
Mirëpo ky salat dhe selam, me kusht që të interpretohet në mënyrë të shëndoshë, përbëhet nga fjalë që kanë kuptim të mirë. Andaj edhe nuk ka ndonjë pengesë për t’u lexuar. Mirëpo nuk ka asnjë mbështetje që këtij salati dhe selami t’i jepet ndonjë vend i posaçëm e të çmohet më shumë se format tjera të salavateve. Madje sipas një komentimi selefij kam lexuar se ky salat dhe selam përmban kuptime të gabuara. Pra, në të ka aso fjalë që, varësisht se për çka e keni qëllimin, mund të marrin si kuptime të mira e të pranueshme ashtu edhe të papranueshme e të palejueshme.
Me siguri dikë e ka kapluar ndonjë dert dhe me këto fjalë që i kanë ardhur nga zemra ka kënduar gjatë e gjatë salat e selam dhe ka kërkuar nga All-llahu xh.sh. që t’ia largojë (tefrixh) atë dert, ndaj edhe All-llahu mbase mund t’ia ketë pranuar këtë lutje. Më pastaj, këtë lexim të gjatë e kanë kufizuar në një shifër 4444, me qëllim që të mbahet mend më lehtë dhe kanë thënë që ai i cili e lexon këtë salat dhe selam kaq e kaq herë All-llahu do t’ia largojë dertin që ka. Ndërkaq ne e dimë se ka një sërë kushtesh e arsyesh për pranimin e duave (lutjeve), si: sinqeriteti i lutësit, lutësi të ketë hequr keq apo ta ketë përjetuar dënimin aq shumë sa ta meritojë faljen, të bëjë lutje me gjithë zemër e shpirt, të bëjë lutje pasi të ketë bërë ndonjë punë të mirë, të hajrit, lutësi të jetë velij (njeri i dashur) i Zotit, duanë ta ketë bërë në kohë e në vende të caktuara dhe kështu duanë që e bën ta ketë bërë në formë të duasë së emrit më të madh të Zotit... Prandaj, nëse dikush ka bërë dua e salavat në këtë formë dhe me kaq shifra dhe si rezultat e ka arritur atë që e ka lypur prej Zotit, nuk do të thotë që gjithsecili duhet ta bëjë në këtë formë dhe kaq e kaq herë. Bile bile, nëse dikush në vend që ta lypë prej Zotit atë që ka nevojë, u mbështetet vetë fjalëve të këtij salavati apo vetë shifrës 4444 dhe këtë e konsideron për kod apo formulë magjike dhe efektive në arritjen e rezultatit, jo që është sevap, porse, ruana Zot, mund të jetë edhe shirk (politeizëm).
Si për fund mund të themi se fjalët që njihen me emrin “salatu tefrixhijje” ose “salatu narijje”, janë fjalë që një njeri i panjohur i ka tubuar dhe formuluar në këtë trajtë dhe sipas një komenti ato përmbajnë kuptime shumë të mira. Nuk ka asgjë të keqe që Pejgamberit a.s. t’i dërgohet salat dhe selam me këto fjalë, madje është edhe më mirë nëse ai që e këndon këtë t’ia dijë kuptimin. Mirëpo, siç thamë, nëse medet e shërim pritet prej vetë këtyre fjalëve apo prej përsëritjes së caktuar të tyre, kjo mund ta largojë atë nga All-llahu xh.sh. e jo ta afrojë. Duke dashur të vëmë vetulla të mos i nxjerrim dhe sytë. Pra, këto salavate duhen lexuar me vetëdije dhe duke e pritur medetin prej Zotit. Plus kësaj, nuk duhet besuar se duaja që bëhet me këto fjalë 100 % do të jetë e pranuar nga Zoti. Pra, këtyre fjalëve e shifrave nuk duhet veshur ndonjë lloj shenjtërie. Sepse e shenjta vjen prej Zotit, ndërkaq as Zoti Vetë po as Pejgamberi i Tij neve nuk na kanë mësuar këto fjalë. Pra, nuk e kemi të njohur se Zoti u ka dhënë shenjtëri këtyre fjalëve.
Më poshtë e keni tekstin në origjinal në gjuhën arabe, pastaj me shkronja latine si dhe përkthimin shqip të asaj që quhet “salatu tefrixhijje”:
"All-llahumme sal-li salâten kâmileten ve sel-lim selâmen tâmmen alâ-sejjidina Muhammedin el-ledhi tenhal-lu bihi'l 'ukadu ve tenferixhu bihi'l-kurabu ve tukdâ bihi'l-havâixhu ve tunâlu bihi'r-ragâibu ve husnu'l-havâtimi ve justeska'l-gamâmu bi-vexh'hihi'l-kerîmi ve 'alâ âlihi ve sahbihi fî kul-li lemhatin ve nefesin bi-'adedi kul-li ma'lûmin lek."
Kuptimi:
"O Allahu im! Bëj salat dhe selam të plotë mbi zotëriun tonë Muhammedin, për hatër të të cilit zgjidhen nyjet, shpërndahen e largohen sikletet, potësohen nevojat, arrihen dëshirat dhe qëllimet e mira si dhe rretë lëshojnë shiun. Po të njëjtat bëji edhe mbi familjen dhe mbi shokët e tij për çdo moment e për çdo frymë, për aq herë sa njeh dhe di Ti".