Pyetja:
A mundet si zëvendësim për kurbanin t'u jepen para atyre që do t'u jepej mishi i kurbanit? (Mirsadi)
Përgjigjja:
Jo nuk mundet. Ngase ai person që i plotëson kushtet ai e ka vaxhib të therrë kurban. Nëse në vend të kurbanit ai paratë sa kushton një kurban ia jep apo ia dërgon një të varfëri apo nevojtari që ato para t'i shfrytëzojë për nevojat e tij, ky dhënësi i këtyre të hollave quhet se ka dhënë sadaka (lëmoshë) e jo se ka prerë kurban. Me këtë rast ky është pa kurban. Nëse i ka dhënë ato para ashtu dhe ka mbetur pa kurban, ky tani edhe një herë, nëse ka mjete materiale, do të presë vetë kurban ose do t'ia paguajë ndonjë institucioni fetar që ato ta presin pastaj për të e mishi të ngelë për nxënësit e medreseve.
Mundësia për t'i ndihmuar një të varfëri përmes kurbanit është vetëm me mish kurbani. Kështu që, atij mund t'i jepet komplet tërë mishi i kurbanit ose një pjesë e tij, ose t'i jepen paratë sa kushton një kurban që me ato para ai ta blejë kurbanin, ta presë për paguesin e në emrin e tij, e pastaj mishin e atij kurbani ta shfrytëzojë për nevojat e veta personale, ose dhe mund ta shesë. Mirëpo kusht është që kurbani të jetë prerë, edhe atë për paguesin e atij kurbani. Përndryshe, siç thamë, paguesi mbetet pa kurban.
Një mundësi për ta ndihmuar financiarisht një të ngratë me para kurbani, është rasti kur muslimani i cili ka mundësi të therë kurban, mirëpo për arsye të caktuara nuk arrinë ta therë atë brenda ditëve kur është e caktuar prerja e kurbanit (prej mbas namazit të Bajramit e deri në namazin e ikindisë së ditës së tretë të Bajramit), tani ky person për t'u shkarkuar nga borxhi që e kishte të therë kurban, paratë sa kushton një kurban ia jep sadaka (lëmoshë) një të varfëri me qëllim zëvendësimi për kurbanin e paprerë.