Pyetja:
A lejohet të bëhet imam personi që s'mund të qëndrojë në këmbë gjatë namazit për shkak të ndonjë sëmundjeje dhe të falet ulur në ndonjë karrike, ndërsa xhemati të falen në këmbë? Faleminderit për mirëkuptimin!
Përgjigjja:
Për shumëçka në raport imam -
Nëse imam duhet të dalë dikush nga xhemati, ata maten ndërmjet vete sipas këtyre vetive dalluese që duhet t'i ketë ndonjëri prej tyre për të pasur përparësi ndaj të tjerëve: të jetë personi që i njeh më mirë rregullat e fesë e të namazit, te dijë të lexojë drejt e pa gabime disa pjesë nga Kur'ani, të jetë njeri i devotshëm, të jetë i moshëritur, me veti të mira morale, me zë të bukur, me fytyrë të bukur, me prejardhje të mirë, pedant në të veshur... Krejt këto merren parasysh sipas radhës si kritere nëse në atë mes ka disa që i plotësojnë kushtet paraprake njësoj, për t'u dalluar më pas merren në konsideratë këto të mëposhtmet. Nëse në të gjitha këto kritere dy ose më tepër persona janë të barabartë, atëherë midis tyre tërhiqet short.
Një pyetje që shpesh parashtrohet me këtë rast është kjo si e juaja, respektivisht a mund të dalë imam një person që për shkak të sëmundjeve nuk mund të qëndrojë në kijam, për personat (xhematin) që kijamin e bëjnë më këmbë?
Imam Ebu Hanife dhe nxënësi i tij Ebu Jusufi mbajnë qëndrimin se personi i cili ka marrë abdest duke u dhënë mes'h mesteve mund të dalë imam për ata që i kanë larë këmbët gjatë marrjes së abdestit të fundit; personi i cili ka marrë tejemum mund të dalë imam për ata që kanë marrë abdest; personi i cili namazin e falë ulur mund të dalë imam për ata që falen më këmbë; personi i cili është i kërrusur mund të dalë imam për ata që falen drejtë. Në këto rastet e fundit mendim të kundërt ka nxënësi i dytë i Ebu Hanifes, Imam Muhammedi.
Përfundimisht, nëse imam del personi që i ka këto veti munguese të fundit përkundër të tjerëve pa këto të meta, ai namaz pra është i vlefshëm, mirëpo do të ishte më mirë që personi i cili del imam, të mos i ketë as edhe këto mangësi.