Pyetja: 

Es-selamu alejkum, hoxhë i nderuar, dëshiroj t'ju pyes: Kam filluar të falem në moshën 40 vjeçare dhe dua të di a mund të falë namaze të kaluara që nuk i kam falë prej moshës së re, d.m.th. namaze kaza. A është kjo larje borxhesh për atë që nuk jam falë më parë. Ju përshëndes, ves-selamu alejkum! (Sara)




 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Përgjigjja: 

Obligim i çdo muslimani dhe muslimaneje, që kanë hyrë në moshën madhore dhe nuk kanë asnjë pengesë (siç është menstruacioni, humbja e vetëdijes, frika nga armiku etj.), pesë kohët e namazit t’i falin në kohët e tyre të caktuara, ngase All-
llahu xh.sh. thotë: „Vërtet falja (namazi) u është bërë detyrim besimtarëve në kohë të përcaktuar“, Sureja en-Nisa’:103. Besimtari është mëkatar (gjunahqar) i madh nëse pa asnjë arsye e lë namazin pa e falur në kohën e vet. Për t’u shpaguar prej këtij obligimi jo vetëm që duhet falur atë namaz kaza, porse duhet edhe teubeh (pendim i sinqertë) e ndoshta sipas mundësisë edhe me shkuar në haxh. Me faljen e namazit kaza kryhet detyrimi ndaj Zotit, mirëpo nuk mund të fshihet edhe mëkati për vonesën e atij namazi, prandaj pos faljes së namazit kaza, duhet edhe një pendim i sinqertë.



Për atë se namazet që nuk janë falur në kohën e vet të caktuar duhen falur kaza, kemi dëshmi hadithet po edhe vetë praktikën e vetë Muhammedit a.s. Kështu në një hadith që e përcjell Ibni Mes’udi r.a. në luftën e Hendekut Pejgamberit a.s. dhe shokëve të tij u kalojnë tri kohë namaz pa i falur në kohën e vet, ngase ishin të zënë me përgatitjet për t’u mbrojtur nga armiku. Vonë në një pjesë të natës, Pejgamberi a.s. e porosit muezzinin e tij, Bilalin r.a. ta thërrasë ezanin. Ai e thërret ezanin e pastaj bën edhe ikamet dhe e falin me xhemat namazin e drekës, pastaj sërish bën ikamet dhe e falin namazin e ikindisë, sërish Bilali bën ikamet dhe e falin namazin e akshamit dhe më në fund bën edhe një herë ikamet dhe e falin namazin e jacisë. Hadithin e shënojnë në përmbledhjet e tyre Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ahmedi. Në një hadith që e përcjell Ibni Abbasi r.a. Pejgamberi a.s. ka thënë: “E drejta e All-llahut është më meritore për t’u realizuar”. Një prej të drejtave të Zotit ndaj nesh, e që nga ana tjetër është obligim yni, është edhe namazi, të cilin herët a vonë duhet paguar. Duke u mbështetur në këto dhe në mjaft hadithe e praktika të ndryshme nga jeta e Pejgamberit a.s., katër muxhtehidët më të mëdhenj islamë, Ebu Hanifja, Shafiu, Maliku dhe Ahmedi kanë përfunduar se ashtu siç është farz falja e namazit në kohë, po ashtu është farz edhe falja e namazit që për ndonjë arsye ka mbetur kaza. Madje thonë se duhet përshpejtuar me faljen e këtyre namazeve që kanë mbetur pa u falur në kohën e vet dhe pas çdo namazi duhet bërë një dua e lutje me gjithë zemër në të cilën do të kërkohet nga Zoti falje për vonesën e tyre.



Një person që di sa kohë namazi i kanë kaluar, ai do të falë kaza po aq namaze sa i kanë mbetur. Kurse për një tjetër që nuk di se sa namaze kaza i kanë mbetur, ai do të falë kaza derisa të bindet se mund t’i ketë falur të gjitha ato namaze që i kanë mbetur pa falur në kohën e tyre të caktuar. Këtu ndoshta është e rrugës të përmendim se gruaja gjatë menstruacionit të rregullt të saj si dhe pas lindjes së fëmijës derisa ajo është me gjakderdhje, ajo nuk guxon të falë namaz dhe ato namaze që i kalojnë kështu për këtë arsye pa i falur, ajo nuk i përsërit më dhe nuk i fal kaza. Ajo është e liruar nga ky obligim, për aq kohë sa kanë zgjatur këto periudha të saj.



Koha se kur mund të falet namaz kaza nuk është e përcaktuar dhe e kufizuar në ndonjë kohë të veçantë, përpos asaj se janë vetëm nja tri kohë të shkurtra në të cilat nuk guxon të falet asnjë namaz, prandaj as edhe namazet kaza, e ato janë: duke lindur dielli deri sa fillon të shkëlqejë, kur ai është në zenit apo në kupë të qiellit derisa të fillojë të anojë pak kah perëndimi dhe koha e tretë është kur ai e humb shkëlqimin e vet dhe derisa perëndon tërësisht. Nuk është patjetër të pritet të vijë koha e jacisë e që pastaj të falen namazet kaza. Mjafton që të mos jetë ndonjëra prej këtyre tri kohëve dhe ato duhen falur sa më herët që të jetë e mundur e të mos pritet ndonjë kohë më e përshtatshme, sepse ajo mund edhe të mos vijë kurrë.



Sido që të jetë, kurdo që të kthehesh nga Zoti nuk është vonë, mjafton që ky kthim kah Zoti të jetë një kthim i njëmendtë dhe serioz. Kurdo që të kthesh nga e gabuara del fitimtar.