Shoku i vërtetë



Na ishin një herë nja dy shokë. Njëri ishte i ngathët, i drejtë dhe i qetë, kurse tjetri shumë i shkathtë, i zgjuar dhe i lëvizshëm. Një ditë ky i shkathëti shkon te shoku i vet dhe i thotë se ka probleme në punë dhe lyp prej tij para. Shoku i sinqertë nuk ia prish dëshirën dhe pa një pa dy ia jep të gjitha paratë që kishte. Ky i merr paratë dhe e rregullon situatën e vet. Pas një kohe, i shkathëti vjen sërish te shoku i vet dhe i thotë që të hiqte dorë nga vajza me të cilën ai ishte i fejuar dhe priste martesën, duke i thënë se ky e donte shumë këtë vajzë, pra të fejuarën e shokut të vet. Shoku u habit tej mase. Nuk dinte çfarë t'i thoshte. Mirëpo, midis tyre ekzistonte një dashuri aq e madhe dhe e fuqishme, saqë nuk mund t'i thoshte shokut "Jo". Si pasojë ky heq dorë nga e fejuara. 

Me kalimin e kohës, këtij të ngathëtit nuk i shkojnë punët mbarë dhe përnjëherë i vjen ndërmend shoku i vet. Shkon te vendi i punës së shokut duke menduar se do t'i ndihmonte pasi që edhe ky i kishte ndihmuar atij kur ai kishte qenë ngushtë. Kërkon prej tij që t'i gjente vend pune në punëtorinë e vet, mirëpo ai nuk i gjeti dot. Kthehet prapë i mbushur plot dëshpërim e pendesë. Mirëpo, prapë, nuk mund të zemërohej me shokun që kishte. 

Një ditë, duke ecur rrugës, atij i afrohet një plak i sëmurë. I thotë djaloshit se ishte i varfër dhe se nuk mund t'i blinte ilaçet. Djaloshit i dhimbet fort plaku, shkon ia blen ilaçet, e çon në shtëpinë e vet, e shtrinë në shtrat për t'u qetësuar dhe vazhdojnë të bisedojnë për një kohë... Pas disa ditësh djaloshi merr vesh se plaku kishte ndërruar jetë... Plaku kishte qenë shumë i pasur dhe gjithë mallin e tij ia kishte lënë trashëgim djaloshit të ngathët. 

Ky i ngathëti, me pasurinë që i kishte lënë plaku, dhe paksa me zemër të thyer ndaj shokut të vet, shkon dhe blenë një shtëpi karshi punëtorisë së tij... Një ditë, vjen një lypëse plakë dhe i troket derës së djaloshit. Plaka i thotë se është shumë e uritur dhe kërkon prej djaloshit t'i jepte diçka për të ngrënë. Djaloshi, pa menduar fare, e merr plakën brenda dhe ia ngop barkun me ushqim të ngrohtë. Ky dëgjon prej saj se ajo ishte e vetme, ndaj i thotë se edhe ky ishte i vetmuar fare. I thotë plakës që nëse ajo donte, mund të rrinte bashkë me të, t'i bënte punët e shtëpisë dhe të përgatiste ushqimin... Gruaja plakë, pa menduar fare, e pranon menjëherë propozimin e djaloshit. 

Pas një kohe, plaka i drejtohet djaloshit të ngathët duke i thënë se duhej të gjente një vajzë të përshtatshme dhe të martohej me të. Djaloshi i thotë se nuk dinte si ta gjente dhe nuk dinte a kishte dot ndonjë të tillë. Plaka i thotë se ajo e njihte një dhe se nëse ky donte mund ta takonte me të... Dhe pas shumë takimesh me vajzën, këta dy të rinjtë vendosin të martohen. I përgatisin dhe i shpërndajnë ftesat për dasmë... Djaloshi edhe pse me zemër të thyer, përsëri nuk kishte mund ta harronte shokun e vet të ngushtë. Andaj edhe atij i dërgon një ftesë.

Dhe ja, dita e dasmës erdhi... Në sallonin e mbushur plot mysafirë, djaloshi e merr mikrofonin dhe fillon t'u tregojë mysafirëve krejt atë çfarë i kishte ndodhur në jetë: "Dikur kam pasur një shok të cilin e doja shumë fort. Një ditë, kur s'i shkonte mbarë, erdhi dhe më kërkoi para borxh. Ia dhashë të gjitha që kisha. Një herë tjetër më tha se e pëlqente shumë të fejuarën time dhe kërkoi prej meje të hiqja dorë prej saj. Me zemër të thyer e të përgjakur, e braktisa edhe të fejuarën... Thjesht nga arsyeja se ne ishim shokë të vërtetë. Nuk kisha dëshirë t'ia prishja qejfin shokut... Kur më vonë mua s'më shkonte mbarë, shkova te punëtoria e tij dhe e luta të më gjente punë. Mirëpo ai nuk më dha punë. U dëshpërova shumë. Mirëpo, prapëseprapë, nuk jam i zemëruar me shokun tim. Sepse ne ishim shokë të vërtetë." 

Me të dëgjuar këto fjalë, shoku i shkathtë nuk duron dot dhe e merr mikrofonin në dorë dhe fillon edhe ky të flasë: "Edhe unë dikur kam pasur një shok të vërtetë që e doja fort. Kur nuk më shkoi mbarë, kërkova prej tij para. Ai m'i dha të gjitha paratë që kishte... Më vonë ia kërkova të fejuarën. I dëshpëruar dhe i brengosur, ai e braktisi edhe të fejuarën. Mirëpo, arsyeja pse kërkova të ndahej nga e fejuara ishte se ajo vajzë nuk meritonte të bëhej grua e tij. Meqë shoku im ishte i ngathët dhe s'e kuptonte dot këtë, unë vetëm në këtë mënyrë mund ta shpëtoja... Kur ishte ai në zor, erdhi tek unë dhe kërkoi ta punësoja, mirëpo unë nuk mund ta shihja shokun tim më të ngushtë të punonte nën komandën time. Për këtë arsye dhe nuk i gjeta punë... Plakun që ai e takoi në rrugë, ishte babai im. Ai ishte pranë vdekjes. Atë unë e dërgova te shoku im dhe unë i thash atij që gjithë pasurinë t'ia linte trashëgimi atij... Gruaja plakë që erdhi të lypte te porta e tij ishte nëna ime. Unë e dërgova atë te shoku që ai të jetonte më mirë e më lehtë... Kurse gruaja me të cilën ai sot po martohet, është motra ime më e vogël. Unë e binda atë që të martohej me shokun tim...

Mysafirë të nderuar, ja, kjo është miqësia dhe dashuria jonë."