Drucken
Kategoria: Aktivitete
Lexuar: 23631 herë

 

Sot, më 2 tetor 2016, xhamia jonë festoi dyfish:

1. Vitin e ri hixhrij 1438
2. Pagesën e borxhit ndaj bankës

Në ora 10 nisi, si zakonisht, mësimi fetar me fëmijët e mektebit. Sot nuk pati mësim, sepse ishte ditë feste. Nxënësit ngjyrosën shkrime të ndryshme me mesazhe urimi për vitin e ri islam, frynë ballonë, ngjitën figurën e devesë nëpër mure e dritare, si simbol i përkujtimit të hixhretit të Muhammedit a.s., bashkë me Forumin e Grave të xhamisë nxënësit përgatitën brumin e biskotave, pastaj ua dhanë format e yjeve, zemrave, hënave etj. dhe i poqën - ngase ishte festë, dhe nxënësit pritej ta mbanin këtë ditë feste duke i futur edhe vetë duart në brumë, për ta mbajtur mend më mirë këtë ditë të veçantë. Në fund të kësaj pjese, mualimi Neziri ua sqaroi nxënësve edhe rëndësinë e hixhretit dhe lidhjen që ka me kalendarin islam.

Më pastaj, në oborrin e xhamisë, kryesia e xhamisë bashkë me Forumin e të Rinjve dhe me vullnetarë të tjerë, kishin skuqur tanimë suxhukët dhe pleskavicat e para për fëmijët.

Pas namazit të drekës, imami R. Neziri, mbajti një fjalim të shkurtër lidhur me rëndësinë e vitit të ri islam, mënyrën se si llogaritet kalendari islam dhe zanafilla e tij, duke e përmbyllur me falënderimin ndaj të gjithë atyre që në çfarëdo forme qoftë, madje edhe duke mos folur keq lart e poshtë, në kohën e realizimit të projektit të blerjes, adaptimit për nevojat e saj dhe deri më sot kur edhe është paguar borxhi ndaj bankës. Imami Neziri theksoi se kjo xhami nuk është thjesht vetëm një objekt faljeje, porse është një qendër për kultivimin e Islamit të mirëfilltë, që gjeneratat e para të ardhura këtu në Kreuzlingen, sot po ua lënë trashëgim fëmijëve dhe nipave e mbesave të tyre. Sot, ju keni me çka mburreni!

Më pastaj, të gjithë të pranishmit, u shërbyen me ushqimin dhe ëmbëlsirat që kryesia e xhamisë, Forumi i të Rinjve dhe Forumi i Grave të xhamisë sonë, i kishin përgatitur për të pranishmit. Të gjithëve, pa përjashtim, u takon nga një falënderim i madh, jo vetëm për ditën e sotme, por edhe gjatë gjithë kohës së realizimit të objektit të xhamisë sonë nga fillimi në vitin 1993 e deri më sot.

Po, xhemati i Kreuzlingenit, ka të drejtë sot të mburret me trashëgiminë që po ua lë mbas fëmijëve dhe gjeneratave që vijnë.

All-llahu xh.sh. i shpërbleftë të gjithë me më të mirat e Tij të pafundme dhe e shtoftë bereqetin dhe begatitë e Tij në familjet e tyre, në këtë dhe në botën tjetër.

 

Ju lumtë!

 

Më poshtë, disa foto nga festa e sotme: