Rehan Neziri

 

Ramazani nuk është vetëm një kohë e përmbajtjes nga ushqimi dhe pija; ai është një itinerar i brendshëm, një udhëtim i kthimit drejt vetvetes. Në një botë të përshpejtuar, ku njeriu shpesh shpërndahet në mijëra drejtime, muaji i bekuar e thërret të ndalet, të heshtë dhe të reflektojë. Agjërimi bëhet kështu një akt i thellë vetëdijësimi, një shkollë e përqendrimit dhe e rivendosjes së ekuilibrit të humbur.

Agjëruesi, duke u përmbajtur nga nevojat më themelore trupore, e përjeton një zhvendosje të brendshme: nga qendra e vetëmjaftueshmërisë egocentriste drejt vetëdijes për varësinë e tij. Uria dhe etja ia rikujtojnë atij se ai nuk është qendra e universit, por një qenie – gjithsesi shumë e vlefshme - e vendosur në një rend të madh kozmik.

Ramazani, pra, e mëson njeriun të meditojë mbi vendin e tij në kozmos – mes tokës dhe qiellit, mes materies dhe shpirtit, mes përkohshmërisë dhe amshimit. Ai e kupton se ekzistenca e tij nuk është e rastësishme, por e qëllimshme; jo e izoluar, por e ndërlidhur me gjithë krijimin.

Agjërimi e detyron njeriun ta bëjë dallimin mes nevojave fiziologjike dhe atyre shpirtërore. Trupi kërkon ushqim, pushim, kënaqësi të menjëhershme. Shpirti kërkon kuptim, qetësi, lidhje me të Përhershmin.

Në jetën tonë të përditshme, shpesh nevojat trupore dominojnë dhe e errësojnë horizontin e brendshëm. Por kur agjëruesi përmbahet nga e lejuara, e kupton se ai nuk është vetëm një trup që konsumon, por edhe një shpirt që synon lartësimin. Kjo ndarje e qartë mes trupores dhe shpirtërores nuk ka për qëllim përbuzjen e trupit, por vendosjen e tij në shërbim të një synimi më të lartë.

Epoka moderne karakterizohet nga një konsumerizëm i pashoq, ku çdo gjë – natyra, puna, marrëdhëniet, madje edhe vetë njeriu – vihet në funksion të eksploatimit të të mirave të kësaj bote. Në këtë horizont të pangopshëm, akumulimi shndërrohet në ideal, ndërsa masa e suksesit bëhet sasia e zotërimit. Njeriu modern, i mësuar me logjikën e përvetësimit të pafund, është i gatshëm të hyjë madje edhe në luftëra shkatërrimtare, deri në përmasa botërore, për hir të interesave materiale. Agjërimi, si kundërpeshë e kësaj prirjeje, do t’ia mësonte atij se edhe ndryshe bën, se edhe me më pak bën; se kjo tokë është e gatshme ta ushqejë secilin banor të saj dhe se askush nuk duhet të shihet i tepërt në të. Ai e çliron njeriun nga iluzioni i mungesës së përhershme dhe e udhëzon drejt etikës së mjaftueshmërisë.

Agjërimi është një vetë-abstenim nga gjërat e lejuara, brenda një kohe të caktuar – nga imsaku deri në iftar – dhe me një qëllim (nijet) të qartë. Kjo e bën atë një ushtrim të disiplinës së brendshme.

Të përmbahesh nga e ndaluara është obligim i përhershëm moral; por të përmbahesh nga e lejuara për hir të një qëllimi më të lartë është një akt i vetëdijshëm edukimi. Pikërisht këtu qëndron dimensioni formues dhe edukues i agjërimit: ai e kalit shpirtin, e forcon vullnetin dhe e mëson njeriun se liria e vërtetë nuk qëndron në plotësimin e çdo dëshire, por në aftësinë për ta kontrolluar atë.

Epoka jonë karakterizohet edhe nga një prirje e theksuar për vetë-ekspozim. Çdo përjetim shpërndahet, çdo veprim publikohet, çdo ndjenjë bëhet spektakël. Në këtë kontekst, agjërimi është një akt i heshtur. Ai është një marrëdhënie e fshehtë mes njeriut dhe Zotit, e padukshme për syrin e jashtëm.

Agjëruesi mëson të largohet nga nevoja për t’u dukur dhe të ecë drejt vetëkontrollit. Ai e kupton se vlera e veprës nuk qëndron në miratimin e publikut, por në sinqeritetin e brendshëm. Vetëkontrolli i fituar me anë të agjërimit nuk mbetet i kufizuar në orët e ditës; ai shndërrohet në një cilësi karakteri, në një maturi që e shoqëron edhe pas përfundimit të ramazanit.

Megjithatë, ekziston një ironi e dukshme: në kohën kur agjërimi do të duhej të na mësonte thjeshtësinë dhe modestinë, shpesh theksohen aspektet materiale. Iftare me sofra të stërmbushura, teprime në ushqim dhe shpërdorim që përfundon në mbeturina – këto janë pamje që bien në kundërshtim me frymën e agjërimit.

Agjërimi synon ta zgjojë ndjeshmërinë ndaj mungesës, ta kultivojë mirënjohjen për atë që e kemi dhe të na mësojë kënaqjen me të mjaftueshmen. Kur iftari shndërrohet në garë luksi, mesazhi i tij zbehet. Në vend që të jetë çast falënderimi dhe thjeshtësie, ai rrezikon të bëhet manifestim i bollëkut të shfrenuar.

Ramazani na fton të rikthehemi te esenca: te buka e thjeshtë që shijohet me vetëdije, te gota e ujit që pihet me mirënjohje, te zemra që rreh me ndjeshmëri për ata që nuk kanë. Ai na mëson se pasuria e vërtetë nuk është në tepricën e sofrës, por në qetësinë e shpirtit.

Në vend të përmbylljes, “Ramazani – muaji i kthimit drejt vetvetes” nuk është vetëm një slogan, por një program jetësor. Ai e fton agjëruesin të reflektojë mbi pozitën e tij në kozmos, mbi natyrën e dyfishtë trup-shpirt, mbi kalitjen e brendshme me anë të vetë-abstenimit dhe mbi domosdoshmërinë e vetëkontrollit në një botë të etur për ekspozim.

Nëse ky kthim ndodh me sinqeritet, ramazani nuk do të mbetet thjesht një periudhë kalimtare, por do të bëhet një pikë kthese – një rilindje e heshtur e njeriut që e gjen veten duke e tejkaluar vetveten.