Claudia Dantschke 

 

PSE RADIKALIZOHEN TË RINJTË? *

 

Lexo këtë artikull në PDF

 

Ju përshëndes përzemërsisht dhe dëshiroj gjithashtu të shpreh se jam shumë e lumtur që sot jam e ftuar këtu. Ne njihemi që moti këtu. Këshilli Islamik (Islamrat) dhe Milli Görüş – njihemi vërtet prej shumë, shumë vitesh. Fakti që sot marr pjesë në këtë konferencë kaq të shkëlqyer dëshmon se konceptet e ngurta dhe etiketimet statike në të vërtetë nuk kanë peshë vendimtare; përkundrazi, gjithçka është në rrjedhë të pandërprerë, gjithçka është në lëvizje dhe transformim. Mënyra se si bashkëpunojmë sot këtu përbën dëshminë më të mirë të kësaj. Gjithçka mund të ndryshojë, gjithçka mund të zhvillohet dhe të përparojë më tej.

Ndoshta një sqarim paraprak: unë nuk punoj më si gazetare; sot jam aktiviste. Veproj në fushën e deradikalizimit. Një gazetar duhet të jetë neutral, dhe pikërisht për këtë arsye nuk e ushtroj më profesionin e gazetarisë, edhe pse kjo ende figuron në biografinë time. Kjo i përket së kaluarës. Sot nuk jam këtu në rolin e një gazetareje hulumtuese për të vëzhguar se çfarë po bën sërish Milli Görüş-i, siç kam bërë dikur. Tani synimi është që së bashku me Milli Görüş-in dhe Këshillin Islamik të diskutojmë: ku qëndrojnë problemet? Kush radikalizohet në të vërtetë? Përse radikalizohen njerëzit? Këto janë pyetjet që më interesojnë dhe që i konsideroj thelbësore.

Natyrisht, ne flasim shpesh për të rinjtë, por radikalizimi nuk është një fenomen që kufizohet vetëm te rinia. Megjithëse periudha e moshës në të cilën njerëzit shfaqin më shumë prirje ndaj radikalizimit zakonisht shtrihet ndërmjet 16–17 dhe 27 vjeç. Kjo është grupmosha ku shifrat paraqiten disi më të larta, edhe kur bëhet fjalë për atë që quhet „xhihadizëm“. Po e përdor për momentin këtë term, sepse, për fat të keq, muxhahedinët e „Shteti Islamik“ (IS) e kanë përvetësuar dhe e kanë ngarkuar me kuptime të caktuara. Megjithatë, në zonat e konfliktit nuk kanë udhëtuar vetëm të rinj; ka pasur edhe persona shumë mbi moshën tridhjetëvjeçare, madje edhe mbi dyzet vjeç. E njëjta gjë vlen edhe për ekstremizmin e djathtë, si dhe për format e tjera të ekstremizmit.

Sot do të paraqes, duke e marrë si shembull selefizmin, përkatësisht atë që zakonisht quhet „xhihadizëm“, disa arsye dhe rrethana që shpjegojnë pse dhe në ç’mënyrë të rinjtë radikalizohen. Unë punoj në këtë fushë tematike, por njëkohësisht dëshiroj të theksoj se këtu nuk kemi të bëjmë me diçka specifike vetëm për Islamin apo vetëm për selefizmin. Mekanizmat që veprojnë në sfond janë, në thelb, mekanizma të përgjithshëm shoqërorë dhe psikologjikë, të cilët mund të barten edhe në forma të tjera të ekstremizmit.

Meqenëse do të flas për selefizmin, dëshiroj fillimisht të sqaroj se për cilin selefizëm bëhet fjalë. Këtu dua të lidhem shkurtimisht me atë që e përmendi më herët zoti Özdil: nuk është selefizmi në tërësi ai që e përbën problemin. Ekzistojnë grupe puritane, të cilat nuk janë armiqësore ndaj demokracisë dhe nuk përbëjnë objekt të proceseve të radikalizimit. Kur dikush ndjek një qasje puritane, ai thjesht e jeton fenë e tij sipas bindjeve përkatëse. Në kuptimin e tij fetar, nëse e gëzon lirinë për të jetuar sipas besimit të vet, ai është po ashtu i detyruar ta pranojë rendin juridik dhe shtetëror të vendit ku jeton. Kjo do të thotë se këta njerëz mund të tërhiqen pjesërisht nga jeta e gjerë shoqërore dhe të jetojnë në një mjedis të veçantë paralel me shoqërinë, por jo kundër saj.

Prandaj, kur flas për radikalizimin, nuk i kam parasysh këto rryma puritane. Unë u referohem atyre grupeve që, pjesërisht përmes veprimtarisë misionare, synojnë t’i zëvendësojnë parimet e të drejtave të njeriut me një model alternativ, të cilin e nxjerrin nga interpretimi i tyre specifik i fesë. Këtë përpiqen ta bëjnë me mjete të ligjshme, kryesisht nëpërmjet veprimtarisë misionare dhe propaganduese. Megjithatë, një pjesë e tyre njëkohësisht e promovojnë edhe përdorimin e dhunës. Ky proces shkon deri te ata individë që nuk mjaftohen më vetëm me fjalë, por kalojnë në veprim konkret – ata që zakonisht quhen „xhihadistë“.

Në fushën e atyre rrymave që monitorohen nga organet e mbrojtjes së rendit kushtetues, shumica e selefistëve të vëzhguar nuk konsiderohen të gatshëm për përdorim dhune, por i përkasin asaj që quhet „selefizëm politik“. Kjo pasqyrohet edhe në statistika. Sipas të dhënave të paraqitura nga autoritetet përkatëse, rreth 12’500 persona klasifikohen si pjesë e selefizmit politik, ndërsa afërsisht 2’000 prej tyre konsiderohen militantë. Këto shifra shërbejnë thjesht për ta ilustruar raportin ndërmjet dy kategorive. Qëllimi nuk është të gjykohet selefizmi në mënyrë të përgjithshme, por të përdoret ky shembull për t’i kuptuar dhe shpjeguar mekanizmat që qëndrojnë pas proceseve të radikalizimit.

Le ta shqyrtojmë më nga afër një pyetje themelore: çfarë lloj të rinjsh janë këta, nga cilat mjedise shoqërore dhe nga çfarë familjesh vijnë ata?

Unë punoj që nga viti 2007 në atë që quhet parandalim terciar, pra në fushën e deradikalizimit, distancimit nga ideologjitë ekstremiste dhe mbështetjes së individëve për t’u shkëputur prej tyre. Nga ajo kohë e deri më sot kam trajtuar afërsisht 600 raste këshillimi.

Në shumë raste këshillojmë edhe familje që kanë frikë se ndoshta një anëtar i tyre mund të jetë duke u radikalizuar. Hapi i parë është gjithmonë të shqyrtojmë nëse kjo frikë është e bazuar apo jo. Shpesh na kontaktojnë edhe mësues, të cilët thonë: “Ky i ri ka thënë këtë apo atë”, dhe shprehin shqetësimin e tyre për sjellje të caktuara.

Në fazat e hershme të një procesi të mundshëm radikalizimi, reagimet e gabuara dhe konfrontative mund të jenë vetë faktorë që e nxisin më tej radikalizimin. Kjo do të thotë se një qasje autoritare, përjashtuese ose konfrontuese mund të ketë efekt të kundërt dhe ta shtyjë të riun edhe më shumë në drejtimin nga i cili dëshirohet të largohet.

Prandaj, thelbësore është që gjithmonë të kuptohet se si janë formuar vetë këta të rinj. Ne flasim për të rinj që, në shumicën e rasteve, nuk janë në kërkim të Islamit si fe. Madje, këtu nuk bëhet fjalë vetëm për të rinj muslimanë, por për të rinjtë në përgjithësi. Ofertat ideologjike që i paraqesin grupimet e selefizmit politik nuk u drejtohen ekskluzivisht të rinjve muslimanë; ato i synojnë të rinjtë si kategori shoqërore në tërësi. Pikërisht për këtë arsye, në praktikën tonë hasim të rinj me prejardhje shumë të ndryshme: nga shtresa të ndryshme sociale, nga familje muslimane dhe jomuslimane, si dhe nga familje me orientim krejtësisht laik. Megjithatë, familje me bindje të mirëfillta dhe ortodokse islame pothuajse nuk hasim fare në këto procese radikalizimi. Mund të ketë familje që janë më tepër tradicionalisht fetare, ku patriarkati shpesh justifikohet me fenë, por që nga pikëpamja fetare kanë pak kompetencë dhe njohuri – dhe pikërisht këtu fillon problemi.

Të rinjtë që radikalizohen, thënë troç, nuk dinë pothuajse asgjë për Islamin. Megjithatë, ata e ndiejnë nevojën të mësojnë dhe të kuptojnë diçka. Pikërisht këtë dinë ta bëjnë mjaft mirë predikuesit selefistë: ata jo vetëm që flasin gjermanisht, por e flasin edhe gjuhën e të rinjve dhe trajtojnë tema të jetës së përditshme, pra nevojat dhe shqetësimet e të rinjve, duke u dhënë atyre një interpretim që pretendohet si fetar. Të rinjtë e krijojnë kështu ndjesinë se më në fund qenka dikush që m’i shpjegon gjërat si duhet.

Kjo do të thotë se të rinjtë janë në kërkim të kuptimit dhe orientimit. Ndoshta sapo kanë kaluar një krizë jetësore. Ndoshta e përjetojnë atë që ne e quajmë „tëhuajësim emocional“. Kjo mund të jetë një shkëputje nga familja, por edhe nga shoqëria. Ata kërkojnë, në njëfarë mënyre, përgjigje për pyetjen: „Përse jam në këtë botë?“ Pra, bëhet fjalë për pyetje të zakonshme të jetës së përditshme, të cilat shumë njerëz ia shtrojnë vetes. Shpeshherë kjo shoqërohet edhe me një vetëvlerësim të dobët. Ata e kanë atë që ne e quajmë një „dritare të hapur“. Në këtë moment bëhet vendimtare se kush u përgjigjet pyetjeve të tyre për botën dhe për vetveten, dhe këtë në një mënyrë që i bën të rinjtë të ndiejnë: „Këto janë pikërisht përgjigjet që i kam kërkuar. Këto përgjigje ma shpjegojnë situatën time, më japin kuptim dhe perspektivë.“

Në rastet me të cilat merrem unë, këta që japin përgjigje janë selefistët politikë. Por, në rrethana të tjera, mund të jetë edhe një ekstremist i djathtë me të cilin një i ri bie në kontakt, sepse ai nuk është duke kërkuar domosdoshmërisht përgjigje islame, por përgjigje për pyetjet e tij jetësore dhe të përditshme.

 

Dituria

Kur predikohet një dije që paraqitet si autentike, të rinjtë, pikërisht sepse nuk kanë njohuri për Islamin, nuk janë në gjendje t’i kundërvihen asaj. Ata nuk dinë, për shembull, si të trajtohen hadithet etj., ndërsa hadithet janë rrëfime shumë të bukura dhe konkrete, të cilat mund të tregohen lehtësisht dhe prej të cilave mund të nxirren shembuj e krahasime.

Kur i riu e krijon ndjesinë se një rrëfim i tillë lidhet me situatën e tij personale dhe e prek emocionalisht, atëherë për të kjo e përfaqëson Islamin. Në një rast të tillë, ka pak dobi t’i thuhet se ky lloj kuptimi i Islamit është i gabuar apo t’i hiqet nga mendja kjo mënyrë e të kuptuarit të fesë.

 

E vërteta

Pretendimi për zotërimin e së vërtetës absolute është diçka që vlen për të gjitha grupet ekstremiste dhe totalitare. Kjo do të thotë se ato pretendojnë se e kanë monopolin e interpretimit të botës. „Vetëm ne mund të të themi se si duhet kuptuar bota, si duhet t’i shohësh gjërat e kështu me radhë.“

Kjo të çon drejt mendimit dikotomik, pra drejt të menduarit bardh e zi. Të rinjve dhe të rriturve të rinj u hiqet barra e vendimmarrjes personale: çfarë është e drejtë, çfarë është e mirë? – një pyetje kjo që në vetvete është shumë e vështirë dhe kërkon përpjekje.

Pastaj shfaqet dikush që thotë: „Unë e kam të vërtetën dhe mund të ta kumtoj ty.“ Në ekstremizmin e justifikuar fetarisht shtohet edhe një problem tjetër: të rinjve u sugjerohet se vetëm këta njerëz e kanë kuptuar drejt Allahun, se vetëm ata e praktikojnë Islamin në mënyrën e duhur. Prandaj, sipas tyre, të rinjtë kanë mundësi për lumturi vetëm nëse bashkohen me ta, pra vetëm nëse e fitojnë hyrjen në Xhenet. Kjo lidhet me atë që të rinjtë shpesh e kërkojnë: një perspektivë për të ardhmen, mundësinë që një ditë të jenë të kënaqur, të lumtur dhe të jetojnë një jetë me kuptim. Kjo perspektivë paraqitet si pjesë e mesazhit, sipas logjikës: „Nga një mijë njerëz vetëm një do të hyjë në Xhenet, dhe ai është ai që e ndjek rrugën tonë – të gjithë të tjerët do të përfundojnë në Xhehenem.“ Ky është një element shtesë që shfaqet në ekstremizmin e bazuar në argumente fetare. Grupimet nacionaliste dhe ekstremistët e djathtë nuk mund të veprojnë realisht me një lloj premtimi të këtillë fetar.

 

Vlerat

Vlerat janë veçanërisht të rëndësishme. Këtë po e shohim shumë qartë edhe aktualisht te lëvizjet konspiracioniste të ashtuquajtura „Querdenker“ dhe te mohuesit e pandemisë së koronavirusit. Situata aktuale e pandemisë është përmendur disa herë sot në këtë konferencë shkencore. Ajo është jashtëzakonisht e rëndë dhe e ngarkuar emocionalisht. Është e vështirë të kuptohet dhe të kapet në tërësinë e saj. Ne nuk mund ta identifikojmë apo të përballemi drejtpërdrejt me kundërshtarin, dhe shumë njerëz thjesht nuk arrijnë ta përballojnë këtë gjendje. Ata kërkojnë fajtorë të thjeshtë dhe përgjigje të thjeshta. Për këtë arsye, teoritë e konspiracionit përhapen gjithnjë e më shumë dhe fitojnë vazhdimisht mbështetës të rinj. Pastaj paraqitet një botëkuptim bardh e zi, ku nuk ka vend për nuanca apo zona gri. Shpesh ndodh që njerëzit të cilët kanë pak mundësi komunikimi, pak vetëbesim dhe ndihen të mbingarkuar, sidomos nga kompleksiteti i botës globale, të kërkojnë përgjigje të thjeshta. Këto përgjigje u japin ndjenjë sigurie atyre që janë në kërkim të saj. Kjo është diçka shumë tipike: unë ta them se kush është i mirë dhe kush është i keq, kush ka të drejtë dhe kush e ka gabim.

Këtu, në ekstremizmin e justifikuar fetarisht, ndodh shpesh që të rinjtë të kenë probleme edhe brenda familjes dhe, në thelb, të mos jenë në gjendje të përbirojnë përballë prindërve. Prindërit mund t’ua planifikojnë jetën profesionale deri në fund të jetës dhe t’u thonë: „Ti duhet ta bësh këtë ose atë“, duke ndjekur kështu stile shumë autoritare edukimi. Kjo shfaqet shumë shpesh në biografitë e radikalizimit: i riu nuk arrin ta afirmojë vetveten.

Atëherë vjen në ndihmë komuniteti i ri, i cili i thotë: „Po pse të studiosh tani? Këtë profesion gjithsesi nuk do të mund ta ushtrosh më vonë. Ty nuk të lejohet të punosh me gra.“ Dhe papritur i riu fiton një model arsyetimi që ia mundëson t’i kundërshtojë prindërit e tij.

Por gjëra të ngjashme ndodhin edhe në mjedisin shkollor. Ne të gjithë jetojmë në bashkësi shoqërore, që do të thotë se secili prej nesh lufton çdo ditë për pranim dhe vlerësim. Secili dëshiron të jetë i dashur, i kuptuar dhe i pranuar. Kjo është një punë e vazhdueshme e ndërtimit të marrëdhënieve që secili prej nesh e bën.

Dhe kjo është e lodhshme, sepse në çdo bashkësi shoqërore ka njerëz që i pëlqejmë më shumë se të tjerët, por edhe të tillë që ndoshta nuk i pëlqejmë fare. Megjithatë, ne përpiqemi të bashkëjetojmë me ta. Edhe kur mendojmë për dikë: „Çfarë idioti, nuk më pëlqen aspak“, prapëseprapë përpiqemi ta ruajmë paqen dhe marrëdhëniet. Kjo kërkon shumë energji. Por aty të riut i thuhet: „Pse po përpiqesh? Ai është jobesimtar, ai do të shkojë në Xhehenem. Ti madje ke të drejtë ta urresh!“ Dhe, me këtë, problemet duket sikur zhduken. Për momentin, kjo e bën jetën dhe marrëdhëniet të duken më të lehta.

 

Dëgjueshmëria

Dëgjueshmëria, autoritetet karizmatike, orientimi dhe struktura në jetën e përditshme – edhe këto janë elemente shumë të rëndësishme. Qoftë te selefistët politikë, te ekstremistët e djathtë apo te grupime të tjera, e gjejmë të njëjtin model. Ata kujdesen për njëri-tjetrin, funksionojnë si bashkësi solidariteti dhe krijojnë diçka të ngjashme me një sistem mentorimi. Këtë e hasim veçanërisht shpesh te djemtë e rinj. Mund të tingëllojë si klishe, por mungesa e një figure mashkullore si model – sepse babai ose mungon fare, ose nuk është realisht i pranishëm në rolin e tij si baba – luan një rol të rëndësishëm. Papritur shfaqet dikush që kujdeset për ty nga mëngjesi deri në mbrëmje. Papritur bëhesh i rëndësishëm. Merr vëmendje. Ata të sugjerojnë vazhdimisht se gjithçka e bëjnë për ty, se duan të ta ofrojnë më të mirën për të mirën tënde. I riu mund të vijë me të gjitha pyetjet e tij dhe gjithmonë merr përgjigje. Atij i zgjatet dora dhe udhëhiqet hap pas hapi. Kjo është jashtëzakonisht tërheqëse sidomos për të rinjtë që kanë një vetëvlerësim shumë të ulët. Ata mund ta heqin një pjesë të barrës së tyre dhe të kenë dikë që ua tregon rrugën.

 

Bashkësia dhe identiteti

Gjëja tjetër është bashkësia dhe identiteti. Besoj se ky është një nga faktorët kyç që na shpjegon pse selefistët politikë janë kaq të suksesshëm, ose të paktën kanë qenë të tillë në të kaluarën. Sepse, nga këndvështrimi im, ata janë të vetmit që u ofrojnë të gjithë të rinjve, në shkallë globale, një identitet të qartë dhe të njëkuptimshëm. Ky identitet përmblidhet në mesazhin: Ti je musliman dhe asgjë tjetër; ti i përket elitës së bashkësisë islame botërore. Ka 1,5 miliardë muslimanë, por ne e përbëjmë elitën e kësaj bashkësie. Kjo do të thotë se ti merr një identitet të qartë, një ndjenjë përkatësie në një bashkësi botërore dhe, për më tepër, një ndjenjë ngritjeje e vlerësimi personal. Kjo ofertë është e hapur për këdo. Ekstremistët e djathtë ofrojnë gjithashtu modele të ngjashme identitare, por një turk duhet t’i kërkojë ekstremistët turq, një gjerman ata gjermanë dhe një kroat grupet kroate. Te selefistët, përkundrazi, nuk ka rëndësi se cilës prejardhje etnike i përket. Ky është një tjetër aspekt i rëndësishëm. Këto grupe kanë hierarki relativisht të sheshta. Kjo do të thotë se njeriu hyn në një bashkësi „vëllezërish“ ose „motrash“ dhe pranohet nga të gjithë të tjerët si i barabartë, vetëm mbi bazën e sjelljes së tij. Pra, nëse u nënshtrohesh normave të grupit, bëhesh pjesë e tij. Nuk ka rëndësi nëse prindërit e tu janë të pasur apo të varfër, nëse janë migrantë apo jo, nëse janë muslimanë apo jo.

Në shoqëritë perëndimore, në këto shoqëri migrimi, ekzistojnë me qindra sirtarë kategorizimi. Të rinjtë e mbartin vazhdimisht historinë e familjes së tyre si një lloj çante shpine mbi supe dhe kategorizohen vazhdimisht sipas saj. Ne në Gjermani jemi vërtet shumë të zotë në kategorizim: të riatdhesuar, të riatdhesuar të vonshëm, refugjatë të luftës civile, refugjatë lufte, gastarbajter (punëtorë krahu "të përkohshëm") të gjeneratës së parë, të dytë, të tretë – madje nuk e di më deri në cilën gjeneratë do të vazhdojmë të numërojmë – e kështu me radhë. Kjo do të thotë se kemi jashtëzakonisht shumë sirtarë klasifikimi dhe të rinjtë ngarkohen vazhdimisht me to. Këtu – te këto grupe - kjo zhduket. Tani ka rëndësi vetëm vetë i riu dhe jo e gjithë familja e tij. Ka rëndësi vetëm ai si individ dhe ai pranohet si i barabartë me të tjerët. Ai bëhet pjesë e grupit. Papritur ai fiton një bashkësi, një identitet të qartë, një ndjenjë qartësie dhe përkatësie. Këto bashkësi, siç e përmenda, janë bashkësi shumë të lidhura dhe të mbyllura brenda vetes. Kjo vlen po ashtu edhe për grupime të tjera, si ekstremizmi i djathtë apo ai i majtë; ato karakterizohen nga një solidaritet i fortë i brendshëm. Bëhet fjalë për një bashkësi të lidhur ngushtë. Prandaj përdoret edhe termi „vëllezër“. Diçka të ngjashme mund ta vërejmë edhe te ekstremizmi i djathtë. Këtu ky koncept justifikohet në mënyrë fetare. Në ekstremizmin e djathtë nuk përdoret termi „vëlla“, por „shok“ apo „kamerad“. Megjithatë, kjo e nënkupton të njëjtën gjë: ne e përbëjmë një bashkësi tonën, të veçantë dhe të lidhur fort mes vete.

 

Drejtësia

Drejtësia është përmendur tashmë sot në këtë konferencë, dhe edhe kjo është një pikë shumë e rëndësishme. Natyrisht, të rinjtë janë shumë të ndjeshëm ndaj padrejtësive; kjo është krejt tipike. Në këtë moshë rinore, të karakterizuar nga rebelimi, njeriu është veçanërisht i ndjeshëm ndaj padrejtësive, dhe për fat të keq edhe kjo shoqëri është plot me to. „Ne kemi një teori të bukur“, e cila jo gjithmonë zbatohet në realitet. Dhe pikërisht sepse në realitet ekzistojnë padrejtësi, ato shfrytëzohen me dëshirë nga grupet ekstremiste dhe përgjithësohen: „Ky sistem nuk mund të jetë i mirë, sepse ekzistojnë këto padrejtësi, dhe ato janë të natyrshme për këtë sistem, sepse vetë sistemi është i gabuar që në themel, pasi është krijuar nga njerëzit, ndërsa njerëzit janë të gabueshëm.“ Pra, nuk bëhet fjalë vetëm për kritikë ndaj sistemit, por për një argumentim që synon shfuqizimin dhe heqjen e sistemit demokratik dhe të të drejtave të njeriut.

Natyrisht, këtu mund të lidhet edhe përvoja personale e disa të rinjve. Selefistët politikë, për shembull, e kanë instrumentalizuar shumë fort konceptin e garib/guraba (i huaj, të huajt), për t’i kthyer në diçka pozitive përvojat e diskriminimit që muslimanët i kanë përjetuar, veçanërisht në kohët e fundit. Kjo do të thotë se kur dikush diskriminohet, ai vuan prej kësaj. Është një përvojë negative. Askush nuk gëzohet kur përjashtohet vazhdimisht ose mbahet në margjina.

Ata e shfrytëzojnë këtë dhe, duke e cituar një transmetim që i atribuohet pejgamberit Muhammed të ketë thënë se Islami ka ardhur si i huaj (me pak njerëz) dhe se do të përfundojë si i huaj (me pak njerëz), prandaj lum për të huajt. Kur është pyetur se kush janë këta të huaj, ai ka thënë: "Janë ata që veprojnë drejt, kur të gjithë të tjerët janë prishur." – kjo është një përmbledhje e thjeshtuar nga ana ime.

Ky transmetim keqpërdoret për t’u thënë të rinjve: „Nëse tani je në rrugën e drejtë, domethënë në rrugën tonë, atëherë do të përjashtohesh nga ana e të tjerëve, do të sulmohesh dhe do të shpifin kundër teje. Por pikërisht kjo është shenja se je në rrugën e duhur. Sa më shumë të diskriminohesh, sa më shumë të përjashtohesh, madje edhe nga muslimanët, aq më shumë kjo dëshmon se je në rrugën e vërtetë.“ Kjo paraqitet si një lloj përmbysjeje pozitive: „Gëzohu për këtë, sepse është prova se po e ndjek rrugën e drejtë.“

Kjo është një mënyrë jashtëzakonisht tinëzare për t’i shfrytëzuar padrejtësitë që ekzistojnë në botë. Dhe këto grupe nuk mjaftohen vetëm i duke konstatuar padrejtësitë, siç bëjnë edhe grupime të tjera ekstremiste, por e ofrojnë edhe mundësinë për të vepruar kundër tyre – gjë që nuk nënkupton domosdoshmërisht përdorimin e menjëhershëm të dhunës. Mund të veprohet edhe përmes demonstratave, agjitacionit ose veprimtarisë misionare. Por ato ofrojnë një lloj strehe dhe pikënisjeje, prej nga, sipas tyre, mund të luftohen këto padrejtësi. Kjo mund të shkojë deri te pjesëmarrja në luftëra civile, si në rastin e të ashtuquajturit „Shteti Islamik“ (IS), por nuk është e domosdoshme të përfundojë aty. Mund të kufizohet edhe në veprimtari misionare ose në atë që ata e quajnë punë ndërgjegjësuese dhe sqaruese.

 

Protesta, vëmendja dhe distancimi

Pika e fundit është protesta, tërheqja e vëmendjes dhe distancimi, për shembull nga prindërit. Ne nuk punojmë vetëm me personat që radikalizohen, por edhe me familjet e tyre. Gjatë kësaj pune vërejmë vazhdimisht se pikërisht në periudhën kur të rinjtë fillojnë të bëhen të rritur dhe të shkëputen nga familja, pra në periudhën e adoleshencës, lindin shpesh vështirësi. Disa të rinj pothuajse katapultojnë nga familjet e tyre. Kemi pasur familje ku prindërit ishin nacionalistë kurdë, pothuajse të afërt me PKK-në, ndërsa djali i tyre shkoi në Siri për t’iu bashkuar të ashtuquajturit „Shteti Islamik“ (IS). Ky është kundërmodeli maksimal. Kjo do të thotë se mënyra e jetës së prindërve vihet në pikëpyetje, sepse i riu nuk e gjen veten në të, ose sepse brenda familjes ekzistojnë konflikte. Pastaj shfaqet një grup që ofron një rrugëdalje. Ai e ofron mundësinë që prindërve t’u bëhet e qartë se i riu dëshiron të shkëputet nga mënyra e tyre e jetesës ose nga brezi i tyre dhe ta ndjekë një rrugë tjetër. Por ekziston edhe një variant tjetër: të rinj që janë krejtësisht të vetmuar dhe që e kanë ndjesinë se nuk luajnë asnjë rol në jetën e askujt. Askush nuk i vëren. Nuk ka komunikim. Kjo tani është si një lloj bërtitje për vëmendje. Ne e njohim këtë edhe nga ekstremizmi i djathtë. Sidomos në mjedisin shkollor kjo ka ndodhur shpesh. Ndoshta ju kujtohet rasti i një gruaje që ia kishte gdhendur vetes një svastikë në fytyrë, ndërsa fillimisht dyshohej për një sulm nga ekstremistët e djathtë. Shpesh bëhet fjalë për raste që duhen kuptuar si një thirrje për ndihmë, një britmë për vëmendje, ku dikush provokon në shkollë vetëm për të qenë në qendër të vëmendjes. Këtu duhet pasur kujdes që të mos vlerësohet menjëherë si radikalizim; duhet parë se çfarë qëndron realisht pas një sjelljeje të tillë. Këta janë mekanizma që përsëriten vazhdimisht. Çfarë kërkonte ky i ri? Cilat ishin nevojat e tij? Kur u përgjigjemi këtyre pyetjeve, arrijmë më shpejt te një shpjegim. Nevoja e tij nuk ishte Islami apo dëshira për të mësuar diçka rreth Islamit, por pyetje krejt të tjera. Pikërisht këto pyetje dhe nevoja mund ta bëjnë atë lehtë të ndikueshëm. Ai nuk do të duhej domosdoshmërisht të përfundonte te selefistët; kjo mund të ketë qenë thjesht rastësi. Po aq mirë mund të kishte rënë në kontakt edhe me ekstremistë të majtë. Disa prej tyre, nëse do të ishin veçanërisht të orientuar drejt drejtësisë, mund të kishin përfunduar edhe te Amnesty International. Pra, kjo mbetet krejtësisht e hapur.

Vendimtare është që, në momentin kur krijohet kontakti, i riu të ndiejë se pyetjeve të tij po u jepen përgjigje dhe se ai po fiton forcë emocionale. Nëse merr përgjigje për pyetjet e tij, ai qëndron aty. Nëse jo, vazhdon të kërkojë diku tjetër.

Natyrisht, të rinjtë ndikohen më shumë nga bashkëmoshatarët e tyre, nga grupi i shokëve, sesa nga të rriturit. Këto grupe e shfrytëzojnë edhe këtë fakt. Kjo do të thotë se dikush vëren se nuk jam mirë dhe hyn në kontakt me mua.

Edhe interneti luan një rol të rëndësishëm, sepse bashkëmoshatarët mblidhen dhe lidhen me njëri-tjetrin përmes tij. Përveç kësaj, një rol të rëndësishëm luajnë edhe kanale të caktuara komunikimi, si për shembull Telegrami, prej disa vitesh tashmë. Ai është shumë i rëndësishëm për përhapjen e përmbajtjeve të tilla. Telegrami është një kanal komunikimi, por në të mund të shpërndahen edhe kanale informative dhe propaganduese. Si shembull mund ta përmend një predikues që ndodhet prej kohësh në burg në Austri. Megjithatë, ai vazhdon të jetë i pranishëm në skenë, sepse materialet nga periudha kur ishte aktiv, ligjëratat e tij dhe përmbajtje të tjera vazhdojnë të shpërndahen dhe mund të shkarkohen. Kjo funksionon si një lloj arkivi. Sepse, sa e di unë, ai vetë madje është përfshirë tashmë në një program deradikalizimi në burg dhe nuk i mban më të njëjtat qëndrime që i kishte dikur. Por imazhi i tij dhe ligjëratat e tij, të cilat kishin një efekt të fortë nxitës ndaj radikalizimit, vazhdojnë të qarkullojnë edhe sot.

Kjo është diçka që na shqetëson, sepse TikToku pothuajse e ka zëvendësuar YouTube-in për nga popullariteti te grupet radikale, pasi përmes TikTok-ut mund të arrihen edhe grupmosha më të reja. Natyrisht, atje mesazhet e tyre paketohen fillimisht në forma tërheqëse. Përdoren prezantime moderne dhe tërheqëse që synojnë para së gjithash të tërheqin vëmendjen. Përmbajtja kundër demokracisë nuk vendoset në plan të parë, por fillimisht krijohet qasja te të rinjtë, madje pjesërisht edhe te fëmijët, dhe ata tërhiqen gradualisht drejt botëkuptimit të grupit. Në Telegram ekziston një numër i madh kanalesh që janë të afërta me IS-in, përfshirë edhe kanale në gjuhën gjermane. Por po ashtu ekziston një komunitet i madh në Telegram i përbërë nga mohues të pandemisë së koronavirusit, ekstremistë të djathtë dhe përkrahës të teorive konspirative. Pra, në Telegram mund të gjendet pothuajse gjithçka që është relevante brenda këtij spektri. Megjithatë, siç e përmenda, kur bëhet fjalë për video-materiale, kjo veprimtari po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt TikTok-ut.

Është e rëndësishme për mua të them se asnjë i ri nuk radikalizohet thjesht sepse e përdor internetin. Radikalizimi nuk ndodh vetëm nga fakti se ekziston interneti. Gjithmonë luan rol edhe formimi personal i të riut, si dhe mjedisi në të cilin ai jeton.

Një i ri që ka një familje funksionale, shumë komunikim, një vetëvlerësim të shëndetshëm, mund t’i shohë përmbajtjet e tilla, madje mund të merret me to, të diskutojë dhe t’i shtrojë pyetje botës – por jo në atë mënyrë që të radikalizohet dhe të rrëshqasë drejt ekstremizmit. Ndërsa një i ri që në jetën e tij private përballet me të gjitha këto mangësi – përfshirë krizat jetësore e të ngjashme – mund t’i gjejë në internet pikërisht ato përgjigje që i kërkon për pyetjet e tij dhe, si pasojë, të radikalizohet gjithnjë e më shumë.

Po si është situata te gratë? Radikalizimi i grave ndodh në masë të madhe nëpërmjet internetit, kur bëhet fjalë për selefizmin politik. Sepse aty predikohet një ndarje shumë e rreptë gjinore, e cila bën që gratë të mos lejohen të bëjnë veprimtari misionare në rrugë, ndërsa burrat nuk lejohen t’u drejtohen grave në rrugë apo në hapësira publike. Për këtë arsye, ata kanë nevojë për gratë në procesin e radikalizimit të grave të tjera. Prandaj interneti luan një rol shumë të rëndësishëm, veçanërisht grupet e bisedave në internet për gra dhe vajza, të cilat zënë një vend qendror në këtë proces.

Tani dëshiroj t’ia kaloj fjalën pasueses sime në këtë konferencë. Gratë luajnë një rol të rëndësishëm në këto skena, si në ekstremizmin e djathtë ashtu edhe në atë të majtë. Edhe në ekstremizmin e djathtë u desh një kohë e gjatë derisa u kuptua se gratë nuk janë thjesht amvisa të nënshtruara, por aktore të rëndësishme. Ky fakt është pranuar tashmë dhe ngadalë po fillon të kuptohet se e njëjta gjë vlen edhe për këtë fushë të ekstremizmit. Veçanërisht pas rënies së IS-it, kur shumë prej burrave të rinj u vranë dhe shumë të tjerë përfunduan në burg, gratë kanë fituar dukshëm më shumë rëndësi gjatë viteve të fundit.

Duhet thënë gjithashtu se gratë, me ose pa sfond migrimi, me prejardhje muslimane ose jomuslimane – një spektër jashtëzakonisht i larmishëm – nuk kanë qenë kurrë figura të nënshtruara dhe pasive në selefizmin politik. Ato kanë qenë gjithmonë pjesë aktive e lëvizjes, duke e mbështetur propagandën në prapaskenë dhe duke marrë pjesë në proceset e rekrutimit.

Edhe sot, në organizatat që i ndihmojnë të burgosurit, ato kujdesen që personat e burgosur të mos ndihen të braktisur, por të mbeten të lidhur me skenën përkatëse. Pra, edhe në këtë fushë zhvillohet një veprimtari e konsiderueshme. Kjo do të thotë se, teorikisht, një grua mund ta realizojë vetveten edhe politikisht brenda këtyre mjediseve ekstremiste. Nuk është plotësisht e saktë të thuhet se roli i saj kufizohet vetëm te të qenit bashkëshorte dhe nënë. Një grua ka mundësi të angazhohet dhe të realizohet edhe në aspektin shoqëror dhe politik brenda këtij spektri ekstremist, nëse duam ta quajmë kështu.

Me kaq dëshiroj ta përfundoj ligjëratën time. Ju faleminderit.

 

 

Nga gjuha gjermane: Rehan Neziri

Kreuzlingen, 05.06.2026

 

 

( * ) Ky artikull përbën një kumtesë të autores të mbajtur në një konferencë shkencore të organizuar nga Islamrat für die Bundesrepublik Deutschland, më 11-12 shkurt 2022 në Köln të Gjermanisë. Titulli origjinal i kumtesës është "Warum sich Jugendliche radikalisieren", në Radikalisierung, Extremismus und Religiösität – Muslimische Jugendliche im Radikalisierungsdiskurs, Plural Publications GmbH, Köln 2025.