Rehan Neziri

 

Kintsugi është një art tradicional japonez i shek. XV që konsiston në riparimin e enëve të thyera prej qeramike me llak të përzier me pluhur ari, argjendi ose platini. Në vend se të fshehin çarjet, mjeshtrit i theksojnë ato, duke i kthyer defektet në pjesë të historisë dhe bukurisë së re të objektit. Filxhani i thyer i shogunit Ashikaga Yoshimasa përmendet si shembulli i parë kur riparimi e bëri objektin edhe më të vlefshëm se më parë. Kintsugi sot nuk shihet vetëm si teknikë artizanale, por edhe si filozofi jetësore, metodë psikologjike dhe qasje terapeutike.

Filozofia e kintsugit niset nga ideja se e papërsosura është pjesë e natyrshme e ekzistencës. Qeramika simbolizon brishtësinë dhe forcën njëkohësisht, ashtu si njeriu. Paraleleja midis çarjeve të dukshme të enëve dhe plagëve shpirtërore tregon se edhe thyerjet personale mund të riparohen dhe se nga krizat mund të lindë diçka më e fortë. Në këtë kuptim, kintsugi përçon tri mësime kryesore:

  1. lëndueshmëria nuk është dobësi;
  2. papërsosmëria mund të bëhet burim bukurie;
  3. sfidat janë mundësi për rritje shpirtërore.

Riparimi në kintsugi kërkon durim, vëmendje, guxim dhe saktësi, ngjashëm me procesin e rikuperimit emocional. Ashtu si për riparimin e një ene duhen javë e muaj, edhe përballja me të kaluarën kërkon kohë dhe përkushtim. Objektet e riparuara nuk kthehen në gjendjen e mëparshme, por bëhen unikate të reja – një metaforë e fuqishme që njeriu mund të krijojë një identitet më të fortë nga përvojat e tij të thyera.

Psikologjia e kintsugit thekson se plagët shpirtërore nuk duhen shtypur, por duhet të njihen, të emërtohen dhe të komunikohen. Sikurse mjeshtri i kintsugit i vë në pah çarjet me ar, njeriu duhet të ketë guximin t’i shohë plagët e veta dhe t’i integrojë ato në historinë e vet. Pa këtë përballje, konfliktet e vjetra dalin në sipërfaqe si frikë, dhimbje e somatizuar apo varësi. Shërimi kërkon angazhim aktiv, vetëpranim dhe, shpesh, falje. Kintsugi përshkruhet kështu si një praktikë e dashurisë ndaj vetes, sepse vlerësimi i vetvetes e bën të mundur edhe faljen e të tjerëve.

Në planin shpirtëror e filozofik, kintsugi na ndihmon të kuptojmë se çdo njeri mbart brenda vetes çarje, të vogla a të mëdha. Por asnjëra prej tyre nuk nënkupton fundin. Ato janë bazë e rinjohjes me veten dhe e transformimit të brendshëm. Mesazhi i përgjithshëm është se çdo qenie njerëzore ka potencial të brendshëm për të dalë më e fortë nga krizat.

Kintsugi dhe Islami

Edhe pse kintsugi rrjedh nga kultura japoneze dhe Zen-Budizmi, filozofia e tij gjen paralele të thella me mësimet e Islamit.

  1. Pranimi i lëndueshmërisë dhe faljes:
    Kintsugi e kthen lëndueshmërinë në bukuri; Islami thekson faljen dhe mëshirën. Allahu është El-Gafur, dhe njeriu nxitët të kërkojë falje dhe të falë. Hadithi i Pejgamberit a.s. thotë se Allahu vlerëson zemrën dhe veprat, jo pamjen e jashtme.
  2. Riparimi dhe rigjenerimi shpirtëror:
    Kintsugi riparon objektin e thyer duke e bërë më të vlefshëm. Në Islam, procesi i teubes i jep njeriut mundësinë të pastrohet dhe të rikthehet më i fortë shpirtërisht. Kur'ani thotë se Allahu ua shndërron të këqijat në të mira atyre që pendohen dhe bëjnë vepra të mira (el-Furkan, 25:70).
  3. Bukuria në papërsosmëri:
    Ashtu si objekti i riparuar me ar ka një bukuri unike, Islami nxit pranimin e vetes dhe të tjerëve me të metat dhe virtytet e tyre. Perfeksioni nuk kërkohet nga njeriu – kërkohet përpjekja dhe sinqeriteti.
  4. Sfidat si mundësi rritjeje:
    Kintsugi e sheh thyerjen si nisje për rilindje; Islami e sheh sprovën si mundësi për afrim me Allahun dhe për fitim të shpërblimeve. Ajetet e Kur'anit: “Me vështirësinë vjen lehtësimi” (el-Inshirah, 94:6) dhe el-Bekara 2:155-157 theksojnë durimin, qëndrueshmërinë dhe kthimin tek Allahu në sprova.

 

Përfundim

Kintsugi, si art dhe filozofi, dhe Islami, si fe dhe udhëzues shpirtëror, ndajnë një ide të përbashkët: lëndimi nuk është fundi, por fillimi i një forme të re të forcës dhe bukurisë. Të dy qasjet u mësojnë njerëzve t’i shohin sfidat si mundësi ndërtimi, të pajtohen me të kaluarën dhe të zhvillojnë reziliencë të brendshme. Parimet e tyre vlejnë si në jetën personale, ashtu edhe në atë shoqërore.