Rehan Neziri
ISLAMIZIMI I RADIKALITETIT APO RADIKALIZIMI I ISLAMIT?
Lexo artikullin në PDF
Ngjarjet e fundit në Winterthur të Zvicrës dhe në Vjenë të Austrisë e kanë rikthyer në qendër të debatit publik çështjen e radikalizimit dhe të terrorizmit të motivuar ideologjikisht. Më 28 maj 2026, një i ri në Winterthur lëndoi me thikë tre persona pranë stacionit të trenit, ndërsa po atë ditë në Vjenë, një i ri shqiptar nga Maqedonia e Veriut u dënua me 15 vite burg, pasi kishte pranuar se kishte planifikuar një sulm terrorist gjatë një koncerti të Taylor Swift në verën e vitit 2024, si dhe vepra të tjera të lidhura me terrorizmin.
Raste të tilla, sikurse edhe shumë të tjera që kanë ndodhur në Evropë gjatë viteve të fundit, ngrenë pyetje të rëndësishme jo vetëm për organet e sigurisë dhe të drejtësisë, por edhe për studiuesit, komunitetet fetare dhe shoqërinë në tërësi. Çfarë i shtyn këta të rinj drejt dhunës? A kemi të bëjmë me individë që e instrumentalizojnë fenë për ta justifikuar një radikalitet paraprak, apo me individë që radikalizohen pikërisht përmes interpretimeve radikale dhe fundamentaliste të fesë?
Kjo pyetje nuk është e re. Përkundrazi, ajo qëndron në zemër të një debati të gjatë shkencor, i cili në Evropë është artikuluar veçanërisht nga dy studiues francezë: Olivier Roy dhe Gilles Kepel. Ndërsa Roy flet për „islamizimin e radikalitetit“, Kepel e mbron tezën e „radikalizimit të Islamit“. Të dyja qasjet përpiqen ta shpjegojnë të njëjtin fenomen, por nga këndvështrime të ndryshme. Ku qëndron e vërteta dhe çfarë na mësojnë përvojat e vendeve evropiane në lidhje me këtë çështje?
Për t’iu afruar një përgjigjeje, është e nevojshme të largohemi nga interpretimet e thjeshtuara dhe nga reagimet emocionale, të cilat zakonisht shfaqen pas çdo akti të dhunshëm. Fenomeni i radikalizimit është shumë më kompleks sesa reduktimi i tij në një shkak të vetëm, qoftë ai fetar, politik, social apo psikologjik. Pikërisht këtë kompleksitet synon ta trajtojë ky shkrim.
Dy raste që e ringjallën debatin mbi radikalizimin
Edhe pse hollësi të tjera për rastin e Vjenës për momentin nuk kemi, dhe ato ndoshta do të dalin në pah me kalimin e kohës, te rasti i Winterthurit që në momentet e para të njoftimit u bë e ditur se i riu me origjinë turke dhe me nënshtetësi zvicerane kishte pasur trajtime mjekësore për çrregullime psikike dhe se vetëm një ditë më parë ishte liruar nga një klinikë psikiatrike. Gjatë aktit pranë stacionit të trenit ai kishte bërtitur «Allahu ekber», ndërsa në konferencën për shtyp autoritetet kantonale e cilësuan veprën si një “akt terrorist”. Në këtë kontekst u përmend edhe lidhja e tij e mëhershme me xhaminë tashmë të mbyllur «An-Nur» në Winterthur, ku kishte frekuentuar një grup të rinjsh, disa prej të cilëve më vonë u akuzuan ose u dënuan për lidhje me struktura të IS-it.[1]
Sipas mediave, babai i tij, i cili jeton në Turqi, ka deklaruar se djali nuk është terrorist, por person me çrregullime psikike që ka nevojë për ndihmë profesionale. Ai gjithashtu ka konfirmuar se djali i tij ishte radikalizuar vite më parë në xhaminë «An-Nur», gjë që e kishte shqetësuar seriozisht familjen, sepse interpretimi i Islamit që predikohej aty nuk përputhej me traditën fetare që ata e njihnin dhe e praktikonin. Sipas tij, një ndikim i ngjashëm i kishte prekur edhe dy djemtë e tjerë, por ata më vonë u rikuperuan dhe ndoqën rrugë të tjera në jetë. N.D., ndërkaq, mbeti i ngecur në atë gjendje. Siç shprehet babai i tij, ai nuk ka as arsimim profesional, as punë dhe as pavarësi ekonomike, ndërsa vazhdon të mbështetet nga familja në jetën e përditshme.[2]
Natyrisht, ne si imamë dhe bashkësi e organizata islame në Zvicër e dënuam pa asnjë hezitim këtë akt si dhunë të papranueshme dhe të pajustifikueshme. Madje, duke u mbështetur në deklaratat e autoriteteve zvicerane, në plan institucional e trajtuam edhe si një akt terrorist.[3] Fjalën e fundit do ta japin hetuesia dhe gjykata, për drejtësinë e të cilave nuk kemi arsye të dyshojmë. Megjithatë, ky shkrim nuk merret me dimensionin juridik të rastit, por me aspektin e tij shoqëror dhe analitik, duke e vendosur atë në kontekstin e rasteve të tjera të ngjashme që kanë nxitur debat mbi shkaqet dhe proceset e radikalizimit.
Reagimet politike dhe mediatike: kur terrorizmi reduktohet në «Islam»
Pas këtyre dhe rasteve të tjera të ngjashme, madje edhe më të rënda, që kanë ndodhur në të kaluarën e largët dhe të afërt në shtete të ndryshme evropiane, nuk kanë munguar reagimet e nxituara të disa partive politike, të disa politikanëve, të disa mediave dhe të disa figurave publike, që këto raste t’i reduktojnë dhe t’i paketojnë si raste të «Islamit radikal», të «Islamit terrorist». Me këtë rast, këta aktorë, nuk e shprehin as ngushëllimin më të vogël ndaj të prekurve dhe familjeve të tyre, duke nxituar që mbi këto raste të dhimshme të krijojnë pikë politike për fushatat e tyre para-zgjedhore ose para referendumeve, sidomos kur bëhet fjalë për referendume që janë të drejtuara ndaj të huajve në përgjithësi, por të cilat thuajse përherë zhvillohen në kurriz të Islamit, të muslimanëve dhe të organizatave islame. Krijohet përshtypja se fjala «të huaj» nënkupton vetëm «muslimanët», të cilët përherë merren si dele e zezë për të arritur «suksese» politike. Kjo s’është aspak e ndershme, por që për fat të keq është bërë zakon dhe rutinë.
Dy qasje shpjeguese
Rasti i fundit në Winterthur është shembulli më eklatant se si trajtohet ky fenomen edhe në qarqe ekspertësh shkencorë. Gjatë hulumtimit të rasteve të këtilla, na dalin në pah së paku dy qëndrime kryesore se si mund të shpjegohen ato. Të dyja qasjet vijnë nga dy ekspertët francezë të përmendur më sipër: Roy dhe Kepel. Përderisa Roy flet për «islamizimin e radikalitetit», Kepel flet për «radikalizimin e Islamit».
Teza e Olivier Roy thotë se terrorizmi xhihadist nuk ka rrënjë kryesisht fetare, por paraqet një formë të revoltës rinore dhe të nihilizmit, e cila e përdor Islamin si gjuhë dhe simbolikë legjitimimi. Sipas tij, autorët e sulmeve terroriste janë shpesh të rinj të çrrënjosur, të margjinalizuar dhe në krizë identiteti, shpesh nga gjenerata e dytë ose e tretë e emigrantëve, me njohuri të kufizuara fetare dhe me prirje drejt vetëshkatërrimit. Ata nuk radikalizohen për shkak të një përvetësimi të thellë të fesë, por e instrumentalizojnë atë për t’i dhënë kuptim një radikaliteti paraprak. Roy i krahason këta aktorë me grupet e mëhershme të ekstremit të majtë në Perëndim, si Baader-Meinhof apo RAF, duke argumentuar se akti i dhunës dhe rebelimit ndaj shoqërisë është qëllimi kryesor, ndërsa referencat islamiste të Al-Kaidës ose IS-it shërbejnë si kornizë ideologjike. Për këtë arsye ai flet për “islamizimin e radikalitetit”, duke theksuar se shumica e këtyre individëve nuk vijnë nga qendra e jetës tradicionale fetare islame, por nga një proces de-kulturalizimi dhe rindërtimi identitar, i shoqëruar shpesh me një kult narcisist të heroizmit.[4]
Nga ana tjetër, Gilles Kepel e përshkruan “radikalizimin e Islamit” si rezultat të një procesi historik dhe ideologjik, i cili, pas periudhës koloniale dhe veçanërisht që nga vitet 1970, u shoqërua me zgjerimin global të interpretimeve konservatore dhe fundamentaliste të Islamit. Sipas tij, falë ndikimit të petrodollarëve sauditë, vehabizmi arriti të fitonte peshë të konsiderueshme në diskursin islam ndërkombëtar, duke zëvendësuar gradualisht ideologjitë arabe sekulare dhe panarabiste. Në këtë kontekst, Kepel e sheh xhihadizmin si një strategji ideologjike që synon t’i provokojë shoqëritë perëndimore përmes dhunës, me qëllim mobilizimin e një pjese të umetit musliman. Ndryshe nga Roy, ai nuk e shpjegon radikalizimin kryesisht me margjinalizimin shoqëror, por me ndikimin e rrjeteve islamiste dhe të proceseve të selefizimit, të cilat u ofrojnë të rinjve në kërkim identiteti një kornizë të re fetare dhe kulturore për ta interpretuar botën dhe vendin e tyre në të.[5]
Në realitet, këto dy qasje nuk duhet domosdoshmërisht të kuptohen si reciprokisht përjashtuese. Përkundrazi, për shumë raste konkrete, elemente të të dyja teorive mund të jenë të pranishme njëkohësisht. Disa individë hyjnë në procesin e radikalizimit për shkak të krizave personale, të kërkimit të identitetit ose të revoltës ndaj shoqërisë, ndërsa më pas gjejnë në ideologjitë ekstremiste një kornizë interpretuese që e legjitimon dhunën. Të tjerët, ndërkaq, ekspozohen fillimisht ndaj narrativave ideologjike radikale dhe gradualisht e përvetësojnë një botëkuptim që i largon nga shoqëria dhe i afron me ekstremizmin. Për këtë arsye, shumica e studimeve bashkëkohore e trajtojnë radikalizimin si një proces shumëfaktorial dhe jo si produkt të një shkaku të vetëm.
Çfarë na tregojnë hulumtimet empirike?
Duke qenë se në vitet 2014-16 shumë të rinj e të reja, ndër ta edhe me origjinë shqiptare, iu bashkëngjitën radhëve të IS-it në Siri dhe Irak, megjithëse me pak vonëse, e kuptuam se ky është një problem dhe se është edhe një problem i yni si muslimanë. Prandaj, unë personalisht afër tre vjet e gjysmë, përskaj angazhimeve të mia si imam dhe mësues fetar, e kam hulumtuar këtë fenomen në thellësi, nga burime perëndimore dhe lindore, islame. Kjo pastaj u kurorëzua me botimin në shqip të librit me titull «Ekstremizmi në emër të Islamit», në ko-autorësi me kolegun tim, po ashtu imam në Zvicër, Dr. Bashkim Aliji.
Atë që në këtë stad mund ta them në lidhje me këtë fenomen – duke u mbështetur në burimet shkencore dhe empirike në Zvicër dhe Gjermani - është fakti se të gjithë të rinjtë dhe të rejat që radikalizohen kanë secili arsyet e veta dhe nuk mund të flitet për një set apo standard shkaqesh dhe faktorësh që ndikojnë njësoj te të gjithë ata. Arsyet, shkaqet dhe motivet janë të ndryshme dhe të shumëfishta: shtytëse dhe tërheqëse, të brendshme dhe të jashtme, dhe aq më tepër, ato ndërveprojnë me njëra-tjetrën sikur të ishin një përzierje komplekse. Megjithëkëtë, edhe nëse ekzistojnë të gjithë këta faktorë te të rinjtë, kjo akoma nuk do të thotë se kemi të bëjmë domosdo me një dukuri të radikalizimit. Sepse procesi i radikalizimit nuk është një proces linear dhe se gjatë këtij procesi shumë të rinj mund edhe të largohen apo të zbresin nga ai, duke mos përfunduar kështu në grupet ekstremiste.[6]
Kjo tregon se radikalizimi nuk është një fat i pashmangshëm, por një proces i kushtëzuar nga ndërveprimi i shumë faktorëve, i cili mund të ndërpritet ose të zbutet në faza të ndryshme të zhvillimit të tij. Pikërisht për këtë arsye, literatura bashkëkohore flet jo vetëm për radikalizim, por edhe për procese të de-radikalizimit dhe të largimit nga mjediset ekstremiste.
Shkaqet e radikalizimit
Shkaqet e radikalizimit, i cili mund të çojë edhe në terrorizëm, duhen kërkuar jo vetëm në mikro-plan, por edhe në meso- dhe në makro-plan:
1. Mikro-plani, nënkupton planin apo nivelin individual i cili përfshinë ndër të tjera problemet e identitetit, integrimin e dështuar, ndjenjën e tjetërsimit apo tëhuajësimit, margjinalizimin, diskriminimin, deprivimin relativ, poshtërimin (e drejtpërdrejtë ose të ndërmjetuar), stigmatizimin dhe refuzimin, shpesh të kombinuar me nëpërkëmbjen morale dhe ndjenjën e hakmarrjes.
2. Meso-plani, nënkupton mjedisin më të gjerë radikal – rrethin social mbështetës ose madje edhe bashkëpunues – i cili shërben si një pikë grumbulluese për zonën më të gjerë elektorale ose grupit referues të terroristëve, i cili grup është shkelur dhe është duke i vuajtur padrejtësitë, çka për rrjedhojë mund të radikalizojë pjesë të një grupi të rinjsh dhe të çojë në formimin e organizatave terroriste.
3. Makro-plani, nënkupton rolin e qeverisë dhe të shoqërisë në vend dhe jashtë, radikalizimin e opinionit publik dhe të partive politike, tensionimin e marrëdhënieve shumicë-pakicë, sidomos kur bëhet fjalë për diasporën e huaj, si dhe rolin e mungesës së mundësive socio-ekonomike për të gjithë sektorët e shoqërisë, gjë e cila çon në mobilizimin dhe radikalizimin e të pakënaqurve, që disa herë mund ta marrë dhe formën e terrorizmit.[7]
Përveç këtyre faktorëve, në kushtet e globalizimit dhe të komunikimit digjital, nuk duhet nënvlerësuar as ndikimi i zhvillimeve ndërkombëtare dhe i diskurseve globale mbi Islamin dhe muslimanët. Konfliktet në botën muslimane, perceptimi i standardeve të dyfishta në politikën ndërkombëtare, si dhe narrativat islamofobike që qarkullojnë në disa media dhe qarqe politike, mund ta forcojnë te një pjesë e të rinjve ndjenjën e përjashtimit, të padrejtësisë dhe të mospranimit. Edhe pse këta faktorë rrallëherë mjaftojnë në vetvete për të prodhuar radikalizim, ata mund të bëhen pjesë e kontekstit më të gjerë që e lehtëson ose e përshpejton këtë proces.
Qendra për Hulumtime dhe Këshillime rreth terrorizmit/ekstremizmit pranë Zyrës Federale Gjermane kundër Kriminalitetit do të konstatojë se “ekstremistët djathtistë, majtistë apo fetarë gjatë radikalizimit të tyre tregojnë modele të njëjta – si p.sh. familjet e zgjidhura ose me probleme të mëdha, shkurorëzimet, rastet e vdekjeve, alkooli, droga, dhuna, ngarkesa në fëmijëri, problemet në shkollë, shkollimi i papërfunduar etj. Se në cilin ekstremizëm pastaj këta persona aderojnë, është thjesht çështje rastësie”.[8]
Çështja e një fëmijërie të ngarkuar me probleme të ndryshme në familje, kryesisht me prindër të grindur vazhdimisht, pastaj çështja e diskriminimit gjatë shkollimit ose gjatë gjetjes së zanatit të përshtatshëm për jetë me të cilin konfrontohen të rinjtë muslimanë, kryesisht emigrantë ose me origjinë migracioni, janë faktorë lehtësues dhe ndoshta vendimtarë në procesin e radikalizimit të të rinjve muslimanë në Perëndim.
Sipas kësaj, faktorët që e lehtësojnë dhe i hapin rrugë radikalizimit të të rinjve muslimanë, shumica e të cilëve janë me origjinë migracioni, mund të ndahen në: faktorë personalë, socialë, politikë dhe ideologjikë, ndërsa faktorët fetarë zakonisht shfaqen më vonë dhe rrallëherë e paraqesin shkakun primar të radikalizimit. Duhet theksuar se feja, e me këtë edhe xhamia, nuk është faktor kyç në radikalizimin e të rinjve muslimanë, ajo përfshihet më vonë në këtë proces nga agjentë të caktuar ose edhe spontanisht gjatë interesimit dhe hulumtimit për fenë nga ana e këtyre të rinjve. Ajo që bie në sy me rastin e identifikimit të të rinjve muslimanë që po radikalizohen, është fakti se ata rrjedhin kryesisht nga familje jo-fetare ose nga familje që e njohin dhe e praktikojnë fenë shumë dobët. Shanset për radikalizim në familjet që e njohin fenë mirë dhe e praktikojnë atë, janë shumë të vogla.[9] Kanali më i frekuentueshëm për procesin e radikalizimit është konstatuar gjerësisht të jetë ineterneti dhe rrjetet sociale, telepredikuesit islamikë - që i kapërcejnë xhematet e tyre klasike - me një diskurs agresiv dhe përjashtues.[10]
Përgjegjësia e përbashkët për parandalim
Një gjë duhet theksuar qartë se këta të rinj e të reja që po radikalizohen dhe ekstremizohen këtu në Perëndim, në fund të fundit, janë prodhim vendor i këtyre shteteve, pavarësisht se mund të jenë të ndikuar nga jashtë. Vetëm ky fakt na vë përpara përgjegjësisë kolektive lidhur me këto akte. Askush nuk mund dhe nuk duhet t’ia drejtojë gishtin tjetrit se ai është fajtor ose lehtësues i rrethanave të tilla. Këtu e kam fjalën nga poshtë për familjen, për shkollën, për xhaminë, për organizatat fetare islame dhe të tjerat joqeveritare, për mediat dhe te politika, si dhe mbrapshtë nga lart poshtë, në të njëjtën linjë. Këto ne i kemi shprehur disa herë në raste të ndryshme si ligjërata e predikime fetare në xhami, në rrjetet tona sociale, në seminare me të rinj e të reja, në ligjëratat tona në Youtube si dhe në librin «Ekstremizmi në emër të Islamit» i cili pritet që së shpejti të botohet edhe në gjuhën gjermane.
Përfundim
Në përfundim, rastet e dhunës që kryhen nën parulla fetare nuk mund të shpjegohen me një formulë të vetme dhe as të përdoren për ta fajësuar një fe të tërë apo një komunitet të tërë. Ato kërkojnë lexim të matur, hetim të drejtë dhe përgjegjësi të përbashkët. Radikalizimi nuk lind në boshllëk: ai ushqehet nga plagë personale, dështime familjare, përjashtime sociale, ideologji manipuluese, boshllëqe arsimore dhe nganjëherë edhe nga interpretime ekstremiste të fesë që e shkëpusin fenë nga etika, mëshira dhe përgjegjësia.
Prandaj, përgjigjja ndaj këtij fenomeni nuk mund të jetë as stigmatizimi i muslimanëve, as heshtja e bashkësive islame. Ajo duhet të jetë një përpjekje e përbashkët e familjes, e shkollës, e xhamisë, e institucioneve shtetërore, e mediave dhe e politikës. Bashkësitë muslimane duhet ta thonë qartë se ekstremizmi nuk është shprehje e Islamit, por deformim i tij; ndërsa shoqëria më e gjerë duhet ta kuptojë se parandalimi nuk bëhet me paragjykim, por me drejtësi, integrim, edukim dhe bashkëpunim. Vetëm kështu mund të ndërtohet një siguri që nuk prodhon frikë, por besim; dhe një shoqëri që nuk kërkon fajtorë kolektivë, por zgjidhje të përbashkëta.
Kreuzlingen, 31 maj 2026
[1] www.srf.ch/news/schweiz/messerangriff-in-winterthur-angreifer-war-polizei-bekannt-fehr-spricht-von-terrorakt(Shikuar së fundmi: 31.05.2026)
[2] «Mein Sohn ist krank, aber kein Terrorist», www.blick.ch/schweiz/zuerich/jetzt-spricht-der-vater-des-winterthurer-messer-terroristen-ich-hoffe-alle-werden-wieder-gesund-id21985636.html (Shikuar së fundmi: 31.05.2026)
[3] Shiko për shembull organizatat islame në Zvicër FIDS (www.fids.ch), VIOZ (www.vioz.ch), DAIGS (www.daigs.ch).
[4] Intervistë e Michael Hesse me Olivier Roy „Es ist eine Generation im Zeichen der De-Kulturalisierung des Islam“: www.fr.de/kultur/gesellschaft/olivier-roy-es-ist-eine-generation-im-zeichen-der-de-kulturalisierung-des-islam-90082030.html (Shikuar së fundmi: 31.05.2026)
[5] "Gilles Kepel spricht über den islamistischen Terror", https://aktuelles.uni-frankfurt.de/veranstaltungen/gilles-kepel-spricht-ueber-den-islamistischen-terror (Shikuar së fundmi: 31.05.2026)
[6] Schmid, Alex P., Radicalisation, De-Radicalisation, Counter-Radicalisation: A Conceptual Discussion and Literature Review, ICCT Research Paper, Hagë, 2013, f. 5; Vidino, Lorenzo, „Strategien gegen jihadistische Radikalisierung in Europa“, në CSS Analysen zur Sicherheitspolitik, ETH Zürich, nr. 128, shkurt 2013, f. 3.
[7] Schmid, Alex, po aty, f. 4.
[8] Şahinöz, Cemil, “Fast nie geht es um theologische Gründe”, në Islamiche Zeitung, nr. 255; Po ai, Salafismus – Extremismus und Fanatismus verstehen und handeln, BoD, Norderstedt, 2016, f. 53.
[9] Shiko edhe Kursani, Shpend, Raport për shkaqet dhe pasojat e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës si luftëtarë të huaj në Siri dhe Irak, Kosovar Center for Security Studies (KCSS), Prishtinë 2015, f. 74-75.
[10] Davolio, Mirjam Eser et al., Hintergründe jihadistischer Radikalisierung in der Schweiz – Eine explorative Studie mit Empfehlungen für Prävention und Intervention, Schlussbericht, ZHAW, 2015, f. 13-15.

