José Casanova

 

 

FEJA, POLITIKA DHE GJINIA NË KATOLICIZËM DHE NË ISLAM

(Përmbledhje fragmentesh nga artikulli i dytë i librit «Europas Angst vor der Religion»)

 

 

Diskursi bashkëkohor global mbi Islamin si një fe gjoja fundamentaliste, jodemokratike dhe seksiste paraqet ngjashmëri befasuese me diskursin e dikurshëm mbi Katolicizmin, i cili mbizotëronte në shoqëritë protestante anglosaksone, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, nga mesi i shekullit XIX deri në mesin e shekullit XX. Të dyja këto diskurse mbështeten mbi katër premisa të ngjashme:

(a) një dallim teologjiko-politik midis feve “të qytetëruara” dhe “barbare”, domethënë midis feve që janë në përputhje me parimet e iluminizmit dhe të politikës liberale-demokratike, dhe feve që janë të rrënjosura në tradita që u kanë rezistuar pretendimeve progresive të filozofisë iluministe të historisë, liberalizmit dhe sekularizmit;

(b) një qëndrim nativist, i drejtuar kundër emigrantëve, i cili e pohon pamundësinë e asimilimit të të huajve për shkak të zakoneve dhe praktikave të tyre shoqërore të konsideruara si të paqytetëruara;

(c) lidhje dhe besnikëri transnacionale, qoftë ndaj një autoriteti fetar të jashtëm (p.sh. Papës), qoftë ndaj një bashkësie fetare ndërkombëtare (p.sh. Ummet), të cilat duken të papajtueshme me parimet e qytetarisë dhe me pretendimet ekskluzive të shtetit modern kombëtar;

(d) pretendime të caktuara morale lidhur me denigrimin e grave në patriarkatet fetare, në kundërshtim me vlerësimin më të lartë që u atribuohet atyre në protestantizëm.

Secila prej këtyre katër premisave mund të ketë qenë më shumë ose më pak e theksuar në periudha dhe vende të ndryshme. Megjithatë, është pikërisht ndërthurja e tyre ajo që ua ka dhënë diskurseve anti-katolike dhe anti-muslimane fuqinë e tyre mbizotëruese.

Vendosja përkrah njëri-tjetrit e Katolicizmit dhe Islamit tregon se problemet nuk qëndrojnë vetëm në paraqitjet e thjeshtuara të një Islami të njëtrajtshëm “fundamentalist”, të cilat nuk e vlerësojnë larminë e jashtëzakonshme që mund të haset në shoqëritë muslimane, si në të kaluarën ashtu edhe në të tashmen. Po aq problematike dhe çorientuese është edhe ndërtimi esencialist i një Perëndimi modern e sekular, i cili dështon ta njohë krishterimin katolik si një përbërës thelbësor të historisë dhe të aktualitetit të modernitetit perëndimor.

Çdo akuzë ndaj Islamit si një fe fundamentaliste, antimoderne dhe antiperëndimore, jo shumë kohë më parë, do të mund të drejtohej me të njëjtën arsye edhe kundër Katolicizmit. Madje, shumica e tipareve themelore të asaj që sot quhet Islam politik, të cilat vëzhguesit perëndimorë i konsiderojnë të papranueshme — si, për shembull, përdorimi i metodave terroriste, justifikimi i dhunës revolucionare si një mjet i ligjshëm në përpjekjen për pushtet politik, si dhe strukturat juridike që i nënshtrojnë gratë një standardi të dyfishtë të moralit seksual — mund të gjenden në historinë jo shumë të largët të shumë vendeve perëndimore dhe të një sërë lëvizjesh moderne sekulare.

Para se këto dukuri të dënueshme t’i atribuohen me kaq nxitim qytetërimit Islam, ndoshta duhet reflektuar mbi mundësinë që vetë moderniteti global, në njëfarë mënyre, prodhon praktika të tilla.

Ky artikull është i strukturuar në tri pjesë. Pjesa e parë e shqyrton diskursin modern mbi Katolicizmin si një fe fundamentaliste dhe anti-moderne, ashtu siç u zhvillua në shekullin XIX në kontekste protestante liberale dhe republikano-demokratike — me një theks të veçantë mbi nativizmin antikatolik amerikan.

Pjesa e dytë e analizon diskursin bashkëkohor perëndimor mbi Islamin dhe transformimet aktuale muslimane, nga këndvështrimi krahasues i analizës së Katolicizmit, siç është zhvilluar në pjesën e parë.

Pjesa e tretë dhe e fundit synon të skicojë në mënyrë paraprake atë që mund të quhet politika fetare e çështjeve gjinore në Katolicizëm dhe në Islam.

 

Ashtu si në rastin e Katolicizmit, edhe debatet e brendshme dhe të jashtme mbi përputhshmërinë e Islamit me demokracinë dhe me liritë moderne individuale zhvillohen në tri nivele të ndryshme, por të ndërlidhura ndërmjet tyre:

1.  në debatet mbi “Islamizmin”, mbi strukturën transnacionale të botës Islame dhe mbi të ashtuquajturën përplasje të qytetërimeve ndërmjet Islamit dhe Perëndimit në nivel gjeopolitik, me paralele të dukshme me debatet e mëhershme mbi përplasjen ndërmjet “republikanizmit” dhe “romanizmit”;

2.  në debatet mbi Islamin politik dhe mbi legjitimitetin demokratik të partive muslimane në Turqi dhe gjetkë, të cilat — ashtu si homologët e tyre katolikë dikur po aq të dyshimtë — mund të vendosin forma të reja të demokracisë muslimane, të ngjashme me demokracinë e krishterë;

3.  si dhe në debatet mbi artikulimin e duhur të një ummeti musliman në kontekste migrimi jashtë «Dar el-Islamit».

 

 

Është një fakt i pamohueshëm se shumica e shteteve muslimane sot karakterizohen nga regjime autoritare dhe sisteme shtetërore shtypëse. Shumë prej këtyre regjimeve mbështeten në ndihmën ushtarake dhe financiare të Shtetet e Bashkuara dhe fuqive të tjera perëndimore. Një pjesë e madhe e tyre pretendojnë të jenë shtete “muslimane” ose e përdorin mbulesën fetare të Islamit si burim legjitimiteti politik për institucione dhe praktika të ndryshme politike.

Në të vërtetë, pothuajse çdo lëvizje apo projekt politik në botën islame — qoftë në pushtet apo në opozitë — pretendon të jetë “islamik”, në mos edhe “islamist”. Pikërisht ky realitet, i një bashkimi në dukje të pashmangshëm ndërmjet fesë dhe politikës në vendet muslimane, ka shtyrë shumë vëzhgues dhe ekspertë të jashtëm t’ia atribuojnë Islamit një natyrë “fundamentaliste”, e cila supozohet se e bën atë të papajtueshëm me strukturat e diferencuara të modernitetit dhe me një privatizim të fesë, që mendohet të jetë i domosdoshëm për një demokraci liberale.

 

Pyetja vendimtare është nëse impulsi i përhapur, që haset në politikën e sotme të shteteve muslimane për të ndërtuar shtete “islame”, duhet t’i atribuohet një tipari thelbësor të Islamit, të cilin muslimanët nuk mund ta braktisin pa e tradhtuar njëkohësisht traditën dhe identitetin e tyre fetar; apo, përkundrazi, nëse kjo nuk është — siç ka pohuar Talal Asad — më tepër “produkt i politikës moderne dhe i shtetit që modernizohet”.

 

 

Unë besoj se vështrimi ndaj riformulimeve që po ndodhin aktualisht brenda traditës islame, nga një perspektivë krahasuese me aggiornamentin (përditësimin) katolik, do të ishte mjaft ndriçues. Të paktën, ai do të mund t’i relativizonte ndërtimet diskursive mbi një përplasje midis “Islamit” dhe “Perëndimit”.

Problemi që përsëritet kaq shpesh nga kritikët nuk qëndron vetëm në faktin se teza e Samuel P. Huntingtonit mbi “përplasjen e qytetërimeve” mbështetet mbi një konceptim esencialist të Islamit, por edhe në faktin se vetë ndërtimi i “Perëndimit” është po aq esencialist.

Në krahasim me strukturën administrative klerikale, hierarkike dhe të centralizuar në mënyrë hierokratike të Kishës Katolike, Ummeti musliman — të paktën në traditën sunite — paraqitet më shumë konciliar, më egalitar, më i ndjeshëm ndaj rolit të laikëve dhe i organizuar në mënyrë të decentralizuar.

Karakteri pluralist dhe i decentralizuar i autoritetit fetar, i cili ka mbizotëruar gjithnjë në Islamin tradicional, është theksuar edhe më fuqishëm në epokën moderne, në një kohë kur autonomia dhe autoriteti tradicional i ulemave — ruajtësve lokalë të traditës fetare — janë sfiduar dhe kufizuar si nga lart, përmes qeverive shtetërore, ashtu edhe nga poshtë, përmes demokratizimit të dijes dhe mediave.

Në të vërtetë, nëse ekziston një pikë mbi të cilën shumica e vëzhguesve dhe analistëve të Islamit bashkëkohor bien dakord, ajo është fakti se tradita islame, në të kaluarën e afërt, ka përjetuar një proces të paprecedentë pluralizimi dhe fragmentarizimi të autoritetit fetar — i krahasueshëm me procesin e nisur nga Reformacioni protestant.

Në këtë drejtim ekziston një dallim themelor ndërmjet proceseve transformuese katolike dhe atyre muslimane. Aggiornamento-ja katolike mori formën e një reforme zyrtare, relativisht të njëtrajtshme dhe të shpejtë nga lart, e cila hasi pak kundërshtim nga poshtë dhe mundi të zbatohej lehtësisht në botën katolike, duke sjellë kështu një homogjenizim të dukshëm global të kulturës katolike, të paktën në radhët e elitave.

Ndërkaq, Islamit i mungojnë institucionet e centralizuara dhe strukturat administrative për ta përcaktuar dhe imponuar një doktrinë zyrtare; për këtë arsye, është e mundshme që aggiornamento-t muslimane në zhvillim, të përshtatura ndaj realiteteve dhe dilemave globale, të jenë të shumëllojshme dhe të prodhojnë rezultate të ndryshme, shpeshherë edhe kontradiktore.

Duhet të mbetemi të hapur ndaj mundësisë që tradita islame, diskursi i saj karakteristik publik dhe praktikat muslimane ta prodhojnë dhe ta formësojnë pikërisht atë lloj shoqërie civile dhe institucionesh demokratike që mund të zhvillohen në vendet muslimane. Ka shumë modernitete perëndimore, dhe me gjasë do të ketë edhe shumë modernitete muslimane.

 

 

Debate po aq të zjarrta, që kanë të bëjnë me imazhin e gruas në Islam dhe me rolin e Islamit në legjitimimin dhe riprodhimin e patriarkatit si dhe të pabarazisë gjinore në shoqëritë muslimane, kanë shpërthyer gjatë dekadave të fundit.

Ashtu si në rastin e Krishterimit, kontributet më të rëndësishme dhe themelore në këto debate janë dhënë nga studiueset gra. Ekziston njëfarë konsensusi se shpallja kur’anore dhe sunneti i Profetit Muhammed përbënin një përmirësim të dukshëm të pozitës së grave — në krahasim me kushtet mbizotëruese në periudhën menjëherë para-islame në Gadishullin Arabik.

Gjithashtu pranohet gjerësisht se Muhammedi vetë i respektonte gratë, u besonte atyre dhe përpiqej të mundësonte një pjesëmarrje të barabartë të grave në jetën fetare të Ummetit. Nga ana tjetër, ekzistojnë dëshmi për një rënie të shpejtë të këtyre përpjekjeve me institucionalizimin e bashkësisë së hershme muslimane, e cila karakterizohet nga ajo që Jane I. Smith e quan procesi i dyfishtë i përjashtimit të grave: jo vetëm nga rolet udhëheqëse, por edhe nga dimensionet komunitare të jetës fetare, si dhe “sekuestrimi” i tyre në një hapësirë të ndarë nga kontakti i zakonshëm shoqëror me burrat.

 

Përfundim

Ky artikull i ka shqyrtuar pretendimet që qëndrojnë në themel të rrymave ekzistuese antikatolike në historinë shoqërore dhe intelektuale evropiane dhe amerikane, si dhe pretendimet mbi një përplasje qytetërimesh ndërmjet Islamit dhe Perëndimit, për të propozuar që zhvillimet në kulturat katolike dhe islame të kuptohen si aspekte të modernitetit. Pretendimet se seksizmi buron nga Islami apo është i brendashkruar në të, mund të vlerësohen, nga ky këndvështrim, si të varura nga zgjedhja e një kornize të ngushtë kohore dhe nga mosnjohja e sistemeve të tjera fetare.

Duke u përqendruar në çështjen gjinore brenda një diskutimi krahasues të modernitetit katolik dhe atij musliman, kam shkuar përtej shqyrtimit të qëndrimeve ksenofobe dhe kam përfshirë edhe debatet e brendshme në fusha të caktuara të secilës bashkësi fetare. Ekzistenca aktuale e këtyre debateve, si në kontekstet muslimane ashtu edhe në ato katolike, dëshmon se sa e dobishme është përfshirja si e fesë, ashtu edhe e çështjes gjinore, në analizat e proceseve politike të negociimit të modernitetit.

 

 

 

Përzgjodhi dhe përktheu nga gjermanishtja: Rehan Neziri

Kreuzlingen, 21 prill 2026