José Casanova

 

 

PROBLEMI I FESË DHE FRIKËRAT E DEMOKRACIVE SEKULARE EVROPIANE

(Kjo është një përmbledhje e esesë së parë nga libri i autorit «Europas Angst vor der Religion»)

 

Eseja e trajton në mënyrë kritike një prej supozimeve më të rrënjosura në mendimin politik evropian bashkëkohor: idenë se feja përbën një problem themelor për funksionimin e demokracisë. Autori argumenton se tensioni ndërmjet fesë dhe demokracisë nuk është një problem i brendshëm i fesë si e tillë, por më tepër rezultat i supozimeve sekulariste mbi natyrën e fesë, të demokracisë dhe të marrëdhënies ndërmjet tyre.

 

Narrativa sekulare dominuese dhe funksioni i saj

Sipas autorit Casanova, në traditën evropiane është formësuar një narrativë historike dhe normative, e cila shërben si justifikim për karakterin sekular të shtetit modern. Sipas kësaj narrative: në Evropën para-moderne ekzistonte një ndërthurje e ngushtë midis fesë dhe politikës; kjo ndërthurje çoi në konfliktet shkatërruese të luftërave fetare tridhjetëvjeçare (1618-1648); si reagim ndaj këtyre përvojave traumatike, u konsolidua ndarja e fesë nga politika, duke i hedhur themelet e shtetit sekular dhe të demokracisë moderne.

Ky rrëfim është bërë pjesë e identitetit kolektiv evropian dhe ka prodhuar një perceptim të fesë si burim «potencial konflikti» dhe «intolerance», ndërsa sekularizmi është konceptuar si kusht për paqe dhe stabilitet.

Megjithatë, autori Casanova e vë në dyshim këtë interpretim, duke argumentuar se ai është historikisht i pasaktë dhe konceptualisht i njëanshëm. Luftërat fetare nuk çuan drejtpërdrejt në sekularizim, por në konfesionalizimin e shteteve dhe në lidhjen e identitetit fetar me territorin politik. Parimi «cuius regio, eius religio» (e kujt është toka, e tij është edhe feja) nuk prodhoi shtet sekular, por shtet konfesional.

 

Marrëdhënia ndërmjet sekularizimit dhe demokratizimit

Një nga kontributet kryesore të esesë duket të jetë ndarja analitike e dy proceseve që shpesh konsiderohen të pandashme: sekularizimit dhe demokratizimit.

Autori demonstron se: këto procese nuk zhvillohen domosdoshmërisht në mënyrë paralele; se ekzistojnë regjime sekulare jo-demokratike (p.sh. regjimet komuniste); se në disa raste, aktorët fetarë kanë kontribuar në mënyrë aktive në proceset e demokratizimit. Këtu ai i përmend partitë politike me sfond fetar, si p.sh. kristiano-demokratët.

Për më tepër, realiteti evropian tregon se shumë demokraci funksionale nuk bazohen në një ndarje të rreptë midis fesë dhe shtetit. Ekzistenca e kishave shtetërore në disa vende nuk e ka penguar zhvillimin demokratik. Kjo nënkupton se ndarja strikte institucionale nuk është as kusht i domosdoshëm, as i mjaftueshëm për demokracinë.

Në këtë kontekst, autori e hekson rëndësinë e lirisë së fesë, veçanërisht të ushtrimit të saj të lirë, si një element themelor i rendit demokratik.

 

Modeli i “tolerimeve të dyfishta”

Si alternativë ndaj konceptimeve rigjide të sekularizmit, autori i referohet modelit të “tolerimeve të dyfishta” (twin tolerations) të Alfred Stepan. Ky model e përkufizon një raport reciprok ndërmjet sferës politike dhe asaj fetare: a. institucionet demokratike duhet ta tolerojnë autonominë e aktorëve fetarë; b. ndërsa aktorët fetarë duhet ta njohin legjitimitetin dhe autoritetin e institucioneve demokratike.

Ky kuadër teorik lejon një pluralitet modelesh institucionale, të cilat mund t’i përmbushin kriteret minimale të demokracisë pa qenë domosdoshmërisht sekulare në kuptimin strikt.

 

Konstrukti sekular i fesë si burim konflikti

Eseja argumenton se perceptimi i fesë si burim i dhunës dhe konfliktit është në masë të madhe një konstrukt diskursiv. Edhe pse shumë qytetarë evropianë e ndajnë këtë bindje, ajo nuk mbështetet në mënyrë të qëndrueshme në përvojën historike të shekullit XX.

Në fakt, konfliktet më shkatërruese të këtij shekulli – luftërat botërore, terrori totalitar, gjenocidet – ishin produkte të ideologjive sekulare, dhe jo të fesë. Megjithatë, kujtesa kolektive evropiane priret t’i theksojë konfliktet fetare të së kaluarës dhe ta minimizojë dhunën e prodhuar nga projektet sekulare.

Ky mekanizëm i kujtesës selektive shërben për të konsoliduar një identitet sekular evropian, duke e pozicionuar atë në kontrast me “tjetrin”, shpesh të identifikuar me botën joperëndimore dhe veçanërisht me Islamin.

 

Rikthimi i fesë në sferën publike

Autori Casanova identifikon një ndryshim të rëndësishëm në kontekstin bashkëkohor: rikthimin e fesë si temë e debatit publik, që ai e quan «deprivatizimi i fesë». Megjithëse nuk ka prova të forta për një ringjallje të përgjithshme fetare në Evropë, feja është bërë sërish një çështje e diskutueshme në hapësirën publike.

Ky zhvillim lidhet me proceset e globalizimit, migrimin transnacional, integrimin evropian, si dhe ngjarje me ndikim global, si sulmet e 11 shtatorit.

Si rezultat, paradigma e mëparshme e privatizimit të fesë është vënë në pikëpyetje.

 

Feja, migrimi dhe konstrukti i “tjetrit”

Një dimension qendror i debatit aktual është lidhja ndërmjet fesë dhe migrimit. Në diskursin evropian, Islami shpesh identifikohet me emigracionin dhe me “tjetërsinë”.

Autori argumenton se dimensione të ndryshme të dallimit fetar, etnik dhe socio-ekonomik bashkohen në figurën e “muslimanit”, duke prodhuar një diskurs uniform anti-musliman. Ky diskurs i pengon proceset e integrimit dhe i përforcon ndarjet shoqërore.

Debati mbi anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian e ilustron këtë tension më së miri. Turqia i sfidon kategorizimet tradicionale, duke qenë njëkohësisht një shtet modern dhe me shumicë muslimane, dhe kështu i vë në diskutim kufijtë kulturorë dhe politikë të Evropës.

 

Identiteti evropian dhe harresa selektive

Eseja e kritikon prirjen për ta përjashtuar rolin e krishterimit nga vetëkuptimi modern evropian. Narrativat që e theksojnë vetëm trashëgiminë greko-romake dhe iluministe, ndërsa e anashkalojnë kontributin e krishterimit, përbëjnë një formë amnezie historike.

Sipas autorit, një reflektim më i balancuar historik do të kontribuonte në një kuptim më realist dhe më gjithëpërfshirës të identitetit evropian.

 

Riformulimi i problemit

Në përfundim, autori thekson se feja nuk përbën një kërcënim të qenësishëm për demokracitë evropiane. Problemi qëndron në mënyrën se si diskurset sekulariste e konceptualizojnë dhe e trajtojnë fenë.

Rikthimi i fesë në hapësirën publike nuk duhet parë si rrezik, por si një sfidë që kërkon qasje pragmatike, gjithëpërfshirëse dhe reflektuese. Një model i tillë do ta mundësonte integrimin e dimensionit fetar brenda rendit demokratik, pa e demonizuar atë.

 

Përfundim

Eseja kontribuon në një rishikim kritik të marrëdhënies ndërmjet fesë dhe demokracisë në kontekstin evropian. Ajo demonstron se shumë nga bindjet dominuese janë të bazuara në narrativa historike të thjeshtuara dhe në konstrukte ideologjike.

Teza qendrore mund të përmblidhet si vijon: «Feja nuk është problemi themelor i demokracisë; problematike është mënyra se si atë e sheh, e interpreton dhe e pozicionon diskursi sekular modern.»

 

 

 

Rehan Neziri

Kreuzlingen, 20 prill 2026