Printo!
Kategoria: Familja islame
Lexuar: 502 herë


2. Mos u bëj gjurmues, por mbulues i të metave të tjetrit!



Çdo e bukur ka një mangësi.

Edhe trëndafili ka gjemba.

 

All-llahu i Madhëruar thotë në Kur’an: “Ato (gratë tuaja) janë mbulojë për ju dhe ju jeni mbulojë për to...” (el-Bekara, 2:187). Ashtu siç thamë edhe më herët, teshat jo vetëm që mbrojnë ato edhe mbulojnë. Pra, bashkëshortët janë mbuluesit e njëri-tjetrit. Kjo mbulesë duhet të jetë si karshi njerëzve të tjerë ashtu edhe ndaj atyre brenda familjes. Burri ose gruaja nuk duhet që vazhdimisht të gjurmojnë të metat dhe dobësitë e tjetrit. Nëse vërejnë diçka, ata duhet të mundohen ta mënjanojnë vetë atë. Bashkëshorti ose bashkëshortja mund të kenë dobësi që burojnë nga personaliteti i tyre, nga struktura fiziologjike, nga mënyra se si janë edukuar, nga ndikimi i rrethit të tyre etj. Një pjesë prej këtyre dobësive apo të metave, kusureve, mund të tejkalohet duke biseduar shtruar me njëri-tjetrin, duke e mësuar dhe këshilluar me butësi njëri-tjetrin. Ato që nuk mund të zgjidhen, në qoftë se nuk përbëjnë ndonjë pengesë a problem të madh, duhet të mbulohen. Ato që nuk mund të mbulohen, për to ndofta është mirë të kërkohet ndihma dhe mbështetja e familjarëve të tjerë ose edhe e njerëzve kompetentë, siç janë hoxhallarët, punëtorët socialë, psikologët, sociologët etj.

Bashkëshortët, në vend që të gjurmojnë të metat e njëri-tjetrit, bëjnë mirë që të kërkojnë, të gjejnë dhe t’i shfaqin e publikojnë anët e mira të tjetrit. Ata mund ta kritikojnë njëri-tjetrin, mirëpo kjo kritikë duhet të ketë për qëllim ndreqjen e raporteve dhe korrigjimin e sendeve dhe jo prishjen e tyre.




 

Shko te Përmbajtja e librit ...