Rejhan Neziri
 
 
Hyrje
 
Planeti ynë ekziston me miliarda vite dhe ndryshimi klimatik në vetvete nuk është diçka e re. Klima e tokës ka kaluar faza të ndryshme të lagështisë dhe të thatësisë, të të ftohtit dhe të të nxehtit, të shkaktuara nga faktorë të ndryshëm natyrorë. Shumica e këtyre ndryshimeve janë zhvilluar në mënyrë graduale, kështu që format e jetës dhe bashkësitë njerëzore janë përshtatur në përputhje me këto ndryshimet në natyrë. Ka pasur edhe ndryshime klimatike katastrofike, që kanë shkaktuar edhe zhdukje masive, mirëpo me kalimin e kohës jeta është përshtatur me këto ndikime, duke lulëzuar sërish me paraqitjen e ekosistemeve të balancuara, të cilat ne sot dimë t’i çmojmë.

Shpejtësia e ndryshimeve globale klimatike sot dallon për nga madhësia në krahasim me ndryshimet graduale që janë zhvilluar në të kaluarën. Për më tepër, kjo shpejtësi është shkaktuar nga vetë njeriu: ne njerëzit jemi bërë një forcë që e dominon natyrën. Epoka në të cilën jetojmë ne në gjeologji gjithnjë e më shumë njihet me emrin antropocene, pra “epoka a njeriut”. Lloji ynë njerëzor, edhe pse i zgjedhur nga Zoti për të qenë rojtar apo kujdestar (halif) i tokës, është bërë shkaktar i një prishjeje, shkatërrimi e shkretimi të saj, saqë ne sot rrezikojmë ta përfundojmë jetën tonë në tokë. Shkalla e shpejtësisë së ndryshimit klimatik është e pandalshme, ndërkaq ekuilibri i hollë i tokës (mizan) së shpejti mund edhe të mos jetë më.

Vërejmë se Programi mjedisor i Kombeve të Bashkuara (UNEP, 2005), i mbështetur nga mbi 1300 shkencëtarë nga 95 vende të botës, ka konstatuar se “marrë në përgjithësi, njerëzit kanë shkaktuar ndryshime më të mëdha në ekosistem në gjysmën e fundit të shek.. XX sesa në ndonjë kohë tjetër në historinë e njerëzimit... këto ndryshime e kanë rritur mirëqenien njerëzore, mirëpo janë shoqëruar edhe me degradimin gjithnjë në rritje (të mjedisit tonë).”

Ngrohja globale dhe harxhimi i energjive tokësore në emër të zhvillimit ekonomik dhe të avancimit të njerëzimit po bëhet gjithnjë e më tepër alarmues, sidomos kur të kihet parasysh ndikimi i kombinuar i rritjes së vazhdueshme të numrit të popullatës së përgjithshme botërore dhe të rritjes alarmante të harxhimeve për kokë banori. Me veprimet e këtilla ne e përshpejtojmë shkatërrimin tonë personal në planetin tokë.

Duke u nisur nga këto të dhëna rrëqethëse që i ofrojnë shkencëtarët dhe organizatat e ndryshme botërore që e kanë dert dhe shqetësim të tyre ruajtjen e ambientit dhe të planetit tokë, parashtrohet pyetja se çfarë do t’u themi gjeneratave pas nesh për ne, që po u lëmë trashëgimi një planet të varfëruar e të shkretuar? Si do ta takojmë Zotin, Krijuesin tonë, i Cili këtë planet na ka lënë amanet?

Të shqetësuar jashtë mase për këto ndryshime përmasash të pandalshme, sot thuajse në gjithë botën, njerëz të merakosur e sidomos brezat e rinj, demonstrojnë përpara parlamenteve dhe zyrave me rëndësi shtetërore, për ta zgjuar ndërgjegjësimin dhe ndjenjën e përgjegjësisë së secilit, por në radhë të parë të instancave qeverisëse, ndaj kësaj katrahure që po na shkel heshtazi të gjithë ne.

Mbase dikush mund të thotë se çfarë roli mund të luajmë ne shqiptarët disa milionësh në këto çështje të mëdha planetare? Sa mund të ndikojmë ne për ta përmirësuar këtë gjendje? Tekefundit sa mund ta kemi dëmtuar ne një grusht njerëz në tokë këtë baraspeshë përmasash botërore? Madje mund ta quajmë edhe të kotë, madje edhe punë luksi, trajtimin e kësaj teme, duke qenë se kemi probleme më të mëdha dhe më jetësore sesa kujdesi për ambientin. Mirëpo, duke u nisur nga fakti se secili prej nesh jemi banorë të këtij planeti dhe se sa kemi hise në të mirat e tij po aq e kemi edhe përgjegjësinë për gjërat që nuk shkojnë, ne na vë përpara një përgjegjësie të padiskutueshme qoftë në nivel lokal qoftë edhe më gjerë. Mungesa e vetëdijes dhe e përgjegjësisë për ruajtjen e ambientit në nivel lokal është shenjë se ne edhe në nivele të tjera më të gjera ose më të larta do të kemi po të njëjtën mungesë vetëdijeje dhe përgjegjësie. Ne, nuk e mohojmë faktin se përgjegjësia më e madhe sot dhe çdo herë u takon atyre që e dëmtojnë dhe e ndotin më së shumti planetin tonë në nivel global, mirëpo asnjë individ nuk i ik dot përgjegjësisë personale. Edhe sikur të mos ishte ngrohja globale dhe problemet e tjera ekologjike që sot janë bërë brengë serioze, njeriu nuk i ik dot përgjegjësisë për ruajtjen dhe kujdesin ndaj ambientit. Pra, në plan të parë vjen ruajtja e rendit, e sistemit dhe e ambientit si detyrë parësore e secilit individ, e tek pastaj, domosdo dhe rrjedhimisht, edhe përmirësimi i asaj që mund të jetë dëmtuar, prishur e çrregulluar. Kur është në pyetje përgjegjësia, pothuajse të gjithë ne zakonisht priremi që atë ta kërkojmë te tjetri, duke harruar se edhe ne për të tjerët jemi “tjetri”. Andaj, nga secili prej nesh pritet ta bëjmë më të mirën që mundemi.

Në këtë artikull ne do të mundohemi të japim mendimin islam karshi këtyre temave, duke nisur me burimin e parë të Islamit, pra me Kur’anin Fisnik, duke vazhduar me traditën shembullore të Muhammedit a.s. si dhe duke e përmbyllur me disa refleksione të përgjithshme për në të ardhmen.



Lexo tekstin e plotë në PDF.