Printo!
Kategoria: Familja islame
Lexuar: 457 herë

 

FORMIMI I FAMILJES

 
Në shkencën e sociologjisë dallohen disa lloje familjesh për nga struktura dhe madhësia e tyre. Kemi familje bërthamë, e cila përbëhet nga babai, nëna dhe fëmijët e pamartuar, dhe kemi familje të madhe apo të zgjeruar, në të cilën, përveç të parëve, bashkëjetojnë edhe gjyshi, gjyshja, halla e pamartuar, xhaxhai i pamartuar etj. Struktura dhe madhësia e familjes mund të ndryshojë varësisht nga kultura, traditat dhe zakonet e një vendi. Të gjitha llojet e këtilla të familjes janë të kuptueshme brenda trungut të gjerë islam. Pra, në Islam nuk luan ndonjë rol të veçantë madhësia e familjes, por raportet brenda familjare dhe funksionet e saj.

Familja e re krijohet me martesën e dy çifteve, të cilët më pas lindin fëmijët e tyre.

Islami i kushton rëndësi të veçantë zgjedhjes së kandidatit apo kandidates për martesë, pasi që kjo fazë shihet si vendimtare për lumturinë apo për mjerimin e mëtejmë të familjes. Muhammedi a.s. na tërheq vërejtjen në këtë drejtim duke thënë:

 

اَلدُّنْيَا مَتَاعٌ وَخَيْرُ مَتَاعِ الدُّنْيَا الْمَرْأَةُ الصَّالِحَةُ


“Dynjaja (kjo botë) është pasuri e kënaqësi dhe më e mira pasuri e kënaqësi e saj është të kesh një bashkëshorte (grua) të mirë”. (Muslimi)

Jeta e kësaj bote është e mbushur me kënaqësi, ëndje e të mira të ndryshme, mirëpo më e mira e të mirave është të kesh një bashkëshorte të mirë. Kjo në të njëjtën kohë nënkupton edhe palën tjetër të çiftit. Ky hadith lë të kuptohet edhe kështu: “... më e mira kënaqësi e saj është të kesh një bashkëshort (burrë) të mirë”.

Në një hadith tjetër Muhammedi a.s. na tregon arsyet më të shpeshta për të cilat martohet – paraprakisht fejohet - një grua. Pra, arsyet apo preferencat më të shpeshta që kërkohen te vajza apo gruaja. Ai thotë:

 

تُنْكَحُ الْمَرْأَةُ لِأَرْبَعٍ: لِمَالِهَا وَلِحَسَبِهَا وَلِجَمَالِهَا وَلِدِينِهَا، فَاظْفَرْ بِذَاتِ الدِّينِ تَرِبَتْ يَدَاكَ


“Gruaja martohet për katër gjëra: për pasurinë e saj, për prejardhjen e saj, për bukurinë e saj dhe për fenë (moralin)e saj. Zgjidhe fetaren (të moralshmen), në daç të jesh i lumtur!”. (Buhariu dhe Muslimi)

Pra, atë që një djalë a burrë më së shumti e kërkon te një vajzë apo grua me të cilën dëshiron të fejohet e të martohet është: ose pasuria e saj, ose prejardhja e saj nga ndonjë familje me emër e me autoritet shoqëror, ose bukuria e saj fizike, ose fetaria apo sjellja e moralshme e saj. Natyrisht, këtu mund të përmenden edhe arsye apo kritere të tjera, por këto i përmend Muhammedi a.s. si shembuj më tipikë në këtë drejtim. E njëjta gjë vlen, edhe këtu, edhe për palën tjetër të çiftit. Edhe një vajzë apo grua si rëndom kërkon ose parapëlqen si zakonisht te një djalë apo burrë pasurinë, prejardhjen, bukurinë ose sjelljen e moralshme të tij.

Në këtë hadith Muhammedi a.s. na bën me dije se me rastin e kërkimit të “fatit” bashkëshortor të kemi kujdes se çfarë tiparesh apo cilësish të parapëlqejmë te personi i palës tjetër. Prandaj, këtu nuk mund të flitet për një fat të paracaktuar nga Zoti, apo siç e quajmë ne zakonisht “kismet”, por për një zgjedhje dhe përzgjedhje të vetëdijshme, duke mos u mashtruar pas sendeve dhe veçorive të përkohshme. Nëse e zgjedhim një person vetëm për shkak të pasurisë së tij apo të familjes së tij, duhet të kemi parasysh se ai apo familja e tij këtë pasuri mund ta humbasin një ditë, për shembull si pasojë e krizave të shpeshta financiare të një vendi. Nëse e zgjedhim një person vetëm për shkak të prejardhjes fisnike dhe me nam shoqëror, duhet të kemi parasysh se ai apo familja e tij këtë nam e autoritet mund ta humbasin një ditë në sytë e botës, për shembull si pasojë e ndonjë shpifjeje apo etiketimi të ndonjërit prej anëtarëve të familjes. Nëse e zgjedhim një person vetëm për shkak të bukurisë së tij, duhet të kemi parasysh se një ditë ai mund ta humbasë këtë bukuri, për shembull në një aksident trafiku, në vendin e punës apo gjetiu. Nëse këtyre personave u mungon fetaria, u mungon morali apo edukata dhe sjellja e mirë dhe e bukur, atëherë, me humbjen e të parave, do ta kemi humbur edhe personin, në këtë rast të fejuarin/ën, ose edhe më keq, burrin/gruan. Vetëm kriteri i pasurisë, vetëm kriteri i prejardhjes, vetëm kriteri i bukurisë etj., nuk garantojnë qetësi dhe lumturi në familje, nëse aty mungon koncepti i besnikërisë, i dashurisë, i respektit, i solidarizimit dhe nëse aty mungojnë vlerat tjera fetare e morale. Por, nëse një person i zotëron këto vlera fetare e morale, këto do t’ia shtojnë akoma më shumë bukurinë e begatinë si pasurisë, si prejardhjes ashtu edhe bukurisë fizike dhe tipareve të tjera që i ka ai. Nuk ka asgjë të keqe që një djalë, burrë apo një vajzë, grua t’i ketë të gjitha këto përnjëherësh. Përzgjedhja do të ishte shumë e kollajshme nëse një djalë apo vajzë është edhe i/e bukur, edhe pasanik, edhe me nam shoqëror po edhe me sjellje e edukatë të mirë morale. Ndërkaq kjo është një gjendje shumë e rrallë, pothuajse e pamundur. Për këtë arsye, në qoftë se do të duhet të zgjedhim midis disa veçorive apo tipareve të ndryshme të një personi me të cilin do ta ndajmë jetën së bashku, atëherë në bazën e të gjitha këtyre le të jetë fetaria apo edukata a sjellja e mirë morale. Vetëm këto vlera garantojnë lumturinë e vazhdueshme në një raport ndërnjerëzor, e në rend të parë brenda familjes.

Pikërisht për këtë arsye All-llahu xh.sh. në Kur’anin fisnik na bën me dije:

 

وَمِنْ آيَاتِهِ اَنْ خَلَقَ لَكُمْ مِنْ اَنْفُسِكُمْ اَزْوَاجًا لِتَسْكُنُوا اِلَيْهَا وَجَعَلَ بَيْنَكُمْ مَوَدَّةً وَرَحْمَة


“Dhe njëra prej shenjave të Tij (Zotit) është se Ai për ju krijoi gratë që të mund të pushoni pranë tyre dhe të gjeni prehje e qetësi në to, kurse ndërmjet jush vendosi dashurinë dhe mëshirën” (er-Rum 30:21).

Gjetja e qetësisë, e prehjes, e rehatisë, por edhe e dashurisë së sinqertë dhe e mëshirës së ndërsjellë brenda familjes, në radhë të parë brenda bashkëshortëve, është e mundur vetëm në saje të një lidhjeje serioze, të sinqertë dhe të vetëdijshme midis anëtarëve të saj. Nëse njeriu këto mirësi nuk i gjen në familje, ku do të mund t’i gjejë tjetërkund? Në qoftë se një familje, burri e gruaja bashkë me fëmijët dhe eventualisht edhe anëtarët tjerë të familjes, nuk ofrojnë qetësi e rehati, dashuri e respekt për njëri-tjetrin, aty do të thotë se kemi të bëjmë me një jetesë pranë njëri-tjetrit, por jo me një jetesë bashkë me njëri-tjetrin. Kjo familje së shpejti nuk do të mund të quhet familje më.

Po kështu në Kur’anin e ndershëm All-llahu Fuqiplotë na flet edhe për raportin që kanë ndërmjet tyre burri dhe gruaja, bashkëshorti e bashkëshortja:

 

هُنَّ لِبَاسٌ لَكُمْ وَاَنْتُمْ لِبَاسٌ لَهُنَّ


„Ato (gratë tuaja)janë si rrobat tuaja dhe ju je-ni si rrobat e tyre…“ (el-Bekara: 187).

Përngjasimi i partnerëve me rrobat apo teshat në këtë ajet është shumë domethënës. Teshat jo vetëm që e mbrojnë njeriun nga të nxehtët e verës dhe nga të ftohtët e dimrit, por ato edhe i mbulojnë vendet e turpshme të tij, ato madje-madje e zbukurojnë atë. Në të njëjtën mënyrë, edhe burri edhe gruaja e mbrojnë dhe e mbështesin njëri-tjetrin, rrinë ngjitas dhe afër njëri-tjetrit, ia mbulojnë njëri-tjetrit të metat dhe turpet, si në rastet e gëzimit ashtu edhe në rastet e pikëllimit, si kur janë të shëndoshë ashtu edhe kur janë të sëmurë, si kur përjetojnë momente të lumtura ashtu edhe kur përjetojnë ndonjë mërzi. Me një fjalë, burri e gruaja e plotësojnë njëri-tjetrin, secili prej tyre është gjysma e së tërës.

Duke i marrë parasysh këto dy ajete kur’anore, edhe një herë duhet menduar dhe peshuar mirë e mirë se me kë po hyjmë në fejesë, në martesë e në jetën bashkëshortore, me kë po ngremë shtëpinë dhe familjen. Sepse përzgjedhja e një partneri/e të mirë për jetë është garanci e fuqishme për mbarëvajtjen dhe qëndrueshmërinë e lumturisë familjare gjatë tërë jetës së tyre. Nëse kemi kujdes se me kë po krijojmë familje, kjo do të thotë që ne po kujdesemi që në të ardhmen të kemi më pak kokëçarje, më pak fesat e zënka, më pak zhgënjime e frustrime, ndërkaq më shumë qetësi, më shumë ngrohtësi shpirtërore, më shumë dashuri e respekt të ndërsjellë.

Në qoftë se ndonjërit nga partnerët i mungojnë këto veçori e vlera fetare, morale e shpirtërore dhe ndërkohë që këto i kërkon te pala tjetër, pra dëshiron që këto t’i kompensojë me ato të të tjetrit, me fjalë të tjera dëshiron të fejohet e të martohet me një që nuk është i të njëjtit rang vlerash e veçorish, kjo automatikisht do të thotë që ky partner ka vendosur të krijojë një çerdhe, një shtëpi e cila në vend që do t’i sillte atij rehati e mirëqenie, do t’i sjellë shqetësim, mjerim e ankth.


 

Shko te Përmbajtja e librit...