LITERATURA:

 

Abdullah Nasil Ulvan, Rregullat e fejesës e të martesës dhe detyrimet e bashkëshortësisë, Furkan, Tetovë 1993.
 

Adnan Çoban, “Aile içi şiddetin sebepleri”, www.adnancoban.com.tr.
 

Ahmed Hurshid, Jeta familjare në Islam, Logos-A, Shkup 1999.
 

Hamude Abdulati, Struktura familjare në Islam, Logos-A, Shkup, 1995.
 

İbrahim Dönmezer, Ailede iletişim ve etkileşim, Sistem Yay., Samboll 1999.
 

Lois Lamja Faruki, Gratë, shoqëria muslimane dhe Islami, Logos-A, Shkup 2007.
 

Ludger Wentingmann, Warum Familien streiten, Westfälische Reihe, Münster 2016.
 

Mehmed Faik, Aile Saadeti, Bedir yay., Stamboll 1990.
 

Tahir bin Ashur, et-Tahrir ve’t-Tenvir, Daru’t-Tunusijjeh lin-Neshr, Tuniz 1984, vëll. 5.
 

Thomas Gordon, Die neue Familienkonferenz – Kinder erziehen ohne zu strafen, bot. 19, Wilhelm Heyne Verlag, Mynih 2005.
 

Thomas Gordon, Familienkonferenz – Die Lösung von Konflikten zwischen Eltern und Kind, bot. 44, Wilhelm Heyne Verlag, Mynih 2005.
 

Yunus Vehbi Yavuz, Kur’an’da Kadın Hak ve Özgürlüğü, Feyiz yay., Mudanya 2011.
 

Zekiye Demir, Aile Huzuru, Diyanet İşleri Başkanlığı Yay., Ankara 2011.




 

Shko te Përmbajtja e librit ...




 



10. Mundohu t’ia shkosh tjetrit në dashuri dhe në respekt!


Shpeshherë në martesë ndodhin edhe zënka midis bashkëshortëve dhe kjo duhet të shihet si shumë normale. Një proverb thotë: “Nuk ka oxhak pa tym dhe martesë pa zënka”.

Me rëndësi është që bashkëshortët të mësohen edhe si t’i tejkalojnë edhe momentet e krizës, të mospajtimit, bile edhe të zënkës, ashtu siç dinë të kalojnë edhe mirë. Për pak e për shumë, nuk është në rregull që ata t’ia përkujtojnë njëri-tjetrit të drejtat dhe detyrat që ata i kanë ndaj njëri-tjetrit. Sepse vetëm ana formale e këtyre të drejtave dhe e përgjegjësive, siç kemi thënë më herët, nuk e siguron dashurinë midis burrit dhe gruas. Këto të drejta dhe detyra e rregullojnë martesën në vija të përgjithshme dhe, në rend të parë, e mbrojnë njëri-tjetrin nga padrejtësia, që të mos e shkelin njëri-tjetrin nga aspekti juridik, mirëpo këto vetvetiu nuk krijojnë respekt, mirëkuptim dhe dashuri midis tyre. Respekti dhe dashuria duhet të kultivohen vazhdimisht, se jeta.

Dashurisë duhet t’i bëjnë hyzmet të dytë, edhe burri edhe gruaja. Madje ata duhet të shtyhen, të garojnë në faktin se cili do ta dojë më shumë tjetrin dhe jo cili ka më shumë të drejtë për respekt e dëgjueshmëri.

Kurdo-kurdo njeriu duhet të dijë, të kuptojë dhe t’i përgjigjet vetvetes: nëse dëshiron më shumë të dojë apo të duhet nga dikush. Kjo e përcakton edhe tipin e personalitetit të tij në martesë: është një person që do apo që pret të duhet, është një person që për dashurinë është i gatshëm të flijojë gjithçka apo është një person që edhe në dashuri tregon narcizëm dhe egoizëm.

Pra, mos prit që të të dojë tjetri, të duhesh nga të tjerët, por duaj edhe ti, dhuro dashuri edhe ti, bile ti bëhu i pari që do të duash dhe që do të duash më shumë se kushdo tjetër. Ky është çelësi i suksesit në familje.

Dashuria, ndër të tjera, matet me atë se sa je i gatshëm të flijosh, të sakrifikosh për të!




 

Shko te Përmbajtja e librit ...





 



9. Gjithçka në jetë ndaje me tjetrin!


Ndarja duhet të ndodhë si midis bashkëshortëve, ashtu edhe midis prindërve dhe fëmijëve të tyre. Ndarja midis bashkëshortëve ndodh në shumë plane: në punët dhe përgjegjësitë e shtëpisë, në jetën seksuale, në të ardhurat dhe në të dalat e shtëpisë, pra në ekonominë dhe financat, etj.

Bashkëshortët siç duhet të ndajnë kohë për plotësimin e nevojave dhe për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta, ashtu duhet të ndajnë kohë edhe për kohën e lirë dhe për argëtimin e njëri-tjetrit. Aisheja r.a., gruaja e Pejgamberit a.s., rrëfen: “Pejgamberi a.s. u shty me mua në gara të ngarendjes. Një herë e fitova unë, e një herë tjetër më fitoi ai” (Ebu Davudi). Që nënkupton se Pejgamberi a.s., përskaj shumë angazhimeve si pejgamber dhe si udhëheqës i muslimanëve që ishte, përsëri gjente kohë për t’u argëtuar me bashkëshorten dhe me familjen e tij. Po ashtu, ai bashkë me Aishen r.a. kanë shikuar vallet tradicionale të etiopasve që i luanin në oborrin e xhamisë në Medine. Nga kjo kuptojmë se burri dhe gruaja, madje bashkë edhe me fëmijët e tyre, si një familje e plotë, duhet të marrin pjesë bashkërisht në aktivitete të ndryshme fetare, kulturore, sportive dhe argëtuese.

Kur martohen dy të rinj, ndër uratat e ndryshme që u thuhen, është edhe kjo: “Kalofshi të lumtur bashkë në ditë të bardha e në të zeza!”. Pikërisht kjo është ajo që bashkëshortët duhet ta ruajnë sa të jenë gjallë: gatishmërinë për ta ndarë bashkë çdo gëzim dhe çdo pikëllim në jetën e tyre të përbashkët. Dhe jeta gjithsesi se i ka të dyja këto: edhe gëzimin me të gjitha format e tij, po edhe pikëllimin me të gjitha shkallët e tij. Prandaj proverbi popullor: “Pikëllimi pakësohet duke u ndarë, kurse gëzimi shtohet duke u ndarë.”, më së shumti vlen në jetën familjare dhe bashkëshortore.

Njëra anë e ndarjes dhe e këmbimit është ajo midis bashkëshortëve, e ana tjetër është ajo midis prindërve dhe fëmijëve. Mënyra më e mirë që prindërit të mund t’ia shfaqin fëmijës së vet dashurinë dhe ngrohtësinë prindërore është ndarja e kohës për të lozur bashkë me të, për të bërë bashkë gjëra që i shkojnë për qejfi fëmijës. Nuk kemi shfaqur shumë dashuri ndaj fëmijës nëse atij i japim dhurata e lodra të shtrenjta, apo nëse i blejmë tesha të markave të njohura. Po as edhe vetëm duke i thënë “të dua!”. Për ta shfaqur këtë dashuri, duhet diçka më tepër se kaq, në fakt diçka më e thjeshtë se kaq, pra duke u marrë personalisht me fëmijën dhe duke ndarë kohë të mjaftueshme për të.

Një djalë e pyet babanë e tij se sa paguhet ai për një orë në vendin e punës. Babai nguron t’i tregojë, mirëpo djali këmbëngul. Pas një kohe babai e ndien veten fajtor dhe shkon në dhomën e djalit dhe i thotë: “Unë fitoj njëzet euro në orë, por mos i trego kujt.” Djali i thotë: “A mi jep hua dhjetë euro, babi?” Babai nxjerr kuletën dhe i jep dhjetë euro. Djali e fut dorën nën jastëk dhe i nxjerr edhe dhjetë euro të tjera që i kishte pas kursyer më herët  dhe i thotë: “Babi, ja njëzet euro, po të paguaj të vish nesër me mua për një orë të shëtisim e të lozim bashkë”.

Ky rast flet shumë, s’ka nevojë ta komentojmë. Fëmija, para se të ketë nevojë për mjete financiare e të ngjashme, ai ka nevojë për afërsinë trupore dhe shpirtërore, për interesimin dhe për kohën e prindit të vet, qoftë nëna qoftë babai. Për këtë duhet caktuar, për shembull, një orar të caktuar për lexim të përbashkët, për shikim filmi bashkërisht, për lojë e argëtim të përbashkët, për shëtitje dhe piknik të përbashkët, por në veçanti, dhe kjo është shumë me rëndësi, një sofër buke e përbashkët.

Një mësuese e shkollës fillore në SHBA u jep detyrë nxënësve të saj të klasës së dytë të shkruajnë në fletore se çfarë do të dëshironin të mos ishte shpikur kurrë, pra çfarë është shpikur por që nuk ia ka vlejtur. Nga 21 nxënësit e klasës, katër prej tyre kishin shkruar, se telefonat inteligjentë (smartphone) ishin një shpikje e keqe. Njëri fëmijë, edhe me shkrim por edhe me vizatim, kishte treguar arsyen se pse kjo ishte kështu: “prindërit e mi për çdo ditë rrinë në telefon dhe pak kohë ndajnë për mua. E urrej telefonin e nënës sime, nuk do ta blej kurrë një të tillë”. Këtë ngjarje mësuesje e kishte shpërndarë në rrjetet sociale me hashtagun #listentoyourkids (Dëgjoni fëmijët tuaj!).

Prandaj, një familje do të jetë e lumtur në qoftë se ata jetojnë më shumë bashkë sesa larg njëri-tjetrit, në qoftë se ata ndajnë gjithçka me njëri-tjetrin, në radhë të parë e ndajnë kohën, interesimin, respektin dhe dashurinë për njëri-tjetrin.




 

Shko te Përmbajtja e librit ...




 



8. Kanalet e komunikimit mbaji hapur!

 

Mos ndërtoni mure midis jush, por ura.

 
Për një zhvillim të shëndoshë personal, për lidhje të shëndosha dhe për një familje të lumtur, komunikimi i mirë është i pashmangshëm. Individët brenda familjes mund të kenë forma të ndryshme komunikimi, si pasojë e veçorive personale që i ka secili njeri, mirëpo me rëndësi është që ky komunikim të ruhet gjallë.

Në familje fillimisht duhet të ekzistojë një komunikim i mirë midis burrit dhe gruas. Ata duhet të mësohen të merren vesh, të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe të kuptohen mirë me njëri-tjetrin. Ata duhet të mësohen që dëshirat dhe nevojat e tyre t’ia shprehin njëri-tjetrit qartë, haptazi dhe me sinqeritet. Nëse ky lloj komunikimi i hapur dhe i çiltër ekziston midis burrit dhe gruas, kjo do të përcillet edhe te fëmijët, ata do ta mësojnë këtë formë të komunikimit dhe të marrjes vesh prej prindërve të tyre. Sjelljet në familje janë ngjitëse. Një gjendje e mirë ose e keqe personale e njërit individ të familjes ndikon drejtpërdrejtë edhe te të tjerët. Secili anëtar i familjes e zotëron aftësinë të kuptojë se kur dikush ndihet mirë e kur keq. Ky lloj komunikimi pa fjalë është shumë evident në familje. Ata e ndiejnë njëri-tjetrin edhe kur nuk flasin.

Ka disa veçori që duhet t’i kemi parasysh me rastin e komunikimit me njëri-tjetrin. Shumë me rëndësi për një komunikim të shëndoshë është mundësia për të biseduar shtruar me tjetrin, mundësia për të dëgjuar dhe kuptuar mirë atë që flitet si dhe mundësia për të bërë empati, pra për të “hyrë në lëkurën” e tjetrit.

Sipas kësaj, fillimisht në familje duhet krijuar hapësira dhe terrene që secili anëtar i familjes të ndihet mirë dhe komod për të shprehur lirshëm atë që mendon dhe ndien. Nuk është familje e shëndoshë ajo, në të cilën ndonjëri anëtar i saj ngurron të flasë, ngurron të japë mendimin e vet dhe të shprehë botëkuptimin e vet, sepse e di dhe beson se nuk do të merret seriozisht ose edhe bile do të qortohet pse flet. Kjo gjendje do të shkaktojë trauma të pariparueshme te anëtarët e familjes, ndërkaq fëmijët kurrë nuk do të mësohen të flasin lirshëm për atë që mendojnë, ndiejnë dhe kuptojnë. Ky do të ishte një kufizim i qëllimshëm i zhvillimit të shëndoshë personal te fëmija.

Veçoria e radhës është që gjatë komunikimit dhe bisedës me njëri-tjetrin duhet dëgjuar mirë dhe kuptuar drejtë atë që flet. Në qoftë se mungon interesimi dhe kujdesi për ta dëgjuar mirë tjetrin, kjo shkakton pezmatim te folësi dhe moskuptim madje edhe keqkuptim te dëgjuesi. Prandaj, është shumë me rëndësi që komunikimi të bëhet duke e shikuar njëri-tjetrin në sy, në fytyrë, ballë për ballë.

Veçoria tjetër e lidhur drejtpërdrejtë me këtë që e thamë është empatia, aftësia për ta kuptuar tjetrin mirë, drejtë dhe saktë. Ndërkaq kjo arrihet vetëm nëse e dëgjojmë tjetrin mirë dhe vetëm në qoftë se mundohemi që dertin e tij ta kuptojmë sikur të ishte derti ynë, sikletin që ka ai ta kuptojmë sikur të ishte edhe sikleti ynë, gëzimin që e ka ai ta kuptojmë sikur të ishte edhe gëzimi ynë. Pa këtë ndjesi e hollësi ndjenjash, nuk do ta kuptojmë drejtë kurrë tjetrin. Kjo vlen për të gjitha llojet e komunikimit, por në veçanti anëtarët e familjes kanë nevojë për një komunikim dhe drejtkuptim të shëndoshë. Nëse flet prindi dhe te fëmija mungon empatia, ata nuk do të mund të merren vesh si duhet. Nëse kur flet fëmija prindi nuk tregon empati, ndjeshmëri për ta kuptuar fëmijën në botën e vet, do të lindin keqkuptime. Fëmija do të kuptojë se prindi nuk dëshiron ta kuptojë gjendjen e tij, se ai nuk është i interesuar për të, se ai nuk e do atë... Kjo te fëmija krijon një pasiguri që mund ta shembë botën e tij dhe zhvillimin e tij të shëndoshë. Nëse kjo vazhdon në mënyrë të përsëritur kështu, herët a vonë, fëmija do të kërkojë një “familje të ngrohtë dhe të sigurt” diku tjetër e jo në vatrën dhe shtëpinë ku ka lindur. E njëjta vlen edhe për bashkëshortët, nëse ata nuk tregojnë gatishmërinë për ta kuptuar plotësisht njëri-tjetrin, vazhdimisht do të lindin zënka e mospajtime. Grindjet më të shpeshta midis bashkëshortëve vijnë si pasojë e moskomunikimit të hapur, të drejtë dhe të sinqertë.

Duhet pasur kujdes me komunikimin kur njeriu është i nervozuar. Më mirë do të ishte që në këto raste njeriu të mos flasë e të mos komunikojë fare, sepse rreziku për të gabuar në përzgjedhjen e fjalëve është shumë i madh. Biseda mund të hyjë në qorrsokak nga i cili nuk dilet kollaj.

Një njeri ishte nisur për te halifi Omer ibn Hattabi r.a., që të ankohej për gruan e tij e cila vazhdimisht e fyente, e nervozonte dhe grindej me të. Ndërkaq Omeri r.a. njihej si njeri shumë i ashpër, por ama i drejtë!

Kur erdhi para derës së shtëpisë së Omerit r.a., e dëgjoi zërin e gruas së tij Ummu Kulthum, e cila diçka i fliste Omerit r.a. me zë të lartë, kurse ai asnjë fjalë nuk ia kthente.

Atëherë njeriu u step dhe u gjet në dilemë se çka të bënte: ai ishte nisur për t'u ankuar te halifi për gruan e tij, kurse vetë halifi po vuante nga gruaja e vet, ndoshta edhe më shumë dhe më keq se ai?!

Pas një reflektimi të shkurtër, burri nisi të kthehej prapë, por në atë moment Omeri r.a. doli nga shtëpia dhe kur e vërejti se si po largohej nga shtëpia e tij, e thirri dhe pyeti se përse kishte ardhur.

Tani as njeriu nuk deshi ta fshihte këtë, por tha: „Kam ardhur te ti, o prijës i besimtarëve, për t'u ankuar për sjelljen e keqe të gruas sime, por kur dëgjova zhurmën e gruas sate unë hoqa dorë”.

Atëherë Omeri r.a. i tha: „Unë asaj të gjitha këto ia lejoj dhe nuk reagoj për shkak të këtyre meritave të saj:

E para: Ajo është perde midis meje dhe zjarrit të xhehenemit, pranë saj zemra ime qetësohet dhe nuk më lejon të shkoj në haram!

E dyta: Ajo ma ruan shtëpinë dhe pronën time kur unë mungoj nga shtëpia!

E treta: Ajo m‘i lanë rrobat e mia!

E katërta: Ajo m‘i edukon fëmijët e mi!

E pesta: Ajo ma gatuan dhe ma përgatit ushqimin, por kryen edhe shumë punë të tjera...“.

Atëherë njeriu tha:

„Po edhe gruaja ime i bën të gjitha këto punë si e jotja, por unë për këtë asaj nuk i kam lejuar të më bërtasë e as që ia kam falur!“.

Omeri r.a. më në fund i tha atij: „Epo, duhet t’ia pranosh asaj këto merita, e disa cilësi të saj të këqija t’i vëresh më pak, kurse më pastaj t’ia falësh!“

Gjatë komunikimit me njëri-tjetrin nuk duhet që gabimet e tjetrit të zihen në gojë patjetër, në qoftë se janë të falshme. Nëse jo, atëherë bisedohen në mënyrën më të mirë, më të bukur të mundshme njerëzore, mundësisht me temsil apo me alegori, pra tërthorazi, në mënyrë që gabimet të përmirësohen e jo të komplikohen e të ngatërrohen akoma më shumë.

Gjatë bisedës duhet ruajtur fytyrën e qeshur dhe duhet përzgjedhur fjalët më të ëmbla e plot respekt dhe dashuri. Sidomos te bashkëshortët kjo pas një kohe të martesës mund të fillojë të zbehet. Në fillim të martesës ata i zgjedhin fjalët më të mira e më të ëmbla për njëri-tjetrin, mirëpo më pas, duke kaluar në fazën e një shoqërimi spontan e të natyrshëm, ata mund të fillojnë të mos i zgjedhin fjalët për njëri-tjetrin dhe shpesh përmes shakave mund t’u përvidhen edhe fjalë ofenduese, shpeshherë të pariparueshme.





 

Shko te Përmbajtja e librit ...


 



7. Në familje krijo konceptin “ne” dhe më pak përdore fjalën “unë”!

 

Një për të gjithë, të gjithë për një.

 
Secili njeri si individ e ka personalitetin por edhe dinjitetin e vet. Ky dinjitet duhet respektuar nga të gjithë. Secili njeri është i vlefshëm në vetvete dhe këtë vlerë secili duhet t’ia njohë secilit. Në radhë të parë kjo duhet të vlejë në familje. Secili anëtar i familjes ka peshën e vet. Askush nuk duhet ta trajtojë tjetrin si më pak të vlefshëm, apo vetveten si pak më shumë të vlefshëm. Kjo është e dëmshme. Ajo që më së shumti vjen në shprehje në familjet tona shqiptare është gruaja, apo reja, e cila në vise të caktuara shqiptare akoma quhet “rob i shpisë” dhe asaj i njihet një status më i ulët se të tjerët, pasi ajo vjen nga një familje tjetër dhe e huaj dhe se ajo duhet ta kuptojë se është shërbëtore e asaj shtëpie. Kjo është shumë e dhimbshme, pasi nuk përkon as me rregullat e fesë islame e as me ato të përgjithshmet njerëzore. Në shumë familje mashkulli, pra babai ose burri, njihet si kryetari dhe i pari i shtëpisë i cili gëzon një pushtet thuajse të pakufishëm. Një strukturë e këtillë dhe një rrjet i këtillë raportesh në shtëpi në këtë kohë nuk është funksional, përkundrazi i dëmshëm. Pikërisht nga arsyeja se kjo strukturë presupozon se dikush ka vlerë më shumë e dikush më pak në këtë familje, me çka edhe nëpërkëmbet dinjiteti, vlera dhe çmimi që e ka secili individ. Në këtë familje nuk do të mbretërojë harmonia dhe dashuria, por urdhri dhe nënshtrimi. Dikush urdhëron e dikush vetëm duhet të dëgjojë e të nënshtrohet.

Që të mund të krijohet një “ne” e shëndoshë në familje, secili duhet të heqë dorë në masë të caktuar nga termi “unë”. Secili anëtar i familjes, por jo vetëm në familje – kjo kërkohet edhe në çdo grup njerëzor, duhet të heqë dorë nga disa dëshira personale të tepruara dhe duhet të mësohet t’i respektojë dhe t’i çmojë edhe dëshirat, por në veçanti nevojat e të tjerëve. Krijimi i vetëdijes së përbashkësisë shpirtërore në familje, atje ku secili me mburrje e thotë fjalën “ne” dhe me këtë nënkupton secilin anëtar të familjes, varet ngushtë nga topitja dhe heqja dorë nga egoizmi personal. Kjo vlen për të gjithë anëtarët e familjes, por në veçanti për bashkëshortët. Nëse burri dhe gruaja nuk janë të gatshëm ta quajnë veten “ne”, porse këmbëngulin secili në “unin” e vet, aty tekat dhe trillet e secilit prej tyre do të jenë në garë të vazhdueshme se kush do të mbisundojë. Prandaj edhe aty shpesh dëgjohen fjalët: “Në këtë shtëpi kollitet burri e në një tjetër gruaja.”, “Në këtë shtëpi shef dhe boss është burri, e në një tjetër gruaja”. Këtu nuk do të ketë harmoni dhe dashuri të qëndrueshme, sepse këto raporte nuk mbështeten në vlerën dhe dinjitetin e secilit, por në statusin më të lart të dikujt mbi të tjetrit. Bashkëshortët duhet të mësohen ta shohin njëri-tjetrin si kompletues dhe plotësues të njëri-tjetrit, si dy gjysma që e përbëjnë një të plotë, ose si dy elemente që e përbëjnë një tjetër element të përbashkët.

Kur është në pyetje plotësimi i dëshirave dhe i nevojave të anëtarëve të familjes, duhet ruajtur baraspeshën midis tyre. Për shembull, gjatë përgatitjes së ushqimit në familje nuk duhet marrë në konsideratë vetëm parapëlqimet e njërit anëtar të saj, porse i të gjithëve; me rastin e planifikimit të një shëtitjeje nuk duhet zgjedhur vendet që i parapëlqen vetëm njëri prej tyre. Në qoftë se nuk mund të merren vesh për këtë, mund të bëjnë bashkërisht një përzgjedhje të atyre vendeve që mund të vizitohen në kohë të ndryshme. Në qoftë se ndonjëri parapëlqen të themi detin e tjetri malin dhe natyrën, zgjidhja do të ishte që një herë të vizitohet njëra e pastaj, në një kohë tjetër, tjetra... E njëjta gjë vlen për të gjitha punët tjera të familjes që nga karriera se kush ku do të punësohet e deri te shtëpia, banesa dhe vendi ku do të banojnë së bashku. Të gjitha palët duhet të merren vesh bashkërisht duke i respektuar dëshirat dhe në rend të parë nevojat e njëri-tjetrit.

Familja është vendi, hapësira dhe rrethi i jetesës së përbashkët të prindërve dhe fëmijëve. Në këtë hapësirë fjala “unë” duhet t’i bëjë gjithnjë e më shumë vend fjalës “ne”. Këtu nuk duhet të kenë vend fjalët si: “rroga ime”, “paratë e mia”, “shtëpia ime”, “vetura ime”, “unë e kam fituar me djersë”, “unë e kam zier apo pjekur”, “unë e pastrova”, “unë e bëra”, “unë e ktheva”... Kushdo që ta ketë bërë një punë, kushdo që të kujdeset për furnizimin e shtëpisë, qoftë burri, qoftë gruaja apo qoftë të dy, ky fitim është rizku, nafaka e përbashkët e familjes dhe kështu duhet trajtuar. Në këtë familje, nevojat e secilit duhet të plotësohen sipas një radhe të biseduar dhe të vendosur bashkërisht. Çdo vendim i marrë pa pëlqimin e anëtarëve të tjerë të familjes, rrezikon të jetë vendim i gabuar dhe i padrejtë.

Shpeshherë këtu në Perëndim ne dëgjojmë nga çiftet bashkëshortore shqiptare dhe muslimane se si ia përmendin tjetrit mundësimin e ardhjes në Perëndim për të jetuar dhe punuar. Burri i thotë nuses së vetë ose e kundërta: “Unë të kam sjellë në Zvicër. Po të mos isha unë, ti akoma do të ishe në atë vendlindjen tënde të kalbur. Këtë banesë, me këto mobilie, me këto enë, me këto ... me këtë auto... të gjitha i ke nga unë, prandaj ti nuk mund të bëhesh mbret, a mbretëreshë, në shtëpinë time”... Ky çift bashkëshortor në qoftë se nuk arrin ta tejkalojë vetveten dhe çka do që të fitojnë dhe të zotërojnë në mënyrë të përbashkët ta quajnë si “tonën”, nuk do të kenë sukses në martesë, nuk do të kenë harmoni dhe dashuri të mirëfilltë.

Një prej faktorëve që e dëmtojnë dhe e pengojnë krijimin e “ne”-së në familje është kur njëri çift bashkëshortor i fsheh nga tjetri të ardhurat dhe fitimet që i bën. Qoftë ky të jetë burri, qoftë gruaja. Nëse ata nuk janë të hapur, nuk janë transparent në fitimin që e bëjnë, pra njëri prej tyre ose secili prej tyre e fshehin këtë, kjo do të jetë një arsye e mjaftueshme për zënka, madje edhe për ndarje, në momentin kur ta kuptojë njëri se tjetri po fsheh diçka të rëndësishme, siç është furnizimi i përbashkët i familjes. Një rast i shpeshtë që ndodh sidomos këtu në Perëndim me dhëndurët e sjellë këtu përmes martesës dhe bashkimit familjar, është fshehja e të ardhurave për të ndarë diçka për familjen që i ka mbetur poshtë në vendlindje. Shumë bashkëshorte, madje edhe familja e saj, pra vjehrri ose vjehrra, nuk janë dakord që dhëndri t’i dërgojë kohë pas kohe familjes së tij mjete financiare si ndihmesë, duke e ditur gjendjen e rëndë financiare të familjes që ka lënë në vendlindje. Duke qenë se gruaja dhe familja e saj nuk janë dakord për këtë, dhëndri detyrohet të fshehë diçka, për të kursyer për prindërit që i ka lënë në shtëpi. Natyrisht ky lloj veprimi nuk është i shëndoshë dhe mund të ketë, siç thamë, pasoja të rënda për familjen, bile mund të çojë deri në ndarjen e bashkëshortëve dhe në  shkatërrimin e familjes, me fëmijë që mbesin as me baba as me nënë. Prandaj, edhe këtu duhet një transparencë nga të gjitha palët si dhe një mirëkuptim nga ana e gruas dhe sidomos nga ana e familjes së saj. Ata duhet ta heqin egoizmin nga shpirti i tyre dhe të kuptojnë se si u bëhet mirë atyre që janë me kushte të mira këtu, të njëjtën duhet ta gëzojë edhe familja e burrit apo dhëndrit. Nëse ai nuk është rahat dhe i qetë në këtë çështje, dhe nuk ka si të jetë i qetë kur e di se nëna dhe babai i tij vuajnë, kjo do të shkaktojë depresion dhe çrregullime të tjera tek ai. Në qoftë se gruas i nevojitet një burrë ose familjes së saj një dhëndër i sëmurë mentalisht, pirolla u qoftë, e paçin me “shëndet”! Por, kjo situatë më nuk flet për një familje të lumtur muslimane.

Kur janë në pyetje harxhimet për familjen dhe transparenca në këtë plan, natyrisht edhe këtu nuk duhet tepruar. Çiftet bashkëshortore duhet të kenë mirëkuptim për faktin se burri dhe gruaja mund të kenë harxhime personale të ndryshme nga njëri-tjetri. Në qoftë se njëri çift kërkon llogari të detajuar nga tjetri për çdo imtësi që blen për vete, kjo do ta detyrojë palën që “merret në pyetje” të fshehë diçka nga tjetri. Prandaj, për harxhimet personale që nuk janë të tepruara, që janë në përputhje me të ardhurat familjare, duhet treguar mirëkuptim dhe duhet toleruar. Nevojat personale dhe kujdesi personal i gruas nuk janë njësoj si të burrit dhe e kundërta...




 

Shko te Përmbajtja e librit ...