Printo!
Kategoria: Analiza
Lexuar: 938 herë


Rejhan Neziri
 

  Si na ndanë dhe si na bashkon feja?
(Qasje kritike ndaj një studimi empirik krahasimtar gjerman-zviceran)




Më 2019 është publikuar një studim me titull Wie Religion «uns» trennt – und verbindet. Befunde einer Repräsentativbefragung zur gesellschaftlichen Rolle von religiösen und sozialen Identitäten in Deutschland und der Schweiz 2019, pra Si «na» ndanë dhe «na» bashkon feja. Gjetjet e një sondazhi reprezentativ lidhur me rolin e identiteteve fetare dhe sociale në Gjermani dhe në Zvicër, me autorë Antonius Liedhegener, Gert Pickel, Anastas Odermatt, Alexander Yendeli dhe Yvonne Jaeckel.

Autortët e këtij studimi, duke u nisur nga perceptimi i një renesance të identiteteve sociale që po i përjetojnë demokracitë perëndimore, si ndoshta shprehjen më prominente të këtij zhvillimi e shohin në rritjen e vlerës së identitetit fetar në jetën publike dhe politike. E madhe është me këtë rast edhe pasiguria publike lidhur me trajtimin e përkatësive fetare e në veçanti me muslimanët. Për pasojë dhe shtrohet pyetja nëse feja e ndanë apo e forcon kohezionin e shoqërive demokratike? 

Në këtë sondazh kanë marrë pjesë nga afro 3000 persona në të dyja shtetet, nga mosha 16 vjeçare e më lart. Ky sondazh ka përfshirë jo më pak se 21 identitete sociale (si p.sh. familjen, rrethin e miqve dhe të të njohurve, gjendjen civile, angazhimin vullnetar, gjininë, profesionin, nacionalitetin, të qenët evropian, grupmoshën, vendlindjen, qëndrimin politik, fenë, regjionin e prejardhjes si landi, kantoni etj., përkatësinë ndaj mëhallës apo fqinjësisë, vendbanimin, konfesionin, regjionin lindje-perëndim në Gjermani ose atë gjuhësor në Zvicër, përkatësinë e shtresave, pabarazinë, tifozerinë sportive etj.), të cilat edhe i ka trajtuar brenda kontekstit shoqëror dhe fetar. 
 

Gjetjet e sondazhit

Gjetjet kryesore të studimit, që në fakt është një projekt hulumtimi i përbashkët gjerman-zviceran i DFG-së (Deutsche Forschungsgemeinschaft) dhe SNF-së (Schweizerischer Nationalfonds) me titull «Konfigurimet e identiteteve fetare individuale dhe kolektive si dhe potencialet e tyre për shoqërinë civile (KONID Survey 2019), janë si më poshtë:

Feja, madje edhe në shoqëritë komplekse si të Gjermanisë e të Zvicrës, përbën një madhësi formuese dhe strukturuese për identitetet sociale. Për shumë njerëz, përkatësia e tyre fetare dhe ideologjike është domethënëse si identitet social. Në Gjermani 57% e popullatës identitetin social ‘fe’ e vlerësojnë si të rëndësishëm, ndërkaq në Zvicër kjo sillet te 50%. Madje për 20% të të anketuarve në Gjermani feja është «shumë me rëndësi», ndërsa në Zvicër kjo sillet te 13%. Edhe pse në Gjermani feja shihet si diçka më me rëndësi sesa në Zvicër, dallimet nuk janë shumë të mëdha. Në të dyja vendet ka një strukturë bazike pothuajse të njëjtë. Të përbashkët të dy vendet e kanë një lloj polarizimi kur është në pyetje feja si identitet social: ata që fenë e shohin si «shumë të rëndësishme» qëndrojnë përballë atyre (afro 15%) që fenë e shohin si «aspak të rëndësishme». Megjithëkëtë, në të dyja vendet feja nuk përbën identitetin më të rëndësishëm social në vetëperceptimin e njerëzve. Para së gjithash përkatësia familjare dhe ajo ndaj miqve e të njohurve zënë vend më të lart e më parësor sesa feja. Edhe angazhimi vullnetar dhe pa pagesë bie në sy që të jetë shumë me peshë për vetëperceptimin e njerëzve të angazhuar.

Pyetjes së shtruar shumë shpesh nëse feja dhe identitetet fetare-ideologjike më shumë e ndajnë apo më shumë e bashkojnë shoqërinë, nuk mund t’i përgjigjemi me një Po ose Jo të thjeshtë. Feja dhe botëkuptimet në këtë pyetje janë para së gjithash madhësi ambivalente. Sondazhi në fjalë ka treguar se feja si identitet social – ashtu edhe si identitetet e tjera sociale – mund të ketë efekt ndarës apo përjashtues. Të anketuarit në të dyja vendet flasin për përvoja të diskriminimit që ata e përjetojnë për shkak të identitetit të tyre fetar, mirëpo edhe vetë ata janë të gatshëm që fenë ta përdorin si linjë ndarëse për ta ruajtur distancën sociale, si për shembull me rastin e martesave të përziera me pjesëtarë të feve të ndryshme. 

Diskriminimi në baza fetare përjetohet në të dyja vendet, në Gjermani dhe në Zvicër, në shkallë të moderuar, mirëpo më shpesh preken grupe të caktuara fetare. 56% të muslimanëve të anketuar në Zvicër dhe 50% të atyre në Gjermani kanë deklaruar se «rrallë», «shpesh» ose «shumë shpesh» kanë përjetuar diskriminime për shkak të përkatësisë së tyre fetare. Të dhënat e sondazhit flasin se këto diskriminime më fort lindin nga stereotipi «musliman» sesa nga drejtimi konkret fetar sunni apo alevi. Mirëpo, këto diskriminime në baza fetare nuk kufizohen vetëm me muslimanët. Edhe 69% të të krishterëve të kishave të lira (Freikirchen) në Zvicër dhe 48% të atyre të kishës ortodokse në Gjermani e përjetojnë të njëjtën gjë. Por, edhe ata që nuk i takojnë asnjë feje, po ashtu përjetojnë diskriminim për shkak të mospërkatësisë së tyre ndaj asnjë feje, 20%. Përgjithësisht, përkatësia fetare nuk është arsyeja më e shpeshtë e diskriminimit; në të dyja vendet gjinia është arsyeja më e shpeshtë e diskriminimit, madje në Zvicër më shumë sesa në Gjermani (42% ndaj 33%). Këtu kryesisht është femra ajo që diskriminohet më së shpeshti.

Gatishmëria, që identitetin e vet fetar-ideologjik ta konsiderojnë si kriter përjashtimi është mjaft e përhapur. Përafërisht çdo i pesti person pa përkatësi fetare në të dyja vendet e përjashton mundësinë të martohet me një person që i takon një feje. Tamam 1/4-ta e të krishterëve e përjashtojnë martesën me një jo të krishterë. Afro 40% e muslimanëve, sipas këtij sondazhi, nuk pranojnë të martohen me një jomusliman. Ky refuzim më së shumti haset te pjesëtarët e kishave të lira, në Zvicër 53%, kurse në Gjermani 15%.

Një përparësi ideologjike-fundamentaliste e fesë kundrejt kushtetutës dhe demokracisë është e rrallë. Sondazhi në fjalë ka mbledhur të dhëna edhe rreth faktit se çfarë linje ndarëse heqin të anketuarit ndërmjet strukturës demokratike dhe të vërtetës fetare. Më konkretisht bëhet fjalë për pyetjet: nëse feja ka përparësi ndaj kushtetutës së vendit në rast konflikti midis tyre; nëse feja apo botëkuptimi i të anketuarit paraqet autoritetin final politik të tijin dhe nëse ai është i gatshëm që bindjet e tij fetare t’i zbatojë edhe me dhunë, në qoftë se e kërkon nevoja? Në parim, të gjitha këto refuzohen nga shumica dërmuese në të dy vendet. Përparësia e fesë kundrejt kushtetutës së vendit haset rrallë. Sidoqoftë, nëpër të gjitha bashkësitë fetare hasen frakcione të ndryshme, të cilat njërës apo më shumë pyetjeve të këtilla u kanë dhënë përgjigje pozitive. Kështu, në mesin e anëtarëve të kishave të lira të të dyja vendeve ka shumë të tillë që konsiderojnë se, në rast konflikti, feja e tyre ka përparësi kundrejt kushtetutës (32% në Gjermani dhe 49% në Zvicër); ndërkaq në mesin e të anketuarve muslimanë janë 28% në Gjermani dhe 23% në Zvicër që ndajnë mendimin se rregullat dhe vlerat e fesë së tyre kanë përparësi ndaj kushtetutës në rast konflikti midis tyre, ndërkaq 8% në Zvicër dhe 17% në Gjermani e të anketuarve muslimanë janë të gatshëm që bindjet e tyre fetare t’i zbatojnë dhe imponojnë me dhunë. Marrë në përgjithësi, janë kryesisht pakica të vogla brenda bashkësive fetare ato që ndajnë qëndrime, të cilat do të duhej t’i quanim si dogmatike apo fundamentaliste. Madhësia reale e tyre nuk përputhet fare me skenarët e kërcënimit të gjeneralizuar që mbisundon në medie dhe në debatet publike në të dy vendet, sidomos ato në raport me «Islamin». Akoma më me rëndësi se kjo gjetje dhe më vendimtar është fakti se ky fenomen shfaqet brenda të gjitha besimeve fetare pa përjashtim. 

Problemi relevant politik mund të formulohet kësisoji: të gjitha pozicionet dogmatike, respektivisht fundamentaliste, ato që politikisht priren drejt ekstremizmit, të merren në konsideratë dhe të diskutohen bashkë me bashkësitë fetare dhe të veprohet në mënyrë preventive (parandaluese). Arsyet se pse këto qëndrime shfaqen më shpesh në mesin e të anketuarve muslimanë sesa te fetë e tjera, janë të shumëfishta. Në përgjithësi mund të thuhet se te këto pozicione ekstreme politike nuk kemi të bëjmë me një problem thelbësor të «Islamit» si fe. 

Feja, si në nivelin individual të fetarisë ashtu edhe më tej në atë të përkatësisë fetare, e avancon angazhimin vullnetar dhe me këtë edhe shoqërinë civile. Në qendër të shoqërisë civile, d.m.th. në atë të ndërmjetmen, në fushën publike të vetorganizimint shoqëror midis shtetit, ekonomisë, kulturës/fesë dhe sferës private, qëndron angazhimi vullnetar i qytetarëve. Sondazhi në fjalë ka gjetur se në të dy vendet feja përbën shtyllën e angazhimit vullnetar. Feja ushtron ndikim në nivelin strukturor të organizimit të angazhimit të shoqërisë civile. Dhe feja e avancon angazhimin vullnetar si në nivelin individual ashtu edhe më gjerë. Në Gjermani, rreth 60% e atyre për të cilët feja si identitet social është me rëndësi, janë të angazhuar në punë vullnetare, kurse në Zvicër kjo shumë sillet te 50%. Këto shifra e fitojnë kuptimin shoqëror të tyre edhe nga arsyeja se ky angazhim vullnetar në të dy vendet i sjell pranë dhe i takon me njëri-tjetrin njerëzit, të cilët në jetën e përditshme nuk do të ishin takuar kurrë. 71% e të anketuarve në Gjermani dhe 63% e atyre në Zvicër, që përndryshe janë të angazhuar edhe në fushën e fesë, raportojnë për takime të këtilla brenda punës së tyre vullnetare. Me këtë feja kontribuon në kapitalin social urëndërtues, d.m.th. në resurset e kohezionit social.

Për atë që identiteti fetar ka rëndësi, për të rëndësi ka edhe dialogu ndërfetar. Studimi në fjalë e ka hulumtuar fenë si identitet social jo vetëm në shoqërinë civile, por edhe në aspekt të dimensioneve të saj avancuese dhe mbështetëse në kuptimin socio-politik. Dy pika dalin në pah theksueshëm: e para, vihet re një mbështetje e dialogut ndërfetar e cila rritet në përpjesëtim me rëndësinë e fesë si identitet social. Për atë person që feja ka rëndësi të madhe, edhe dialogu ndërfetar ka rëndësi të madhe. Në Gjermani këta përbëjnë 66%, kurse në Zvicër 60% të të anketuarve. Ata, për të cilët feja ka rëndësi, janë të vetëdijshëm edhe për faktin se shumëllojshmëria e feve ka nevojë për shkëmbim dhe dialog, për ta luajtur rolin e vet ndërmjetësues. E dyta, mbeshtetja më e fuqishme për dialogun ndërfetar vjen nga ana e pakicave fetare dhe në veçanti nga ana e të anketuarve muslimanë. Këtu vihet re një potencial i madh për një dialog të gjithëmbarshëm shoqëror. Të gjithë anëtarët e shoqërisë janë të thirrur që këtë potencial ta marrin në konsideratë seriozisht dhe, para së gjithash, si detyrë përbërëse të integrimit në një shoqëri të larmishme. 

Ekziston një pajtueshmëri e gjerë kur është në pyetje liria fetare. Potenciali për dialog, i treguar në të dy shtetet, mbështetet në një konsensus thuajse gjithpërfshirës lidhur me vlerën e lirisë fetare që ka ajo për bashkëjetesën në shoqëri. Edhe në këtë mënyrë larmia fetare mund ta lidhë, ta bashkojë e ta avancojë shoqërinë. 

Një risi me vlerë që rezulton nga vlerësimi i parë i këtij studimi qëndron në kontekstin e dëshmuar të identitetit fetar në nivelin individual dhe gjithëshoqëror. Në qoftë se në analizë kalojmë nga niveli i individit dhe i grupit në atë makro të shoqërisë, në larminë e identiteteve sociale në Gjermani dhe në Zvicër na shfaqen në fakt rregullsi të reja. Këto rregullsi janë madje mjaft të ngjashme për të dyja vendet.

Në Gjermani dhe në Zvicër ka pesë konfigurime të identitetit social: të orientuarit drejt përkatësisë, të orientuarit drejt mjedisit, të orientuarit drejt fesë, të orientuarit drejt familjes dhe të orientuarit drejt vetvetes. Të gjitha këto pesë konfigurime të identitetit social vërehen te të gjitha bashkësitë fetare si dhe tek ata që nuk kanë ndonjë përkatësi fetare, edhe pse në detaje ato tregojnë dallime. Me rëndësi është se edhe një herë del në pah se asnjë bashkësi fetare nuk përbën një strukturë homogjene në vetvete, porse ato marrin pjesë, në përpjesëtime të ndryshme, në mjedisin plural shoqëror. Këto pesë konfigurime të identiteteve sociale na shpiejnë përfundimisht te një gjetje e habitshme për nivelin makro.

Feja si një identitet social në nivelin gjithëshoqëror bashkëstrukturon të gjitha pesë konfigurimet e identitetit social në një masë tejet të dukshme; edhe pse feja si identitet social në nivelin individual për nga rëndësia tregon një radhitje diku më poshtë se identitetet e tjera. Ndofta këtë duhet parë si një pikë referimi empirik për cilësitë emergjente të sistemeve sociale, siç i postulon teoria e sistemeve. Dukuritë gjithëshoqërore nuk paraqiten vetëm si rezultat i proceseve të thjeshta grumbulluese të vetive të individëve (të anketuar). Ato mbështeten edhe në efektet që paraqiten vetëm pas kombinimit të një numri të madh të vetive a cilësive dhe të cilat, nëpërmjet kësaj, fitojnë një kualitet dhe kuptim të veçantë personal. Prandaj, roli strukturues i fesë për konfigurimin e identiteteve sociale në nivel të shoqërisë është një gjetje qendrore, e cila ka relevancë sociologjike. Edhe përkundër kompleksitetit në rritje të konstruktimit të identiteteve sociale te individi, feja në Gjermani dhe në Zvicër përbën një madhësi gjithëshoqërore, e cila i strukturon identitetet sociale në mënyrë të vazhdueshme.

Këto janë gjetjet kryesore të studimit empirik, të cilin mund ta gjeni në origjinal duke klikuar këtu.
 

Qasje kritike

Unë do të mundohem në vazhdim të shtoj vrojtimet e mia për vetëm disa pika, sigurisht të mbështetura në punime të ndryshme shkencore si dhe në vrojtimet e mia personale, si një imam që jetoj në Zvicër qe 18 vite. 

Në këtë studim edhe një herë u konstatua vlera dhe pesha që ka feja në strukturimin e identiteteve sociale. Përkundër pretendimit se me shekullarizimin e shoqërisë evropiane feja do të largohet nga sfera publike dhe përfundimisht edhe do të zhdukej tërësisht, realiteti është ndryshe. Feja vazhdon të mbetet madhësi formësuese dhe strukturuese e kësaj shoqërie, ndonëse në forma individuale dhe të personalizuara. Për më tepër ju rekomandoj ta lexoni artikullin «Rëndësia sociale e fesë sot në Perëndim» brenda librit tim Të jesh musliman në Zvicër – Përsiatje teologjike dhe sociologjike

Pyetjes nëse feja më shumë e shton apo e zvogëlon kohezionin social, as ky studim empirik nuk mund t’i japë përgjigje të qartë me Po ose Jo. Kjo kryekëput varet nga ajo se si ne i lexojmë tekstet fetare dhe si e kuptojmë vetë fenë me mësimet e saj. Leximet rigjide të fesë, të cilësdo fe, jashtë kontekstit historik dhe sociologjik kur është shpallura ajo, natyrisht se do ta ushqejnë idenë e supremacisë, të epërsisë së një feje mbi tjetrën dhe supozimin e zotërimit të së vërtetës nga ana e tyre. Kjo automatikisht krijon linja ndarëse, veçimi e izolimi me fetë dhe botëkuptimet e tjera. Por një lexim më i logjikshëm i fesë, brenda kontekstit historik dhe sociologjik, do ta bëjë të qartë se fetë, e me këtë edhe pjesëtarët e tyre, si në të kaluarën ashtu edhe sot, kanë ditur të gjejnë pikat përafruese dhe rrugëtimin e përbashkët në jetë, përkundër dallimeve që kanë pasur. Shembuj të një bashkëjetese të mirëfilltë midis feve të ndryshme dhe midis pjesëtarëve të feve të ndryshme gjejmë gjithandej në botën islame, dje dhe sot. Andaj, në pyetje është se si ne e trajtojmë fenë tonë: si një element që na afron me të tjerët apo si diçka që me çdo kusht kërkon distancimin nga të tjerët, duke presupozuar «shpëtimin» e vetëm të grupit të vet fetar. Me ata që e ndajnë mendimin e dytë kanë problem edhe besimtarët e të njëjtës fe, por të drejtimeve a frakcioneve të tjera. Rrethi sa shkon e ngushtohet brenda atyre që fenë e shikojnë nga perspektiva ndarëse, veçuese e përjashtuese. Për mua, kjo qasje është e kundërt me atë që besoj se e ka dashur Zoti: bashkëjetesën brenda diversitetit, të cilin e ka mundësuar dhe lejuar vetë Zoti në këtë botë.

Një gjetje tjetër e këtij studimi që më së shumti ka bërë bujë në medie, është përparësia që të anketuarit e këtij sondazhi i kanë dhënë fesë përpara kushtetutës së vendit apo sistemit e strukturave demokratike, në rast të konfliktit midis tyre. Me të madhe u trumpetua se afro 1/3 e muslimanëve në Gjermani dhe në Zvicër nuk janë të gatshëm ta respektojnë kushtetutën e vendit, në rastet kur midis tyre ka konflikte. Me këtë dëshirojnë ta vënë në pikëpyetje lojalitetin e muslimanëve ndaj strukturave demokratike dhe ta mbitheksojnë mosbindjen e mosdëgjueshmërinë e tyre ndaj të njëjtave. Në mënyrë tejet margjinare theksohet e vërteta e këtij studimi se jo muslimanët, por të krishterët e kishave të lira janë ata që më së shumti e mbrojnë pozicionin e dhënies përparësi të vlerave e mësimeve fetare kundrejt kushtetutës së vendit. Në Zvicër numri i tyre arrinë madje deri në 50%. Mirëpo, për fat të keq, askush nuk e diskuton këtë dhe askush nuk e sheh këtë si kërcënim për rendin dhe qetësinë e vendit. Këtu, edhe një herë bien në sy standardet e dyfishta kur janë në pyetje muslimanët. 

Një pjesë të fajit për këtë matje me dy arshin unë e shoh edhe te studimi në fjalë. Përderisa të krishterët i ndanë në katolikë, të reformuar e të kishave të lira, muslimanët i paraqet në një rubrikë të vetme, sikur të ishin një grup homogjen. Kjo praktikë e krijimit të stereotipeve mbi muslimanët, si në të kaluarën ashtu edhe sot, vazhdon të gjejë vend edhe në studimet shkencore, e të mos flasim për mediet dhe për qarqet politike populliste. Nëse e analizojmë mirë studimin në fjalë, do të shohim se katolikët me 11% në Gjermani dhe 13% në Zvicër, të reformuarit evangjelistë me 11% në Gjermani dhe 12% në Zvicër, të krishterët e kishave të lira me 32% në Gjermani dhe 49% në Zvicër totalisht përbëjnë 54% në Gjermani dhe 74% në Zvicër kundrejt muslimanëve me 28% në Gjermani dhe 23% në Zvicër. Edhe pse autorët e studimit mundohen ta relativizojnë problemin duke theksuar se janë grupe margjinale ose frakcione të vogla brenda bashkësive të mëdha fetare ato që e parapëlqejnë fenë para kushtetutës, kjo nuk i çliron ata nga barra e pjesëmarrjes në forcimin e stereotipeve mbi muslimanët që nga 11 shtatori 2001 e këndej. 

Kjo qasje e tyre është për t’u gjykuar, sepse nisur nga grafikat dhe përqindjet e dhëna brenda studimit në formën e heterogjenizuar të të krishterëve dhe të homogjenizuar të muslimanëve, u ka dhënë rast medieve të vënë tituj të llojit «Feja e rreh kushtetutën» (Religion schlägt Verfassung) dhe vazhdon me nëntitullin «Një sondazh tregon: pothuajse çdo i katërti musliman në Zvicër ka bindje antidemokratike». Ky është një avaz tanimë i njohur i medieve në dekadat e fundit në Gjermani dhe në Zvicër.

Në një studim të kryer pata tre vitesh në Zvicër lidhur me mënyrën se si raportojnë mediat e shkruara zvicerane për muslimanët, del në pah edhe një herë se temat që kanë të bëjnë me shumicën e muslimanëve dhe me “përditshmërinë” e tyre zënë një vend shumë minimal, vetëm 2%, shembujt e një “integrimi të suksesshëm” po ashtu vetëm 2%, ndërkohë që temat si “radikalizmi” dhe “terrori” në vitin 2017 të dyja bashkë kanë zënë një hapësirë mediatike prej 54%. Përqindja e artikujve, tonaliteti i të cilëve gjeneron distancë kundrejt aktorëve muslimanë, rritet vazhdimisht nga viti 2009 dhe 2017 nga 22% në 69%. Kjo pjesërisht mund të shpjegohet me zhvendosjen e vëmendjes në temat si “radikalizimi”, “terrori” dhe “integrimi i rrezikuar”. Si mjet kundër radikalizimit është kërkuar para së gjithash ashpërsimi i masave të sigurisë (17%). Me këtë rast janë sjellë argumente para së gjithash nga vetë mediat (41%), të cilat shpeshherë u janë referuar mediave të tjera. Në revistën Weltwoche 84% e artikujve shfaqin një tenor që gjeneron distancë; në gazetat bulevardeske si SonntagsBlick 63% dhe Blick 59% dhe në gazetat abonuese si NZZ dhe Le Temps 31%. Një raportim që gjeneron distancë është problematik aty ku ai lidhet me paushalizimet… Në mbulimin mediatik të muslimanëve në Zvicër, të prekurit, d.m.th. aktorët muslimanë, mbeten kryesisht objekte raportimi. Në 55% të artikujve është shkruar për ta, pa pasur ata mundësinë vetë ta marrin fjalën. Në 25% të rasteve të tjera atyre u jepet fjala vetëm në margjina. Aty ku muslimanëve u jepet fjala, kjo ndodh shpesh në një ambient polarizues. Kryesisht u jepet fjala eksponentëve që kanë pozicione të skajshme, qoftë shumë konservatorë qoftë shumë liberalë. Ndërkohë që përfaqësuesve të organizatave islame, të cilat përfaqësojnë shumicën e muslimanëve të moderuar u jepet shumë pak hapësirë në media (Më gjerësisht shih Ettinger, Patrik, Qualität der Berichterstattung über Muslime in der Schweiz, (Hrsg.) Eidgenössische Kommission gegen Rassismus (EKR), Bern, shtator 2018).

Është e qartë se njëri ekstrem e kushtëzon ekstremin tjetër, në rastin tonë, ekstremizmi fetar e shkakton islamofobinë dhe e kundërta. Ekstremizmat e ushqejnë njëri-tjetrin. Ata e instrumentalizojnë armikun e vet për arsye propagandistike dhe për t’i dhënë besueshmëri narracionit të vet dhe legjitimitet aktiviteteve dhe pozicioneve të tyre ekstremiste.

Një aspekt tjetër është theksimi i faktit se muslimanët në fakt janë mirë të integruar në shoqëritë evropiane, mirëpo ata nuk akceptohen (pranohen e njihen) drejtë e dinjitetshëm nga shoqëria shumicë. Për këtë le të na shërbejë studimi i Religionsmonitor, viti 2017, botuar nga Bertelsmann Stiftung me titull Muslime in Europa – Integriert, aber nicht akzeptiert?, të cilin të plotë mund ta gjeni duke klikuar këtu.

Prandaj, në këtë pikë, unë nuk kam për qëllim të parashtroj gjykime apologjetike, t’i mbroj qëndrimet antikushtetuese, antidemokratike dhe keqinterpretuese të fesë islame nga ana e radikalëve apo e fundamentalistëve muslmanë, porse i apeloj arsyes së shëndoshë që problemet të shikohen nga shumë perspektiva e dimensione. Po ashtu thërras që për rendin dhe qetësinë e vendit të kontribuojnë të gjithë: nga individi e deri te instancat më të larta shtetërore. Secili të jetë i vetëdijshëm për përgjegjësinë që ka, sepse këtë vend dhe jetën në këtë tokë si një anije e përbashkët e kemi amanet nga Zoti.

Një pikë tjetër diskutimi është edhe barazimi i gabuar i librave fetarë me kushtetutat e vendit. Më kujtohet që në mars të vitit 2012 një gazetë zvicerane e publikoi një intervistë me mua, mirëpo titulli ishte ky «Die Verfassung steht über dem Koran» (Kushtetuta qëndron mbi Ku’anin). Njerëzit e mendjes së shëndoshë nga komuniteti musliman në Zvicër nuk panë këtu asgjë të keqe, pasi e kishin kuptuar intencën e problematikës. Mirëpo, kjo nuk u kuptua kështu edhe nga disa individë a grupe islame konservatore dhe ekstremiste, të cilët botën e shikojnë vetëm bardh e zi, “ne të mirët” dhe “ata të këqinjtë”. Këta nuk nguruan të më quanin qafir (jo-musliman) për shkak se unë paskam thënë që Kushtetuta e Zvicrës qenka mbi Kur’anin, pra, sipas tyre, ligji i njeriut mbi ligjin e Zotit. Një herë, unë kështu nuk jam shprehur kurrë, as herën që pretendon edhe gazetari, sepse ky ishte formulim dhe parafrazim i tij apo i redaksisë e jo i imi, dhe e dyta unë besoj se Kur’ani si libër i shenjtë i yni nuk është kushtetutë, nuk mund të reduktohet gjithë ky libër në termin kushtetutë. Me këtë i bëhet padrejtësi Kur’anit, me këtë përdhoset dhe shtrembërohet madhështia e Librit hyjnor. Zaten asnjëri prej emrave të Kur’anit nuk është Dustur (Kushtetutë). Ai emërtohet nga Zoti vetë si Libër, e Vërtetë, Shkrim, Udhërrëfyes, Udhëzim, Shërim etj., por jo edhe kushtetutë. Kjo do të ishte një paushalizim dhe reduktim i rrezikshëm i Fjalës së Zotit. Po, Kur’ani me disa ajete të tij mund të shërbejë si bazë për një ose për më shumë kushtetuta, por vetë nuk është kushtetutë. Edhe Arabia Saudite edhe Irani pretendojnë të kenë kushtetutë islame me bazë Kur’anin, por ato janë të ndryshme, ndërkaq Kur’ani mbetet i tillë siç është edhe në Saudinë sunnite edhe në Iranin shiit. Me qenë se Kur’ani përmban disa pasazhe që bien ndesh me kushtetutën e Zvicrës dhe, për shembull, me të drejtën penale të saj, ne nuk mund të pretendojmë që në Zvicër ta zbatojmë prerjen e dorës, gurëzimin, rrahjen me kamxhik etj., pasi me kushtetutën e këtushme është e garantuar paprekshmëria fizike dhe shpirtërore e secilit qytetar të saj në çdo rrethanë (Kushtetuta e Zvicrës, neni 10). Në këto pika, ne nuk i zbatojmë urdhrat e Kur’anit, por kushtetutën dhe ligjet në fuqi të shtetit ku jetojmë. Nga momenti kur kemi parashtruar kërkesën për vizë apo për leje qëndrimi në Zvicër, ne në fakt jemi pajtuar të jetojmë sipas ligjeve të këtij vendi. Për Kur’anin mund ta përdorim emërtimin “kushtetutë” vetëm në kuptimin figurativ, ndërkaq kur kemi të bëjmë me krahasimin e Kur’anit dhe një kushtetute të vërtetë, atëherë detyrohemi të themi se këto në fakt janë dy tekste të ndryshme: Kur’ani është libër i shenjtë fetar dhe nuk është kushtetutë dhe kushtetuta e Zvicrës është një dokument juridik dhe nuk është libër i shenjtë fetar. T’i krahasosh dy tekste të ndryshme për nga përmbajtja dhe natyra është absurde. Ne mund t’i krahasojmë dy ose më tepër kushtetuta të shteteve të ndryshme dhe, për shembull, më shumë libra të biologjisë a kimisë me njëri-tjetrin, por jo edhe një libër të shenjtë me një kushtetutë shteti dhe me një libër biologjie.

Pika e fundit që dëshiroj ta trajtoj këtu është çështja e dhunës. Studimi në fjalë konstaton se 17% e të anketuarve muslimanë në Gjermani dhe 8% në Zvicër janë të gatshëm të ushtrojnë dhunë për t’i zbatuar bindjet e tyre fetare. Edhe këtu kemi homogjenizim të muslimanëve dhe heterogjenizim të të krishterëve. Të krishterët katolikë me 5% në Gjermani dhe 3% në Zvicër, të reformuarit evangjelistë me 2% në Gjermani dhe 1% në Zvicër, të kishave të lira me 2% në Gjermani dhe 1% në Zvicër, totalisht në fakt përbëjnë 14%. Mirëpo ky total, edhe pse më i ulët se ai i të anketuarve muslimanë me 25%, nuk jepet në këtë formë. 

Një dimension tjetër i kësaj pike që më shqetëson është mospërcaktimi i qartë i termit «dhunë». Për cilën dhunë dhe për cilën formë të dhunës është fjala në këtë studim? Për dhunën fizike? Cilat forma të saj: me grushta, me armë të ftohta, me armë të nxehta? Për dhunën psikike, për dhunën seksuale, për dhunën ekonomike, sociale, apo cilën? Studimi na mbetet borxh të na sqarojë më mirë këtë, në vend që të lërë hapësirë për keqkuptime dhe keqinterpretime.

Sigurisht që kjo temë e nxehtë na shqetëson të gjithë ne muslimanëve të shumicës së heshtur dhe na vë përpara një sfide të radhës për t’u marrë me të në ligjëratat, mësimet, shkrimet e takime tona me vetë muslimanët tanë. Kësaj përgjegjësie ne nuk i ikim dhe e shohim si detyrë tonën si imamlerë, kryesi xhamish, udhëheqës organizatash islame etj. ta japim më të mirën që mundemi në ndriçimin e këtyre temave. Por, ne këtu kemi nevojë për mbështetjen nga ana e të gjithë faktorëve relevantë të shoqërisë.
 
 
Kreuzlingen, 15.10.2020