Printo!
Kategoria: Përgjigje mbi fikhun
Lexuar: 3101 herë

 

Pyetja:

Es-selamu alejkum, ju përshëndes! Desha ta parashtroj një pyetje, edhe pse po flitet shumë për të e ndoshta është e tepërt, mirëpo mua vërtet më intereson të di: Përse shumë persona, përfshirë edhe disa hoxhallarë, po flasin lidhur me medh’hebin hanefij se ai na qenka gabim, se namazin që e bëjmë sipas këtij medh’hebi na qenka gabim e shumë të tjera. A thua vërtet është gabim? All-llahu ju shpërbleftë! (Amiri).


 

Përgjigja:

Siç duhet ta keni të njohur, sot në botën sunnite islame ekzistojnë dhe veprojnë katër shkolla juridike apo medh’hebe: hanefijeh, shafi’ijeh, hanbelijeh dhe malikijeh. Asnjëra prej këtyre shkollave, aq më pak ndonjëri prej themeluesve të tyre, nuk ka thënë se ja kjo është feja islame sipas meje dhe këto mësime janë rivale të sunnetit të Pejgamberit a.s., se nuk i marrim parasysh as hadithet e tij e as thëniet apo praktikat e shokëve të tij. E vërteta është se secili prej tyre e ka studiuar në thellësi e hollësi Islamin me dy burimet bazë të tij: Kur’anin dhe Sunnetin. Kanë qenë njerëzit që me përkushtimin dhe dashurinë më të madhe i janë dhënë studimit dhe kodifikimit të normave juridike të Islamit, të cilat kanë qenë të shkapërderdhura nëpër Kur’an e sunnet. Në kohën e shumicës prej tyre vetëm Kur’ani ka qenë i përmbledhur në një libër të veçantë, kurse hadithet e Pejgamberit a.s. nuk kanë qenë të përmbledhura diku, porse vetëm të shënuara nëpër disa fletushka e sende të tjera dhe janë mbajtur mend nga shokët e Muhammedit a.s., i cili në fillim ua ndalon muslimanëve t’i shënojnë hadithet (fjalët) e tij, nga frika të mos i ngatërrojnë me ajetet kur’anore, kurse më vonë ua lejon. Edhe përkundër kësaj, një gjë akoma mungonte pas vdekjes së Muhammedit a.s. dhe halifëve të drejtë, e ajo ishte mungesa e përmbledhjes së normave juridike në një kod të veçantë, që do të ishte lehtësim i madh për muslimanët... Për këtë si dhe arsye të tjera, këta katër juristë: Imam Ebu Hanife, Imam Shafiu, Imam Hanbeli dhe Imam Maliku, po edhe shumë juristë të tjerë që sot nuk kanë më ndjekës, si: Hasan el-Basriu, Euzaiu, el-Lejs bin Sa’di, Ibn Rahuje etj, pa i përmendur me këtë rast imamët shiitë, mu’zezilitë, harixhitë etj., i janë përveshur punës për kodifikimin dhe përpilimin e veprave të veçanta ku do të ishin të përmbledhura normat juridike të Islamit, gjithnjë duke e pasur për bazë Kur’anin dhe Sunnetin. 

Më tepër për paraqitjen dhe themelimin e medh’hebeve apo shkollave juridike në Islam, ju mund të lexoni temën: “Medh'hebet -
 paraqitja dhe zhvillimi i tyre” e shkruar nga ana ime, temën:Drejt lindjes së medh'hebeve - Doc. Dr. Vexhdi Akjyz, si dhe temën: Hyrje në ‘tendencat islame’ në Evropë dhe botë - Dr. Tariq Ramadan.


Do të ishte injorancë apo edhe nënçmim të thuash, sidomos për katër imamët e mëdhenj sunnitë, se nuk e kanë njohur apo se nuk e kanë marrë në konsideratë hadithin e Muhammedit a.s. dhe formën e të kuptuarit të Islamit nga ana e gjeneratës së parë (selefus-salih).

Ndërkaq ne sot po ndeshemi me disa persona, po edhe mjaft hoxhallarë, që e ndjekin atë që quhet ‘selefizëm’, rrymë e cila pretendon se e ndjek Islamin ashtu si e kanë kuptuar selefus-
salihu (të parët tanë të mirë) dhe që pretendojnë se ata janë të vetmit që bëjnë pjesë në “grupin e të shpëtuarve” (firkatun-naxhijeh) dhe se të gjithë të tjerët e meritojnë Xhehennemin.

Këta veten e quajnë “selefij”, mirëpo njihen edhe me emrin tjetër “vehhabij”, të cilin ata sikur nuk duan ta përdorin për vetvete, sidomos pas ngjarjeve politike që po ndodhin dhe pas të cilave thuhet se qëndrojnë vehhabitët.


Këta nuk i njohin medh’hebet juridike dhe thonë se është gabim të ndiqet ndonjë medh’heb, nga fakti se të gjithë njerëzit gabojnë, përfshirë edhe themeluesit e medh’hebeve, dhe se i vetmi që nuk ka gabuar ka qenë Muhammedi a.s..


Në një farë forme, selefitët dëshirojnë të vënë monopol mbi Islamin dhe të vërtetën e tij, jo realisht, porse vetëm për ta paraqitur më të kapshme, më të pranueshme, më të parefuzueshme formën se si ata e kuptojnë Islamin, e ajo është forma literaliste, e fjalëpërfjalshme e Islamit, pa i lënë hapësirë arsyes në çështje të caktuara, edhe pse në shumë vise në Kur’an All-llahu xh.sh. i referohet mendjes, arsyes dhe njerëzve të arsyes... 

Me atë që ata thonë ne jemi ata që e kuptojmë dhe jetojmë Islamin e vërtetë, sikur duan të thonë ne jemi muslimanët e vërtetë. E çka me muslimanët e tjerë, që nuk e kuptojnë Islamin ashtu siç e kuptojnë këta?! Kjo ndryshe do të ishte njësoj sikur një njeri të çohet e t’u thotë njerëzve të tjerë: “Unë jam njeri”, çka automatikisht dëshiron të aludojë se ata të tjerët nuk janë njerëz.


Është e vërtetë se në gjuhën shqipe ka munguar dhe akoma mungon dukshëm literatura islame klasike, me këtë rast ajo juridike, ku janë shënuar edhe argumentet përse është marrë për bazë kjo formë e jo forma tjetër e faljes së namazit. Në vend të tyre, si formë më e lehtë dhe më e kapshme për masën, janë shkruar “Ilmihale”, ku kanë qenë përfshirë njohuritë më elementare të Islamit, duke mos i shënuar me këtë rast argumentet (ajetet dhe hadithet) ku janë mbështetur ata.


Ndërkaq kjo aspak nuk do të thotë se, p.sh., forma e namazit si e falin muslimanët që e ndjekin medh’hebin hanefij është gabim, se nuk mbështetet në sunnetin e Muhammedit a.s., se forma se si është falur Muhammedi a.s. është vetëm ajo si e ka përshkruar Nasiruddin Albani në librin e tij: “Forma e namazit të të Dërguarit s.a.w.s. e përshkruar nga fillimi gjer në fund sikurse të ishit duke e parë” (Nun, Shkup, 2002). Shih mrekullinë!


Le të shpresojmë se së shpejti do të përkthehen në gjuhën shqipe veprat klasike të medh’hebit hanefij, ku do të mund të lexohen edhe burimet kur’anore dhe sunetike të tyre, përveç nja dy-tri  librave që tanimë janë përkthyer: Çështje të fikhut sipas Kuduriut, I - Ibadat, Muhamed Ashik Ilahi el-Bureni, Prishtinë, 2002, Mënyra e të falurit të Pejgamberit a.s. në frymën e mez'hebit hanefij, Abdulvehhab el-Meshedani, El-Kalem, Gostivar, 2003 dhe Argumentet e namazit, Gelenek, Stamboll, 2003.


Njerëzve që me shekuj të tërë falen sipas një medh’hebi të caktuar, t’u thuash se gabim jeni duke u falur, se ajo formë e namazit është e gabuar ngase nuk mbështetet në sunnetin e Pejgamberit s.a.v.s., sipas meje është një fitne e tërbuar, e veshur me fjalë të bukura të llojit: “Ky është Islami i vërtetë”...

 

Porosia ime është që askush të mos lejojë që dikush të tallet e ta shpallë jo-sunnetike formën e namazit tonë. Muslimanët e parë, selefus-salih, nuk janë sjellë në këtë formë. Të gjitha medh'hebet po edhe ato që veten nuk duan ta quajnë medh'heb porse e parapëlqejnë emrin "menhexh", kanë mbështetjet e tyre në Kur'an dhe sunnet. Andaj, çdo angazhim për ta shpallur si jo-sunnetike një formë të namazit të dikujt i shërben suksesit të jomuslimanëve dhe e shton shumëfish dozën e rënies, përçarjes dhe shkatërrimit të muslimanëve.

Në vend që të merremi me elementet dytësore apo tretësore të namazit, le të merremi me thelbin e tij që është e fshehur në përgjigjet e pyetjeve: Pse falemi dhe për kë falemi?