Pyetja:

Es-selamu alejkum. A është kusht që për kryerjen e sexhdes së leximit duhet pasur abdest apo vetëm është e preferuar?


Përgjigjja:

Në Kur'anin famëlartë ka 14 ajete, që kur të lexohen ato, duhet bërë një sexhde (sexhdetu't-
tilaveh). Këtë sexhde duhet ta bëjë ai që e lexon si dhe ai që e dëgjon leximin e atyre ajeteve. Për ta kryer këtë sexhde të leximit kusht është që të qenët me abdest, i veshur sikur për në namaz, si dhe drejtimi kah kibla.

Kjo sexhde është mirë të bëhet menjëherë sapo të lexohet ajeti në fjalë, mirëpo mundet edhe më vonë. E nëse harrohet, ajo duhet kompensuar më vonë. Për secilin ajet me sexhde duhet bërë sexhde e mëvetësishme.

Kjo sexhde bëhet kësisoji: Ngrihemi në këmbë dhe menjëherë lëshohemi në sexhde (vetëm një sexhde) ku tri herë themi "Subhane Rabbijel-A'la", pastaj ngrihemi sërish në këmbë dhe lexojmë "سمعنا و اطعنا غفرانك ربنا و اليك المصير - Semi'na ve eta'na gufraneke Rabbena ve ilejkel-mesir" (Dëgjuam dhe respektuam. Na fal o Zoti ynë! Vetëm te Ti do të kthehemi).