Printo!
Kategoria: Përgjigje mbi fikhun
Lexuar: 929 herë

Pyetja:

Vitin e kaluar isha shtatzanë dhe nuk munda të agjëroj, po edhe pas lindjes së foshnjës nuk munda ta agjëroj dhe më kaloi, pra erdhi tjetri Ramazan. Si t'ia bëj, a mund ta paguaj me para ndonjë fukaraje apo diç tjetër. Pres këshillat tuaja. Ju falemnderit. Zoti ju shpërbleftë. Es-selamu alejkum! (Drita)

 


Përgjigjja:


Përderisa të jesh e shëndoshë dhe përderisa të kesh mundësi dhe fuqi për të agjëruar, ti ato ditë të Ramazanit të kaluar do t'i kompenzosh (zëvendësosh me agjërim) pasi të kalojë muaji i Ramazanit. Pra, pse ka kaluar një vit i plotë dhe pse të ka zënë Ramazani tjetër akoma pa i agjëruar ato ditë të Ramazanit të kaluar, kjo nuk do të thotë se ti je liruar apo shkarkuar prej këtij borxhi. Ti aq ditë sa nuk ke agjëruar vitin e kaluar, po aq ditë do t'i agjërosh pasi të kalojë ky Ramazan i sivjetëm dhe dita e parë e Bajramit, sepse në ditën e Bajramit është e ndaluar të agjërohet.


Ti nuk guxon që ato ditë t'i paguash me para apo në formë të fitrave. Këtë do ta bësh eventualisht, mos dhëntë Zoti, të sëmuresh prej ndonjë sëmundjeje të rëndë që nuk ka shërim apo të të kapë pleqëria e thellë sa nuk mund të agjërosh. Pra vetëm në këto raste mund të paguhet në formë fitrash mosagjërimi i ditëve të Ramazanit.


Ndërkaq nuk është mirë, bile edhe është mëkat (gjunah), pa asnjë arsye ta shtysh agjërimin në një kohë të pacaktuar.


Një prej arsyeve që ia lejon muslimanes të mos agjërojë është edhe shtatzënia po edhe periudha derisa ajo i jep gji foshnjës, nëse për këtë si nënë ka frikë se mos po shterret qumështi i nevojshëm për fëmijën.


Më gjerësisht për arsyet që ia lejojnë muslimanit apo muslimanes të mos agjërojë ne kemi shkruar te një pyetje të fikhut - të drejtës islame. Kliko këtu për më shumë.