Printo!
Kategoria: Përgjigje mbi fikhun
Lexuar: 1945 herë

Pyetja:
A lejohet greva e të ngjashme me të në Islam?
 (Anonim)


Përgjigjja:

Më vjen mirë që po parashtroni një pyetje që ka të bëjë me çështje të ekonomisë (islame). Vërtet shumë pak rëndësi po i kushtohet kësaj sfere tejet tejet jetike. 

Përgjigjja është pak e gjatë, pasi ky term dhe kuptimi i tij nuk hasen në veprat klasike të fikhut (të drejtës islame), prandaj ju lus për sabër!

Termi „grevë“ rrjedh nga gjuha frënge dhe me këtë ka qenë emërtuar një kuart i Parisit – Place de la Greve. Në Mesjetë në këtë vend qenkan tubuar njerëzit për të shikuar se si janë dënuar, varur e djegur të dënuarit me vdekje. Ky vend në të njëjtën kohë ka shërbyer edhe si një treg pune ku është bërë oferta dhe kërkesa e krahut të punës. Ata që kërkonin punë dilnin në këtë vend dhe bliheshin ose merreshin me pagë nga punëdhënësit e kohës. 

Më vonë fjala grevë fiton kuptim të ri me çka është nënkuptuar braktisja e vendit të punës nga ana e punëtorëve dhe argëtimi i tyre nëpër rrugë e sheshe.

Sot me termin „grevë“ nënkuptohet lënia apo braktisja e përkohshme e punës në formë kolektive nga ana e punëtorëve. Si kundërpërgjigje ndaj grevës së punëtorëve vjen në pyetje “lokauti”, mbyllja e dyerve të punëtorisë për punëtorët nga ana e punëdhënësit, pra përjashtimi i punëtorëve nga vendi i punës. 

Në një shoqëri dhe bashkësi islame punëtori ose nëpunësi ka të drejtë të kërkojë shtimin e pagës nëse ajo nuk i mbërrin ose të drejtat e tij legjitime nëse i janë cunguar. Kështu qysh në kohën e katër halifëve të drejtë, Ebu Bekrit, Omerit etj., vetë këtyre halifëve u është rritur rroga atëherë kur është konstatuar se nuk u mbërrin për t’i mbuluar nevojat familjare dhe administrative. Për këtë ka mjaft shembuj nëpër librat e fikut. 

Ashtu siç është e mundur dhe e lejuar që secili punëtor veç e veç të kërkojë të drejtën e tij, po ashtu është e lejuar që këtë ta bëjnë përmes ndonjë përfaqësuesi të tyre. Një formë e organizuar e përfaqësisë është edhe sindikata.

Mirëpo parashtrohet pyetje, nëse është e mundur ose jo të arrihet një marrëveshje e kënaqshme për të dyja palët, edhe për punëtorët edhe për punëdhënësit, nën presionin psikologjik e ekonomik të grevës dhe lokautit. 
Sipas shumicës së juristëve islamë bashkëkohorë, frika nga greva dhe lokauti e dëmton vullnetin dhe lirinë e vendimmarrjes së palëve. Punëdhënësi duke menduar se nuk do të mund t’i paguajë në kohë çeqet dhe pagesat e tjera, dhe se si pasojë mund të vijë te çrregullimi i biznesit e ndoshta edhe te bankrotimi i tij total mund t’i pranojë kërkesat mbinormale të punëtorëve; nga ana tjetër edhe punëtorët nën kërcënimin e lokautit, nga frika se mos po e humbasin vendin e punës mund t’i detyrojë ata që të pajtohen me një pagë nën normalen. Krejt kjo të dyja palët i fut nën kategorinë e “mukrehëve”, palëve me vullnet të detyruar, të gjymtuar. Ndërkaq, sipas së drejtës islame, nuk është marrëveshje (kontratë) valide ajo që lidhet nën presion, kërcënim apo nën frikën e tyre. Prandaj, për t’i ikur kësaj situate, palët në mosmarrëveshje duhet t’i gjejnë rrugët e zgjidhjes së problemit. Nëse nuk e arrijnë këtë vetë palët, është mirë t’i drejtohen gjykatës e cila është e profesionalizuar për këtë. 

Nëse gjykata vendos që rroga aktuale është e mjaftueshme ose se të drejtat e tij nuk janë të cunguara dhe nëse punëtori nuk është i kënaqur me këtë vendim të gjykatës, atëherë ky mund ta lëshojë përgjithmonë atë vend pune dhe të punësohet diku tjetër ose të strehohet në zyrën për punësim. Mirëpo nuk është aspak islame që edhe të mos e lëshosh vendin e punës, edhe të mos e kryesh punën edhe të kërkosh rrogë për aq kohë sa nuk punon “duke kërkuar të drejtat”.

Prandaj, sipas së drejtës islame, punëtori fiton të drejtën e pagës për aq kohë sa ka punuar apo sa është gjendur në vendin e punës. Nëse pa lejen e punëdhënësit largohet dhe nuk gjendet prezent në vendin e punës, nuk fiton të drejtën e pagesës për atë kohë.

Përgjithësisht, juristët islamë tregojnë prirjen të thonë se greva nuk është e lejuar në Islam, sepse me këtë dëmtohet punëdhënësi dhe ekziston rreziku për lokaut ndaj punëtorëve; se punëtori duhet ta kërkojë të drejtën e tij në bazë të normave të ligjshme që i njeh shteti – përmes ankesave me shkrim, sindikatave etj. ose largimit total nga ai vend pune.

Muhammedi a.s. ka thënë: “La darara ve la dirar -
لاَ ضَرَرَ وَ لاَ ضِرَار ” (Nuk lejohet dëmtimi i drejtpërdrejtë dhe as ai i ndërsjellë). Ai po ashtu ka thënë: “Në ditën e Kijametit unë do të jem armik i tre personave: 1 - atij që e jep fjalën në emrin tim dhe nuk e mban fjalën (besën), 2 – atij që bën tregti me njerëz, e shet njeriun e lirë dhe i harxhon ato para, dhe 3 – ai që e zë një punëtor me punë, ai ia kryen punën dhe ky nuk ia bën pagesën për atë punë të kryer” (Buhariu, Ixhara, 11)

Në një hadith tjetër ai ka thënë: “Punëtorit bëjani pagesën para se t’i thahet djersa (nga lodhja duke e kryer punën tuaj)” (Ibni Maxhe).