Pyetja: 
A i lejohet femrës që të falë namaz nëse ka të veshur pantallona të gjera me të cilat nuk vërehen vijat e trupit, apo duhet të ketë të veshur diçka tjetër mbi to (d.m.th. në pjesën e epërme e cila duhet të jetë e gjatë). Ju përshëndes me selam! (Anonim)


Përgjigjja: 

Në Islam nuk janë shumë me rëndësi detajet e veshjes sa parimet e saj. Nuk është pra me rëndësi dizajni i veshjes, ngjyra, modeli e të tjera imtësi, sepse këto i janë lënë shijes personale të muslimanit dhe muslimanes si dhe kulturës së popullit dhe vendit përkatës ku jetojnë ata muslimanë. Kryesore është të ruhen parimet e veshjes, e ato, sa i përket veshjes së femrës, janë:

1. Petku ta kaplojë tërë trupin e saj, përveç duarve dhe fytyrës
2. Petku të mos jetë i tejdukshëm sa të duket lëkura (mishi) e trupit të saj
3. Petku të mos jetë shumë i ngushtë sa t'i tregojë të gjitha vijat e trupit të saj
4. Petku të mos i ngjajë një petku fetar të ndonjë femre të ndonjë feje tjetër, p.sh. të mos i përngjajë 100 % petkut të "motrave kishtare" etj.

Me këtë rast, këto parime të veshjes, femra muslimane duhet t'i ruajë edhe gjatë faljes së namazit. Në rastin e pyetjes suaj, gjithsesi se është e mundur dhe nuk ka pengesë që një femër muslimane të falë namazin e saj me pantallona të gjera të cilat nuk ia tregojnë vijat e trupit, dhe të cilat gjithashtu nuk janë të tejdukshme sa do t'ia tregonin lëkurën e këmbëve apo pjesëve të tjera të trupit dhe të cilat pantallona e mbulojnë atë deri te nyjat (zogjtë) e këmbëve. Natyrisht, edhe pse këtu flitet vetëm për pantallonat, të njëjtin kujdes duhet pasur edhe për pjesët e tjera të veshjes së sipërme, të shamisë etj.