Printo!
Kategoria: Përgjigje mbi fikhun
Lexuar: 1358 herë

Pyetja: 
Babai im punon si kasap dhe ngandonjëherë i ndihmoj edhe unë. Dëshiroj të di në mos është haram (e ndaluar) kjo punë? Ju faleminderit! (Isak Krasniqi, Prishtinë)


Përgjigjja: 

Në Islam me rëndësi është që çdo punë dhe çdo profesion të kryhet me saktësinë, korrektësinë dhe profesionalizmin më të madh të mundshëm. Kjo në të vërtetë është porosi e Muhammedit a.s. kur thotë: „Vërtet All-
llahu dëshiron që kur dikush prej jush ta kryejë një punë, atë ta bëjë me mjeshtri (saktësi e profesionalizëm)“ (Bejhekiu). 

Therja dhe prerja e kafshëve nuk është një punë që mund ta bëjë secili në mënyrën më të mirë, sidomos kur të kihet parasysh fakti se ka njerëz që as që mund të afrohen te vendi ku pritet kafsha dhe ku përgatitet mishi. Andaj, këtë punë duhet ta bëjë dikush. Më mjeshtri për këtë është kasapi. Andaj nuk ka asgjë të keqe ta ushtrosh profesionin e kasapit. 

Mirëpo, një kasap musliman duhet t’i dijë mirë rregullat islame lidhur me prerjen e kafshës. Ato shkurtimisht kanë të bëjnë me katër kategori: 1. prerësin (kasapin), 2. kafshën që pritet, 3. mjetin e prerjes, dhe 4. prerjen.

Sa i përket prerësit (kasapit) ai mund të jetë musliman ose ehlu’l-
kitab (jahudi ose i krishter), mashkull ose femër, memec ose njeri që flet, i moshës madhore ose i mitur. Ai nuk guxon të jetë i veshur në ihrama (veshje e posaçme e haxhiut gjatë kohës së haxhit) si dhe nuk guxon të jetë i çmendur, porse i shëndoshë nga mendja. Nuk hahet mishi i kafshës së prerë nga ateisti ose ithtari i ndonjë feje tjetër, përpos ehlu’l-kitabit.

Sa i përket kafshës që pritet, ajo duhet të jetë prej atyre që në Islam lejohet ngrënia e mishit të tyre, si gjedhi, dhentë, dhitë, deveja .... Nuk guxon të hahet mishi i derrit, i kafshëve e shpezëve grabitqare, i kafshëve të ngordhura si pasojë e mbytjes në ujë, e rënies nga lart, e goditjes në tru, e shpimit nga ndonjë mjet ose kafshët e tjera...etj. 

Kur është në pyetje mjeti i prerjes, me rëndësi është që ai të jetë i mprehtë dhe të shkaktojë më pak dhimbje që të jetë e mundur gjatë prerjes. Muhammedi a.s. ka thënë: “Zoti ka urdhëruar mirësjelljen ndaj çdo gjëje, pra, nëse vritni atëherë vritni me mirësjellje, nëse therni, therni me mirësjellje. Kur dikush prej jush ther, le ta mprehë thikën dhe le ta vërë kafshën në një pozitë të përshtatshme!” (Muslimi). Kjo mund të jetë thikë ose ndonjë mjet tjetër i fortë, i ngurtë dhe i mprehur mirë. Adij bin Hatim Taiu transmeton se i ka thënë Pejgamberit a.s.: “O i Dërguar i Zotit, ne gjuajmë por s’mund të gjejmë thikë përveç gurit të mprehtë e drurit të gdhendur”, ndërsa ai është përgjigjur: “Derdh gjak me çka të duash dhe përmende emrin e Zotit” (Ahmedi, Ebu Davudi, Nesaiu, Ibni Maxhe...). Juristët muslimanë bashkëkohorë e lejojnë përdorimin e elektroshokut ose të pistoletës para therjes së kafshës me qëllim të qetësimit dhe marrjes nën kontroll më lehtë të kafshës gjatë therjes, mirëpo duhet pasur kujdes që kafsha të pritet e të mos ngordhë si pasojë e kësaj goditjeje dhe që të mos dëmtohet aq shumë sa nuk do të mund të rrjedhë gjaku nga trupi i saj.

Dhe kategoria e fundit ka të bëjë me vetë prerjen ose therjen. Me rastin e prerjes së kafshës, duhet të përmendet vetëm emri i Zotit, gjegjësisht të thuhet: “Bismil-
lah”, ose “në emër të All-llahut” duke mos thënë fjalë të tjera, si “Bismil-lahirrahmanirrahim” ose “O Zot, më fal!”. Nëse gjatë prerjes së kafshës e harrojmë përmendjen e emrit të Zotit, kjo nuk shkakton dëm. Mirëpo nuk hahet mishi i asaj kafshe që pritet pa e përmendur me qëllim emrin e Zotit ose duke e përmendur emrin e ndonjë zoti apo hyjnie tjetër pos All-llahut xh.sh Me rastin e prerjes duhet pasur kujdes që të pritet gryka ose të shpohet zgavra e grykës duke shkaktuar daljen e shpirtit të kafshës. Mënyra më e mirë është të pritet zorra e frymëmarrjes dhe e ushqimit si dhe dy damarët kryesorë të qafës. Nuk është mirë që kafshës së madhe t’i këputet koka përnjëherë, porse duhet lënë atë që gjatë disa përpëlitjeve të saj të mund t’i rrjedhë gjaku në tërësi. Me rastin e prerjes.

E pra, ashtu siç pamë, me rastin e prerjes së një kafshe nuk u dashka vetëm guximi për të prerë, porse edhe njohja e mirë e rregullave që i ka paraparë Islami lidhur me këtë tematikë. Kjo do të thotë se çdokush nuk mund të jetë kasap dhe se çdokush nuk duhet t’i dalë zot kësaj pune, por secili ta bëjë atë që mund ta bëjë me saktësinë, mjeshtërinë dhe profesionalizmin më të madh të mundshëm. 

(Më gjerësisht shih, Jusuf Kardavi, Hallalli dhe harami në Islam, Logos A, Shkup, 2005, f. 61-
91)