Printo!
Kategoria: Përgjigje mbi akaidin
Lexuar: 1772 herë

Pyetja 2.


Pejgamberët e Allahut a kanë bërë gabime dhe mëkate apo kanë qenë të mbrojtur. Diçka më shumë në lidhje me këtë nëse keni mundësi. Allahu ju shpërbleftë! (Anonim)



Përgjigjja:

Pejgamberët e Zotit kanë qenë që të gjithë njerëz, sikurse çdo njeri tjetër: kanë kaluar fazën e lindjes, të fëmijërisë, të rinisë, të pjekjes e të plakjes si dhe të vdekjes.

Asnjë prej pejgamberëve nuk ka thënë: ’unë jam njeri shumë i mirë prandaj edhe dua të bëhem pejgamber’. Pra, zgjedhja e një personi për pejgamber nuk varet nga dëshira e njeriut apo nga dëshira e një populli, porse drejtpërdrejtë është vendim dhe përcaktim i Zotit. Zoti e zgjedh për pejgamber një person të caktuar dhe e lajmëron për këtë gjë nëpërmjet melekut Xhibril.

Mirëpo edhe kjo zgjedhje nga ana e Zotit nuk është arbitrare, pra Zoti nuk e cakton për pejgamber çfarëdo një njeri, porse e zgjedh dhe e përzgjedh që ky të jetë njëri prej njerëzve më të mirë, më të edukuar, më human dhe me cilësi të tjera njerëzore, sepse ky pastaj do të jetë model, shëmbëlltyrë për njerëzit e tjerë. 

Sipas dijetarëve islamë, që një njeri të meritojë të jetë i zgjedhur nga Zoti si pejgamber, ai duhet t’i ketë së paku nja 6 cilësi (veti) me të cilat do të dallohet prej njerëzve të tjerë:

Sidk – I drejtë, i sinqertë. Secili pejgamber është dashur të jetë i drejtë dhe i sinqertë në fjalë e në sjellje. Ata kurrë nuk kanë rrejtur (gënjyer). Rrena nuk mund të paramendohet për një pejgamber, sepse siç thamë më lart, njerëzit nuk do t’i besonin atij se është pejgamber i Zotit... All-
llahu xh.sh. në Kur’an, sureja 19-Merjem, ajeti 41, thotë: “Përkujtoju në Libër (Kur’an) Ibrahimin. Ai vërtet ishte shumë i drejtë dhe pejgamber” (...siddikan nebijja).

Emanet – I besueshëm, besnik. Të gjithë pejgamberët e Zotit kanë qenë njerëz që kanë qenë të besueshëm, besnikë, nuk e kanë tradhtuar amanetin dhe nuk e kanë thyer fjalën, besën. Ata nuk kanë qenë tradhtarë të fjalës apo të njerëzve. Në suren Alu Imran 3, ajeti 161 Zoti thotë: “Asnjë pejgamberi nuk i takoi të bëjë hile (mashtrime, tradhtia)...”

Ismet – i pagabueshëm, i pamëkatë. Pejgamberët, sidomos pasi të jenë zgjedhur për pejgamberë, nuk kanë kryer mëkate. Edhe pse ata, meqë janë njerëz, mund të kenë gabuar dhe mund të kenë kryer ndonjë mëkat të vogël e jo të madh, Zoti menjëherë ka intervenuar dhe i ka korrigjuar. (Shih sidomos suren 80, Abese...). Këto gabime të vogla të pejgambereve quhen “zel-
leh” dhe jo mëkate “ma’sijeh”. Zoti në Kur’an na tregon se pejgamberët janë njerëz që kanë qenë të mbrojtur nga mëkatet nga ana e Zotit dhe se ata janë rritur nën një kujdes të veçantë të Tij. Kështu në suren 20 Taha, ajeti 39 thuhet: “E nga ana Ime mbolla (në zemra të njerëzve) dashuri ndaj teje (o Musa), që ti të edukoheshe nën mbikëqyrjen Time”.

Mendimet e teologëve (kelamistëve) të Ehli-
Sunnetit lidhur me vetitë e pejgambereve mund të radhiten si më poshtë:

Të gjithë janë të një mendimi se të gjithë pejgamberët kanë qenë të mbrojtur nga rrena e mashtrimi kur është në pyetje përcjellja e porosive të Zotit. Pra ata nuk kanë mund të mos ia thonë njerëzimit atë që ka dashur Zoti t’u thuhet.
Të gjithë janë të një mendimi se pejgamberët edhe para po edhe pas ardhjes së pejgamberisë, kanë qenë të mbrojtur nga kufri (mosbesimi) dhe shirku (besimi në shumë zota) dhe se nuk mund të paramendohet që ndonjëri pejgamber ndonjëherë të ketë bërë kufër ose shirk.
Para se t’u vijë pejgamberia (para se të bëhen pejgamberë) pejgamberët ekziston mundësia të kenë bërë ndonjë mëkat të madh. Mirëpo pasi t’u ketë ardhur pejgamberia nuk kanë mundësi që me qëllim të kenë bërë ndonjë mëkat të madh.
Edhe para edhe pas ardhjes së pejgamberisë, është e mundur që ata të kenë bërë ndonjë mëkat të madh pa qëllim dhe pa hir. Dhe kjo nuk e dëmton vetinë “ismet”.
Gjatë gjithë jetës së tyre për pejgamberët ekziston mundësia që me qëllim ose pa qëllim të kenë bërë ndonjë mëkat të vogël.

Fetanet – I mençur, i zgjuar. E kundërta e kësaj që është “budallakia”, “çmenduria” nuk mund të paramendohet për pejgamberët. Sikur ata të mos ishin të mençur e të zgjuar, nuk do të kishi mund t’i bindnin njerëzit tjerë në të vërtetat që Zoti ia ka shpallë njerëzimit.

Teblig – përcjellje, transmetim. Mësimet, porositë dhe fjalët e pranuara nga ana e Zotit nëpërmjet melekut Xhibril, pejgamberët e kanë pasur obligim t’i përcjellin te njerëzit e tjerë në mënyrë të plotë dhe pa defekte e mangësi. E kundërta e kësaj që quhet “ketm” – fshehje e mësimeve dhe njohurive, nuk mund të paramendohet për pejgamberët e Zotit. Përveç përcjelljes së thjeshtë të këtyre fjalëve të Zotit, ata kanë bërë edhe sqarimin e atyre fjalëve (tebjin), të njëjtat ua kanë mësuar të tjerëve (ta’lim) dhe janë munduar t’i mbrojnë ithtarët e tyre nga gabimet dhe t’i pastrojnë zemrat e tyre (tezkijeh). 

Dhekerijjeh – mashkull. Sipas shkollës kelamiste maturidijjeh (të cilës i takojmë ne), pejgamberët që të gjithë kanë qenë meshkuj. Asnjë pejgamber nuk ka qenë femër. Në suren Enbija 21, ajeti 7, All-
llahu xh.sh. thotë: “Ne edhe para teje (o Muhammed) nuk dërguam (pejgamber) tjetër pos burra, të cilëve u dhamë shpallje...”