Printo!
Kategoria: Hutbet
Lexuar: 2022 herë

 

DHJETË DITËT E DHUL-HIXHXHES

 



 

 

 

 

Vëllezër të nderuar!

Sot është dita e parë e muajit të 12 hixhrij të quajtur ‘Dhul-
hixhxheh’. Në mbarim të këtij muaji është Viti i Ri hixhrij. Për këtë muaj të dhul-hixhxhes e sidomos për 10 ditët e para të tij flet si Kur’ani a.sh. ashtu edhe Pejgamberi a.s. Në ajetin që e lexova në fillim të hutbes All-llahu xh.sh. thotë: “Pasha agimin! Pasha dhjetë netët! Pasha çiftin dhe pasha tekun! Pasha natën që shkon! A janë këto betime për të mençurin?” (el-Fexhr: 1-6). Komentatori i Kur’anit i quajtur Ibni Kethir, duke u mbështetur në fjalët e Ibni Abbasit, të Zubejrit, të Muxhahidit e të tjerëve thotë se kur Zoti i përmend 10 netët në të cilat edhe betohet, ka për qëllim 10 ditët bashkë me netët e para të muajit dhul-hixhxheh. Duhet ditur mirëfilli se All-llahu xh.sh. betohet në sende e gjëra shumë me rëndësi dhe se duhet kushtuar një kujdes të veçantë e duhet studiuar mirë atë në çka betohet Ai.



Ndërkaq për vlerën e këtyre dhjetë ditëve flet edhe vetë Pejgamberi a.s. në disa hadithe që përcillen prej tij. Kështu ai thotë: “Nuk ka ditë më të mira se këto (pra, 10 dhul-hixhxheh), në të cilat All-llahu i do më së shumti veprat dhe punët e mira”. I thanë: “O i Dërguar i Zotit, a edhe se xhihadi? Tha: “Edhe se xhihadi, përpos njeriut i cili del me gjithë pasurinë e tij dhe nuk kthehet më (pra që mbetet shehid në front)”. Në një hadith tjetër që e transmeton Ibni Omeri r.a., Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nuk ka ditë më të mëdha tek All-llahu xh.sh. dhe punë të mira më të dashura që bëhen në të tek Ai se këto dhjetë ditët. Prandaj, shtojeni në këto ditë tehlilin (La ilahe il-lall-llah), tekbirin (All-llahu ekberull-llahu ekber la ilahe ilall-llahu vall-llahu ekber. All-llahu ekberu velil-lahil hamd) dhe Tahmidin (elhamdu lil-lahi Rabbil-alemin)”.



Këto dhjetë ditë kanë një vlerë të madhe e të dashur tek All-llahu xh.sh., ngase në këto ditë mblidhen e kryhen një sërë ibadetesh kryesore, siç janë: namazi, agjërimi, sadakaja, haxhxhi, kurbani etj. Prandaj është mustehab (e pëlqyeshme) që gjatë këtyre ditëve namazet farz kurrsesi të mos vonohen, por të falen në kohën e vet, të shtohen namazet nafile sepse kjo është e vetmja mënyrë që të afron më së shumti tek All-llahu xh.sh., pastaj të agjërohet nafile e sidomos dita e nëntë e këtij muaji që është dita e arifes (ose Arafatit), sepse kjo ka qenë traditë dhe shprehi edhe e Pejgamberit a.s. dhe në çdo vend e rast të lavdërohet, madhërohet e të falënderohet All-llahu xh.sh. duke i përdorur shprehjet që i përmendëm në hadithin e mësipërm.



Janë ditët kur muslimani i sinqertë edhe një herë e tregon bindjen dhe imanin e tij të plotë, janë ditët kur muslimanët e dobët duhet ta forcojnë imanin e tyre e t’i përkushtohen Zotit duke e falënderuar, madhëruar Atë dhe duke kërkuar falje për gabimet e gjunahet që i ka bërë në jetën e tij të përditshme.



All-llahu xh.sh. na faltë gabimet e gjunahet tona për hir të ibadeteve të këtyre ditëve madhështore e na përforcoftë këmbët tona në të mbarën! AMIN!