PASTËRTIA MORALE



Të nderuar besimtarë!

Të jesh musliman, do të thotë ta besosh All-
llahun si Krijues tëndin dhe si Qenie që urdhëron e vë ligje për jetën tënde. Të gjitha këto ligje e rregulla vlejnë për njeriun në përgjithësi e sidomos për muslimanin. Parimet e besimit, të së drejtës, të marrëdhënieve reciproke midis njerëzve; pra, parimet e imanit, të ibadeteve, të bëmirësisë, të ekonomisë etj., të gjitha kanë një qëllim të vetëm. Ky qëllim është pastërtia morale dhe përsosja ose ngritja shpirtërore e njeriut, gjegjësisht njeriun ta bëjnë njeri që kupton, që njeh dhe që beson në të shenjtën, në të padukshmen.

Feja islame ka ardhur si përmbledhëse e të gjitha të mirave dhe garantuese e çdo vlere të lartë. Kjo fe mbështet dhe porosit gjithçka që e ngre dhe e nderon njeriun, kurse ndalon gjithçka që ul, që e poshtëron dhe që e njollos personalitetin e tij. All-
llahu xh.sh. thotë:

"Dhe le ta ruajnë veten të dëlirë ata të cilët nuk kanë mjete të nevojshme për martesë, derisa t’i pasurojë ata All-
llahu me begatitë e Tij" , (en-Nur:33).

Kurse Pejgamberi a.s. ka thënë: "All-
llahu është Bujar (që jep e fal shumë) dhe i do bujarët. Ai i pëlqen veprat e larta dhe i urren ato të ulëtat".

Kur flasim për moralin e lartë e të pastër, sigurisht që çdo njeri i mençur do ta kuptojë rëndësinë që kjo fe ia jep atij, sidomos kur e sheh aktualitetin e botës së sotme ku dëlirësia e moralit e ka humbur pamjen e saj, ku lejohet gjithçka pa kurrfarë kriteri, ku njeriu nuk e njeh nderin dhe krenarinë e tij, ku moralit nuk i kushtohet kurrfarë vlere, ku sjelljet shtazarake dhe sjelljet e ndyta e kanë kapluar pjesën dërrmuese të njerëzimit. Jetojmë në botën ku nderi shkelet pa fre dhe ku poshtërsia është bërë çështje mode dhe shijeje.

A nuk e dimë se cilat janë poshtërsitë që e kanë kapluar jetën e besimtarëve sot? A nuk e di kush se çka e prish dhe e çka e çnderon njeriun? A nuk e di muslimani se çka është hallall (e lejuar) dhe çka haram (e ndaluar)? Apo shtiret e hiqet se nuk e di dhe pyet kinse për herë të parë ka dëgjuar se alkooli dhe llojet e tij janë haram, se shikimi me afsh në nderin e huaj është haram, se zinaja (kurvëria) është haram, se zbulimi i femrës është haram, se përzierja dhe argëtimi i burrave me gratë e huaja është haram...? Nuk i di këto, apo nuk do të dëgjojë për to? Si duket kjo e dyta është më e vërtetë. Këtë e them ngase muslimani di fort mirë ta dallojë hallallin prej haramit, mirëpo ai është bërë rob dhe shërbëtor i qejfeve dhe dëshirave të pafund të tij. Ky besimtar i dobët bën gjithçka që i thotë mendja e ia sheh syri. Atij i duket normale, bile edhe e lezetshme paraja që e fiton me shitjen e alkoolit, me anë të vajzave të reja shërbyese e lakuriqe që shpalojnë çdo nder të njeriut; atij i vjen mirë kur e sheh gruan apo vajzën e vet të veshur (më mirë të them të zhveshur) si jomuslimanja, atij nuk i pengon pse gruaja dhe vajza e rritur e tij nuk ka mbulesë islame dhe pse e ka zbuluar bile edhe kërthizën e vet; atij nuk i pengon pse gruaja dhe vajza po edhe djali edhe vetë ai shkojnë nëpër basene (pishina) të zhveshur e të përzier me njerëz të njohur e të panjohur; atij nuk i pengon përqafimi i gruas në rrugë apo përpara fëmijëve. E kur t’i themi se të gjitha këto sjellje më shumë i ngjajnë kafshës sesa njeriut, ai menjëherë do t’i shtrembërojë hundët e do të hidhërohet; kur t’i themi se më tepër i ngjajnë punës së jomuslimanit, menjëherë do të thotë po a edhe jomusliman më shpallët?! Jo ne nuk shpallim musliman apo jomusliman askënd, por sjelljet tua ma thuan këtë gjë, sepse asgjë nuk shoh islame te ti, nuk shoh se ke turp dhe mbare islame, nuk shoh se të bren ndërgjegjja pse familja jote nuk jeton sipas parimeve islame, nuk shoh se mërzitesh pse djali yt dhe vajza jote bredhin rrugëve gjithë natën, nuk shoh se nuk je i qetë pse ti dhe familja jote nuk falni namaz, nuk respektoni rregullat e fesë e të njerëzimit. Me çka ti dallohesh prej jomuslimanit? Apo ndoshta nuk dëshiron aspak të dallosh prej tij? Apo ndoshta të pëlqen mënyra e jetesës së tij? Punët dhe sjelljet tua e të familjes sate ma thonë këtë të fundit. Se ti më shumë po e pëlqen ndyrësinë e zviceranit sesa pastërtinë e tij, se më shumë po të pëlqen të jetosh pa rend e rregulla sesa me to, më shumë po ta ka ënda të jetosh ashtu si i sheh njerëzit e botës sesa si të mëson feja e njerëzimi. Dije, më në fund, se nëse dëshiron të kalosh në ndonjë sistem jete apo fe tjetër, All-
llahu xh.sh. nuk do ta pranojë atë. Ai thotë në Kur’an:

"E, kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurrsesi nuk do t’i pranohet, kurse në botën tjetër do të jetë prej të dëshpëruarve ", (Alu Imran:85).

All-
llahu na mëshiroftë e na mundësoftë që sa më parë të pendohemi, të bëjmë tevbe e të fillojmë ta përmirësojmë vetveten dhe familjen tonë! Amin!