SYRI I ZEMRËS

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 


“Përkujto kur Zoti yt nxori nga shpina e bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri dëshmues të vetes së tyre (duke u thëne): ‘A nuk jam Unë Zoti juaj?’ Ata thanë: ‘Po, padyshim edhe ne dëshmojmë!’ Të mos thoni në ditën e Kijametit: ‘Në të vërtetë ne nuk e kemi ditur këtë’, (el-A’raf:172). 

Njeriu është një qenie që mund të harrojë e të gabojë. Harresa është arsyeja e shumë të këqijave. Njeriu i parë (Ademi a. s.) harroi dhe iu afrua pemës së ndaluar. Kjo shërbeu si arsye për daljen e tij nga Xhenneti. Në çastin kur harroi fjalën e dhënë All-
llahut xh. sh. dhe shkeli premtimin, ra në gabim. Edhe ne harrojmë shumë. I kemi dhënë një fjalë All-llahut xh. sh. Kur Ai i ka pyetur shpirtrat tanë, pra neve,: ‘A nuk jam Unë Zoti juaj?, ne i jemi përgjigjur: ‘Po, padyshim Ti je Zoti ynë’. Pra, e kemi pranuar si Zot dhe Krijues tonin dhe i kemi dhënë fjalën se do t’i bindemi dhe do t’i bëjmë ibadet. Mirëpo, pasi e dhamë atë fjalë dhe erdhëm në botë (lindëm), po e gjejmë veten të mbuluar nga perdja e moskujdesit dhe shpërfilljes. Nëse pyetemi, se a na kujtohet gjendja jonë në barkun e nënës, natyrisht do të përgjigjemi: ‘Jo’, ndërkohë që në atë kohë na është dhënë shpirti. Nëse pyetemi për gjendjen tonë në ditën kur lindëm, përsëri nuk do të na kujtohet gjë. Edhe nëse na kërkohet të kujtojmë kohët e ditëve e muajve të parë të jetës, përsëri nuk do të kujtojmë asgjë. Ndoshta mund të na kujtohet diçka nga mosha tre vjeçare. 

Pas lindjes së fëmijës, ai sheh shumë gjëra, sepse zemra e tij është e hapur dhe pa mëkate. Sheh me sytë e zemrës, sheh melekë dhe shejtanë. Pak ditë më vonë nis dhe i vihet perdja mbi sy. Ai dalëngadalë fillon të ndikohet nga ambienti i jashtëm dhe të marrë gjendjen e prindërve të vet. Nëse ata janë muslimanë të devotshëm e të përkushtuar, edhe ky do të rritet i tillë. Po nëse janë ndryshe, edhe ky do të jetë si ata. 

Kur aty kah pleqëria fillojmë të ndjejmë se po verbohemi, kërkojmë të shkojmë te mjeku, për ta korrigjuar këtë të metë, sepse dëshirojmë ta shohim botën që na rrethon. Nga operacioni i bërë, disa shërohen e disa bëhen edhe më keq. E pra, kur syri i ballit nuk sheh, njeriu mundohet në çdo mënyrë ta rifitojë shikimin. Mirëpo, a ka vënë re dikush ndonjë njeri të përpiqet të shërohet për të hapur syrin e vet të zemrës. Me sa duket askënd nuk po e shqetëson kjo. Askujt s’po i pengon se zemra e tij nuk po e kupton të vërtetën, se e ka harruar fjalën e dhënë All-
llahut xh. sh., Krijuesit të vet se do ta adhurojë e respektojë Atë. Ata që nuk i hapin sytë me dritën e besimit, në jetën tjetër do të vuajnë shumë. 

Kemi dy lloje besimesh: besimi i mbështetur në imitim, pra ashtu siç besojnë të tjerët e jo siç duhet të besohet; dhe besimi i mbështetur në të vërtetën e thellë. Të theksojmë se nuk është e pranueshme të mjaftohemi me besimin e mbështetur në imitim, sepse shumë lehtë mund të mashtrohemi nga lajkat e Shejtanit i cili sulmon kudo. 

Tregohet në një rast se Abdulkadir Xhejlani po udhëtonte nëpër shkretëtirë, kur pa një dritë që iu drejtua me një zë të brendshëm: ‘O Abdulkadir, unë jam zoti yt, ty të kam lejuar gjithçka’ Mirëpo Xhejlani nuk u mashtrua dhe tha: ‘Zhduku, o djall! All-
llahu të mallkoftë! Zhduku dhe hiqu sysh!’ Shejtani e pyeti, se nga e njohu. Ai iu përgjigj: ‘All-llahu xh. sh. as Pejgamberit a. s. nuk i ka lejuar gjithçka, e si do të më lejonte mua?!’ 

Pra, Xhejlani e ruajti besimin e vet në sajë të dijes dhe njohjes. Një njeri i thjeshtë përballë një situate të tillë do të ishte mashtruar shumë lehtë. Ajo që e ruan besimin në raste të këtilla është bindja e plotë se përse besoj Zotin, përse duhet ta besoj, përse duhet t’i përkulem e nënshtrohem fjalës së Tij, përse duhet të veproj e të sillem sipas udhëzimeve të Kur’anit a. sh. Ky besim dhe iman i plotë arrihet duke ia parashtruar vetvetes tri pyetjet kryesore që në rast të përgjigjes së tyre do të mund ta kuptonim filozofinë e jetës dhe do të na ishin hapur sytë e zemrës, e ato pyetje janë: Nga kam ardhur në këtë botë, pra kush më solli? Përse jam dhe përse jetoj? Ku do të shkoj pas përfundimit të kësaj bote? 

All-
llahu xh. sh. na shtoftë dëshirën për të kuptuar dhe na haptë sytë e zemrës për ta njohur Atë!